A të kujtohet?
A të ka pëlqyer leximi i numrave të fundit të revistës Kulla e Rojës? Nëse po, do të ishte interesante për ty, të kujtoje gjërat që vijojnë:
◻ Cila është domethënia e fjalës greke pa.rou.si’a, e përdorur në Mateun 24:3, 27, 37, 39?
Fjalori i Vain, Expository Dictionary of New Testament Words, thotë: «PAROUSIA . . . përcakton si mbërritjen, ashtu edhe një prani konsekuente.» Prandaj, ajo nuk është vetëm çasti i mbërritjes, por një prani që shtrihet prej mbërritjes e më tej.—15/8, faqe 11.
◻ Si ‘u shkurtuan ato ditë’, në mënyrë që «mishi» të shpëtohej në shekullin e parë dhe si do të ndodhë kjo në një shkallë më të gjerë? (Mateu 24:22)
Në vitin 66 të e.s., romakët e ndërprenë papritur rrethimin e tyre mbi Jerusalemin, duke i lejuar «mishit» të krishterë të ikte. Në mënyrë të ngjashme, ne presim që sulmi i ardhshëm mbi Babiloninë e Madhe të shkurtohet në njëfarë mënyre. Kështu, të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre do të shpëtojnë nga shkatërrimi i mundshëm.—15/8, faqe 18-20.
◻ Cili duhet të jetë reagimi ynë, nëse një person fillon të marrë emblemat e Përkujtimit apo nëse nuk i merr më?
S’ka asnjë arsye për asnjë të krishterë që të shqetësohet. Jezui tha: «Unë jam bariu i mirë dhe i njoh delet e mia.» Ashtu siç ka siguruar, Jehovai i njeh ata që vërtet i ka zgjedhur si bij frymorë. (Gjoni 10:14; Romakëve 8:16, 17)—15/8, faqe 31.
◻ Cili ishte qëllimi kryesor i Ligjit të Moisiut?
Pikësëpari, ai u mësoi izraelitëve nevojën që kishin për Mesinë, i cili do t’i çlironte nga gjendja e tyre mëkatare. (Galatasve 3:24) Ligji mësonte, gjithashtu, frikën hyjnore dhe bindjen, si dhe e ndihmoi Izraelin të mbetej i ndarë nga praktikat e korruptuara të kombeve përreth. (Levitiku 18:24, 25)—1/9, faqe 9.
◻ Cili është qëllimi i besëlidhjes së re? (Jeremia 31:31-34)
Është që të prodhojë një komb mbretërish dhe priftërinjsh, për të bekuar gjithë njerëzimin. (Dalja 19:6; 1. Pjetrit 2:9; Zbulesa 5:10)—1/9, faqe 14, 15.
◻ Përse duhet të praktikojmë artin e të kërkuarit të falur?
Duke kërkuar të falur, mund të kemi një ndihmë për të lehtësuar dhimbjet e shkaktuara nga papërsosmëria dhe për të shëruar marrëdhëniet e tendosura. Çdo herë që kërkojmë të falur, është një mësim në përulësi dhe na stërvit të bëhemi më të ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve.—15/9, faqe 24.
◻ A ishte Përmbytja e përgjithshme e ditëve të Noes një fakt historik?
Po. Tregime të lashta që flasin për një përmbytje të përgjithshme, mund të gjenden anembanë botës, nga Amerikat deri në Australi. Prania e përhapur e kësaj teme shton mbështetjen për faktin se ka ndodhur një përmbytje botërore, siç raporton Bibla.(Zanafilla 7:11-20)—15/9, faqe 25.
◻ Çfarë përfshin të qenët mikpritës? (Romakëve 12:13)
«Mikpritje» është përkthyer nga një fjalë greke, e cila është formuar nga dy rrënjë fjalësh, që do të thonë «dashuri» dhe «i huaj». Prandaj, në thelb, mikpritje do të thotë «dashuri për të huajt». Por ajo përfshin më shumë se dashurinë e bazuar në parime, e cila shfaqet nga një ndjenjë detyre. Ajo bazohet në dëshirën e sinqertë, dashurinë e përzemërt dhe në miqësinë.—1/10, faqe 9.
◻ Cili është argumentimi i Pavlit, në lidhje me martesën dhe beqarinë, në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, kreu 7?
Martesa është e ligjshme dhe në rrethana të caktuara e këshillueshme për disa. Megjithatë, beqaria është në mënyrë të pamohueshme favorizuese për burrin apo gruan e krishterë, të cilët dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait me sa më pak shpërqendrim.—15/10, faqe 13.
◻ Në ç’mënyrë, një plak «kujdeset për të vetët»? (1. Timoteut 5:8)
Një plak duhet ‘të kujdeset për të vetët’, për gruan dhe për fëmijët e tij, materialisht, frymësisht dhe emocionalisht.—15/10, faqe 22.
◻ Në ç’mënyrë Jehovai siguron ngushëllim për shërbëtorët e tij?
Fryma e shenjtë e Perëndisë vepron si një «ngushëllues». (Gjoni 14:16, shënimi BR) Një tjetër mënyrë, me anë të së cilës Perëndia siguron ngushëllim, është nëpërmjet Biblës. (Romakëve 15:4) Perëndia i njeh nevojat tona individuale dhe mund të na përdorë që të ngushëllojmë njëri-tjetrin, sikurse Pavli mori ngushëllim nga raporti i Titit për korintasit. (2. Korintasve 7:11-13)—1/11, faqe 10, 12.
◻ Çfarë përfshin përshkrimi që i bën Pavli Jehovait, si «Ati i mëshirave të dhembshura», që gjendet në 2. Korintasve 1:3, BR?
Emri grek i përkthyer «mëshira të dhembshura», vjen nga një fjalë që përdoret për të shprehur keqardhjen për vuajtjen e një tjetri. Kështu, Pavli shprehu ndjenjat e dhembshura të Perëndisë për secilin prej shërbëtorëve të Tij të besueshëm, të cilët po vuajnë në vështirësi.—1/11, faqe 13.
◻ Çfarë arrinte agjërimi që mbanin izraelitët në Ditën vjetore të Shlyerjes? (Levitiku 16:29-31; 23:27)
Mbajtja e agjërimit e nxiste popullin e Izraelit që të bëhej më i vetëdijshëm për gjendjen e tij mëkatare dhe për nevojën e shpengimit. Me anë të tij, ata shprehnin keqardhjen për mëkatet e tyre dhe pendimin para Perëndisë.—15/11, faqe 5.
◻ Çfarë përfshin urdhri për të rinjtë: «Kujtoni, pra, tani Krijuesin tuaj të Madh»? (Eklisiastiu 12:1)
Një autoritet thotë se fjala hebraike e përkthyer «kujtoj», përfshin shpesh «dashurinë e përzemërt të mendjes dhe veprimin që shoqëron sjelljen ndërmend». Pra, t’i vësh veshin këtij urdhri, do të thotë më shumë se vetëm të mendosh për Jehovain. Përfshin veprime, duke bërë çfarë i pëlqen atij.—1/12, faqe 16.