Të përndjekur, e megjithatë të lumtur
«Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim.»—MATEU 5:11.
1. Ç’siguri u kishte dhënë Jezui ithtarëve të tij lidhur me lumturinë dhe përndjekjen?
KUR i dërgoi apostujt për herë të parë që të predikonin Mbretërinë, Jezui i paralajmëroi se do të hasnin kundërshtime. Ai u tha: «Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjithë njerëzit për shkak të emrit tim.» (Mateu 10:5-18, 22) Por, gjithsesi, në Predikimin në Mal që kishte mbajtur disa kohë më parë, Jezui u kishte dhënë apostujve dhe të tjerëve sigurinë se ky kundërshtim nuk do t’ua hiqte medoemos lumturinë që ndienin thellë në zemër. Madje përndjekjen si të krishterë e kishte lidhur me lumturinë. Si ka mundësi që përndjekja të sjellë lumturi?
Vuajtje për hir të drejtësisë
2. Cila lloj vuajtjeje sjell lumturi, sipas Jezuit dhe apostullit Pjetër?
2 Arsyeja e tetë që dha Jezui për të qenë të lumtur është: «Lum ata që janë persekutuar për hir të drejtësisë, pasi atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mateu 5:10) Vuajtja në vetvete nuk është diçka e lavdërueshme. Apostulli Pjetër shkroi: «Nëse duroni kur mëkatoni dhe ju japin shuplaka, ku është merita? Por nëse duroni kur bëni të mirën dhe vuani, kjo është e pëlqyeshme pranë Perëndisë.» Më tej tha: «Megjithatë, askush nga ju le të mos vuajë si vrasës, a hajdut, a keqbërës, a si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve. Por nëse vuan si i krishterë, le të mos e ketë për turp, por le të vazhdojë t’i japë lavdi Perëndisë në këtë emër.» (1 Pjetrit 2:20; 4:15, 16) Sipas fjalëve që tha Jezui, vuajtja sjell lumturi kur vjen për hir të drejtësisë.
3. (a) Çfarë do të thotë të përndiqesh për hir të drejtësisë? (b) Si ndikoi te të krishterët e hershëm përndjekja?
3 Drejtësia e vërtetë matet sipas zbatimit të vullnetit dhe të urdhrave të Perëndisë. Prandaj, të vuash për hir të drejtësisë do të thotë të vuash sepse i bën ballë presionit për të shkelur normat ose kërkesat e Perëndisë. Apostujt u përndoqën nga udhëheqësit judenj ngaqë nuk donin ta ndalnin predikimin në emër të Jezuit. (Veprat 4:18-20; 5:27-29, 40) A ua hoqi gëzimin kjo vuajtje ose a e ndali predikimin e tyre? Aspak! «[Ata] shkuan nga Sinedri duke gëzuar, sepse ishin llogaritur të denjë për t’u çnderuar për emrin e tij. E çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.» (Veprat 5:41, 42) Kjo përndjekje u solli gëzim dhe ua shtoi zellin në veprën e predikimit. Më vonë, të krishterët e hershëm u përndoqën nga romakët, sepse nuk donin të adhuronin perandorin.
4. Cilat janë disa arsye pse përndiqen të krishterët?
4 Në kohët e sotme, Dëshmitarët e Jehovait janë përndjekur sepse nuk duan ta ndalin predikimin e ‘lajmit të mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Kur ua ndalojnë mbledhjet e krishtere, ata pranojnë më mirë të vuajnë, sesa të mos mblidhen më së bashku siç urdhëron Bibla. (Hebrenjve 10:24, 25) I kanë përndjekur edhe për shkak të asnjanësisë së krishterë ose ngaqë nuk duan të keqpërdorin gjakun. (Gjoni 17:14; Veprat 15:28, 29) Megjithatë, ky qëndrim për hir të drejtësisë i sjell sot shumë paqe të brendshme dhe lumturi popullit të Perëndisë.—1 Pjetrit 3:14.
Të përndjekur për shkak të Krishtit
5. Për cilën arsye kryesore përndiqet sot populli i Jehovait?
5 Edhe arsyeja e nëntë për të qenë të lumtur, siç shpjegoi Jezui në Predikimin në Mal, ka të bëjë me përndjekjen. Ai tha: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim.» (Mateu 5:11) Arsyeja kryesore pse përndiqet populli i Jehovait është sepse nuk bën pjesë në sistemin e tanishëm të lig. Jezui u tha dishepujve të tij: «Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e vetja. E tani, ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë bota ju urren.» (Gjoni 15:19) Po ashtu, apostulli Pjetër tha: «Meqë nuk vazhdoni të vraponi me ta në këtë udhë drejt të njëjtit batak shfrenimi, atyre u vjen çudi dhe vazhdojnë t’ju shajnë.»—1 Pjetrit 4:4.
6. (a) Pse mbetjen dhe shokët e tyre i përndjekin dhe i poshtërojnë? (b) A na e pakëson lumturinë kjo përndjekje?
6 Tashmë kemi shqyrtuar se të krishterët e hershëm u përndoqën sepse nuk donin të ndalnin predikimin në emër të Jezuit. Krishti u dha ithtarëve të tij këtë detyrë: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Mbetja besnike e vëllezërve të mirosur të Krishtit, të ndihmuar nga shokët e tyre besnikë të ‘shumicës së madhe’, e kanë kryer me zell këtë detyrë. (Zbulesa 7:9) Prandaj Satanai bën luftë «me të mbeturit e farës së saj [farës së «gruas», pjesës qiellore të organizatës së Perëndisë], të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbulesa 12:9, 17) Si Dëshmitarë të Jehovait, ne japim dëshmi për Jezuin, Mbretin që tani po sundon në Mbretërinë e tij. Kjo Mbretëri do të shkatërrojë qeveritë njerëzore që janë pengesë për botën e re të drejtë të Perëndisë. (Danieli 2:44; 2 Pjetrit 3:13) Për këtë arsye na përndjekin e na poshtërojnë, por ne e quajmë veten të lumtur të vuajmë për emrin e Krishtit.—1 Pjetrit 4:14.
7, 8. Çfarë gënjeshtrash thoshin kundërshtarët për të krishterët e hershëm?
7 Jezui tha se ithtarët e tij duhet ta quajnë veten të lumtur edhe kur njerëzit «duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë» kundër tyre për shkak të tij. (Mateu 5:11) Kjo ishte padyshim e vërtetë për të krishterët e hershëm. Kur apostullin Pavël e mbajtën nën arrest në Romë, rreth viteve 59-61 të e.s., udhëheqësit judenj thanë për të krishterët: «Vërtet për këtë sekt na është bërë e ditur se flitet gjithandej kundër.» (Veprat 28:22) Pavlin dhe Silën i akuzuan se kishin «kthyer përmbys tokën e banuar», duke vepruar «në kundërshtim me dekretet e Cezarit».—Veprat 17:6, 7.
8 Historiani K. S. Laturet, duke shkruar për të krishterët e kohës së Perandorisë Romake, tha: «Akuzat për të krishterët ishin nga më të ndryshmet. Ngaqë nuk donin të merrnin pjesë në ceremoni pagane, i quanin ateistë. Meqë nuk merrnin pjesë në shumicën e veprimtarive të shoqërisë, siç ishin festat pagane, zbavitjet për publikun . . . , i përbuznin duke thënë se urrenin racën njerëzore. . . . Për ta thuhej se mblidheshin burra e gra natën . . . dhe se kryenin marrëdhënie të shthurura. . . . Meqë [Përkujtimi i vdekjes së Krishtit] mbahej vetëm në prani të besimtarëve, kjo bëri të lindnin thashethemet se të krishterët flijonin gjithnjë një fëmijë dhe i pinin gjakun e i hanin mishin.» Veç këtyre, ngaqë të krishterët e hershëm nuk adhuronin perandorin, i akuzuan si armiq të shtetit.
9. Si iu përgjigjën të krishterët e shekullit të parë akuzave të rreme që u bënë kundër tyre, dhe si është gjendja sot?
9 Këto akuza të rreme nuk i penguan të krishterët e hershëm që të përmbushnin detyrën për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Në vitet 60-61 të e.s., Pavli mundi të thoshte se ‘lajmi i mirë’ ‘po jepte fryt dhe po rritej në gjithë botën’, dhe se ‘ishte predikuar ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell’. (Kolosianëve 1:5, 6, 23) E njëjta gjë ndodh edhe sot. Dëshmitarët e Jehovait i akuzojnë në mënyrë të rreme, siç ndodhi edhe me të krishterët e shekullit të parë. Megjithatë, sot vepra e predikimit të mesazhit të Mbretërisë po lulëzon dhe po u sjell shumë lumturi atyre që marrin pjesë në të.
Të lumtur kur na përndjekin si profetët
10, 11. (a) Si e përfundoi Jezui shqyrtimin e arsyes së nëntë për të qenë të lumtur? (b) Pse i përndoqën profetët? Jepni shembuj.
10 Jezui e përfundoi shqyrtimin e nëntë arsyeve për të qenë të lumtur me fjalët: «Gëzoni . . . , sepse në këtë mënyrë i persekutuan profetët që qenë përpara jush.» (Mateu 5:12) Izraelitët i pritën keq profetët që dërgoi Jehovai për të paralajmëruar këtë komb jobesnik, dhe shpesh i përndoqën. (Jeremia 7:25, 26) Apostulli Pavël e vërtetoi këtë, duke shkruar: «Ç’të them më? Sepse nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për . . . profetët e tjerë, që nëpërmjet besimit . . . morën sprovën e tyre me të përqeshura e të fshikulluara, në fakt më shumë se kaq; me vargonj dhe burgje.»—Hebrenjve 11:32-38.
11 Shumë profetë ranë nën tehun e shpatës gjatë sundimit të mbretit të lig Akab dhe gruas së tij, Jezebelës. (1 Mbretërve 18:4, 13; 19:10) Profetin Jeremia e vunë në vargonj druri dhe pastaj e hodhën në një pus tërë baltë. (Jeremia 20:1, 2; 38:6) Profetin Daniel e hodhën në gropën e luanëve. (Danieli 6:16, 17) Të gjithë këta profetë që jetuan para periudhës së krishterimit, u përndoqën sepse mbronin adhurimin e pastër të Jehovait. Shumë profetë u përndoqën nga udhëheqësit fetarë judenj. Jezui i quajti skribët dhe farisenjtë «bij të atyre që vranë profetët».—Mateu 23:31.
12. Pse ne Dëshmitarët e Jehovait e quajmë privilegj të na përndjekin siç përndoqën profetët e lashtë?
12 Sot, ne si Dëshmitarë të Jehovait shpesh na përndjekin sepse predikojmë me zell lajmin e mirë të Mbretërisë. Armiqtë na akuzojnë për ‘prozelitizëm agresiv’, por ne e dimë se edhe adhuruesit besnikë të Jehovait para nesh kanë hasur kritika të ngjashme. (Jeremia 11:21; 20:8, 11) E quajmë privilegj të vuajmë për të njëjtën arsye që vuajtën profetët besnikë në lashtësi. Dishepulli Jakov shkroi: «Vëllezër, merrni si model të vuajtjes nga e liga dhe të ushtrimit të durimit profetët, që folën në emër të Jehovait. Ja, ne shpallim të lumtur ata që kanë qëndruar.»—Jakovi 5:10, 11.
Arsye të forta për të qenë të lumtur
13. (a) Pse nuk na shkurajon përndjekja? (b) Pse arrijmë të qëndrojmë të fortë dhe çfarë tregon kjo?
13 Në vend që përndjekja të na shkurajojë, ne na ngushëllon mendimi se po ecim në gjurmët e profetëve, të të krishterëve të hershëm dhe të vetë Krishtit Jezu. (1 Pjetrit 2:21) Gjejmë shumë kënaqësi nga Shkrimet, ku ndër të tjera janë edhe këto fjalë të apostullit Pjetër: «Të dashur, mos t’ju vijë çudi për zjarrin që djeg mes jush, i cili po ju ndodh si sprovë, thua se po ju ngjet një gjë e çuditshme. Nëse ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse fryma e lavdisë, madje fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.» (1 Pjetrit 4:12, 14) Nga përvoja e dimë se arrijmë të qëndrojmë të palëkundur kur hasim përndjekje, vetëm sepse fryma e Perëndisë prehet mbi ne dhe na forcon. Mbështetja e frymës së shenjtë është provë se Jehovai po na bekon, dhe kjo na sjell edhe më shumë lumturi.—Psalmi 5:12; Filipianëve 1:27-29.
14. Ç’arsye kemi për gëzim kur na përndjekin për hir të drejtësisë?
14 Një arsye tjetër pse na bën të lumtur kundërshtimi dhe përndjekja për hir të drejtësisë është se kjo provon që po jetojmë si të krishterë të vërtetë, të përkushtuar ndaj Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:12) Ajo që na bën tej mase të lumtur është mendimi se, kur mbajmë integritetin në sprova, po i japim përgjigje të mëtejshme akuzës së Satanait se krijesat i shërbejnë Jehovait vetëm nga egoizmi. (Jobi 1:9-11; 2:3, 4) Gëzohemi që edhe ne mund të bëjmë pjesën tonë, sado e vogël qoftë, për të shfajësuar sovranitetin e drejtë të Jehovait.—Fjalët e urta 27:11.
Hovni nga gëzimi për shpërblimin
15, 16. (a) Ç’arsye na dha Jezui që ‘të gëzojmë dhe të hovim nga gëzimi’? (b) Çfarë shpërblimi është ruajtur në qiell për të krishterët e mirosur? Po ‘delet e tjera’ si do të shpërblehen?
15 Jezui dha edhe një arsye tjetër pse duhet të gëzojmë kur na shajnë e na përndjekin si profetët e lashtë. Ndër të tjera, ai tha: «Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, pasi i madh është shpërblimi juaj në qiell.» (Mateu 5:12) Apostulli Pavël shkroi: «Paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Po, ‘shpërblimi i madh’ është jeta, sigurisht jo një pagë që mund ta fitojmë vetë. Është një dhuratë falas. Jezui tha që shpërblimi është «në qiell», sepse vjen nga Jehovai.
16 Të mirosurit marrin «kurorën e jetës», domethënë në rastin e tyre jetën e pavdekshme në qiell me Krishtin. (Jakovi 1:12, 17) Ata që kanë shpresën tokësore, pra ‘delet e tjera’, presin me padurim të trashëgojnë jetën e përhershme në një parajsë tokësore. (Gjoni 10:16; Zbulesa 21:3-5) Për të dyja grupet, «shpërblimi» është i pamerituar. Si të mirosurit, ashtu edhe ‘delet e tjera’, e marrin shpërblimin falë «dashamirësisë së pamerituar tejet të madhe» të Jehovait, e cila e shtyu apostullin Pavël të thoshte: «Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!»—2 Korintasve 9:14, 15.
17. Pse kur na përndjekin jemi të lumtur dhe ‘hovim nga gëzimi’ në kuptimin e figurshëm?
17 Të krishterëve, disa prej të cilëve së shpejti do të përndiqeshin mizorisht nga perandori Neron, apostulli Pavël u shkroi këto fjalë: «Le të ngazëllejmë edhe në shtrëngime, pasi e dimë se shtrëngimi prodhon qëndrueshmëri; qëndrueshmëria, nga ana e vet, një gjendje të miratuar; gjendja e miratuar nga ana e vet, shpresë dhe shpresa nuk çon në zhgënjim.» Gjithashtu, tha: «Gëzoni në shpresë. Qëndroni në shtrëngime.» (Romakëve 5:3-5; 12:12) Sido që të jetë shpresa jonë, qiellore ose tokësore, shpërblimi për besnikërinë nën sprova është shumë më i madh se çdo gjë që meritojmë. S’mund të përshkruhet me fjalë gëzimi që ndiejmë kur mendojmë që të jetojmë përgjithmonë për t’i shërbyer e për t’i dhënë lavdi Atit tonë qiellor, Jehovait, nën sundimin e Mbretit tonë Jezu Krisht! ‘Hovim nga gëzimi’ në kuptimin e figurshëm.
18. Ç’mund të presim nga kombet ndërsa afrohet fundi, por çfarë do të bëjë Jehovai?
18 Në disa vende Dëshmitarët e Jehovait i kanë përndjekur dhe vazhdojnë t’i përndjekin. Në profecinë që dha për fundin e sistemit, Jezui i paralajmëroi të krishterët e vërtetë: «Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Ndërsa i afrohemi fundit, Satanai do t’i shtyjë kombet ta shfaqin urrejtjen e tyre kundër popullit të Jehovait. (Ezekieli 38:10-12, 14-16) Kjo do të shënojë kohën kur Jehovai do të veprojë. «Do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve dhe do të pranojnë se unë jam Zoti»,—thotë Jehovai. (Ezekieli 38:23) Në këtë mënyrë ai do ta shenjtërojë emrin e tij të madh dhe do ta çlirojë popullin e tij nga përndjekja. Prandaj, «lum njeriu që vazhdon të qëndrojë»!—Jakovi 1:12.
19. Çfarë duhet të bëjmë ndërsa presim ‘ditën e madhe të Jehovait’?
19 Ndërsa ‘dita e madhe e Jehovait’ afrohet gjithnjë e më shumë, le të gëzojmë që ‘llogaritemi të denjë për t’u çnderuar’ për emrin e Jezuit! (2 Pjetrit 3:10-13; Veprat 5:41) Ashtu si të krishterët e hershëm, le të vazhdojmë ‘pareshtur të mësojmë dhe të shpallim lajmin e mirë për Krishtin’ e për Mbretërinë e tij, ndërkohë që presim shpërblimin tonë në botën e re dhe të drejtë të Jehovait.—Veprat 5:42; Jakovi 5:11.
Pyetje për rishikim
• Çfarë do të thotë të vuash për hir të drejtësisë?
• Si ndikoi përndjekja te të krishterët e hershëm?
• Pse mund të themi që Dëshmitarët e Jehovait po përndiqen siç u përndoqën profetët e lashtë?
• Pse mund ‘të gëzojmë e të hovim nga gëzimi’ kur na përndjekin?
[Figurat në faqet 16, 17]
«Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë dhe ju persekutojnë!»
[Burimi]
Një grup Dëshmitarësh në burg: Chicago Herald-American