KAPITULLI 56
Çfarë e ndot vërtet njeriun?
MATEU 15:1-20 MARKU 7:1-23 GJONI 7:1
JEZUI DEMASKON TRADITAT NJERËZORE
Festa e Kalimit e vitit 32 të e.s. po afrohet dhe Jezui është i zënë duke mësuar të tjerët në Galile. Pastaj me rastin e kësaj feste niset për në Jerusalem, ashtu siç e kërkon Ligji i Perëndisë. Mirëpo tregohet i kujdesshëm, sepse judenjtë po kërkojnë ta vrasin. (Gjoni 7:1) Më pas kthehet sërish në Galile.
Ka të ngjarë që Jezui të ndodhet në Kapernaum kur farisenj dhe skribë që kanë ardhur nga Jerusalemi, shkojnë tek ai. Pse e kanë bërë gjithë këtë rrugë? Po kërkojnë arsye që ta akuzojnë për shkelje fetare. Ata e pyesin: «Pse dishepujt e tu shkelin traditat e të parëve? Për shembull, ata nuk i lajnë duart para se të hanë.» (Mateu 15:2) Perëndia kurrë nuk i ka kërkuar popullit të tij të ndjekë ritin ‘e larjes së duarve deri në bërryl’. (Marku 7:3) Por farisenjtë, mosbërjen e këtij riti e konsiderojnë shkelje të rëndë.
Në vend që t’i përgjigjet drejtpërdrejt akuzës së tyre, Jezui tregon si e shkelin ata me dashje Ligjin e Perëndisë. «Po ju, pse shkelni urdhërimet e Perëndisë për shkak të traditave tuaja?—i pyet ai.—Për shembull, Perëndia tha: ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’ dhe ‘Ai që shan babanë ose nënën, do të vdesë.’ Kurse ju thoni: “Ai që i thotë babait ose nënës: ‘Gjithçka me të cilën mund të të ndihmoja, ia kam kushtuar si dhuratë Perëndisë’, s’ka pse ta nderojë të atin.”»—Mateu 15:3-6; Eksodi 20:12; 21:17.
Farisenjtë pohojnë se paratë, pronat ose gjithçka që i kushtohet si dhuratë Perëndisë i përket tempullit, prandaj nuk mund të përdoret për diçka tjetër. Por realiteti është që personi akoma e zotëron dhuratën që ia ka kushtuar Perëndisë. Për shembull, një bir mund të thotë se paratë ose pronat janë «kurban», dhuratë kushtuar Perëndisë ose tempullit, dhe nuk mund t’i përdorë për të ndihmuar prindërit e moshuar ose të varfër. Kjo sepse tempulli ka përparësi mbi prindërit, ama për vete mund t’i përdorë. Kështu i bën bisht përgjegjësisë ndaj prindërve.—Marku 7:11.
Me të drejtë Jezui indinjohet për këtë shtrembërim që i bëhet Ligjit të Perëndisë dhe thotë: «Kështu e keni zhvleftësuar fjalën e Perëndisë, për shkak të traditave tuaja. Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse doktrinat që mësojnë, janë veçse urdhërime njerëzish.’» Farisenjtë mbeten pa fjalë përballë kritikës së fortë të Jezuit. Prandaj ai thërret turmën pranë vetes dhe thotë: «Dëgjoni dhe kapni kuptimin e kësaj: njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por çfarë del nga goja.»—Mateu 15:6-11; Isaia 29:13.
Më vonë, në një shtëpi, dishepujt e pyesin: «A e di që farisenjtë u skandalizuan kur dëgjuan atë që the?» Jezui u përgjigjet: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të shkulet me rrënjë. Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. E nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.»—Mateu 15:12-14.
Pjetri flet në emër të dishepujve dhe i kërkon Jezuit që të sqarojë çfarë e ndot një njeri. Jezui s’e pret këtë pyetje, prandaj thotë: «A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë, kalon nëpër stomak dhe pastaj del jashtë? Por çdo gjë që del nga goja, vjen nga zemra, dhe këto gjëra e ndotin njeriun. Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga, të cilat çojnë në vrasje, kurorëshkelje, imoralitet seksual, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi. Këto gjëra e ndotin njeriun, dhe jo ngrënia me duar të palara.»—Mateu 15:17-20.
Jezui s’ka gjë kundër higjienës normale, as nuk po thotë se nuk duhen larë duart para se të gatuhet ose të hahet. Përkundrazi, po dënon hipokrizinë e krerëve fetarë që përpiqen të anashkalojnë ligjet e drejta të Perëndisë duke adoptuar traditat njerëzore. Faktikisht njeriun e ndotin veprat e liga që burojnë nga zemra.