Mbretëria e Perëndisë: A po e kap kuptimin e saj?
«Sa për atë që është mbjellë në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe kap kuptimin e saj.»—MATEU 13:23, BR.
1. Cilat janë disa nga bindjet e zakonshme në lidhje me ‘mbretërinë e qiejve’?
A E KE ‘kapur kuptimin’ e asaj që është Mbretëria e Perëndisë? Përgjatë shekujve, konceptet mbi ‘mbretërinë e qiejve’ kanë qenë mjaft të ndryshme. Një besim i zakonshëm midis anëtarëve të disa kishave sot, thotë se Mbretëria është diçka që Perëndia e vendos në zemrën e një personi, kur ky bëhet i krishterë. Të tjerë mendojnë se është një vend ku shkojnë njerëzit e mirë pas vdekjes, për të gëzuar lumturi të përhershme. Disa të tjerë pohojnë se Perëndia ua ka lënë njerëzve të sjellin mbi tokë Mbretërinë, me anë të veprimtarisë së tyre për vendosjen e mësimeve dhe praktikave të krishtere në çështjet shoqërore dhe qeveritare.
2. Si e shpjegon Bibla Mbretërinë e Perëndisë dhe ç’do të kryejë ajo?
2 Megjithatë, Bibla tregon qartë se Mbretëria e Perëndisë nuk është një institucion mbi tokë. Nuk është as një gjendje e zemrës, as krishterizimi i shoqërisë njerëzore. Është e vërtetë se kuptueshmëria e saktë e domethënies së Mbretërisë çon në ndryshime të mëdha në jetën e atyre që ushtrojnë besim në të. Por vetë Mbretëria është një qeveri qiellore e vendosur në mënyrë hyjnore, e cila kryen vullnetin e Perëndisë, duke eliminuar pasojat e mëkatit dhe të vdekjes, si dhe duke rivendosur kushtet e drejta mbi tokë. Tashmë kjo Mbretëri e ka marrë pushtetin në qiej dhe së shpejti «do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [njerëzore] dhe do të ekzistojë përjetë».—Danieli 2:44; Zbulesa 11:15; 12:10.
3. Çfarë u hap përpara njerëzimit, kur Jezui filloi shërbimin e tij?
3 Historiani H. G. Uells shkroi: «Kjo doktrinë e Mbretërisë së qiellit, e cila përbënte mësimin kryesor të Jezuit dhe që luan një rol kaq të vogël në bindjet e krishtere, është sigurisht një nga doktrinat më revolucionare që kanë gjallëruar dhe ndryshuar mendimin e njerëzve.» Qysh nga fillimi, tema e shërbimit të Jezuit ishte: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!» (Mateu 4:17) Ai ishte këtu mbi tokë si Mbret i caktuar dhe për gëzimin tonë më të madh, tani ishte hapur rruga që njerëzit jo vetëm të kishin pjesë në bekimet e asaj Mbretërie, por edhe të ishin bashkësundimtarë dhe priftërinj me Jezuin në atë Mbretëri!—Luka 22:28-30; Zbulesa 1:6; 5:10.
4. Si iu përgjigjën shumica në shekullin e parë «lajmit të mirë të Mbretërisë» dhe në çfarë gjykimi çoi kjo?
4 Edhe pse shumë veta e dëgjuan ‘lajmin e mirë [emocionues] të mbretërisë’, vetëm disa e besuan. Kjo erdhi pjesërisht ngaqë krerët fetarë e kishin ‘mbyllur mbretërinë e qiejve para njerëzve’. Ata ‘kishin marrë çelësin e dijes’ me mësimet e tyre të rreme. Pasi shumë njerëz nuk e pranuan Jezuin si Mesi dhe si Mbret të caktuar të Mbretërisë së Perëndisë, ai u tha atyre: «Juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.»—Mateu 4:23; 21:43; 23:13; Luka 11:52.
5. Si tregoi shumica e atyre që dëgjuan ilustrimin e Jezuit, se nuk e kishin dëgjuar me kuptueshmëri?
5 Në një rast, kur po mësonte një turmë të madhe, siç e kishte zakon Jezui përdori disa ilustrime për të vënë në provë turmat dhe për të veçuar ata që s’kishin shumë, por vetëm një interes sipërfaqësor për Mbretërinë. Ilustrimi i parë kishte të bënte me një mbjellës që e mbolli farën në katër lloje tokash. Tri të parat nuk e favorizonin rritjen e bimës, por e fundit ishte ‘tokë e mirë’ që prodhoi fryte të mira. Ilustrimi i shkurtër përfundoi me nxitjen: «Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!» (Mateu 13:1-9) Me veshë shumica e të pranishmëve ishte aty, por nuk ‘dëgjuan’. Ata nuk kishin asnjë motiv, asnjë interes të vërtetë për të kuptuar se në ç’mënyrë fara e mbjellë në kushte të ndryshme ngjante me Mbretërinë e qiejve. U kthyen nëpër shtëpitë e tyre, në jetën e tyre të përditshme, duke menduar ndoshta se ilustrimet e Jezuit s’ishin veçse tregime të bukura me tema morale. Çfarë pasurie me kuptueshmëri dhe ç’privilegje e mundësi të mëdha humbën, ngaqë zemrat e tyre nuk ishin gati për t’u përgjigjur!
6. Përse kuptueshmëria e «të fshehtave të mbretërisë» u ishte lejuar vetëm dishepujve të Jezuit?
6 Jezui u tha dishepujve të tij: «Juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.» Duke cituar Isainë, ai shtoi: «‘Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme dhe me veshët e tyre kanë dëgjuar pa u përgjigjur dhe i kanë mbyllur sytë e tyre; që të mos shohin më me sytë e tyre e të mos dëgjojnë më me veshët e tyre e të mos kapin kuptimin e saj me zemrat e tyre e të kthehen e unë t’i shëroj.’ Por të lumtur janë sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë.»—Mateu 13:10-16, BR; Marku 4:11-13.
‘Të kapim kuptimin’ e Mbretërisë
7. Përse është e rëndësishme ‘të kapim kuptimin e’ Mbretërisë?
7 Jezui theksoi cili ishte problemi. Kishte të bënte me ‘kapjen e kuptimit të’ mesazhit të Mbretërisë. Dishepujve të tij ai u tha privatisht: «Ju, pra, mbani vesh ilustrimin e njeriut që mbolli. Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë, por nuk kap kuptimin e saj, i ligu vjen dhe rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij.» Ai vazhdoi t’u shpjegonte se katër llojet e tokës përfaqësonin gjendje të ndryshme të zemrës, në të cilat do të mbillej ‘fjala e mbretërisë’.—Mateu 13:18-23, BR; Luka 8:9-15.
8. Çfarë e pengoi «farën» e mbjellë në tri llojet e para të tokës, që të prodhonte fryte?
8 «Fara» ishte e mirë në çdo rast, por frytet do të vareshin nga gjendja e tokës. Nëse toka e zemrës do të ishte si një rrugë e rrahur, e ngjeshur dhe e forcuar nga shumë aktivitete jofrymore, ai që do ta dëgjonte mesazhin e Mbretërisë do ta kishte të lehtë të justifikonte veten, duke thënë se nuk ishte koha për Mbretërinë. Fara e lënë pas dore mund të rrëmbehej me lehtësi, përpara se të lëshonte rrënjë. Por, ç’të themi nëse fara ishte mbjellë në një zemër ngjashëm me një tokë shkëmbore? Fara mund të mbinte, por do të kishte vështirësi t’i çonte rrënjët edhe më thellë për t’u ushqyer e për të qenë e qëndrueshme. Perspektiva për të mbetur një shërbëtor i bindur i Perëndisë, veçanërisht në sprovat e persekutimit, do të përbënte një sfidë shtypëse dhe individi do të pengohej. Gjithashtu, nëse toka e zemrës do të ishte kaq e mbushur me ankthe ngjashëm ferrave apo me dëshira materialiste për pasuri, bimës së brishtë të Mbretërisë do t’i zihej fryma. Në këto tri gjendje tipike në jetë, nuk mund të prodhohet asnjë fryt i Mbretërisë.
9. Përse fara e mbjellë në tokë të mirë mundi të prodhonte fryt të mirë?
9 Megjithatë, ç’të themi për farën e Mbretërisë të mbjellë në tokë të mirë? Jezui përgjigjet: «Sa për atë që është mbjellë në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe kap kuptimin e saj, që me të vërtetë sjell fryt dhe prodhon, njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë dhe një tjetër tridhjetëfish.» (Mateu 13:23, BR) Duke ‘kapur kuptimin e saj’, ata do të prodhojnë fryte të mira sipas rrethanave të tyre individuale.
Përgjegjësia vjen me kuptueshmërinë
10. (a) Si tregoi Jezui që ‘kapja e kuptimit të’ Mbretërisë sjell bekime dhe përgjegjësi? (b) A zbatohej vetëm për dishepujt e shekullit të parë urdhri i Jezuit për të shkuar e për të bërë dishepuj?
10 Pasi dha edhe gjashtë ilustrime të tjera për të shpjeguar aspekte të ndryshme të Mbretërisë, Jezui i pyeti dishepujt e tij: «A e kapët kuptimin e gjithë këtyre gjërave?» Kur ata u përgjigjën «po», ai tha: «Prandaj, çdo mësues publik, pasi është mësuar në lidhje me mbretërinë e qiejve, është si një burrë, si një zot shtëpie, i cili nxjerr prej thesarit të tij gjëra të reja e të vjetra.» Mësimet dhe stërvitja që u siguroi Jezui, do t’i ndërtonin dishepujt e tij drejt pjekurisë së krishterë, e cila do të sillte prej ‘hambarit’ të tyre një rezervë të pasosur me ushqim të pasur frymor. Shumë prej kësaj lidhej me Mbretërinë e Perëndisë. Jezui e bëri të qartë se ‘kapja e kuptimit të’ Mbretërisë nuk do të sillte vetëm bekime, por edhe përgjegjësi. Ai urdhëroi: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundim të sistemit të gjërave.»—Mateu 13:51, 52; 28:19, 20, BR.
11. Cilat ngjarje që lidheshin me Mbretërinë ndodhën me ardhjen e vitit 1914?
11 Siç premtoi, Jezui ka vazhduar të jetë me ithtarët e tij të vërtetë gjatë këtyre shekujve, deri më sot. Në këto ditë të fundit, në mënyrë progresive ai u ka dhënë atyre kuptueshmëri dhe u ka dhënë përgjegjësinë për të përdorur dritën në rritje të së vërtetës. (Luka 19:11-15, 26) Në vitin 1914, ngjarjet e Mbretërisë filluan të përhapeshin me shpejtësi dhe në mënyrë dramatike. Në atë vit nuk ndodhi vetëm «lindja» e shumëpritur e Mbretërisë, por filloi «përfundimi i sistemit të gjërave». (Zbulesa 11:15; 12:5, 10; Danieli 7:13, 14, 27) Të krishterët e vërtetë, duke shquar domethënien e ngjarjeve të ndodhura, kanë drejtuar fushatën më të madhe që ka parë historia për predikimin dhe mësimin e Mbretërisë. Jezui e paratha këtë, duke thënë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14, BR.
12. (a) Cili ka qenë rezultati i dëshmisë së përhapur në ditët e sotme mbi Mbretërinë? (b) Ç’rrezik ekziston për të krishterët në këtë botë dyshuese?
12 Kjo dëshmi e gjerë mbi Mbretërinë ka mbërritur në më shumë se 230 vende. Tashmë, mbi pesë milionë dishepuj të vërtetë po marrin pjesë në këtë vepër dhe të tjerë akoma po mblidhen. Por, nëse krahasojmë numrin e dishepujve me 5,6 miliardë banorët e tokës, është e dukshme se ashtu si në ditët e Jezuit, pjesa më e madhe e njerëzimit nuk ‘e kapin kuptimin e’ Mbretërisë. Siç ishte parathënë, shumë veta tallen e thonë: «Ku është kjo prania e tij e premtuar?» (2. Pjetrit 3:3, 4) Rreziku për ne si të krishterë është se qëndrimi i tyre i vetëkënaqur, dyshues dhe materialist, mund të ndikojë gradualisht mbi mënyrën se si i konsiderojmë privilegjet e Mbretërisë. Të rrethuar nga njerëzit e kësaj bote, ne me lehtësi mund të fillojmë të adoptojmë disa prej qëndrimeve dhe praktikave të tyre. Sa jetësore është ‘të kapim kuptimin e’ Mbretërisë së Perëndisë e të mbahemi fort pas saj!
Të shqyrtojmë veten në lidhje me Mbretërinë
13. Në lidhje me urdhrin për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë, si mund të provojmë nëse po vazhdojmë ta ‘dëgjojmë’ me aftësi shquese?
13 Jezui tha për periudhën e të korrave në të cilën jetojmë ne: «Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet [gjërat që shkaktojnë pengesa, BR] dhe ata që bëjnë paudhësi. . . . Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!» (Mateu 13:41, 43) A po vazhdon ‘të dëgjosh’ me një ndjenjë të bindur përgjegjësie urdhrin për të predikuar Mbretërinë dhe për të bërë dishepuj? Mos harro, «ai që mbolli në tokë të mirë» ‘e dëgjoi fjalën dhe kapi kuptimin e saj’ dhe prodhoi fryte të mira.—Mateu 13:23, BR.
14. Kur na japin udhëzime, si tregojmë se ‘kemi kapur kuptimin e’ këshillës së dhënë?
14 Kur bëjmë studimin personal dhe kur marrim pjesë në mbledhjet e krishtere, duhet të ‘pririm zemrën ndaj arsyes’. (Proverbat 2:1-4) Kur marrim këshilla në lidhje me sjelljen, veshjen, muzikën dhe zbavitjet, duhet të lejojmë që ato të zbresin në zemrën tonë e të na nxisin të bëjmë rregullimet e nevojshme. Kurrë të mos gjejmë pretekste, justifikime, apo të mos përgjigjemi në ndonjë mënyrë. Nëse Mbretëria është reale në zemrat tona, do të jetojmë sipas normave të saj dhe me zell do t’ua shpallim edhe të tjerëve. Jezui tha: «Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.»—Mateu 7:21-23.
15. Përse është e rëndësishme ‘të kërkojmë së pari mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’?
15 Prirja njerëzore është që të jetë në ankth për nevojat ushqimore, të veshjes e të strehimit, por Jezui tha: «Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33, 34) Kur vendos gjërat më të rëndësishme, Mbretërinë vëre të parën në jetën tënde! Bëj një jetë të thjeshtë, duke u kënaqur me gjërat e domosdoshme! Nuk do të ishte e mençur të mbushnim jetën me aktivitete dhe harxhe pa kuptim, duke u justifikuar ndoshta se këto janë gjëra të pranueshme, pasi nuk janë në vetvete patjetër të këqija. Edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë, si do të ndikonte blerja dhe përdorimi i këtyre gjërave të panevojshme mbi programin e studimit tonë personal, mbi pjesëmarrjen në mbledhje dhe mbi veprën e predikimit? Jezui tha se Mbretëria është si një tregtar që gjen një «margaritar me vlerë të madhe [dhe] shkon e shet gjithçka që ka dhe e blen». (Mateu 13:45, 46) Kështu duhet të ndihemi për Mbretërinë e Perëndisë. Duhet të imitojmë Pavlin dhe jo Deman, i cili e braktisi shërbimin «sepse deshi këtë botë».—2. Timoteut 4:10, 18; Mateu 19:23, 24; Filipianëve 3:7, 8, 13, 14; 1. Timoteut 6:9, 10, 17-19.
«Të padrejtët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë»
16. Në ç’mënyrë ‘kapja e kuptimit të’ Mbretërisë së Perëndisë na ndihmon të shmangim sjelljen e gabuar?
16 Në kohën kur kongregacioni i Korintit po toleronte imoralitetin, Pavli me çiltërsi tha: «A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 6:9, 10) Nëse ‘kapim kuptimin e’ Mbretërisë së Perëndisë, nuk do të mashtrojmë veten, duke menduar se Jehovai do të lejojë ndonjë formë të imoralitetit, për aq kohë sa të na shohë të angazhuar në veprën e krishterë. Papastërtia as që duhet përmendur mes nesh. (Efesianëve 5:3-5) A ke zbuluar se disa mendime apo praktika të ndyra të kësaj bote kanë filluar të depërtojnë në jetën tënde? Shporri menjëherë nga jeta jote! Mbretëria është shumë më e çmuar e nuk ia vlen ta humbim nga dëshira për gjëra të tilla.—Marku 9:47.
17. Në ç’mënyra çmueshmëria për Mbretërinë e Perëndisë nxit përulësinë dhe fshin shkaqet për pengesë?
17 Dishepujt e Jezuit pyetën: «Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?» Jezui u përgjigj, duke vënë një fëmijë mes tyre e duke thënë: «Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Mateu 18:1-6) Krenarët, ata që kërkojnë me rreptësi, indiferentët dhe njerëzit që nuk zbatojnë ligjet nuk do të jenë në Mbretërinë e Perëndisë, as do të jenë nënshtetas të Mbretërisë. A të nxit dashuria për vëllezërit, përulësia dhe frika ndaj Perëndisë, që të mos i pengosh të tjerët me sjelljen tënde? Apo këmbëngul në «të drejtat» e tua, pavarësisht se si mund të ndikojë te të tjerët ky qëndrim e kjo sjellje?—Romakëve 4:13, 17.
18. Cili do të jetë rezultati për njerëzimin e bindur, kur Mbretëria e Perëndisë të shkaktojë që vullneti i Tij të bëhet «në tokë, si në qiell»?
18 Ati ynë qiellor, Jehovai, së shpejti do t’i përgjigjet plotësisht lutjes së zjarrtë: «Ardhtë mbretëria jote! U bëftë vullneti yt në tokë, si në qiell!» Shumë shpejt, Mbreti që sundon, Jezu Krishti, do të vijë për t’u ulur në fronin e tij për të gjykuar e për të ndarë «delet» nga «cjeptë». Në atë kohë të caktuar «Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.’» Cjeptë «do të shkojnë në mundim të përjetshëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme». (Mateu 6:10; 25:31-34, 46) «Mjerimi i madh» do të fshijë sistemin e vjetër dhe të gjithë ata që s’pranojnë ‘të kapin kuptimin e’ Mbretërisë. Por miliona të mbijetuarit nga «mjerimi i madh» dhe miliarda të tjerët që do të ringjallen, do të trashëgojnë bekimet pa fund të Mbretërisë, në Parajsën e rivendosur tokësore. (Zbulesa 7:14, BR) Mbretëria është qeveria e re e tokës, që do të sundojë nga qielli. Ajo do të kujdeset të përmbushë qëllimin e Jehovait për tokën dhe njerëzimin, gjithçka për shenjtërimin e emrit të tij më të shenjtë. A s’është një trashëgimi për të cilën ia vlen të punojmë, të sakrifikojmë e të presim? Kjo është domethënia që duhet të kemi ne për ‘kapjen e kuptimit të’ Mbretërisë!
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
◻ Përse shumë nga ata që e dëgjuan Jezuin, nuk e ‘kapën kuptimin e’ Mbretërisë?
◻ Në ç’mënyrë ‘kapja e kuptimit të’ Mbretërisë sjell bekime dhe përgjegjësi?
◻ Në lidhje me predikimin, nga duket se ne kemi ‘kapur kuptimin e’ Mbretërisë?
◻ Si tregojmë me sjelljen tonë se kemi ‘kapur kuptimin e’ këshillës së dhënë?
[Figurat në faqen 17]
Dishepujt e Jezuit e ‘kapën kuptimin e’ Mbretërisë dhe prodhuan fryt të mirë