KAPITULLI 31
Mbledhin grurë në Sabat
MATEU 12:1-8 MARKU 2:23-28 LUKA 6:1-5
DISHEPUJT MBLEDHIN GRURË NË SABAT
JEZUI ËSHTË «ZOTËRI I SABATIT»
Jezui dhe dishepujt po udhëtojnë drejt veriut për në Galile. Është pranverë dhe nëpër fusha, gruri tashmë është pjekur. Meqë janë të uritur, dishepujt këputin disa kallinj gruri dhe fillojnë t’i hanë. Por është Sabat, dhe farisenjtë po vëzhgojnë me kujdes çdo veprim të tyre.
Pak kohë më parë, në Jerusalem, disa judenj donin ta vrisnin Jezuin me akuzën se kishte shkelur Sabatin. Ndërsa tani farisenjtë ngrenë një akuzë bazuar te veprimet e dishepujve: «Shiko, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e ligjshme në Sabat.»—Mateu 12:2.
Farisenjtë pretendojnë se të mbledhësh kallinj gruri, t’i shkoqësh e t’i hash, është njësoj si të korrësh e të shish grurin. (Eksodi 34:21) Interpretimi i tyre strikt për çfarë konsiderohet punë, e shndërron në barrë respektimin e Sabatit, kur në të vërtetë duhet të jetë një ditë e gëzuar dhe besimforcuese. Me anë të disa shembujve, Jezui hedh poshtë pikëpamjen e tyre të gabuar dhe u tregon se Jehovai s’kishte pasur kurrë si qëllim që ligji për Sabatin të zbatohej në atë mënyrë.
Shembulli i parë që tregon Jezui, lidhet me Davidin dhe burrat e tij. Kur ishin të uritur, ata hëngrën bukët e paraqitjes në tabernakull. Ato bukë që i kishin hequr nga tabernakulli dhe i kishin zëvendësuar me bukë të freskëta, duhej t’i hanin vetëm priftërinjtë. Por në rrethanat e tyre, Davidi dhe burrat që e shoqëronin, nuk u dënuan për këtë veprim.—Levitiku 24:5-9; 1 Samuelit 21:1-6.
Jezui tregon një shembull tjetër dhe thotë: «A nuk e keni lexuar në Ligj se në Sabat priftërinjtë punojnë në tempull, e megjithatë mbeten të pafaj për shkeljen e Sabatit?» Ai po thotë se edhe priftërinjtë therin kafshë që ia flijojnë Jehovait e bëjnë punë të tjera në tempull gjatë Sabatit. Pastaj vazhdon: «Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli.»—Mateu 12:5, 6; Numrat 28:9.
Për ta sqaruar më mirë pikën, Jezui i referohet sërish Shkrimeve: «Po të kishit kuptuar ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’, nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit.» Ai e mbyll, duke thënë: «Sepse Biri i njeriut është Zotëri i Sabatit.» Këtu Jezui e ka fjalën për qeverisjen e tij paqësore në të ardhmen, e cila do të zgjatë një mijë vjet.—Mateu 12:7, 8; Hozea 6:6.
Prej kohësh njerëzimi ka vuajtur nën skllavërinë e rëndë të Satanait, e cila karakterizohet nga dhuna e luftërat gjithnjë e në rritje. Sa ndryshe do të jetë nën qeverisjen mijëvjeçare të Krishtit, që do të sjellë atë lehtësim për të cilin kemi aq shumë nevojë dhe që mezi e presim!