Ata bënë vullnetin e Jehovait
Një vizitë që pati shumë shpërblime
UDHËTIMI nga Sheba për në Jerusalem duhet të ketë qenë sfilitës për mbretëreshën. Ajo ishte mësuar të jetonte në luks. Tani, po udhëtonte me hapin e një deveje në një udhëtim prej 2.400 kilometrash, një pjesë të madhe të të cilit e bëri përmes shkretëtirës përvëluese. Sipas një përllogaritjeje, vetëm në vajtje udhëtimi zgjati rreth 75 ditë!a
Çfarë e shtyu këtë mbretëreshë të pasur të linte shtëpinë e saj të rehatshme në Shebë dhe të ndërmerrte një udhëtim të tillë të vështirë?
Lajme që ngjallin kureshtje
Mbretëresha e Shebës erdhi në Jerusalem pasi «dëgjoi të flitet për Solomonin në lidhje me emrin e Jehovait». (1. Mbretërve 10:1, BR) Nuk thuhet se çfarë kishte dëgjuar saktësisht mbretëresha. Por, ne e dimë se Jehovai e bekoi Solomonin me mençuri, pasuri dhe nderim të jashtëzakonshëm.(2. Kronikave 1:11, 12) Nga e mori vesh mbretëresha këtë gjë? Meqenëse Sheba ishte një qendër tregtie, ndoshta ajo dëgjoi për famën e Solomonit nga tregtarët që vizitonin vendin e saj. Disa prej këtyre mund të kishin qenë në Ofir, një vend me të cilin Solomoni kishte marrëdhënie të konsiderueshme tregtie.—1. Mbretërve 9:26-28.
Sido që të ishte, mbretëresha mbërriti në Jerusalem «me një suitë shumë të madhe, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuar». (1. Mbretërve 10:2a) Disa thonë se ‘suita shumë e madhe’ përfshinte edhe një trupë të armatosur. Kjo do të ishte e kuptueshme, duke pasur parasysh se mbretëresha ishte një funksionare e fuqishme dhe po udhëtonte me sende që vlenin dhjetëra milionë dollarë.b
Megjithatë, vër re se mbretëresha kishte dëgjuar për famën e Solomonit «në lidhje me emrin e Jehovait». Prandaj, ky nuk ishte thjesht një udhëtim biznesi. Duket qartë se mbretëresha shkoi atje kryesisht për të dëgjuar mençurinë e Solomonit, e ndoshta për të mësuar diçka për Perëndinë e tij, Jehovain. Ka të ngjarë që, meqë e kishte prejardhjen nga Shemi ose Hami, të cilët ishin adhurues të Jehovait, ajo mund të ketë qenë kureshtare për fenë e të parëve të saj.
Pyetje të vështira, përgjigje të kënaqshme
Kur takoi Solomonin, mbretëresha filloi ta vinte në provë me «pyetje të vështira». (1. Mbretërve 10:1) Fjala hebraike që është përdorur këtu mund të përkthehet «enigma». Por, kjo nuk do të thotë se mbretëresha e përfshiu Solomonin në lojëra të rëndomta. Interesant është fakti se në Psalmin 49:4, e njëjta fjalë hebraike përdoret për të përshkruar pyetje serioze lidhur me mëkatin, vdekjen dhe shpengimin. Pra, ka të ngjarë që mbretëresha e Shebës po trajtonte tema të thella me Solomonin, të cilat vinin në provë thellësinë e mençurisë së tij. Bibla thotë se ajo «i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër». Nga ana e tij, Solomoni «iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj dhe nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte».—1. Mbretërve 10:2b, 3.
Mbretëreshës së Shebës i bëri kaq shumë përshtypje mençuria e Solomonit dhe begatia e mbretërisë së tij, saqë «mbeti pa fjalë». (1. Mbretërve 10:4, 5) Disa kuptojnë sikur kjo shprehje nënkupton se mbretëresha mbeti «pa frymë». Madje një studiues sugjeron se asaj i ra të fikët! Sido që të ketë ndodhur, mbretëresha u mahnit nga ajo që dëgjoi dhe pa. Ajo i quajti të lumtur shërbëtorët e Solomonit që kishin mundësi të dëgjonin këtë mençuri të mbretit dhe e bekoi Jehovain për faktin që kishte vendosur Solomonin në fron. Pastaj, i dha mbretit dhurata të kushtueshme, ku vetëm ari, sipas vlerave të sotme, arrinte shumën prej rreth 40.000.000 dollarësh. Edhe Solomoni i ofroi dhurata, duke i dhënë mbretëreshës «të gjitha gjërat që ajo i kërkoi».c—1. Mbretërve 10:6-13.
Mësim për ne
Jezui e përdori mbretëreshën e Shebës si një ilustrim për skribët dhe farisenjtë. «Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë,—u tha ai,—sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Solomonit dhe ja, këtu është një më i madh se Solomoni.» (Mateu 12:42) Tamam, mbretëresha e Shebës tregoi shumë çmueshmëri për mençurinë e dhënë nga Perëndia. Nëse ajo bëri 2.400 kilometra për të dëgjuar Solomonin, patjetër që skribët dhe farisenjtë duhej ta kishin dëgjuar me vëmendje Jezuin, i cili ndodhej aty mu përballë tyre.
Sot, ne mund të tregojmë çmueshmëri të thellë për Solomonin më të Madh, Jezu Krishtin! Si? Një mënyrë është duke ndjekur direktivën e tij për ‘të bërë dishepuj nga të gjithë popujt’. (Mateu 28:19) Një mënyrë tjetër është duke e shqyrtuar nga afër shembullin e Jezuit dhe qëndrimin e tij mendor e pastaj duke i imituar këto.—Filipianëve 2:5; Hebrenjve 12:2, 3.
Vërtet, ndjekja e shembullit të Solomonit më të Madh do të na kërkojë përpjekje. Megjithatë, shpërblimet do të jenë shumë të mëdha. Në fakt, Jehovai i premton popullit të tij që, nëse tregojnë një frymë vetëmohuese, ai do t’u ‘hapë atyre pragjet e qiellit dhe do të derdhë mbi ta aq shumë bekim, sa nuk do të kenë vend të mjaftueshëm ku ta shtien’.—Malakia 3:10.
[Shënimet]
a Shumë studiues mendojnë se Sheba gjendej në Arabinë Jugperëndimore, në vendin ku sot është Republika e Jemenit.
b Sipas gjeografit të lashtë grek, Strabo, populli i Shebës ishte shumë i pasur. Ai thotë se ata e përdornin lirisht arin në bërjen e pajisjeve, në bërjen e enëve e madje edhe në muret, dyert dhe çatitë e shtëpive të tyre.
c Disa e kuptojnë këtë frazë sikur mbretëresha pati marrëdhënie seksuale me Solomonin. Madje në legjenda thuhet se ata patën një djalë. Por nuk ekziston asnjë dëshmi që të mbështetë këto thënie.