Pyetje nga lexuesit
A pati ndonjë ndikim negativ në ngjizjen e Jezuit papërsosmëria e virgjëreshës Marie?
Për sa i përket ‘lindjes së Jezuit’, tregimi i frymëzuar thotë: «Gjatë kohës që e ëma e tij, Maria, ishte e fejuar me Jozefin, ajo u gjend shtatzënë nga fryma e shenjtë, përpara se ata të bashkoheshin.» (Mateu 1:18) Pikërisht, fryma e shenjtë e Perëndisë luajti një rol shumë të rëndësishëm në shtatzëninë e Marisë.
Por, ç’të themi për Marinë? A pati ndonjë rol në shtatzëninë e saj ovociti ose qeliza vezë e saj? Sipas premtimeve që Perëndia i kishte bërë Abrahamit, Isakut, Jakobit, Judës dhe mbretit David—të cilët ishin paraardhësit e Marisë—fëmija i lindur do të ishte pasardhësi i tyre i vërtetë. (Zanafilla 22:18; 26:24; 28:10-14; 49:10; 2 Samuelit 7:16) Përndryshe, si do të ishte fëmija që i lindi Marisë trashëgimtar i ligjshëm i atyre premtimeve hyjnore? Ai duhej të ishte biri i vërtetë i saj.—Luka 3:23-34.
Engjëlli i Jehovait i ishte shfaqur virgjëreshës Marie, duke i thënë: «Mos ki frikë, Marie, sepse ke gjetur favor nga Perëndia; dhe ja, ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu.» (Luka 1:30, 31) Ngjizja kërkon që një vezë të bëhet pjellore. Me sa duket, Perëndia Jehova shkaktoi që një vezë në mitrën e Marisë të bëhej pjellore, duke e kryer këtë me transferimin e jetës së Birit të tij të vetëmlindur nga sfera frymore në tokë.—Galatasve 4:4.
A ishte e mundur që një fëmijë i ngjizur në mënyrë të tillë nga një grua e papërsosur të ishte i përsosur dhe pa mëkat në organizmin e tij fizik? Si funksionojnë ligjet e trashëgimisë, kur ka një bashkim të përsosmërisë me papërsosmërinë? Mos harroni se për të transferuar forcën e përsosur jetësore të Birit të Perëndisë dhe për të shkaktuar ngjizjen u përdor fryma e shenjtë. Kjo gjë fshiu çdo papërsosmëri që ekzistonte në vezën e Marisë, duke prodhuar në këtë mënyrë një model gjenetik që ishte i përsosur që nga fillimi.
Sidoqoftë, mund të jemi të sigurt se veprimi i frymës së shenjtë të Perëndisë në atë kohë siguroi suksesin e qëllimit të Perëndisë. Engjëlli Gabriel i kishte shpjeguar Marisë: «Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet. Për këtë arsye, gjithashtu, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» (Luka 1:35) Po, fryma e shenjtë e Perëndisë, si të thuash, formoi një mur mbrojtës, në mënyrë që asnjë papërsosmëri ose ndikim dëmtues të mos e cenonte embrionin që po zhvillohej, që nga ngjizja e më tej.
Është e qartë se jetën e tij të përsosur njerëzore Jezui ia detyronte Atit të tij qiellor, jo ndonjë njeriu. Jehovai ‘bëri gati një trup’ për Jezuin, kështu që, duke filluar nga ngjizja e më tej, ai ishte vërtet «i pandotur, i ndarë nga mëkatarët».—Hebrenjve 7:26; 10:5.
[Figura në faqen 19]
«Do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir»