Lehtësim nga stresi: Një kurë praktike
«Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj.»—MATEU 11:28.
1, 2. (a) Çfarë përmban Bibla që ndihmon për të lehtësuar stresin e tepërt? (b) Sa të efektshme ishin mësimet e Jezuit?
NDOSHTA do të ishit të një mendimi se stresi i tepërt është i dëmshëm, është baras me dëshpërimin. Bibla tregon se e gjithë krijesa njerëzore është kaq e rënduar me barrë të rënda, saqë shumë veta me ankth presin çlirim nga jeta e sotme stresuese. (Romakëve 8:20-22) Por Shkrimet tregojnë edhe se si mund të arrijmë qysh tani një lehtësim mjaft të madh nga dëshpërimi. Ky lehtësim vjen duke ndjekur këshillat dhe shembullin e një burri të ri që jetoi 20 shekuj më parë. Ai ishte zdrukthëtar, por dashurinë më të madhe e kishte për njerëzit. U prekte zemrën njerëzve, plotësonte nevojat e tyre, ndihmonte të dobëtit dhe ngushëllonte të dëshpëruarit. Më tepër se kaq, ndihmoi shumë veta që të arrinin pjekurinë e tyre frymore. Në këtë mënyrë ata gjetën lehtësim nga stresi i tepërt, siç mund ta gjeni edhe ju.—Luka 4:16-21; 19:47, 48; Gjoni 7:46.
2 Ky njeri, Jezui nga Nazareti, nuk udhëhiqej nga arsimimi i rafinuar që disa veta e kërkonin te Roma, Athina ose Aleksandria e lashtë. Prapëseprapë, mësimet e tij janë të famshme. Ato kishin të gjitha një temë: qeverinë me anë të së cilës Perëndia do ta sundojë me sukses tokën. Jezui shpjegoi edhe parimet bazë të jetës, parime që janë vërtet të vlefshme sot. Ata që mësojnë dhe që zbatojnë mësimet e Jezuit kanë dobi të menjëhershme, duke përfshirë edhe lehtësimin nga stresi i tepërt. A nuk do t’ju pëlqente një gjë e tillë?
3. Cilën ftesë të mrekullueshme bëri Jezui?
3 Ndoshta mund të keni dyshime. ‘A mundet dikush që ka jetuar kaq shumë kohë më parë, të ketë ndikim domethënës në jetën time tani?’ Mirë, pra, dëgjoni fjalët tërheqëse të Jezuit: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:28-30) Çfarë donte të thoshte? Le t’i shqyrtojmë këto fjalë me hollësi dhe të shohim se si i hapin udhën lehtësimit nga stresi shtypës.
4. Cilëve persona u foli Jezui dhe përse dëgjuesit e tij mund ta kenë pasur të vështirë të bënin atë që kërkohej prej tyre?
4 Jezui foli me shumë veta që po përpiqeshin me ngulm të bënin atë që ishte e ligjshme, por ishin «të ngarkuar» pasi udhëheqësit judenj e kishin bërë fenë një barrë të rëndë. (Mateu 23:4) Këta të fundit përqendroheshin në rregulla të pafundme për pothuajse çdo fushë të jetës. A nuk do t’ju dukej stresuese të dëgjonit vazhdimisht «nuk duhet» të bësh këtë ose atë? Në dallim me këtë, Jezui i ftonte njerëzit tek e vërteta, te drejtësia, te një jetë më e mirë, nëse do ta dëgjonin atë. Po, udha për të njohur Perëndinë e vërtetë përfshinte t’i kushtonin vëmendje Jezu Krishtit, sepse tek ai njerëzit mund të shihnin—e mund të shohin edhe sot—si është Jehovai. Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9.
A është tepër stresuese jeta juaj?
5, 6. Si ishin kushtet e punës dhe pagat në ditët e Jezuit, në krahasim me tonat sot?
5 Kjo gjë mund të jetë me interes për ju ngaqë puna ose gjendja familjare mund t’ju rëndojnë shumë. Ose përgjegjësi të tjera që keni mund t’ju duken mbytëse. Nëse po, jeni ngjashëm njerëzve të çiltër që takoi dhe ndihmoi Jezui. Për shembull, shqyrtoni problemin e sigurimit të jetesës. Shumë veta luftojnë me këtë problem sot e shumë luftonin edhe në ditët e Jezuit.
6 Në atë kohë, një punëtor robtohej 12 orë në ditë, 6 ditë në javë, zakonisht vetëm për një denar në ditë. (Mateu 20:2-10) Si është kjo pagë në krahasim me rrogën që merrni ju ose miqtë tuaj? Mund të jetë e vështirë të krahasojmë pagat në kohët e lashta me ato në kohët tona. Një mënyrë për ta bërë këtë është të marrim parasysh fuqinë blerëse, domethënë çfarë mund të blihet me paranë. Një studiues thotë se në ditët e Jezuit, një bukë e bërë me katër kupa miell gruri kushtonte afërsisht sa paga e një ore punë. Një studiues tjetër thotë se një kupë verë e mirë kushtonte afërsisht pagën e dy orëve punë. Nga këto hollësi mund ta kuptojmë se njerëzit në atë kohë robtoheshin me orë të zgjatura për të mbajtur veten gjallë. Kishin nevojë për lehtësim dhe freskim, siç kemi të gjithë. Nëse jeni të punësuar, ndoshta ndiheni nën presion për të bërë më shumë. Shpesh, nuk keni kohë për të marrë vendime të menduara mirë. Ndoshta e pranoni se e dëshironi me zjarr lehtësimin.
7. Cili ishte reagimi ndaj mesazhit të Jezuit?
7 Qartë, ftesa që u bëri Jezui të gjithë atyre që ‘po robtoheshin dhe ishin të ngarkuar’ do të ketë qenë shumë tërheqëse për shumë dëgjues në atë kohë. (Mateu 4:25; Marku 3:7, 8) Sillni ndër mend edhe se Jezui shtoi premtimin: «Unë do t’ju freskoj.» I njëjti premtim është në fuqi edhe sot. Mund të zbatohet për ne nëse ‘po robtohemi dhe jemi të ngarkuar’. Mund të zbatohet edhe për njerëzit tanë të dashur, gjendja e të cilëve ndoshta është e ngjashme me tonën.
8. Si e shtojnë stresin rritja e fëmijëve dhe mosha e shkuar?
8 Ka edhe gjëra të tjera që i rëndojnë njerëzit. Të rritësh fëmijë është një sfidë mjaft e madhe. Edhe të jesh fëmijë mund të jetë një sfidë. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish të çdo moshe hasin probleme të shëndetit mendor dhe fizik. E, ndonëse njerëzit mund të jetojnë më gjatë, të moshuarit luftojnë me probleme të veçanta, me gjithë përparimet në mjekësi.—Predikuesi (Eklisiastiu) 12:1.
Nën zgjedhë
9, 10. Simbol i çfarë gjëje ishte zgjedha në kohët e lashta dhe përse Jezui i ftoi njerëzit që të merrnin mbi vete zgjedhën e tij?
9 Nëse e vutë re, në fjalët e cituara nga Mateu 11:28, 29 Jezui tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje.» Në atë kohë, njerëzit e thjeshtë mund të jenë ndier sikur po punonin nën një zgjedhë. Që nga kohët e lashta, zgjedha është përdorur si ilustrim për skllavërinë ose robërinë. (Zanafilla 27:40; Levitiku 26:13; Ligji i përtërirë 28:48) Shumë nga mëditësit që takoi Jezui punonin duke mbajtur një zgjedhë të mirëfilltë në shpatulla, duke mbartur barrë të rënda. Në varësi të formës që i jepej zgjedhës, ajo mund të ishte pak a shumë e rehatshme në qafë e në shpatulla ose mund të fërkohej e të shkaktonte acarim të lëkurës. Si zdrukthëtar, Jezui mbase kishte bërë zgjedha dhe do ta ketë ditur si t’i jepte formë një zgjedhe që të ishte «e këndshme». Ndoshta pikat ku ajo fërkohej me trupin i vishte me lëkurë ose me ndonjë pëlhurë për ta bërë zgjedhën sa më të rehatshme që të ishte e mundur.
10 Kur Jezui tha «merrni mbi vete zgjedhën time», mund të ishte duke e krahasuar veten me një person që siguronte zgjedha të bëra mirë, të cilat do të ishin ‘të këndshme’ për qafën dhe shpatullat e një punëtori. Kështu, Jezui shtoi: «Ngarkesa ime është e lehtë.» Kjo nënkuptonte që zgjedha nuk ishte e pakëndshme dhe as puna nuk ishte skllavëruese. Kuptohet, duke i ftuar dëgjuesit e tij që të pranonin zgjedhën e tij, Jezui nuk po ofronte lehtësim të menjëhershëm nga të gjitha kushtet shtypëse që kishte atëherë. Gjithsesi, pikëpamja e ndryshme që paraqiti do të sillte freskim mjaft të madh. Edhe rregullimet që do të bënin në stilin e jetesës dhe në mënyrën se si i bënin gjërat do t’u sillnin lehtësim. Ç’është më e rëndësishme, një shpresë e qartë dhe e fortë do t’i ndihmonte që ta shihnin jetën si më pak stresuese.
Mund të gjeni freskim
11. Përse Jezui nuk po propozonte thjesht një këmbim zgjedhash?
11 Është për t’u vënë re se Jezui nuk po thoshte që njerëzit do ta këmbenin një zgjedhë me një tjetër. Roma do ta kishte ende nën kontroll vendin, ashtu si qeveritë e sotme kanë nën kontroll vendet ku jetojnë të krishterët. Taksat romake të shekullit të parë nuk do të zhdukeshin. Problemet shëndetësore dhe ekonomike do të mbeteshin. Papërsosmëria dhe mëkati do të vazhdonin të ndikonin te njerëzit. Gjithsesi, ata mund të gjenin freskim duke përvetësuar mësimin e Jezuit, siç mund të gjejmë freskim edhe ne sot.
12, 13. Çfarë theksoi Jezui se do të sillte freskim dhe si u përgjigjën disa?
12 Një zbatim i rëndësishëm i ilustrimit të Jezuit me zgjedhën u bë i dukshëm në lidhje me veprën e bërjes së dishepujve. S’ka asnjë dyshim se vepra kryesore e Jezuit ishte mësimdhënia, duke e vënë theksin te Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 4:23) Prandaj, kur ai tha «merrni mbi vete zgjedhën time», kjo me siguri do të kishte përfshirë që ta ndiqnin në të njëjtën vepër. Ungjijtë tregojnë se Jezui i nxiti disa njerëz të çiltër që të ndryshonin punën e tyre, e cila është një shqetësim kryesor në jetën e shumë vetave. Sillni ndër mend thirrjen që i bëri Pjetrit, Andreas, Jakovit dhe Gjonit: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj të jeni peshkatarë njerëzish.» (Marku 1:16-20) U tregoi atyre peshkatarëve sa e kënaqshme do të ishte nëse do të bënin veprën që ai po e vinte në vend të parë në jetën e tij, duke e bërë këtë nën udhëheqjen dhe me ndihmën e tij.
13 Disa judenj që po e dëgjonin, e kuptuan për çfarë e kishte fjalën dhe e vunë në praktikë. Përfytyroni skenën buzë detit për të cilën lexojmë te Luka 5:1-11. Katër peshkatarë ishin robtuar gjithë natën, por nuk kishin zënë gjë. Papritur, rrjetat e tyre u mbushën plot! Kjo nuk ishte e rastësishme, pasi ndodhi si rrjedhojë e ndërhyrjes së Jezuit. Ndërsa shihnin drejt bregut të detit, ata panë një shumicë njerëzish shumë të interesuar për mësimet e Jezuit. Kjo ishte një ndihmë për të shpjeguar atë që u tha Jezui të katërve: ‘Që tani e tutje, do të zini njerëz të gjallë.’ Cila ishte përgjigjja e tyre? «Ata i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.»
14. (a) Si mund të gjejmë sot freskim? (b) Cilin lajm të mirë freskues shpalli Jezui?
14 Në thelb, ju mund të përgjigjeni në mënyrë të ngjashme. Vepra për t’u mësuar njerëzve të vërtetën biblike është ende në vazhdim. Rreth gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën e kanë pranuar ftesën e Jezuit për të ‘marrë mbi vete zgjedhën e tij’ dhe janë bërë «peshkatarë njerëzish». (Mateu 4:19) Disa janë angazhuar në kohë të plotë në këtë vepër, të tjerë bëjnë sa më shumë që munden në një pjesë të kohës së tyre. Të gjithëve u duket freskuese kjo gjë, kështu që jeta e tyre bëhet më pak stresuese. Kjo vepër përfshin të bëjnë një gjë që u pëlqen, pra, t’u thonë të tjerëve lajmin e mirë—«lajmin e mirë të mbretërisë». (Mateu 4:23) Është gjithnjë kënaqësi të flasësh për lajme të mira, por sidomos për këtë lajm të mirë. Bibla përmban materialin bazë që na duhet për t’i bindur shumë veta se mund të bëjnë një jetë më pak stresuese.—2 Timoteut 3:16, 17.
15. Si mund të nxirrni dobi nga mësimet e Jezuit për jetën?
15 Në njëfarë mase, edhe njerëzit që sapo kanë filluar të mësojnë për Mbretërinë e Perëndisë, kanë nxjerrë dobi nga mësimet që ka dhënë Jezui se si duhet jetuar. Shumë mund ta vërtetojnë se mësimet e Jezuit i kanë freskuar dhe i kanë ndihmuar të ndryshojnë jetën. Mund ta zbuloni vetë këtë, duke shqyrtuar disa nga parimet për jetën, të cilat gjenden në tregimet e jetës dhe të shërbimit të Jezuit, e sidomos në Ungjijtë e shkruar nga Mateu, Marku dhe Luka.
Një mënyrë për të gjetur freskim
16, 17. (a) Ku mund t’i gjeni disa nga mësimet kryesore të Jezuit? (b) Çfarë nevojitet për të gjetur freskim duke zbatuar mësimet e Jezuit?
16 Në pranverën e vitit 31 të e.s., Jezui mbajti një fjalim që është i njohur edhe sot e kësaj dite në mbarë botën. Zakonisht e quajnë Predikimi në Mal. Është dokumentuar në kapitujt 5, 6 dhe 7 të Mateut e në kapitullin 6 të Lukës dhe përmbledh shumë nga mësimet e tij. Mund të gjeni mësime të tjera të Jezuit edhe në pjesë të tjera të Ungjijve. Shumë nga gjërat që tha ai nuk kanë nevojë për shpjegime, ndonëse mund të jetë një sfidë të vihen në praktikë. Përse të mos i lexoni ata kapituj me kujdes dhe duke medituar? Lini që fuqia e ideve të Jezuit të ndikojë në mënyrën tuaj të të menduarit dhe në qëndrimin tuaj.
17 Qartë, mësimet e Jezuit mund të grupohen në mënyra të ndryshme. Le t’i grupojmë mësimet kryesore, në mënyrë që të kemi një mësim për çdo ditë të muajit, me synimin për t’i vënë në praktikë në jetë. Si? Mirë, mos i kaloni tepër shpejt ato. Sillni ndër mend sundimtarin e pasur i cili e pyeti Jezu Krishtin: «Ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?» Kur Jezui përsëriti kërkesat jetësore të Ligjit të Perëndisë, ai iu përgjigj se tashmë i plotësonte këto. Gjithsesi, e kuptonte se duhej të bënte më shumë. Jezui i kërkoi që të bënte më shumë përpjekje për t’i zbatuar parimet hyjnore në mënyra praktike, që të ishte një dishepull aktiv. Me sa duket, ai njeri nuk ishte gati të shkonte deri aty. (Luka 18:18-23) Prandaj, ai që dëshiron të marrë sot mësimet e Jezuit, duhet të mos harrojë se ka një dallim ndërmjet të qenët i një mendimi me to dhe përqafimit të tyre në mënyrë aktive. Kjo e fundit është mënyra për të pakësuar stresin.
18. Ilustroni se si mund ta përdorni në mënyrë dobiprurëse kutinë shoqëruese.
18 Si fillim, për të shqyrtuar dhe për të zbatuar mësimet e Jezuit, shikoni pikën 1 në kutinë shoqëruese. I referohet Mateut 5:3-9. Ta themi hapur, secili prej nesh mund të kalonte goxha kohë duke medituar për këshillat e mrekullueshme që paraqiten në këto vargje. Megjithatë, duke i parë në tërësi, çfarë përfundimi nxirrni lidhur me qëndrimin që duhet pasur? Nëse dëshironi vërtet të kapërceni efektin e stresit të tepërt në jetën tuaj, çfarë do t’ju ndihmojë? Si mund të ndikojë për mirë te ju nëse u kushtoni më shumë vëmendje gjërave frymore, duke menduar më shumë për to? A ka ndonjë çështje në jetën tuaj së cilës nevojitet t’i kushtoni më pak rëndësi, duke lënë vend që t’u kushtoni më shumë vëmendje gjërave frymore? Nëse veproni kështu, do ta shtoni lumturinë tuaj që tani.
19. Çfarë mund të bëni për të fituar më tej gjykim të thellë dhe kuptueshmëri?
19 Tani, bëni edhe një hap më tej. Përse të mos flitni për këto vargje me një shërbëtor tjetër të Perëndisë, ndoshta me bashkëshortin, me një të afërm ose me një mik? (Fjalët e urta 18:24; 20:5) Mbani parasysh se sundimtari i pasur pyeti dikë tjetër, Jezuin, për një çështje të rëndësishme. Përgjigjja mund t’ia kishte rritur atij mundësinë për të qenë i lumtur dhe për të pasur jetë të gjatë. Bashkadhuruesi me të cilin flitni për këto vargje nuk është i barabartë me Jezuin, por, gjithsesi, biseda lidhur me mësimet e Jezuit do të jetë me dobi për të dy. Përpiquni ta bëni këtë sa më shpejt.
20, 21. Cilin program mund të ndiqni për të mësuar disa nga mësimet e Jezuit dhe si mund ta përcaktoni përparimin që keni bërë?
20 Vini re edhe një herë kutinë shoqëruese, «Mësime që do t’ju ndihmojnë». Këto mësime janë grupuar në mënyrë të tillë që të keni të paktën një mësim çdo ditë për të shqyrtuar. Në fillim mund të lexoni se çfarë kishte për të thënë Jezui në vargjet e cituara. Më pas, mendoni për fjalët e tij. Meditoni se si mund ta zbatoni këtë mësim në jetën tuaj. Nëse ju duket që tashmë po e zbatoni, meditoni për të kuptuar se çfarë mund të bëni më tepër për të jetuar sipas këtij mësimi hyjnor. Përpiquni ta zbatoni gjatë asaj dite. Nëse e keni të vështirë ta kuptoni ose të shihni se si mund ta zbatoni, kaloni edhe një ditë tjetër me të. Gjithsesi, mbani në mend se nuk ju duhet ta keni zotëruar në mënyrë të përkryer para se të kaloni te mësimi që vjen më pas. Ditën tjetër, mund të shqyrtoni një tjetër mësim. Në fund të javës, mund të shqyrtoni se sa sukses keni pasur duke vënë në praktikë katër ose pesë mësime të Jezuit. Javën e dytë, shtoni mësime të tjera, ditë pas dite. Nëse kuptoni se nuk ia keni dalë mbanë në zbatimin e disa mësimeve, mos u shkurajoni. Çdo të krishteri do t’i ndodhë kjo. (2 Kronikave 6:36; Psalmi 130:3; Predikuesi 7:20; Jakovit 3:8) Vazhdoni t’i zbatoni ato në javën e tretë dhe të katërt.
21 Pas një muaji ose aty afër, mund t’i keni shqyrtuar të 31 pikat. Sido që të jetë, si do të ndiheni për pasojë? A nuk do të jeni disi më të lumtur e ndoshta më të lehtësuar? Edhe sikur të arrini të bëni vetëm një përmirësim të vogël, ka shumë të ngjarë të ndieni më pak stres ose të paktën do ta përballoni më mirë stresin dhe do të keni një metodë për të vazhduar. Mos harroni se ka shumë pika të tjera të shkëlqyera të mësimeve të Jezuit, të cilat nuk janë në listë. Përse të mos kërkoni cilat janë disa prej tyre dhe të përpiqeni t’i vini në praktikë?—Filipianëve 3:16.
22. Çfarë mund të vijë si rrjedhim duke ndjekur mësimet e Jezuit, por cila veçori e mëtejshme e meriton ta studiojmë?
22 Mund ta shihni se, ndonëse nuk është fare pa ngarkesë, zgjedha e Jezuit është vërtet e këndshme. Ngarkesa që sjellin mësimet e tij dhe përgjegjësia për të qenë dishepull është e lehtë. Pasi kishte kaluar më shumë se 60 vjet përvojë personale, apostulli Gjon, miku i dashur i Jezuit, vërtetoi: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Edhe ju mund të jeni po kaq të sigurt. Sa më e gjatë të jetë koha që i zbatoni mësimet e Jezuit, aq më tepër do të shihni se ajo që e bën jetën shumë stresuese për shumë veta sot nuk do të jetë po aq dëshpëruese për ju. Do të shihni se keni gjetur një lehtësim mjaft të madh. (Psalmi 34:8) Megjithatë, ka edhe një veçori të zgjedhës së këndshme të Jezuit të cilin duhet ta shqyrtoni. Jezui përmendi edhe se ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». Si lidhet kjo me faktin që mësojmë nga Jezui dhe e imitojmë atë? Në artikullin vijues, do të marrim në shqyrtim këtë.—Mateu 11:29.
Si do të përgjigjeni?
• Përse duhet t’i drejtohemi Jezuit kur kërkojmë lehtësim nga stresi i tepërt?
• Simbol i çfarë gjëje ishte zgjedha dhe përse?
• Përse Jezui i ftoi njerëzit që të merrnin zgjedhën e tij?
• Si mund të gjeni freskim frymor?
[Diçitura në faqen 14]
Shkrimi i vitit për Dëshmitarët e Jehovait gjatë vitit 2002 do të jetë: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.»—Mateu 11:28.
[Kutia dhe figura në faqet 12, 13]
Mësime që do t’ju ndihmojnë
Çfarë gjërash të mira mund të gjeni në kapitujt 5 deri në 7 të Mateut? Këta kapituj përmbajnë mësimet e paraqitura në një shpat kodre të Galilesë nga Mësuesi i Madh, Jezui. Ju lutemi, lexoni vargjet e cituara më poshtë, duke përdorur kopjen tuaj të Biblës dhe bëjini vetes pyetjet që lidhen me to.
1. 5:3-9 Çfarë më tregon kjo për qëndrimin tim në përgjithësi? Si mund të punoj për të pasur më shumë lumturi? Si mund t’i kushtoj më shumë vëmendje nevojave të mia frymore?
2. 5:25, 26 Çfarë është më mirë se të imitoj frymën e grindjes që kanë shumë veta?—Luka 12:58, 59.
3. 5:27-30 Çfarë theksojnë fjalët e Jezuit lidhur me fantazirat romantike? Në ç’mënyrë, duke i shmangur këto fantazira, do ta shtoj lumturinë time dhe paqen mendore?
4. 5:38-42 Përse duhet të përpiqem ta shmang theksin që i vë shoqëria moderne agresivitetit të theksuar?
5. 5:43-48 Si do të nxjerr dobi duke u njohur më mirë me shokë që më parë mund t’i kem quajtur armiq? Çfarë ka të ngjarë të bëjë kjo për të pakësuar ose për të zhdukur tensionin?
6. 6:14, 15 Nëse disa herë kam prirjen të mos fal, mos ndoshta shkaku kryesor është smira ose inati? Si mund ta ndryshoj këtë?
7. 6:16-18 A jam i prirur të merakosem më shumë për dukjen e jashtme, sesa për personin që jam brenda? Për çfarë duhet të jem më shumë i kujdesshëm?
8. 6:19-32 Cila mund të jetë pasoja nëse shqetësohem së tepërmi për paratë dhe zotërimet? Cilat mendime do të më ndihmojnë të ruaj drejtpeshimin në këtë fushë?
9. 7:1-5 Si ndihem kur jam i rrethuar nga njerëz që kanë prirje të gjykojnë e kritikojnë, duke gjetur gjithnjë të meta te të tjerët? Përse është e rëndësishme për mua që të mos lejoj të jem si ata?
10. 7:7-11 Nëse këmbëngulja është gjë e mirë kur i bëj kërkesa Perëndisë, ç’të them për fushat e tjera të jetës?—Luka 11:5-13.
11. 7:12 Ndonëse e njoh Rregullën e Artë, sa shpesh e zbatoj këtë këshillë në marrëdhëniet me të tjerët?
12. 7:24-27 Duke qenë se jam përgjegjës për mënyrën se si e drejtoj jetën, si mund të jem më i përgatitur për stuhitë e vështirësive dhe për përmbytjet e telasheve? Përse duhet të mendoj tani për këtë?—Luka 6:46-49.
Mësime të tjera që mund t’i marr në shqyrtim:
13. 8:2, 3 Si mund të pasqyroj dhembshuri për ata që janë në rrethana të pafavorshme, siç bëri shumë shpesh Jezui?
14. 9:9-38 Çfarë vendi zë në jetën time shfaqja e mëshirës dhe si mund ta shfaq më tepër këtë cilësi?
15. 12:19 Duke mësuar nga profecia rreth Jezuit, a përpiqem t’i shmang debatet që nxitin grindje?
16. 12:20, 21 Çfarë të mire do të bëj duke mos i rënduar të tjerët me fjalët ose me veprimet e mia?
17. 12:34-37 Për çfarë flas pjesën më të madhe të kohës? Pasi e di që kur shtrydh një portokall, prej saj del lëng portokalli, përse duhet t’i kushtoj vëmendje asaj që kam brenda, në zemrën time?—Marku 7:20-23.
18. 15:4-6 Nga komentet e Jezuit, çfarë kuptoj për kujdesin e dashur për të moshuarit?
19. 19:13-15 Për çfarë duhet të gjej kohë që të bëj?
20. 20:25-28 Përse nuk më sjell ndonjë dobi të ushtroj autoritet për përfitimin tim? Si mund ta imitoj Jezuin në këtë fushë?
Mendime të mëtejshme, të dokumentuara nga Marku:
21. 4:24, 25 Çfarë rëndësie ka mënyra se si i trajtoj të tjerët?
22. 9:50 Nëse ajo që them e që bëj është e hijshme, cilat përfundime të mira ka të ngjarë të vijnë?
Në fund, disa mësime të dokumentuara nga Luka:
23. 8:11, 14 Nëse lejoj që ankthet, pasuria dhe kënaqësitë e jetës të sundojnë në jetën time, cila mund të jetë pasoja?
24. 9:1-6 Ndonëse Jezui kishte fuqinë për të shëruar të sëmurët, çfarë vuri ai në vend të parë?
25. 9:52-56 A ofendohem me lehtësi? A e shmang frymën e hakmarrjes?
26. 9:62 Si duhet ta shoh përgjegjësinë time për të folur për Mbretërinë e Perëndisë?
27. 10:29-37 Si mund të jap prova se jam një i afërm, jo një i huaj?
28. 11:33-36 Cilat ndryshime mund të bëj, në mënyrë që ta bëj më të thjeshtë jetën time?
29. 12:15 Cila është lidhja ndërmjet jetës dhe zotërimeve?
30. 14:28-30 Nëse gjej kohë për t’i peshuar me kujdes vendimet, çfarë mund të shmang dhe me çfarë dobie?
31. 16:10-12 Çfarë dobish mund të kem nga një jetë me integritet?
[Figurat në faqen 10]
Vepra jetëshpëtuese nën zgjedhën e Jezuit është freskuese