Një kohë për të qëndruar zgjuar
«Së pari, lajmi i mirë duhet të predikohet në të gjitha kombet. . . .Por ai që ka qëndruar deri në fund, ai do të shpëtohet.»—MARKU 13:10, 13, BR.
1. Përse duhet të qëndrojmë e të marrim zemër?
DUHET të qëndrojmë, të rrethuar nga një brez pa besim dhe i çoroditur! Qysh prej 1914-ës, një brez njerëzish është korruptuar, pikërisht ashtu si në ditët e Jezuit. Sot, korrupsioni shtrihet në një shkallë mbarëbotërore. Në këto «ditë të fundit», «kohët e vështira» që përshkroi apostulli Pavël po godasin njerëzimin. ‘Njerëzit e këqinj dhe mashtrues po shkojnë keq e më keq.’ Është e qartë, «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit, i cili tani po bën përpjekjen e fundit për të rrënuar tokën. Por, merr zemër! Po vjen një «mjerim i madh» që do të sjellë lehtësim të përhershëm për të gjithë ata që duan drejtësi.—2. Timoteut 3:1-5, 13; 1. Gjonit 5:19, BR; Zbulesa 7:14.
2. Si u përmbush profecia në vitin 1914?
2 Lumturisht, tani Jehovai ka kurorëzuar në qiej Zotërinë Jezu Krisht, i cili po përgatitet për të zhdukur armiqtë që shtypin njerëzimin. (Zbulesa 11:15) Si edhe në ngjarjen e parë në lidhje me Mesinë, në shekullin e tashëm u përmbush edhe një profeci e rëndësishme e shkruar nga Danieli. Në Danielin 4:16, 17, 32, na thuhet se mbretërimi i drejtë mbi tokën u ndërpre për një periudhë prej «shtatë kohësh». Në përmbushjen e tyre më të madhe, këto shtatë kohë janë baras me shtatë vjet biblikë prej 360 ‘ditësh’ secili ose 2.520 vjet gjithsej.a Ata shtrihen prej vitit 607 p.e.s., kur Babilonia filloi të shtypte mbretërinë e Izraelit, deri në vitin 1914 të e.s., vit në të cilin Jezui u ul në fron në qiej, si Mbret i drejtë i njerëzimit. Atëherë mbaruan «kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24, BR) Por kombet s’kishin pranuar t’i dorëzoheshin Mbretërisë Mesianike që po vinte.—Psalmet 2:1-6, 10-12; 110:1, 2.
3, 4. (a) Ç’krahasim mund të bëhet midis ngjarjeve të shekullit të parë dhe atyre të kohës sonë? (b) Cilat pyetje përkatëse lindin?
3 Ashtu si edhe në afrimin e javës së 70-të (29-36 e.s.), përsëri edhe me ardhjen e vitit 1914, njerëzit me frikë Perëndie ishin në pritje të ardhjes së Mesisë. Dhe ai erdhi! Në secilin prej rasteve, ama, shfaqja e tij ndryshonte nga ajo që pritej. Gjithashtu, në secilin rast, pas një periudhe kohore relativisht të shkurtër, një «brez» i lig pësoi ekzekutimin me anë të dekretit hyjnor.—Mateu 24:34.
4 Në artikullin tonë paraprak, ne vërejtëm se si përfundoi brezi i lig hebre që kërkoi gjakun e Jezuit. Ç’mund të themi, pra, për brezin shkatërrimtar të njerëzimit që edhe tani i kundërvihet dhe nuk e përfill atë? Kur do të ekzekutohet gjykimi mbi këtë brez pa besim?
«Rrini zgjuar!»
5. (a) Për cilat arsye të vlefshme nuk kemi nevojë të dimë kohën e «ditës dhe orës» së Jehovait? (b) Sipas Markut, me cilën këshillë të shëndoshë e përfundoi Jezui profecinë e tij?
5 Pasi profetizoi ngjarjet që do të çonin në kohën e «mjerimit të madh», Jezui shtoi: «E kur do të jetë ajo ditë dhe ajo orë, askush s’di gjë, as engjëjt e qiellit, as Biri, përveç vetëm Atit!» (Mateu 24:3-36, DSF; Marku 13:3-32) S’kemi nevojë të dimë kohën e saktë të ngjarjeve. Përkundrazi, vëmendja jonë të përqendrohet mbi faktin se duhet të jemi vigjilentë, duke kultivuar besim të fortë e duke pasur shumë punë në shërbim të Jehovait, jo në llogaritjen e datës. Jezui e përfundoi profecinë e tij të madhe, duke thënë: «Tregoni kujdes, rrini zgjuar, . . . sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment. . . . Rrini zgjuar . . . këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!» (Marku 13:33-37) Rreziku ka zënë pusinë në errësirën e botës së sotme. Duhet të qëndrojmë zgjuar!—Romakëve 13:11-13.
6. (a) Ku duhet ta hedhë spirancën besimi ynë? (b) Si mund «t’i numërojmë ditët tona»? (c) Çfarë nënkuptonte Jezui kryesisht me fjalën «brez»?
6 Jo vetëm që duhet t’u kushtojmë vëmendje profecive të frymëzuara në lidhje me këto ditë të fundit të sistemit të lig, por duhet që spirancën e besimit tonë ta kemi hedhur kryesisht në sakrificën e çmuar të Jezu Krishtit dhe në premtimin e mrekullueshëm të Perëndisë, që bazohet mbi atë sakrificë. (Hebrenjve 6:17-19; 9:14; 1. Pjetrit 1:18, 19; 2. Pjetrit 1:16-19) Të paduruar për të parë fundin e këtij sistemi të lig, disa herë shërbëtorët e Jehovait kanë spekuluar në lidhje me kohën se kur do të fillonte «mjerimi i madh», madje duke e lidhur këtë me llogaritjet e kohëzgjatjes së jetës të një brezi qysh prej 1914-ës. Megjithatë, «për të pasur një zemër të urtë», nuk duhet spekuluar me faktin se sa vite apo ditë përbëjnë një brez, por duhet menduar se si «të numërojmë ditët tona» për t’i sjellë lavdi të gëzueshme Jehovait. (Psalmi 90:12) Në vend se të sigurojë një rregull për llogaritjen e kohës, termi «brez» siç e përdori Jezui u referohet kryesisht njerëzve që jetojnë njëkohësisht në një periudhë të caktuar historike, me karakteristikat e tyre dalluese.b
7. Çfarë shkroi një profesor historie për «brezin e 1914-ës» dhe si lidhet kjo me profecinë e Jezuit?
7 Në përputhje me sa është thënë më lart, profesori i historisë Robert Wohl shkroi në një libër: «Një brez historik nuk përcaktohet nga datat e tij kronologjike . . . Ai nuk është një zonë datash.» Por ai theksoi se Lufta I Botërore krijoi «një ndjenjë të stërmadhe shkëputjeje me të shkuarën» dhe shtoi: «Ata që mbijetuan luftën nuk mund ta heqin kurrë nga mendja se një botë kishte mbaruar dhe një tjetër filloi në gusht të 1914-ës.» (The Generation of 1914) Sa e vërtetë është kjo! Ky pohim përqendron vëmendjen në thelbin e çështjes. «Ky brez» i njerëzimit qysh prej 1914-ës ka provuar ndryshime të frikshme. Ai ka parë tokën të vaditur me gjakun e miliona njerëzve. Në mbarë botën kanë shpërthyer luftërat, gjenocidi, terrorizmi, krimet dhe paligjshmëritë. Zija e bukës, sëmundjet dhe imoraliteti kanë dalë për gjah në globin tonë. Jezui profetizoi: «Kështu edhe ju [dishepujt e tij], kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.»—Luka 21:31, 32.
8. Si e theksuan profetët e Jehovait nevojën për të qëndruar zgjuar?
8 Po, triumfi i plotë i Mbretërisë Mesianike është afër! A mund të fitojmë diçka, pra, duke e pasur mendjen te datat apo duke spekuluar me kohëzgjatjen e jetës së një «brezi»? Absolutisht jo! Habakuku 2:3 pohon qartësisht: «Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.» Dita e Jehovait për larjen e hesapeve shpejton gjithnjë e më afër.—Jeremia 25:31-33; Malakia 4:1.
9. Cilat zhvillime qysh prej 1914-ës tregojnë se koha është e shkurtër?
9 Kur sundimi i Mbretërisë së Krishtit filloi në vitin 1914, Satanai u flak poshtë në tokë. Kjo do të thoshte «vaj për tokë . . . sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë». (Zbulesa 12:12, DSF) Në fakt, ajo kohë është e shkurtër në krahasim me mijëra vitet e sundimit të Satanait. Mbretëria është afër e po kështu edhe dita e Jehovait dhe ora për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë brez të lig!—Proverbat 3:25; 10:24, 25.
«Brezi» që kaloi
10. Në ç’mënyrë «ky brez» është si ai i ditëve të Noes?
10 Le të shqyrtojmë më nga afër pohimin e Jezuit në Mateun 24:34, 35: «Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.» Fjalët vijuese të Jezuit tregojnë se ‘askush nuk e di atë ditë dhe orë’. Por akoma më e rëndësishme është se ai tregon që ne duhet të shmangim kurthet që na rrethojnë në këtë brez. Prandaj Jezui shtoi: «Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen [praninë, BR] e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen [praninë, BR] e Birit të njeriut.» (Mateu 24:36-39) Këtu, Jezui krahasoi brezin e ditëve të tij me atë të ditëve të Noes.—Zanafilla 6:5, 9; shënimi (BR).
11. Çfarë krahasimi midis ‘brezave’ bëri Jezui, siç tregojnë Mateu dhe Luka?
11 Kjo nuk ishte hera e parë që apostujt e dëgjonin Jezuin të bënte këtë krahasim midis ‘brezave’, pasi disa ditë më parë ai kishte pohuar për veten: «Biri i njeriut . . . duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez. Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.» (Luka 17:24-26) Kështu, kreu 24 i Mateut dhe kreu 17 i Lukës bëjnë të njëjtin krahasim. Në ditët e Noes «çdo mish i tokës [që] kishte shthurur sjelljen e tij» e që u shkatërrua gjatë Përmbytjes përbënte «këtë brez». Në kohën e Jezuit, hebrenjtë apostatë që kishin hedhur Jezuin, përbënin «këtë brez».—Zanafilla 6:11, 12; 7:1.
12, 13. (a) Çfarë është sot «ky brez» që duhet të shkojë? (b) Si po e përballojnë tani shërbëtorët e Jehovait këtë «brez të prishur e dinak»?
12 Prandaj, në përmbushjen përfundimtare të profecisë së Jezuit sot, «ky brez» duket se u referohet njerëzve mbi tokë që e shohin shenjën e pranisë së Krishtit, por nuk i përmirësojnë rrugët e tyre. Përkundrazi, ne si dishepuj të Krishtit nuk pranojmë të modelohemi nga mënyra e jetesës së «këtij brezi». Edhe pse në botë, nuk duhet të jemi pjesë e saj, «sepse koha është afër». (Zbulesa 1:3; Gjoni 17:16) Apostulli Pavël na nxit: «Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë.»—Filipianëve 2:14, 15, DSF; Kolosianëve 3:5-10; 1. Gjonit 2:15-17.
13 ‘Ndriçimi porsi pishtarë’ përfshin që ne të shfaqim jo vetëm një personalitet të pastër të krishterë, por mbi të gjitha të përmbushim urdhrin e Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR) Asnjë njeri nuk mund të thotë kur do të vijë ai fund, por e dimë që fundi i «këtij brezi» me njerëz të ligj do të vijë pasi dëshmia të jetë dhënë «deri në skajin e dheut», sa t’i pëlqejë Perëndisë.—Veprat 1:8.
«Ajo ditë dhe orë»
14. Çfarë paralajmërimi dhanë Jezui dhe Pavli në lidhje me «kohët dhe stinët» dhe si duhet të reagojmë ne?
14 Kur dëshmia globale të ketë kryer plotësisht qëllimin e Jehovait, do të jetë «dita dhe ora» e tij për të hequr qafe këtë sistem botëror. S’kemi nevojë të dimë që më parë datën. Prandaj, duke ndjekur shembullin e Jezuit, apostulli Pavël paralajmëroi: «Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën. Sepse, kur thonë: ‘Paqe dhe siguri’, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.» Vëreni ku përqendrohet Pavli: ‘Kur thonë.’ Po, kur të flitet për «paqe dhe siguri», atëherë kur nuk e presin, gjykimi i Perëndisë do të ekzekutohet papritur. Sa e përshtatshme është këshilla e Pavlit: «Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi esëll!»—1. Selanikasve 5:1-3, 6; shiko edhe vargjet 7-11; Veprat 1:7.
15, 16. (a) Përse nuk duhet të mendojmë se Harmagedoni është edhe më larg nga sa kemi besuar më parë? (b) Si duhet lartësuar sovraniteti i Jehovait në të ardhmen e afërt?
15 A do të thotë pikëpamja jonë më e saktë mbi «këtë brez» se Harmagedoni është edhe më larg se sa kemi menduar? Aspak! Edhe pse asnjëherë nuk e kemi ditur «ditën dhe orën», Perëndia Jehova e ka ditur gjithmonë dhe ai nuk ndryshon. (Malakia 3:6) Është e dukshme se bota po shkon gjithmonë e më shumë drejt rrënimit përfundimtar. Nevoja për të qëndruar zgjuar është më kritike se kurrë më parë. Jehovai na ka zbuluar «gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti» dhe ne duhet të përgjigjemi me një ndjenjë urgjence plot vetëdije.—Zbulesa 1:1; 11:18; 16:14, 16.
16 Ndërsa koha afrohet, rrini zgjuar, pasi Jehovai është gati të sjellë mjerimin mbi gjithë sistemin e Satanait! (Jeremia 25:29-31) Jehovai thotë: «Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve dhe do të pranojnë se unë jam Zoti [Jehovai, BR].» (Ezekieli 38:23) Ajo «ditë [vendimtare] e Jehovait» po afrohet!—Joeli 1:15; 2:1, 2; Amosi 5:18-20; Sofonia 2:2, 3.
«Qiej të rinj dhe një tokë e re» e drejtë
17, 18. (a) Sipas Jezuit dhe Pjetrit, si kaloi «ky brez»? (b) Përse duhet të qëndrojmë vigjilentë për sa i përket sjelljes dhe veprave të devotshmërisë së shenjtë?
17 Në lidhje me të gjitha «gjërat që duhet të ndodhin», Jezui tha: «Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.» (Mateu 24:34, 35) Ka të ngjarë që Jezui kishte ndër mend «qiellin dhe tokën», pra, sundimtarët dhe të sunduarit e «këtij brezi». Apostulli Pjetër përdori fjalë të ngjashme kur iu referua «qiejve dhe dheut të sotshëm», të cilët «janë ruajtur . . . për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë». Më tej, ai përshkruan se si «dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt [qeveritë] do të shkojnë» bashkë me shoqërinë e korruptuar njerëzore apo «tokën» dhe me veprat e saj mëkatare. Pastaj apostulli na nxit ‘të kemi një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, [ndërsa jemi] duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë, do të shkrihen dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen’. Çfarë do të vijë? Pjetri e drejton vëmendjen tonë nga ‘qiejt e rinj dhe toka e re, në të cilët do të banojë drejtësia’.—2. Pjetrit 3:7, 10-13.c
18 Këta «qiej të rinj», Mbretëria e sunduar nga Krishti Jezu dhe nga bashkëmbretërit e tij, do të derdhin bekime mbi «tokën e re» të drejtë të shoqërisë njerëzore. A je edhe ti një anëtar i mundshëm i asaj shoqërie? Nëse po, ke arsye të gëzosh për shpresën e madhe që na pret!—Isaia 65:17-19; Zbulesa 21:1-5.
19. Çfarë privilegji të madh mund të gëzojmë tani?
19 Po, një «brez» i drejtë i njerëzimit po mblidhet qysh tani. Sot, «skllavi besnik dhe i matur» i mirosur po siguron arsimin hyjnor, në përputhje me fjalët e Psalmit 78:1, 4: «Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime . . . t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.» (Mateu 24:45-47, BR) Më 14 prill të këtij viti, në më shumë se 75.500 kongregacione në mbi 230 vende, mbi 12.000.000 njerëz përreth tokës ishin të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. A ishe edhe ti mes tyre? Le të mbesë besimi yt në Krishtin Jezu dhe ‘thërrit emrin e Jehovait për shpëtim’!—Romakëve 10:10-13, BR.
20. Pasi «koha është shkurtuar», si duhet të qëndrojmë zgjuar dhe me cilën perspektivë përpara?
20 «Koha tanimë është shkurtuar»,—thotë apostulli Pavël. Prandaj është koha të qëndrojmë gjithmonë zgjuar e të zënë në veprën e Jehovait, ndërsa durojmë sprova dhe urrejtjen e këtij brezi të lig të njerëzimit. (1. Korintasve 7:29; Mateu 10:22; 24:13, 14) Le të qëndrojmë vigjilentë, duke vëzhguar të gjitha gjërat e parathëna në Bibël që do të bien mbi «këtë brez». (Luka 21:31-33) Duke shpëtuar prej këtyre gjërave e duke qëndruar me miratimin hyjnor përpara Birit të njeriut, së fundi mund të marrim çmimin e jetës së përhershme.
[Shënimet]
a Për informata më të hollësishme në lidhje me «shtatë kohët», shiko faqet 127-138 dhe 186-189 të librit «Let Your Kingdom Come», botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko volumin 1, faqe 918, të Insight on the Scriptures, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Shiko edhe faqet 152-156 dhe 180-181 të librit Our Incoming World Government—God’s Kingdom, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Pyetje për rishikim:
◻ Duke vërejtur përmbushjen e Danielit 4:32, si duhet «të qëndrojmë zgjuar» tani?
◻ Si e identifikojnë ungjijtë e Mateut dhe të Lukës «këtë brez»?
◻ Ndërsa presim «atë ditë dhe orë», çfarë vëzhgojmë dhe si duhet të përgjigjemi?
◻ Çfarë duhet të bëjmë të inkurajuar nga perspektiva e «qiejve të rinj dhe tokës së re»?
[Figurat në faqen 51]
Njerëzit e vuajtur do të provojnë lehtësim kur të kalojë ky brez i dhunshëm e i lig
[Burimi]
Alexandra Boulat/Sipa Press
[Burimi]
Majtas dhe poshtë: Luc Delahaye/Sipa Press
[Figura në faqen 52]
Për të gjitha racat e njerëzimit po afrohen «qiej të rinj dhe një tokë e re»