KAPITULLI 105
Një mësim për besimin
MATEU 21:19-27 MARKU 11:19-33 LUKA 20:1-8
NJË MËSIM PËR BESIMIN NGA PEMA E FIKUT QË U THA
VËNË NË DYSHIM AUTORITETIN E JEZUIT
Të hënën pasdite, Jezui lë Jerusalemin dhe kthehet në Betani, në shpatin lindor të Malit të Ullinjve. Ka të ngjarë që natën e kalon në shtëpinë e miqve të tij, Lazarit, Marisë dhe Martës.
Tani është mëngjesi i 11 nisanit. Jezui dhe dishepujt marrin prapë rrugën drejt Jerusalemit. Është hera e fundit që do të shkojë në tempull. Kjo është dita e fundit e shërbimit të tij publik, para se të kremtojë Festën e Kalimit, të themelojë Përkujtimin e vdekjes dhe ta nxjerrin në gjyq e ta ekzekutojnë.
Duke shkuar nga Betania për në Jerusalem përmes Malit të Ullinjve, Pjetri sheh pemën që Jezui mallkoi mëngjesin e kaluar dhe thotë: «Rabi, shiko! Fiku që mallkove, është tharë.»—Marku 11:21.
Por, pse e shkaktoi Jezui tharjen e fikut? Ai e shpjegon kështu arsyen: «Vërtet po ju them se po të keni besim e po të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që i bëra unë fikut, por edhe sikur t’i thoni këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’, ashtu do të bëhet. Po të keni besim, gjithçka që kërkoni në lutje, do ta merrni.» (Mateu 21:21, 22) Jezui po përsërit diçka që ua ka mësuar edhe më parë: besimi është në gjendje të lëvizë male.—Mateu 17:20.
Duke tharë fikun, Jezui demonstron sa i domosdoshëm është besimi te Perëndia. Ai shprehet: «Gjithçka që luteni dhe kërkoni, kini besim sikur ta keni marrë tashmë, dhe do ta merrni.» (Marku 11:24) Ç’mësim i rëndësishëm për gjithë dishepujt e Jezuit! Veçanërisht i dobishëm është për apostujt, të cilët i presin sprova goxha të mëdha. Megjithatë ekziston edhe një lidhje tjetër mes tharjes së fikut dhe cilësisë së besimit.
Ashtu si pema e fikut, edhe kombi i Izraelit është ndryshe nga ç’duket. Ata kanë bërë një besëlidhje me Perëndinë dhe, në pamje të parë, duket sikur e zbatojnë Ligjin. Megjithatë, si një i tërë, kombi ka treguar se nuk ka besim dhe nuk jep fryte të mira. Madje, arrijnë deri aty sa hedhin poshtë Birin e Perëndisë! Prandaj, duke tharë fikun që nuk bënte kokrra, Jezui tregon fundin e këtij kombi të pafrytshëm e pa besim.
Pak pas kësaj, Jezui dhe dishepujt hyjnë në Jerusalem. Siç e ka zakon, ai shkon në tempull dhe nis të mësojë. Mirëpo, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit, që e kanë ende të freskët në mendje çfarë u bëri Jezui këmbyesve të parave një ditë më parë, përpiqen ta zënë ngushtë: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»—Marku 11:28.
Jezui u përgjigjet: «Do t’ju bëj vetëm një pyetje. Po m’u përgjigjët, edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. Pagëzimi që bënte Gjoni, ishte nga qielli apo nga njerëzit? M’u përgjigjni.» Tani janë kundërshtarët që zihen ngushtë. Ndërsa vrasin mendjen për përgjigjen, priftërinjtë dhe pleqtë i thonë njëri-tjetrit: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’ Por, a guxojmë të themi ‘nga njerëzit’?» Arsyetojnë kështu ngaqë kanë frikë nga turma, ‘sepse të gjithë mendojnë se Gjoni ka qenë vërtet profet’.—Marku 11:29-32.
Meqë kundërshtarët nuk gjejnë dot një përgjigje për të qenë, i thonë: «Nuk e dimë.» Atëherë Jezui ua kthen: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»—Marku 11:33.