KAPITULLI 39
Dënim për një brez mospërfillës
JEZUI QORTON DISA QYTETE
OFRON LEHTËSIM DHE FRESKIM
Jezui e vlerëson shumë Gjon Pagëzorin, por a mendojnë kështu shumica e njerëzve? Jezui thotë se ky brez «ngjan me fëmijët që rrinë ulur në sheshet e pazareve dhe u thonë shokëve të lojës: ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk u hidhëruat.’»—Mateu 11:16, 17.
Ku e ka fjalën Jezui? Ai vetë e sqaron: «Erdhi Gjoni që nuk ha e nuk pi, e megjithatë njerëzit thonë: ‘Ai ka një demon.’ Erdhi Biri i njeriut që ha e pi, dhe prapëseprapë njerëzit thonë: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’» (Mateu 11:18, 19) Për Gjonin, një nazire që bën një jetë të thjeshtë dhe nuk pi fare verë, ky brez thotë se është i demonizuar. (Numrat 6:2, 3; Luka 1:15) Kurse për Jezuin që jeton si gjithë të tjerët dhe ha e pi me karar, akuzohet se e tepron. Duket e pamundur t’i kënaqin këta njerëz.
Pra Jezui krahason brezin me fëmijët në sheshet e pazareve që refuzojnë të kërcejnë kur fëmijët e tjerë i bien fyellit dhe të hidhërohen kur të tjerët vajtojnë. «Gjithsesi,—thotë ai,—mençuria del e drejtë nga veprat.» (Mateu 11:16, 19) Po, «veprat», provat që japin Gjoni dhe Jezui, dëshmojnë se akuzat kundër tyre janë të rreme.
Pasi Jezui e etiketon këtë brez si mospërfillës, qorton në veçanti tri qytete ku ka bërë mrekulli: Korazinin, Betsaidën dhe Kapernaumin. Ai tha se, po t’i kishte bërë këto vepra të fuqishme në qytetet fenikase të Tirit dhe të Sidonit, ato do të ishin penduar. Edhe pse Kapernaumi ishte qendra e aktivitetit të Jezuit për ca kohë, nuk iu përgjigj pozitivisht mesazhit të tij. Prandaj, për këtë qytet, Jezui thotë: «Sodoma do ta ketë më të lehtë se ti Ditën e Gjykimit.»—Mateu 11:24.
Më pas Jezui lëvdon të Atin, i cili ua fsheh të vërtetat e tij të pashoqe «të mençurve e intelektualëve», por ua bën të njohura të përulurve që janë si fëmijë të vegjël. (Mateu 11:25) Këtyre të fundit u bën një ftesë të ngrohtë: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin, sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
Si ofron freskim Jezui? Udhëheqësit fetarë i kanë skllavëruar njerëzit me tradita të rënda, siç janë rregullat tepër strikte të Sabatit. Por Jezui i freskon duke u mësuar të vërtetën e Perëndisë, të panjollosur nga këto tradita. Gjithashtu tregon si të gjejnë lehtësim ata që ndihen të shtypur nga sundimi i autoriteteve politike dhe ata që e kanë zemrën të dërrmuar nga mëkati. Pra, Jezui u tregon si mund t’u falen mëkatet dhe si mund të jenë në paqe me Perëndinë.
Të gjithë ata që pranojnë zgjedhën e këndshme të Jezuit mund t’i kushtohen dhe t’i shërbejnë Perëndisë, Atit tonë qiellor të dhembshur dhe të mëshirshëm. Kjo nuk përbën një barrë për ta, sepse kërkesat e Perëndisë nuk janë aspak të rënda.—1 Gjonit 5:3.