Pse duhet të mblidhemi bashkë?
PAS 20 vjet martese, Kristinën e la i shoqi krejt papritur dhe tani duhej t’i rriste vetë fëmijët, shtatë djem e një vajzë, me moshë nga 7 deri në 18 vjeç. Ajo thotë: «Më duhej t’i merrja vetë të gjitha vendimet e rëndësishme. Ndihesha e rënduar nga gjithë kjo përgjegjësi dhe dëshiroja shumë mbështetje e drejtim.» Ku e gjeti ndihmën që kërkonte?
Kristina shprehet: «Për mua dhe familjen time, mbledhjet e krishtere ishin të domosdoshme për të mbijetuar. Atje merrnim ndihmë nga miqtë tanë dhe drejtim nga Fjala e Perëndisë. Prania e rregullt në mbledhje na ndihmoi në çdo aspekt të rëndësishëm të jetës sonë familjare.»
Gjatë këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’, të gjithë hasim probleme të ndryshme. (2 Timoteut 3:1) Ashtu si Kristina, ndoshta edhe ti i konsideron mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait jetësore për besimin dhe një pjesë thelbësore të adhurimit që i bën Jehovait. Me siguri, të pesë mbledhjet e kongregacionit që janë programuar për çdo javë, të forcojnë dashurinë për Perëndinë, shpresën për të ardhmen dhe të sigurojnë udhëheqje biblike se si t’i përballosh problemet.
Por, për disa është e vështirë t’i ndjekin rregullisht mbledhjet. Në fund të ditës, janë të rraskapitur e mund t’i lodhë edhe mendimi që duhet të vishen mirë e të udhëtojnë për të shkuar deri në mbledhje. Disa të tjerë, orari i punës i pengon vazhdimisht të ndjekin mbledhjet. Për t’i ndjekur të gjitha mbledhjet, do t’u duhej të pranonin një pagë më të vogël ose të rrezikonin të humbnin punën. Disa mund t’i humbasin mbledhjet ngaqë mendojnë se ndonjë formë zbavitjeje do të ishte më çlodhëse se shoqërimi me kongregacionin.
Atëherë, cilat arsye bindëse të shtyjnë të ndjekësh mbledhjet e krishtere? Ç’mund të bësh që këto mbledhje të jenë freskuese e çlodhëse për ty? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë ftesën e përzemërt të Jezuit, që e gjejmë te Mateu 11:28-30. Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»
«Ejani tek unë»
Jezui tha: «Ejani tek unë.» Një mënyrë si i përgjigjemi kësaj ftese është duke i ndjekur rregullisht mbledhjet. Kemi plot arsye për të qenë të pranishëm, sepse në një rast tjetër Jezui tha: «Atje ku janë dy ose tre të mbledhur bashkë në emrin tim, edhe unë jam atje, mes tyre.»—Mateu 18:20.
Në shekullin e parë, Jezui i ftoi personalisht disa që ta ndiqnin. Kështu u dha mundësinë të shoqëroheshin nga afër me të. Disa pranuan menjëherë. (Mateu 4:18-22) Të tjerë nuk e pranuan ftesën, sepse i pengonin gjëra të tilla si interesat materiale. (Marku 10:21, 22; Luka 9:57-62) Atyre që e ndoqën, Jezui u tha këtë pohim sigurues: «Nuk më zgjodhët ju mua, por ju zgjodha unë.»—Gjoni 15:16.
Pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, Krishti nuk ishte më i pranishëm fizikisht bashkë me dishepujt. Por ishte ende me ta, në kuptimin që drejtonte veprimtarinë e tyre dhe vërente si reagonin ndaj këshillave të tij. Për shembull, rreth 70 vjet pas ringjalljes, Jezui u dha këshilla e nxitje shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël. Nga komentet e tij doli në pah se i njihte mirë pikat e forta dhe të dobëta të individëve në ato kongregacione.—Zbulesa 2:1–3:22.
Jezui vazhdon të jetë shumë i interesuar për çdo dishepull të tij. Ai premton: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20) Tani po jetojmë në kohën e fundit, e prandaj duhet t’i përgjigjemi ftesës së Jezuit për ta ndjekur. Ndër të tjera, kjo kërkon të ndjekim rregullisht mbledhjet. Jezui dëshiron që ne ta dëgjojmë dhe ‘të mësohemi me anë të tij’, nëpërmjet studimeve të bazuara në Bibël dhe fjalimeve që janë veçori të rregullta të mbledhjeve. (Efesianëve 4:20, 21) A po i përgjigjesh ftesës së Jezuit: «Ejani tek unë.»
«Ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar»
Një arsye thelbësore pse duhet t’i ndjekim mbledhjet e krishtere është për t’u inkurajuar. (Hebrenjve 10:24, 25) Shumë nga ne patjetër që janë ‘të robtuar e të ngarkuar’ me gjëra të ndryshme. Ndoshta mund të jesh i ngarkuar me probleme personale, si për shembull probleme shëndetësore. Por në mbledhjet e krishtere do të inkurajohesh e do të inkurajosh të tjerët. (Romakëve 1:11, 12) Për shembull, do të dëgjosh komente që të forcojnë besimin, do të të rikujtohet shpresa e bazuar në Bibël dhe do të vëresh besimin e të tjerëve që po durojnë sprova. E gjithë kjo mund të të ndihmojë t’i përballosh problemet e t’i shohësh me ekuilibër.
Shikoni ç’thotë një e krishterë, të cilën e mundon një sëmundje kronike. Ajo shpjegon: «Për shkak të sëmundjes, më duhet të kaloj ca kohë në spital. E kam disi të vështirë të shkoj në mbledhje pasi kam qenë për një periudhë në spital, por e ndiej se vendi im është atje. Përzemërsia dhe dashuria që më tregojnë vëllezërit e motrat më mbush përsëri me gëzim, ndërsa mësimet dhe udhëzimet që sigurojnë Jehovai dhe Jezui, i japin kuptim jetës sime.»
«Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë»
Në pjesën që po shqyrtojmë, Jezui tha: «Mësoni nga unë.» Duke mësuar nga Jezui, bëhemi dishepuj të tij. Zgjedhën e tij e marrim kur i kushtohemi Perëndisë dhe pagëzohemi. (Mateu 28:19, 20) Pjesëmarrja e rregullt në mbledhje është jetësore që të mbetemi dishepuj të Jezuit. Përse? Sepse në mbledhjet e krishtere mësojmë për Jezuin, për mësimet e tij dhe për metodat që përdorte në shërbim.
Cilën ngarkesë dëshiron Krishti që të mbajmë? Është e njëjta ngarkesë që mban edhe ai, domethënë privilegji për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 4:34; 15:8) Kërkohen përpjekje për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë, por kjo ngarkesë nuk është shumë e rëndë. Mund të na duket e rëndë nëse provojmë ta mbajmë vetëm me forcat tona. Por, nëse lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë dhe ushqehemi me ushqimin frymor që jepet në mbledhje, do të marrim nga Perëndia ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Duke u përgatitur për mbledhjet e duke marrë pjesë në to, na forcohet gjithnjë e më shumë dashuria për Jehovain. E kur motivohemi nga dashuria, urdhërimet e Perëndisë «nuk janë të rënda».—1 Gjonit 5:3.
Në përgjithësi njerëzit hasin vështirësi të tilla, si: sigurimi i jetesës, problemet shëndetësore dhe problemet personale. Por ne, për t’i përballuar me sukses, nuk mbështetemi thjesht te mençuria njerëzore. Mbledhjet e kongregacionit na ndihmojnë që ‘të mos jemi më në ankth’, sepse Jehovai na i siguron nevojat tona dhe na ndihmon të përballojmë problemet. (Mateu 6:25-33) Po, mbledhjet e krishtere janë shprehje e dashurisë që ka Perëndia për ne.
«Jam me natyrë të butë e i përulur në zemër»
Jezui e kishte zakon të shkonte në sinagogë, ku shqyrtohej Fjala e Perëndisë. Në një nga këto raste, ai mori rrotullën e Isaisë dhe lexoi: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, që të çliroj të dërrmuarit dhe të predikoj vitin e pranimit nga Jehovai.» (Luka 4:16, 18, 19) Sa drithëruese duhet të ketë qenë të dëgjoje Jezuin tek i zbatonte ato fjalë: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.»—Luka 4:21.
Jezui, «kryebariu» me natyrë të butë, ende po mbikëqyr kullotjen frymore të ithtarëve të tij. (1 Pjetrit 5:1-4) Nën drejtimin e tij, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka emëruar burra si barinj në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. (Mateu 24:45-47; Titit 1:5-9) Këta burra ‘e kullotin kongregacionin e Perëndisë’ me butësi dhe lënë një shembull të mirë duke i ndjekur rregullisht mbledhjet. Mund ta tregosh vlerësimin për këto «dhurata në njerëz» duke qenë në mbledhje, ku mund të inkurajosh të tjerët me praninë dhe me komentet e tua.—Veprat 15:30-33; 20:28; Efesianëve 4:8, 11, 12.
«Do të gjeni freskim për shpirtin»
Ç’të bësh për t’u siguruar se mbledhjet e krishtere do të të sjellin vërtet freskim? Një mënyrë është të zbatosh këshillën e Jezuit: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.» (Luka 8:18) Njerëzit që kishin etje për të mësuar, i kushtonin shumë vëmendje Jezuit. I kërkonin t’ua shpjegonte ilustrimet që bënte dhe, si rezultat, shpërbleheshin me kuptueshmëri më të thellë.—Mateu 13:10-16.
Mund t’i imitosh këta njerëz që kishin etje për të mësuar, duke dëgjuar me vëmendje në mbledhje. (Mateu 5:3, 6) Që ta mbash mendjen të përqendruar, përpiqu të ndjekësh arsyetimin që po bën oratori. Pyet veten: ‘Si ta zbatoj në jetën time këtë informacion? Si ta përdor këtë, për të ndihmuar të tjerët? Si do ta shpjegoja këtë pikë?’ Gjithashtu, kërkoji shkrimet që përdor oratori për të mbështetur pikat kryesore. Sa më shumë t’i kushtosh vëmendje mënyrës si dëgjon, aq më freskuese do të bëhen mbledhjet.
Pas mbledhjes, bisedo me të tjerët për programin që sapo ndoqët. Përqendrohu te materiali dhe te zbatimi i tij. Bisedat ndërtuese i bëjnë shumë freskuese mbledhjet.
S’ka dyshim që kemi plot arsye për t’u mbledhur bashkë. Pasi të shqyrtosh dobitë që sapo u diskutuan, pse të mos pyesësh veten: Si po i përgjigjem ftesës së Jezuit: «Ejani tek unë.»
[Figurat në faqen 11]
A të pengojnë aktivitetet e tjera që të ndjekësh mbledhjet?