Sinagoga—Aty ku predikonin Jezui dhe dishepujt
‘Atëherë ai i ra përqark mbarë Galilesë, dhe mësonte në sinagogat e tyre e predikonte lajmin e mirë për mbretërinë.’—MATEU 4:23.
HERË pas here në Ungjill, lexojmë se Jezui ndodhej në sinagogë. Qoftë në Nazaret, qyteti ku ishte rritur, në Kapernaum, qyteti që u bë baza e tij, apo në çfarëdo qyteze dhe fshati që vizitoi gjatë tri viteve e gjysmë plot aktivitet të shërbimit të tij, shpesh Jezui zgjidhte sinagogën si vendin për të predikuar dhe për t’i mësuar të tjerët rreth Mbretërisë së Perëndisë. Në fakt, duke sjellë ndër mend shërbimin që kishte bërë, Jezui tha: «Mësoja gjithnjë në sinagogë dhe në tempull, ku mblidhen gjithë judenjtë»—Gjoni 18:20.
Po kështu, apostujt e Jezuit dhe të krishterë të tjerë të hershëm shpesh i mësonin njerëzit në sinagogat judaike. Por, si ndodhi që judenjtë adhuronin Perëndinë në sinagoga? Dhe, si ishin ato vende adhurimi në ditët e Jezuit? Le t’i shohim më nga afër.
Një veçori kryesore e jetës judaike Tri herë në vit, judenjtë meshkuj udhëtonin në Jerusalem për festat që mbaheshin atje në tempullin e shenjtë. Por, për adhurimin e përditshëm u shërbenin sinagogat, pavarësisht nëse jetonin në Palestinë ose në një nga kolonitë e shumta judaike që ishin formuar jashtë Palestinës.
Kur filluan të përdoreshin sinagogat? Disa besojnë se ato u përdorën fillimisht rreth kohës së mërgimit të judenjve në Babiloni (607-537 p.e.s.), periudhë kur tempulli i Jehovait ishte kthyer në rrënojë. Ose ndoshta pak kohë pas kthimit të judenjve nga mërgimi, kur prifti Ezdra i bëri thirrje popullit që të merrte më shumë njohuri dhe kuptueshmëri për Ligjin e Perëndisë.—Ezdra 7:10; 8:1-8; 10:3.
Fillimisht, fjala «sinagogë» do të thoshte thjesht «asamble» ose «kongregacion». Në këtë kuptim përdorej në Septuagintë, një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike. Por, me kalimin e kohës, fjala i referohej ndërtesës ku njerëzit mblidheshin për të adhuruar Perëndinë. Në shekullin e parë të e.s., pothuajse çdo qytezë që vizitoi Jezui, kishte një sinagogë, qytetet kishin disa, kurse Jerusalemi kishte shumë të tilla. Si ishin këto ndërtesa?
Një vend i thjeshtë adhurimi Kur donin të ndërtonin një sinagogë, zakonisht judenjtë kërkonin një vend të ngritur dhe planifikonin që ndërtesa të kishte hyrjen (1) nga Jerusalemi. Megjithatë, duket se këto standarde nuk ishin kaq të prera pasi nuk mund të përmbusheshin gjithmonë.
Kur përfundonte, shpesh sinagoga ishte e thjeshtë dhe tek-tuk kishte ndonjë orendi. Sidoqoftë, një veçori kryesore ishte arka (2) ku mbahej pasuria më e çmuar e komunitetit—rrotullat e Shkrimeve të Shenjta. Kur bëheshin mbledhjet, arkën e lëvizshme e vendosnin në vendin e caktuar e më pas e çonin sërish në një dhomë të sigurt (3).
Pranë arkës dhe përballë kongregacionit ishin vendet (4) për të parët e sinagogës dhe për ndonjë mysafir të shquar. (Mateu 23:5, 6) Afër mesit të sallës kishte një podium me një pult leximi dhe një vend ku ulej oratori (5). Përballë podiumit dhe anash tij, kishte stola për kongregacionin (6).
Zakonisht, për sinagogën kujdesej kongregacioni vendës. Kontributet vullnetare që jepnin të gjithë, të pasur e të varfër, shërbenin për ta mirëmbajtur ndërtesën. Por, si zhvilloheshin mbledhjet në sinagoga?
Adhurimi në sinagoga Programi i adhurimit në sinagoga përfshinte këngë lavdie, lutje, leximin e Shkrimeve, si edhe mësimdhënien e predikimin. Kongregacioni fillonte duke recituar Sheman, pra rrëfimin e besimit për judenjtë. Ky emër vinte nga fjala e parë e shkrimit të parë që recitohej: «Dëgjo [Shema], o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.»—Ligji i përtërirë 6:4.
Më pas, lexohej dhe shtjellohej Tora, domethënë pesë librat e parë të Biblës, që i hodhi me shkrim Moisiu. (Veprat 15:21) Gjithashtu, bëhej një lexim tjetër nga fragmente të shkrimeve të profetëve (haftarat) dhe jepeshin shpjegime e bëheshin zbatime praktike të tyre. Ndonjëherë, këtë pjesë të programit e mbanin oratorët që kishin ardhur për vizitë, siç bëri Jezui në rastin e përmendur te Luka 4:16-21.
Natyrisht, rrotulla që i dhanë Jezuit në mbledhje nuk ishte e ndarë në kapituj e vargje si Biblat e sotme. Prandaj, mund të imagjinojmë Jezuin duke hapur rrotullën me dorën e majtë, ndërsa e mblidhte me të djathtën, derisa të gjente fragmentin që kërkonte. Pas leximit, rrotulla mblidhej përsëri.
Në shumicën e rasteve, leximi bëhej në hebraisht, gjuha origjinale, dhe përkthehej në aramaisht. Në kongregacionet e gjuhës greke përdorej Septuaginta.
Thelbësore për jetën e përditshme Sinagoga ishte kaq e rëndësishme për jetën e judenjve, saqë ajo bashkë me godinat e tjera ngjitur me të ose që ndodheshin në të njëjtin kompleks ndërtesash, shërbenin për një larmi qëllimesh. Ndonjëherë aty mbaheshin procese gjyqësore, si edhe mbledhje të komunitetit e madje edhe asamble gjatë të cilave, në dhomat e ngrënies që ishin ngjitur, shërbehej ushqim. Në dhomat e kompleksit të sinagogës, nganjëherë strehoheshin udhëtarët.
Pothuajse në çdo qytezë, sinagoga kishte edhe një shkollë, e cila shpesh ishte brenda së njëjtës ndërtesë. Mund të imagjinojmë një dhomë plot nxënës që mësonin të lexonin germat me shkrim të madh, që mësuesi i shkruante në pllakat me dyll. Këto shkolla përbënin një arsye të rëndësishme pse shoqëria e lashtë judaike ishte e arsimuar, pasi edhe njerëzit e thjeshtë i njihnin Shkrimet.
Megjithatë, qëllimi kryesor i sinagogës ishte të siguronte një ambient për të adhuruar rregullisht Perëndinë. Prandaj, nuk habitemi që mbledhjet e të krishterëve të shekullit të parë kishin shumë gjëra të përbashkëta me ato mbledhje në sinagogat judaike. Edhe në mbledhjet e krishtere qëllimi ishte të adhurohej Jehovai me anë të lutjes, këngëve të lavdisë dhe leximit e shqyrtimit të Fjalës së Perëndisë. Por nuk ishin vetëm këto ngjashmëritë. Në të dyja këto vende adhurimi, nevojat dhe shpenzimet e ndryshme mbuloheshin nga kontributet vullnetare. Po ashtu, në asnjërën prej tyre privilegji për të lexuar e shqyrtuar Fjalën e Perëndisë nuk ishte i kufizuar vetëm për një klasë klerikësh dhe në të dyja rastet mbledhjet organizoheshin e drejtoheshin nga pleq të përgjegjshëm.
Dëshmitarët e Jehovait sot përpiqen t’i përmbahen modelit që lanë Jezui dhe dishepujt e shekullit të parë. Prandaj, mbledhjet e tyre në Sallën e Mbretërisë kanë disa aspekte të përbashkëta me ato mbledhje në sinagogat e hershme. Mbi të gjitha, Dëshmitarët mblidhen me të njëjtin synim që kanë pasur gjithnjë ata që duan të vërtetën—‘t’i afrohen Perëndisë’.—Jakovi 4:8.
[Figura në faqet 16, 17]
Ky maket bazohet në një planimetri të sinagogës së Gamlës
[Figura në faqen 18]
Në shkollat e sinagogave, mësonin djem të moshave 6 deri 13 vjeç