Libri biblik numër 38—Zakaria
Shkrimtari: Zakaria
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: 518 p.e.s.
Periudha përkatëse: 520 p.e.s.–518 p.e.s.
1. Në ç’situatë ishte tempulli në Jerusalem kur Zakaria nisi të profetizonte?
NË VEND numëro! Kjo ishte situata me ndërtimin e tempullit të Jehovait në Jerusalem, kur Zakaria nisi të profetizonte. Solomoni e kishte ndërtuar tempullin e parë vetëm për 7 vjet e gjysmë (1 Mbret. 6:37, 38), kurse judenjtë e kthyer në vendlindje kishin tashmë 17 vjet që ishin kthyer në Jerusalem dhe përfundimi i ndërtimeve ishte ende larg. Së fundi, punimet ishin ndërprerë fare pas ndalimit që vuri Artakserksi (apo Bardijai ose Gaumata). Mirëpo tani, pavarësisht nga ndalimi zyrtar, puna po niste sërish. Jehovai po përdorte Hageun dhe Zakarinë që të nxitnin popullin t’i futeshin prapë ndërtimit e ta çonin deri në fund.—Ezd. 4:23, 24; 5:1, 2.
2. Përse puna dukej e madhe sa një mal dhe ku ua drejtoi vëmendjen Zakaria?
2 Puna që shtrihej para tyre dukej e madhe sa një mal. (Zak. 4:6, 7) Ata ishin pak, kurse kundërshtarët shumë, dhe megjithëse kishin një princ nga linja davidike, Zorobabelin, ata s’kishin mbret dhe gjendeshin nën sundimin e huaj. Sa lehtë mund të binin pre e një qëndrimi të dobët dhe të përqendroheshin te vetja, ndërkohë që në të vërtetë koha kërkonte besim të fortë e veprim energjik! Zakaria u përdor që t’u drejtonte vëmendjen te qëllimet që kishte Perëndia në atë kohë, por edhe te qëllimet më të mëdha për të ardhmen, dhe kjo i forcoi për punën që i priste. (8:9, 13) S’ishte koha që të tregoheshin si etërit e tyre mosmirënjohës.—1:5, 6.
3. (a) Si identifikohet Zakaria dhe përse është i përshtatshëm emri i tij? (b) Kur u shpall dhe u hodh me shkrim profecia e Zakarisë?
3 Kush ishte Zakaria? Në Bibël ka rreth 30 individë të ndryshëm me emrin Zakaria. Gjithsesi, shkrimtari i librit që mban këtë emër identifikohet si ‘Zakaria, biri i Berekisë, birit të profetit Ido’. (Zak. 1:1; Ezd. 5:1; Neh. 12:12, 16) Emri i tij (hebraisht, Zekharjáh) do të thotë «Jehovai u kujtua». Libri i Zakarisë e tregon mjaft qartë se «Jehovai i ushtrive» e kujton popullin e vet që t’u bëjë atyre mirë, për hir të emrit të Tij. (Zak. 1:3) Datat që përmenden në libër, tregojnë se periudha përkatëse që ai mbulon është të paktën dy vjet. «Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit» (tetor-nëntor 520 p.e.s.) rifilloi puna për ndërtimin e tempullit dhe Zakaria nisi të profetizonte. (1:1) Libri përmend edhe «ditën e katërt të muajit të nëntë, domethënë në hislev», «vitin e katërt të mbretit Dar» (rreth 1 dhjetor 518 p.e.s.). (7:1) Prandaj, pa dyshim, profecia e Zakarisë duhet të jetë shpallur dhe hedhur me shkrim gjatë viteve 520 p.e.s.-518 p.e.s.—Ezd. 4:24.
4, 5. (a) Përse Zakaria paratha që Tiri do të binte shumë kohë pas rrethimit që i bëri qytetit Nabukodonosori? (b) Përmbushja e cilave profeci të veçanta jep prova bindëse se libri është i frymëzuar?
4 Studiuesit e librit të Zakarisë do të gjejnë prova të bollshme të autenticitetit të tij. Të marrim, për shembull, Tirin. Mbreti babilonas Nabukodonosori arriti ta shkretonte Tirin pas një rrethimi të gjatë 13-vjeçar. Megjithatë, kjo nuk shënoi fundin e plotë të Tirit. Shumë vite më vonë, Zakaria paratha shkatërrimin përfundimtar të Tirit. Aleksandri i Madh mposhti pjesën ishullore të qytetit të Tirit, kur ndërtoi rrugën e tij të famshme të ngritur në det. Pastaj, Aleksandri e dogji atë pa mëshirë, duke përmbushur kështu profecinë që kishte bërë Zakaria rreth dy shekuj më parë.a—Zak. 9:2-4.
5 Megjithatë, prova më bindëse e frymëzimit hyjnor të librit gjendet në përmbushjen e profecive të tij për Mesinë, Krishtin Jezu, siç mund të shihet, duke krahasuar Zakarinë 9:9 me Mateun 21:4, 5 dhe Gjonin 12:14-16; Zakarinë 12:10 me Gjonin 19:34-37; dhe Zakarinë 13:7 me Mateun 26:31 dhe Markun 14:27. Po ashtu, mund të vëmë re edhe ngjashmëritë mes Zakarisë 8:16 dhe Efesianëve 4:25; Zakarisë 3:2 dhe Judës 9; dhe Zakarisë 14:5 dhe Judës 14. Harmonia e Fjalës së Perëndisë është vërtet e mrekullueshme!
6. (a) Si shpjegohet ndryshimi i stilit nga kapitulli i 9-të i Zakarisë e më tej? (b) Për cilën arsye Mateu mund t’i jetë referuar Zakarisë si «Jeremia»?
6 Disa kritikë të Biblës thonë që ndryshimi i stilit të shkrimit nga kapitulli i 9-të e më pas, tregon se kjo pjesë nuk ka mundësi të jetë shkruar nga Zakaria. Megjithatë, ndryshimi i stilit nuk është edhe aq i madh sa ndryshimi i temës. Tetë kapitujt 1-8 e parë trajtojnë çështje që kishin rëndësi për njerëzit në ditët e Zakarisë, kurse në kapitujt 9 deri 14 profeti e hedh vështrimin në një të ardhme më të largët. Disa të tjerë kanë shtruar pyetjen se përse Mateu citon Zakarinë, ndërkohë që thotë se fjalët janë të Jeremisë. (Mat. 27:9; Zak. 11:12) Duket që për njëfarë kohe Jeremia konsiderohej si i pari i të ashtuquajturve Profetët e Fundit (dhe jo Isaia, si në Biblat e sotme), prandaj, kur Mateu iu referua Zakarisë si «Jeremia», ka mundësi të ketë ndjekur traditën judaike, sipas së cilës një pjesë e tërë e Shkrimeve përfshihej nën emrin e librit të parë të asaj pjese. Vetë Jezui përdori termin «Psalmet», ku përfshiu gjithë librat e njohur si Shkrimet.—Luka 24:44.b
7. Si është organizuar libri i Zakarisë?
7 Deri në vargun 8 të kapitullit të 6-të, libri përmban një seri prej tetë vegimesh, të ngjashëm për nga lloji me vegimet e Danielit e të Ezekielit, që kanë lidhje në përgjithësi me rindërtimin e tempullit. Pas tyre vijnë shpallje e profeci për adhurimin e pastër, rivendosjen dhe luftën e ditës së Jehovait.
PËRMBAJTJA E ZAKARISË
8. Ç’tregon vegimi i katër kalorësve për Jerusalemin dhe kombet?
8 Vegimi i parë: katër kalorësit (1:1-17). «Kthehuni tek unë, . . . dhe unë do të kthehem te ju»,—thotë Jehovai, pastaj pyet: «A nuk arritën deri tek etërit tuaj fjalët dhe rregullat që u urdhërova shërbëtorëve të mi, profetëve?» (1:3, 6) Populli e pranon se ka marrë pikërisht atë që meritonte. Tani shfaqet vegimi i parë i Zakarisë. Natën, katër kalorës qëndrojnë mes pemëve pranë Jerusalemit, pasi kishin përshkruar tokën, të cilën e gjetën të qetë e pa trazira. Mirëpo engjëlli i Jehovait, që i pyet, është i trazuar nga gjendja e Jerusalemit. Jehovai shpall indinjatën e tij kundër kombeve që kanë gisht në gjëmën që i ka rënë Sionit, dhe thotë se ‘do të kthehet në Jerusalem dhe do t’i tregojë mëshirë’. Atje do të ndërtohet shtëpia e tij dhe në qytetet e tij «do të gufojë prapë mirësia».—1:16, 17.
9. Si e shpjegon Jehovai vegimin e brirëve dhe artizanëve?
9 Vegimi i dytë: brirët dhe artizanët (1:18-21). Zakaria sheh katër brirët që shpërndanë Judën, Izraelin dhe Jerusalemin. Pastaj Jehovai i tregon katër artizanë dhe i shpjegon se këta do të vijnë për të rrëzuar brirët e kombeve që janë kundër Judës.
10. Si lidhet begatia e Jerusalemit me Jehovain?
10 Vegimi i tretë: begatia e Jerusalemit (2:1-13). Tani shihet një burrë që po mat Jerusalemin. Qyteti do të bekohet e do të zgjerohet, dhe Jehovai do të jetë si një mur zjarri rreth e qark tij dhe do të bëhet lavdia e tij. Ai thërret: «Hej ti, Sion! Mbathja.» Pastaj shton paralajmërimin: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (2:7, 8) Ngaqë Jehovai do të banojë atje, Sioni do të gëzojë dhe shumë kombe do të bashkohen me Jehovain. Çdo mish urdhërohet të heshtë para Jehovait, «sepse ai është ngritur nga banesa e tij e shenjtë për të vepruar».—2:13.
11. Si shfajësohet kryeprifti Josi dhe ç’udhë nxitet që të ndjekë?
11 Vegimi i katërt: çlirimi i Josiut (3:1-10). Kryeprifti Josi po përballon një sprovë, ku Satanai i kundërvihet dhe engjëlli i Jehovait qorton Satanain. A s’është Josiu «një kërcu i shkëputur nga zjarri»? (3:2) Josiu shpallet i pastër dhe rrobat e tij të fëlliqura ia ndërrojnë me «petka të gjata ceremonie» të pastra. Ai nxitet të ecë në udhët e Jehovait, i cili ‘po sjell shërbëtorin e tij, Filizin’ dhe vendos përpara Josiut një gur mbi të cilin ka shtatë sy.—3:4, 8.
12. Ç’inkurajim e ç’siguri jepet për ndërtimin e tempullit?
12 Vegimi i pestë: shandani dhe pemët e ullirit (4:1-14). Engjëlli e zgjon Zakarinë që të shohë një shandan prej ari dhe pranë tij dy pemë ulliri. Pastaj, dëgjon fjalët e Jehovait drejtuar Zorobabelit: ‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën e Perëndisë.’ Një «mal i madh» do të rrafshohet para Zorobabelit dhe guri kryesor i tempullit do të nxirret përpara e për të do të lëshohen britma: «Sa magjepsës! Sa magjepsës!» Zorobabeli ka hedhur themelet e tempullit dhe ai do të përfundojë punën. Shtatë llambat janë shtatë sytë e Jehovait që «enden lart e poshtë nëpër gjithë tokën». (4:6, 7, 10) Dy pemët e ullirit janë dy të mirosurit e Jehovait.
13-15. Çfarë shihet në vegimet e rrotullës që fluturon, masës së efës dhe katër karrocave?
13 Vegimi i gjashtë: rrotulla që fluturon (5:1-4). Zakaria sheh një rrotull që fluturon, rreth 9 metra e gjatë dhe 4,5 metra e gjerë. Engjëlli shpjegon se ky është mallkimi që po del për shkak të atyre që vjedhin e që zënë be në mënyrë të rreme në emër të Jehovait.
14 Vegimi i shtatë: masa e efës (5:5-11). Ngrihet kapaku i një mase efë (rreth 22 litra) dhe del një grua që quhet «Ligësia». Atë e hedhin prapë në mes të efës dhe dy gra me krahë si të lejlekut e ngrenë drejt qiellit që ta çojnë në Shinar (Babiloni) dhe «do të vihet atje, në vendin që i takon».—5:8, 11.
15 Vegimi i tetë: katër karrocat (6:1-8). Mes dy maleve prej bakri shfaqen katër karroca, me kuaj me ngjyra të ndryshme. Janë katër frymërat e qiejve. Me urdhër të engjëllit, ato nisen të enden nëpër tokë.
16. Çfarë profetizohet në lidhje me një «Filiz»?
16 Filizi; agjërim jo i sinqertë (6:9–7:14). Jehovai e udhëzon Zakarinë t’i vërë në kokë Josiut, kryepriftit, një kurorë të madhe. Në mënyrë profetike ai flet për një «Filiz» që do të ndërtojë tempullin e Jehovait e do të sundojë në fronin e tij si prift.—6:12.
17. Ç’dëshiron Jehovai për sa i përket adhurimit dhe ç’pasoja kanë pasur ata që nuk i pranuan fjalët e tij?
17 Dy vjet pasi Zakaria nisi të profetizonte, nga Betheli mbërrin një delegacion për të pyetur priftërinjtë e tempullit nëse duhet të vazhdojnë të mbajnë disa periudha vajtimi e agjërimi. Nëpërmjet Zakarisë, Jehovai pyet popullin dhe priftërinjtë nëse agjërimi i tyre është vërtet i sinqertë. Jehovai dëshiron ‘bindje, drejtësi të vërtetë, dashamirësi dhe mëshirë’. (7:7, 9) Meqë judenjtë, me kokëfortësi dhe me një zemër si gur smerili, nuk i kanë pranuar fjalët e tij profetike, ai i ka flakur me vrull nëpër tërë kombet.
18. Ç’premtime të lavdishme për rivendosje bën Jehovai?
18 Rivendosje; «dhjetë burra» (8:1-23). Jehovai deklaron se do të kthehet në Sion dhe do të banojë në Jerusalem, i cili do të quhet «qyteti i vërtetësisë». Të moshuarit do të ulen në sheshet e qytetit dhe fëmijët do të luajnë nëpër to. Kjo nuk është aspak e vështirë për Jehovain, Perëndinë e vërtetë e të drejtë! Mbetjes së popullit të tij Jehovai i premton se do të ketë farë paqeje dhe thotë: «Mos kini frikë. Merrni zemër dhe vërini krahët punës!» (8:3, 13) Ja ç’duhet të bëjnë: T’i thonë të vërtetën njëri-tjetrit, të gjykojnë në përputhje me të vërtetën, të mos kurdisin në zemër të këqija e të mos zënë be të rreme. Do të vijë koha kur banorët e shumë qyteteve do të ftojnë me zell njëri-tjetrin për të kërkuar Jehovain dhe «dhjetë burra» nga të gjitha gjuhët e kombeve «do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu» e do të shkojnë me popullin e Perëndisë.—8:23.
19. Çfarë shpalljesh të ashpra vijojnë dhe çfarë thuhet për mbretin e Jerusalemit?
19 Shpallje kundër kombeve, barinjtë e rremë (9:1–11:17). Në pjesën e dytë të librit, që përfshin kapitujt 9 deri 14, Zakaria kalon nga vegimet alegorike në një stil më të zakonshëm profetik. Ai ia nis me një shpallje të ashpër kundër një sërë qytetesh, përfshirë qytetin-ishull shkëmbor të Tirit. Jerusalemit i thuhet të brohorasë me ngadhënjim, sepse «ja, mbreti yt po vjen te ti. Ai është i drejtë dhe ka shpëtuar, është i përulur dhe i hipur në një gomar». (9:9) Ai do të shfarosë karrocat e luftës dhe harqet, e do t’u flasë kombeve për paqen dhe do të sundojë deri në skajet e tokës. Jehovai do të luftojë për popullin e tij kundër Greqisë dhe do t’i shpëtojë. «Sepse, oh, sa e madhe është mirësia e tij dhe sa e madhe bukuria e tij!» (9:17) Jehovai, ai që jep shiun, i dënon ata që merren me fall dhe barinjtë e rremë. Ai do të bëjë që shtëpia e Judës të qëndrojë më lart dhe ata nga Efraimi do t’i bëjë si një burrë i fuqishëm. Sa për të shpenguarit, ‘zemra e tyre do të jetë e gëzuar falë Jehovait . . . dhe do të ecin në emrin e tij’.—10:7, 12.
20. Çfarë simbolizojnë dy shkopinjtë, «Hijeshia» dhe «Bashkimi»?
20 Zakaria caktohet tani të kullotë kopenë që është shitur për t’u vrarë nga barinjtë pa dhembshuri që thonë: «Bekuar qoftë Jehovai. Unë do të fitoj pasuri!» (11:5) Profeti merr dy shkopinj dhe i quan «Hijeshi» dhe «Bashkim». (11:7) Duke thyer «Hijeshinë», ai simbolizon prishjen e një besëlidhjeje. Pastaj kërkon pagën e tij dhe i japin 30 monedha të argjendta. Jehovai e urdhëron t’i hedhë në thesar dhe, me një sarkazëm të fortë, e quan «shumën e madhe me të cilën më vlerësuan». (11:13) Tani i vjen radha «Bashkimit» për t’u thyer, që të prishë vëllazërinë mes Judës dhe Izraelit. Shpata do të bjerë mbi barinjtë e rremë që kanë lënë pas dore delet e Jehovait.
21. (a) Si i gjykon Jehovai ata që luftojnë kundër Jerusalemit? (b) Ç’hallakatje dhe ç’rafinim profetizohet?
21 Jehovai lufton, bëhet mbret (12:1–14:21). Nis një shpallje tjetër. Jehovai e bën Jerusalemin një kupë të madhe që i trullos popujt, dhe një gur të rëndë që i gërvisht ata që e ngrenë. Ai do t’i shfarosë të gjitha kombet që dalin kundër Jerusalemit. Jehovai do të derdhë mbi shtëpinë e Davidit frymën e pëlqimit e të përgjërimeve, kurse njerëzit do të shohin atë që shpuan tejpërtej dhe do të bëjnë vaje për të «si vajet që bëhen për një bir të vetëm». (12:10) Jehovai i ushtrive deklaron se do të shfarosë gjithë idhujt dhe profetët e rremë; vetë prindërit kanë për ta plagosur një njeri të tillë, që t’i vijë turp e të heqë veshjen e profetit. Bariu që është shoku i Jehovait, do të goditet dhe kopeja do të hallakatet, mirëpo Jehovai do të rafinojë «një të tretën», e cila do të thërrasë emrin e tij. Jehovai do të thotë: «Është populli im.» Ajo do të përgjigjet: «Jehovai është Perëndia im.»—13:9.
22. Çfarë ka për t’u ndodhur kombeve dhe Jerusalemit ‘ditën e Jehovait’?
22 «Ja, po vjen dita e Jehovait.» Të gjitha kombet do të sulmojnë Jerusalemin dhe gjysma e qytetit do të shkojë në mërgim, duke lënë prapa një mbetje. Pastaj, Jehovai do të dalë e do të luftojë kundër atyre kombeve, «si në ditën e luftës së tij, si në ditën e betejës». (14:1, 3) Mali i ullinjve, në lindje të Jerusalemit, do të çahet në mes, nga veriu në jug, duke krijuar një luginë për të ikur. Atë ditë nga Jerusalemi do të dalin ujëra jetëdhënëse, nga lindja e nga perëndimi, në verë dhe në dimër, dhe «Jehovai do të bëhet mbret mbi gjithë tokën». (14:9) Jerusalemi do të jetë i sigurt, kurse ata që luftojnë kundër tij, Jehovai do t’i godasë me plagë. Teksa qëndrojnë në këmbë, mishi, sytë dhe gjuha do t’u kalben. Do t’i godasë rrëmuja. Dora e secilit do të ngrihet kundër asaj të shokut të vet. Ata që do të mbeten gjallë nga tërë kombet, kanë për t’u ngjitur «vit për vit për t’u përkulur para Mbretit, Jehovait të ushtrive».—14:16.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
23. Pse është besimforcues tregimi i Zakarisë?
23 Të gjithë ata që e studiojnë dhe meditojnë rreth profecisë së Zakarisë, do të fitojnë një njohuri besimforcuese. Më shumë se 50 herë Zakaria tërheq vëmendjen nga «Jehovai i ushtrive» si Ai që lufton për popullin e vet dhe e mbron atë, duke e mbushur me fuqi sipas nevojës. Kur kundërshtimi i ngjashëm me malet kërcënonte përfundimin e ndërtimit të tempullit, Zakaria shpalli: «Kjo është fjala e Jehovait drejtuar Zorobabelit: ‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive. Kush je ti, o mal i madh? Para Zorobabelit do të bëhesh një vend i rrafshët.» Tempulli përfundoi me ndihmën e frymës së Jehovait. Edhe sot, pengesat rrafshohen po të përballohen duke pasur besim te Jehovai. Është pikërisht ashtu si u tha Jezui dishepujve të tij: «Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.»—Zak. 4:6, 7; Mat. 17:20.
24. Ç’ilustrim të besnikërisë na jep kapitulli i 13-të i Zakarisë?
24 Në kapitullin 13, vargjet 2 deri 6, Zakaria ilustron besnikërinë që karakterizon deri më sot organizatën e Jehovait. Ajo duhet të ngrihet mbi çdo marrëdhënie njerëzore, siç është, për shembull, marrëdhënia e ngushtë mes të afërmve të një gjaku. Sikur një i afërm i ngushtë të profetizojë me pavërtetësi në emër të Jehovai, domethënë, të flasë kundër mesazhit të Mbretërisë e të përpiqet padrejtësisht të ndikojë edhe te të tjerët në kongregacionin e popullit të Perëndisë, familjarët e atij individi duhet të mbështetin besnikërisht çdo veprim gjyqësor që do të marrë kongregacioni. Të njëjtin qëndrim duhet të mbajmë edhe me çdo shok të ngushtë, që profetizon në mënyrë të rreme, në mënyrë që t’i vijë turp e t’i therë në zemër për shkak të udhës së gabuar.
25. Si lidhet profecia e Zakarisë me shkrime të tjera për identifikimin e Mesisë, «Filizit», dhe të pozitës së tij si Kryeprift e Mbret nën drejtimin e Jehovait?
25 Siç është thënë në paragrafët e fillimit, hyrja e Jezuit në Jerusalem si mbret, «i përulur dhe i hipur në një gomar», tradhtimi i tij për «tridhjetë monedha të argjendta», hallakatja e dishepujve të tij pas kësaj dhe shpimi i tij tejpërtej me heshtë nga një ushtar, ishin parathënë të gjitha me hollësi nga Zakaria. (Zak. 9:9; 11:12; 13:7; 12:10) Profecia përmend edhe një «Filiz», si ndërtuesi i tempullit të Jerusalemit. Një krahasim i Isaisë 11:1-10; Jeremisë 23:5; dhe Lukës 1:32, 33, tregon se ai është Jezu Krishti, që «do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit». Zakaria e përshkruan «Filizin» si «prift në fronin e tij», dhe kjo lidhet me fjalët e apostullit Pavël: «Jezui . . . është bërë përgjithmonë kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut.» Dhe «[Ai] është ulur në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiej.» (Zak. 6:12, 13; Hebr. 6:20; 8:1) Kështu, profecia flet për «Filizin» si për një Kryeprift dhe Mbret në të djathtën e Perëndisë në qiej, dhe njëkohësisht e shpall Jehovain si Sundimtarin Sovran mbi të gjithë: «Jehovai do të bëhet mbret mbi gjithë tokën. Atë ditë Jehovai do të tregojë se është një i vetëm dhe se emri i tij është një i vetëm.»—Zak. 14:9.
26. Për cilën «ditë» të lavdishme flet në mënyrë të përsëritur Zakaria?
26 Duke folur për atë kohë, profeti përsërit 20 herë shprehjen «atë ditë», madje e mbyll profecinë me këtë shprehje. Shqyrtimi i rasteve të shumta ku del kjo shprehje, tregon se bëhet fjalë për ditën kur Jehovai do të shfarosë emrat e idhujve e do të zhdukë profetët e rremë. (13:2, 4) Është dita kur Jehovai lufton kundër kombeve agresore dhe mbjell rrëmujë mes radhëve të tyre e i shfaros, kurse ‘luginën e maleve të tij’ e bën një strehë për popullin e vet. (14:1-5, 13; 12:8, 9) Po, «Jehovai, Perëndia i tyre, do t’i shpëtojë si kopenë e popullit të vet» dhe ata do t’i thërrasin njëri-tjetrit teksa rrinë poshtë hardhisë e fiqve të tyre. (Zak. 9:16; 3:10; Mik. 4:4) Ajo është dita e lavdishme, kur Jehovai i ushtrive ‘do të banojë mes’ popullit të vet dhe kur «nga Jerusalemi do të dalin ujëra jetëdhënëse». Fjalët e Zakarisë i identifikojnë ngjarjet që do të ndodhin «atë ditë», si pararendëse të ‘një qielli të ri e të një toke të re’ që kanë lidhje me premtimin e Mbretërisë.—Zak. 2:11; 14:8; Zbul. 21:1-3; 22:1.
27. Si e përqendron vëmendjen profecia e Zakarisë te shenjtërimi i emrit të Jehovait?
27 «Kush e ka përbuzur ditën e gjërave të vogla?»—pyet Jehovai. Ja, kjo begati do të mbushë mbarë tokën: «Shumë njerëz dhe kombe të fuqishme do të vijnë që të kërkojnë Jehovain e ushtrive në Jerusalem dhe . . . dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» «Atë ditë» edhe në zilet e kalit do të jetë shkruar: «Shenjtëria i përket Jehovait!» Sa i dobishëm është shqyrtimi i këtyre profecive që të ngrohin zemrën! Ato tregojnë se emri i Jehovait do të shenjtërohet me të vërtetë nëpërmjet Farës së Mbretërisë së tij!—Zak. 4:10; 8:22, 23; 14:20.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 531, 1136, anglisht.
b Encyclopaedia Judaica, 1973, vëll. 4, kol. 828; Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 1080, 1081, anglisht.