Kapitulli 33
Plotëson profecinë e Isaisë
PASI Jezui merr vesh se farisenjtë dhe anëtarët e partisë së Herodit bëjnë plane për ta vrarë, ai tërhiqet bashkë me dishepujt e tij drejt Detit të Galilesë. Këtu, turma të mëdha njerëzish nga e gjithë Palestina e madje edhe nga vendet jashtë kufijve të saj, grumbullohen rreth tij. Ai shëron shumë njerëz dhe si rezultat të gjithë ata që vuajnë nga lëngatat shtyhen përpara për ta prekur.
Për shkak se turmat janë kaq të mëdha, Jezui u thotë dishepujve që të mbajnë një barkë vazhdimisht në dispozicion të tij. Duke u larguar nga bregu, ai mund të evitojë mundësinë që të shtypet nga turmat. Ai mund t’i mësojë njerëzit që nga barka ose mund të shkojë në një vend tjetër për të ndihmuar njerëzit atje.
Dishepulli Mate vëren se, me aktivitetin e tij, Jezui po plotëson «ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia». Pastaj ai citon profecinë që Jezui po përmbush:
«Ja, shërbëtori im që unë e zgjodha, i dashuri im, të cilin shpirti im e ka miratuar! Unë do ta vë frymën time mbi të dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve se ç’është drejtësia. Ai nuk do të zihet, as do të bërtasë me zë të lartë, as do ta dëgjojë ndokush zërin e tij nëpër rrugët e gjera. Nuk do ta shtypë kallamin e thyer dhe nuk do të shuajë kandilin që bën tym, derisa të mos e ketë nxjerrë drejtësinë me sukses. Në të vërtetë, kombet do të shpresojnë në emrin e tij.»—Isaia 42:1-4 BR.
Natyrisht, Jezui është shërbëtori i dashur, të cilin Perëndia e aprovon. Jezui po e bën të qartë se çfarë është drejtësia e vërtetë, të cilën traditat e fesë së rreme po e errësojnë. Për shkak të aplikimit të padrejtë që i bëjnë ligjit të Perëndisë, farisenjtë as nuk do t’i vinin në ndihmë një personi të sëmurë ditën e shtunë! Duke e bërë të qartë drejtësinë e Perëndisë, Jezui i lehtëson njerëzit nga barra e traditave të padrejta dhe për këtë arsye, krerët fetarë përpiqen ta vrasin.
Çfarë do të thotë që ‘ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë në mënyrë që askush të mos e dëgjojë zërin e tij nëpër rrugët e gjera’? Kur i shëron njerëzit, Jezui ‘i urdhëron ata rreptësisht që të mos thonë se kush është ai’. Ai nuk dëshiron që të bëhen njoftime të bujshme për të, nëpër rrugë, ose që të kalojnë gojë më gojë tregime të shtrembëruara nga emocionet.
Gjithashtu, Jezui e çon mesazhin e tij ngushëllues tek ata njerëz që në kuptimin figurativ janë si një kallam i thyer, i këputur dhe i shkelur me këmbë. Ata i ngjajnë një kandili që bën tym, ku edhe shkëndijës së fundit të jetës pothuajse i është zënë fryma. Jezui nuk e shtyp kallamin e thyer dhe as e shuan kandilin që mezi bën dritë dhe nxjerr tym. Por duke shfaqur butësi dhe dashuri, ai me mjeshtëri, i rigjallëron njerëzit zemërbutë. Me të vërtetë, Jezui është ai në të cilin kombet mund të shpresojnë. Mateu 12:15-21; Marku 3:7-12; Isaia 42:1-4.
▪ Në ç’kuptim, Jezui, e bën të qartë drejtësinë, pa u zënë dhe pa bërtitur nëpër sheshe?
▪ Cilët janë si kallam i thyer e si kandil që bën tym dhe si i trajton Jezui ata?