‘Vazhdoni ta falni lirisht njëri-tjetrin’
«Vazhdoni ta duroni njëri-tjetrin dhe ta falni lirisht njëri-tjetrin.»—KOLOSIANËVE 3:13, BR.
1. (a) Kur Pjetri sugjeroi që t’i falim të tjerët «deri në shtatë herë», pse mund të ketë menduar se ishte bujar? (b) Ku e kishte fjalën Jezui, kur tha se duhet të falim «deri në shtatëdhjetë e shtatë herë»?
«ZOTËRI, sa herë duhet të mëkatojë vëllai im kundër meje dhe unë ta fal? Deri në shtatë herë?» (Mateu 18:21, BR) Me këtë sugjerim të tij, Pjetri mund të ketë menduar se ishte shumë bujar. Në atë kohë, tradita rabinike thoshte se një person nuk duhet të ofrojë falje më shumë se tri herë për të njëjtin ofendim.a Imagjino, atëherë, habinë e Pjetrit, kur Jezui iu përgjigj: «Unë po të them, jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë e shtatë herë!» (Mateu 18:22, BR) Përsëritja e shtatës ishte baras me thënien «në mënyrë të papërcaktuar». Në pikëpamjen e Jezuit, pothuajse nuk kishte asnjë kufi për numrin e herëve që një i krishterë duhet të falë të tjerët.
2, 3. (a) Cilat janë disa situata, në të cilat mund të duket e vështirë t’i falim të tjerët? (b) Pse mund të jemi të sigurt se është në të mirën tonë të falim të tjerët?
2 Megjithatë, aplikimi i asaj këshille nuk është gjithmonë i lehtë. Kush prej nesh nuk e ka ndjerë sëmbimin e lëndimit të padrejtë? Ndoshta dikush, të cilit i besoje, të ka nxjerrë një të fshehtë. (Proverbat [Fjalët e urta] 11:13) Vërejtjet e pamenduara të një miku të ngushtë, mund të të kenë ‘shpuar si një shpatë’. (Proverbat 12:18) Trajtimi abuzues nga dikush që e doje apo i besoje, mund të ketë shkaktuar plagë të thella. Kur ndodhin gjëra të tilla, reagimi ynë i natyrshëm mund të jetë që të ndihemi të zemëruar. Mund të jemi të prirur për të mos i folur më ofenduesit, duke e shmangur krejtësisht nëse është e mundur. Mund të duket sikur falja do ta lejojë të dalë pa lagur nga dëmi që na ka shkaktuar. Por megjithatë, duke ushqyer inatin, përfundojmë me dëmtimin e vetes.
3 Prandaj Jezui na mëson të falim «deri në shtatëdhjetë e shtatë herë». Sigurisht që mësimet e tij nuk do të dalin kurrë në dëmin tonë. Çdo gjë që ai u mësoi të tjerëve, e kishte origjinën nga Jehovai, nga ‘Ai që na mëson, për të pasur dobi ne vetë’. (Isaia 48:17, BR; Gjoni 7:16, 17) Logjikisht, duhet të jetë në të mirën tonë të falim të tjerët. Përpara se të trajtojmë se përse duhet të falim dhe si mund ta bëjmë këtë, mund të jetë e dobishme që së pari të sqarojmë se çfarë është dhe çfarë nuk është falja. Koncepti ynë mbi faljen mund të ketë njëfarë lidhjeje me aftësinë tonë për të falur, kur jemi ofenduar nga të tjerët.
4. Çfarë nuk përfshin të falësh të tjerët dhe si përkufizohet falja?
4 Të falim të tjerët për ofendime personale, nuk do të thotë se po kalojmë pa vënë re apo po minimizojmë atë që kanë bërë; nuk do të thotë as që t’i lëmë të tjerët të na marrin nëpër këmbë. Në fund të fundit, kur Jehovai na fal, sigurisht që nuk zvogëlon mëkatet tona dhe ai nuk do të lejojë kurrë që njerëzit mëkatarë ta shkelin me këmbë mëshirën e tij. (Hebrenjve 10:29) Sipas librit Mendjehollësi mbi Shkrimet, falja përkufizohet si «akti i shfajësimit të një ofenduesi; të pushuarit së ndjeri inat ndaj tij për shkak të ofendimit dhe heqja dorë nga çdo pretendim për kompensim». (Vëllimi 1, faqe 861, anglisht)b Bibla na jep arsye të shëndosha për të falur të tjerët.
Pse të falim të tjerët?
5. Cila arsye e rëndësishme për të falur të tjerët tregohet në Efesianëve 5:1?
5 Një arsye e rëndësishme për të falur të tjerët, tregohet në Efesianëve 5:1: «Prandaj, bëhuni imitues të Perëndisë, si fëmijë të dashur.» Në ç’aspekt duhet të ‘bëhemi imitues të Perëndisë’? Fjala «prandaj» e lidh shprehjen me vargun pararendës, i cili thotë: «Bëhuni dashamirës ndaj njëri-tjetrit, me dhembshuri të butë, duke falur lirisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia me anë të Krishtit ju fali lirisht.» (Efesianëve 4:32, BR) Po, kur është fjala për faljen, duhet të bëhemi imitues të Perëndisë. Ashtu si një djalë i vogël përpiqet të jetë tamam si i ati, ne, si fëmijë që Jehovai i do fort, duhet të dëshirojmë të bëhemi si Ati ynë qiellor që fal. Sa duhet të kënaqet zemra e Jehovait tek shikon nga qielli dhe vëren fëmijët e tij tokësorë që përpiqen të jenë si ai, duke falur njëri-tjetrin!—Luka 6:35, 36; krahaso Mateun 5:44-48.
6. Në ç’mënyrë ekziston një ndryshim i madh ndërmjet faljes së Jehovait dhe tonës?
6 Vërtet, ne kurrë nuk mund të falim me gjithë kuptimin e fjalës, siç bën Jehovai. Por ky fakt na jep akoma më shumë arsye se përse duhet ta falim njëri-tjetrin. Shqyrto: Ekziston një ndryshim i madh ndërmjet faljes së Jehovait dhe asaj tonës. (Isaia 55:7-9) Kur falim ata që kanë mëkatuar kundër nesh, shpesh kjo bëhet me vetëdijen se herët a vonë mund të kemi nevojë që ata të na e kthejnë këtë favor, duke na falur. Me njerëzit, është gjithmonë fjala për mëkatarë që falin mëkatarë. Por me Jehovain, falja është gjithmonë e njëanshme. Ai na fal, por ne nuk na duhet kurrë ta falim. Nëse Jehovai, që nuk mëkaton, mund të na falë me kaq dashuri dhe kaq plotësisht, a nuk duhet të përpiqemi ne njerëzit mëkatarë ta falim njëri-tjetrin?—Mateu 6:12.
7. Nëse refuzojmë t’i falim të tjerët, kur ekziston një bazë për mëshirë, si mund të ndikojë kjo në mënyrë të pafavorshme në marrëdhënien tonë me Jehovain?
7 Më e rëndësishme akoma është se nëse refuzojmë t’i falim të tjerët, kur ekziston një bazë për mëshirë, kjo mund të ndikojë në mënyrë të pafavorshme në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Nuk është se Jehovai thjesht na kërkon ta falim njëri-tjetrin; ai pret prej nesh të veprojmë kështu. Sipas Shkrimeve, pjesë e motivimit tonë që të falim, është që Jehovai të na falë apo se na ka falur. (Mateu 6:14; Marku 11:25; Efesianëve 4:32; 1. Gjonit 4:11) Pra, në qoftë se nuk jemi të gatshëm për të falur të tjerët, kur ka arsye të shëndosha për të vepruar kështu, a mund të presim me të vërtetë një falje të tillë nga Jehovai?—Mateu 18:21-35.
8. Pse të falurit rezulton në të mirën tonë?
8 Jehovai i mëson popullit të tij «rrugën e mirë në të cilën duhet të ecë». (1. Mbretërve 8:36) Kur na udhëzon të falim njëri-tjetrin, mund të jemi të sigurt se ka në zemër më të mirën tonë. Me arsye të shëndosha, Bibla na thotë t’i ‘hapim rrugën zemërimit’. (Romakëve 12:19, BR) Inati është një barrë e rëndë për t’u mbajtur në jetë. Kur mbajmë inat, ai konsumon mendimet tona, na grabit paqen dhe mbyt gëzimin tonë. Zemërimi i zgjatur, ashtu si xhelozia, mund të ketë një efekt të dëmshëm në shëndetin tonë fizik. (Proverbat 14:30) Ndërsa kalojmë gjithë këtë, ofenduesi mund të shohë punën e tij, pa ditur asgjë për gjendjen tonë të trazuar! Krijuesi ynë i dashur e di se ne duhet t’i falim në mënyrë të hapur të tjerët, jo vetëm për dobinë e tyre, por edhe për tonën. Këshilla e Biblës për të falur, është me të vërtetë ‘rruga e mirë për të ecur’.
«Vazhdoni ta duroni njëri-tjetrin»
9, 10. (a) Cilat lloje situatash nuk kërkojnë medoemos falje formale? (b) Çfarë sugjerohet me anë të shprehjes «vazhdoni ta duroni njëri-tjetrin»?
9 Dëmtimet fizike mund të renditen nga të çara të vogla deri në plagë të thella dhe jo të gjitha kërkojnë të njëjtën shkallë vëmendjeje. Është e ngjashme me ndjenjat e plagosura: disa plagë janë më të thella se të tjerat. A kemi vërtet nevojë ta bëjmë problem çdo fyerje të vogël që pësojmë në marrëdhëniet tona me të tjerët? Acarimet e vogla, shpërfilljet dhe mërzitë, janë pjesë e jetës dhe nuk kërkojnë medoemos falje formale. Nëse jemi të njohur si një person që u largohet të tjerëve për çdo prishje qejfi dhe pastaj këmbëngul që përpara se t’i trajtojë përsëri me mirësjellje, t’i kërkohet ndjesë, mund t’i detyrojmë ata të jenë shumë të rezervuar kur janë me ne ose të mbajnë distancë!
10 Në vend të kësaj është shumë më mirë «të kemi një reputacion si të arsyeshëm». (Filipianëve 4:5, Filips) Si krijesa të papërsosura që shërbejmë krah për krah, mund të presim, në mënyrë të arsyeshme, që kohë pas kohe vëllezërit tanë, si të thuash, të na nervozojnë dhe ne t’u bëjmë të njëjtën gjë atyre. Kolosianëve 3:13 na këshillon: «Vazhdoni ta duroni njëri-tjetrin.» Kjo shprehje sugjeron që të jemi të duruar me të tjerët, duke toleruar në gjërat e tyre që nuk na pëlqejnë apo në veçoritë që për ne mund të jenë acaruese. Një durim dhe vetëpërmbajtje e tillë mund të na ndihmojnë për të kapërcyer zënkat e vogla dhe fërkimet që na ndodhin në marrëdhëniet tona me të tjerët, pa përçarë paqen e kongregacionit.—1. Korintasve 16:14.
Kur plagët janë më të thella
11. Kur të tjerët mëkatojnë kundër nesh, çfarë mund të na ndihmojë për t’i falur?
11 Por, po sikur të tjerët të mëkatojnë kundër nesh, duke shkaktuar një plagë që bie në sy? Nëse mëkati nuk është tepër serioz, mund ta kemi të lehtë ta aplikojmë këshillën e Biblës që të ‘falim lirisht njëri-tjetrin’. (Efesianëve 4:32, BR) Një gatishmëri e tillë për të falur është në harmoni me fjalët e frymëzuara të Pjetrit: «Mbi çdo gjë, kini dashuri intensive për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1. Pjetrit 4:8, BR) Mbajtja në mend e faktit se edhe ne jemi mëkatarë, na aftëson për të toleruar të metat e të tjerëve. Kështu, kur falim, lëmë të kalojë inati në vend se ta ushqejmë atë. Si rezultat, marrëdhënia jonë me ofenduesin mund të mos pësojë asnjë dëmtim që mbetet dhe gjithashtu, ndihmojmë në ruajtjen e paqes së çmuar të kongregacionit. (Romakëve 14:19) Me kohë, kujtimi i asaj që na ka bërë, mund të venitet fare.
12. (a) Çfarë iniciative mund të na duhet të marrim që të falim dikë, i cili na ka lënduar thellë? (b) Si e tregojnë fjalët në Efesianëve 4:26 se duhet t’i zgjidhim çështjet shpejt?
12 Po sikur dikush të mëkatojë kundër nesh në një mënyrë më serioze, duke na dëmtuar rëndë? Për shembull, një mik i besuar mund të ketë përhapur disa çështje jashtëzakonisht personale, që i ke besuar. Ti ndihesh i lënduar thellë, i zënë ngushtë dhe i tradhtuar. Je përpjekur ta largosh nga mendja, por ky problem s’ikën që s’ikën. Në një rast të tillë, mund të të duhet të marrësh njëfarë iniciative për ta zgjidhur problemin, ndoshta duke folur me ofenduesin. Është e mençur ta bësh këtë përpara se problemi të mundë të shkojë edhe më keq. Pavli na nxit: «Zemërohuni, por megjithatë, mos mëkatoni [domethënë duke mbajtur inat apo duke vepruar nga zemërimi], dielli të mos perëndojë mbi ju në gjendje të provokuar.» (Efesianëve 4:26, BR) Ajo që i bën më domethënëse fjalët e Pavlit është fakti se mes judenjve, perëndimi i diellit shënonte fundin e një dite dhe fillimin e një tjetre. Pra, këshilla është: Zgjidheni çështjen shpejt!—Mateu 5:23, 24.
13. Kur i drejtohemi dikujt që na ka ofenduar, cili duhet të jetë objektivi ynë dhe çfarë sugjerimesh mund të na ndihmojnë për ta arritur atë?
13 Si duhet t’i drejtohesh ofenduesit? «Kërkoni paqen dhe ndiqeni atë»,—thotë 1. Pjetrit 3:11. Pra, objektivi yt nuk është të shprehësh zemërimin, por të bësh paqe me vëllain tënd. Duke pasur këtë si qëllim, më e mira është të shmangësh fjalët dhe gjestet e ashpra; këto mund ta bëjnë personin tjetër të japë një përgjigje të ngjashme. (Proverbat 15:18; 29:11) Veç kësaj, shmang pohimet e tepruara si: «Ti gjithmonë . . . !» ose «Ti asnjëherë . . . !» Komente të tilla të tepruara mund të bëjnë vetëm atë që ai të kalojë në vetëmbrojtje. Në vend të kësaj, lini që toni i zërit dhe shprehja e fytyrës të përcjellin faktin që ti dëshiron të zgjidhësh një çështje, e cila të ka lënduar thellë. Ji specifik në shpjegimin e asaj se si ndihesh në lidhje me atë që ka ndodhur. Jepi mundësinë personit tjetër të shpjegojë veprimet e tij. Dëgjo atë që ka për të thënë. (Jakovit 1:19) Ç’të mirë do të sjellë kjo? Proverbat 19:11 shpjegon: «Mendjehollësia e një njeriu sigurisht që e fashit zemërimin e tij dhe është bukuri nga ana e tij ta kalojë në heshtje shkeljen.» (BR) Të kuptuarit e ndjenjave të personit tjetër dhe arsyet e veprimeve të tij, mund t’i largojnë mendimet dhe ndjenjat negative kundrejt tij. Kur e trajtojmë situatën me synimin për të bërë paqe dhe mbajmë këtë qëndrim, ka shumë të ngjarë që çdo keqkuptim të sqarohet, të kërkohet ndjesë e përshtatshme dhe të ofrohet falje.
14. Kur falim të tjerët, në çfarë kuptimi duhet të harrojmë?
14 A do të thotë të falim të tjerët se duhet që faktikisht të harrojmë atë që ndodhi? Sill ndër mend vetë shembullin e Jehovait në këtë aspekt, siç u trajtua në artikullin e mëparshëm. Kur Bibla thotë se Jehovai harron mëkatet tona, kjo nuk do të thotë se ai nuk është në gjendje t’i kujtojë. (Isaia 43:25) Përkundrazi, ai harron në kuptimin që pasi ka falur, nuk i mban ato mëkate kundër nesh për në një të ardhme. (Ezekieli 33:14-16) Ngjashëm, falja nga ana jonë e njerëzve të tjerë nuk do të thotë medoemos se nuk do të jemi në gjendje ta kujtojmë atë që kanë bërë. Megjithatë, mund të harrojmë në kuptimin që nuk e mbajmë atë kundër ofenduesit apo nuk ia vëmë përpara përsëri në të ardhmen. Kështu, kur çështja është zgjidhur, nuk do të ishte e përshtatshme të bënin thashetheme për të; as nuk do të ishte e dashur ta shmangnim plotësisht ofenduesin, duke e trajtuar si të ishte i përjashtuar. (Proverbat 17:9) Vërtet që për të shëruar marrëdhënien tonë me të mund të duhet ca kohë; mund të mos gëzojmë të njëjtin afrimitet si më parë. Por ende e duam si vëllain tonë të krishterë dhe bëjmë çmos për të mbajtur marrëdhënie paqësore.—Krahaso Lukën 17:3.
Kur duket e pamundur të falësh
15, 16. (a) A u kërkohet të krishterëve të falin një keqbërës që nuk është penduar? (b) Si mund ta aplikojmë këshillën e Biblës, që gjendet në Psalmin 37:8?
15 Po sikur të tjerët të mëkatojnë kundër nesh në një mënyrë që shkakton plagë nga më të thellat dhe megjithatë, të mos ketë pranim të mëkatit, pendim dhe kërkim ndjese nga ana e ofenduesit? (Proverbat 28:13) Shkrimet e tregojnë qartë se Jehovai nuk fal mëkatarë të papenduar dhe të pashpirt. (Hebrenjve 6:4-6; 10:26, 27) Po ne? Mendjehollësi mbi Shkrimet thotë: «Të krishterëve nuk u kërkohet të falin ata që praktikojnë mëkatin dashakeq dhe të vullnetshëm, pa pendim. Persona të tillë bëhen armiq të Perëndisë.» (Vëllimi 1, faqe 862, anglisht) Asnjë i krishterë që ka qenë viktimë e një trajtimi të padrejtë, të neveritshëm apo brutal, nuk duhet të ndihet i detyruar për të falur apo shfajësuar një keqbërës që nuk është penduar.—Psalmi 139:21, 22.
16 Kuptohet se ata që kanë qenë viktima të keqtrajtimit mizor, mund të ndihen të lënduar dhe të zemëruar. Megjithatë, mos harro se mbajtja pas zemërimit apo inatit mund të jetë shumë e dëmshme për ne. Në pritje të një pranimi të mëkatit apo të kërkimit të një ndjese që nuk do të ndodhë kurrë, vetëm mund të mërzitemi gjithnjë e më shumë. Të qenët të fiksuar tek padrejtësia, mund të mbajë brenda nesh një zemërim që vlon, me efekte shkatërrimtare për shëndetin tonë frymor, emocional dhe fizik. Në thelb, ne e lejojmë atë që na lëndoi, të vazhdojë të na lëndojë. Me mençuri, Bibla këshillon: «Lëre zemërimin dhe ik nga tërbimi.» (Psalmi 37:8) Prandaj, disa të krishterë kanë vënë re se me kohë kanë qenë në gjendje të marrin një vendim për të harruar në kuptimin e mosmbajtjes inat; jo duke justifikuar atë që u ka ndodhur, por duke refuzuar të konsumohen nga zemërimi. Duke e lënë plotësisht çështjen në duart e Perëndisë së drejtësisë, ata kanë përjetuar shumë lehtësim dhe kanë qenë në gjendje të vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre.—Psalmi 37:28.
17. Çfarë sigurie ngushëlluese na jep premtimi i Jehovait, i shkruar në Zbulesën 21:4?
17 Kur një plagë është shumë e thellë, mund të mos ia dalim mbanë që ta fshijmë plotësisht nga mendja, të paktën jo në këtë sistem gjërash. Por Jehovai premton një botë të re, në të cilën «ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as vdekja, as mbajtja e zisë, as klithma, as dhembja, nuk do të jenë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar». (Zbulesa 21:4, BR) Çfarëdo që të kujtojmë në atë kohë, nuk do të na shkaktojë lëndimin e thellë apo dhembjen që mund të rëndojë tani zemrat tona.—Isaia 65:17, 18.
18. (a) Përse ekziston nevoja që të falim në marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat tona? (b) Kur të tjerët mëkatojnë kundër nesh, në ç’kuptim mund të falim dhe të harrojmë? (c) Si na sjell dobi kjo gjë?
18 Ndërkohë, ne duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku si vëllezër dhe motra, njerëz të papërsosur dhe mëkatarë. Të gjithë ne bëjmë gabime. Herë pas here zhgënjejmë njëri-tjetrin dhe madje lëndojmë njëri-tjetrin. Jezui e dinte mirë se ne do të na duhej t’i falnim të tjerët «jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë e shtatë herë»! (Mateu 18:22) Vërtet, ne nuk mund të falim aq plotësisht sa Jehovai. Megjithatë, në shumicën e rasteve, kur vëllezërit tanë mëkatojnë kundër nesh, mund të falim në kuptimin e kapërcimit të inatit dhe mund të harrojmë në kuptimin që të mos e mbajmë atë çështje kundër tyre deri në një të ardhme të pacaktuar. Kështu, kur falim dhe harrojmë, ndihmojmë në ruajtjen jo vetëm të paqes së kongregacionit, por edhe të paqes sonë të mendjes dhe të zemrës. Mbi të gjitha, do të gëzojmë paqen, që vetëm Perëndia ynë i dashur, Jehovai, mund të na e sigurojë.—Filipianëve 4:7.
[Shënimet]
a Sipas Talmudit babilonas, një traditë rabinike thoshte: «Nëse një njeri kryen një shkelje, herën e parë, të dytë dhe të tretë, falet, herën e katërt nuk falet.» (Yoma 86b) Kjo bazohej pjesërisht në një kuptueshmëri të gabuar të shkrimeve të tilla si Amosi 1:3; 2:6 dhe Jobi 33:29.
b Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc, anglisht.
Pyetje për rishikim
◻ Pse duhet të jemi të gatshëm për të falur të tjerët?
◻ Cilat lloje situatash kërkojnë nga ne që ‘të vazhdojmë ta durojmë njëri-tjetrin’?
◻ Kur jemi lënduar thellë nga mëkatet e të tjerëve, çfarë mund të bëjmë për ta zgjidhur problemin në mënyrë paqësore?
◻ Kur falim të tjerët, në ç’kuptim duhet të harrojmë?
[Figura në faqen 16]
Kur mbajmë inat, ofenduesi mund të mos dijë asgjë për gjendjen tonë të trazuar
[Figura në faqen 17]
Kur u drejtohemi të tjerëve për të bërë paqe, keqkuptimet mund të sqarohen me lehtësi