KAPITULLI 40
Një mësim për faljen
NJË MËKATARE DERDH VAJ MBI KËMBËT E JEZUIT
FALJA ILUSTROHET ME BORXHLINJTË
Në varësi nga çfarë kanë në zemër, njerëzit reagojnë ndryshe ndaj asaj që thotë e bën Jezui. Kjo duket qartë në një shtëpi në Galile. Një farise i quajtur Simon e fton Jezuin për të ngrënë një vakt në shtëpinë e tij, ndoshta për ta parë më nga afër këtë njeri që kryen kaq shumë mrekulli. Ka mjaft mundësi që Jezui e shikon këtë si një rast për t’u dëshmuar të pranishmëve. Prandaj pranon të shkojë, siç ka bërë herë të tjera kur ka pranuar të hajë me taksambledhësit dhe mëkatarët.
Megjithatë Jezuit nuk i jepet një mikpritje e ngrohtë siç bëhet zakonisht me mysafirët. Në rrugët plot pluhur të Palestinës, këmbët në sandale nxehen dhe pluhurosen, prandaj mikpritja e mirë kërkon që mysafirit t’i lahen këmbët me ujë të freskët. Këtë nuk e bëjnë për Jezuin dhe as e takojnë me një puthje, sipas zakonit të vendit. Një zakon tjetër kërkon që mbi flokët e mysafirit të derdhet pak vaj në shenjë mirësie dhe mikpritjeje. As kjo nuk bëhet për Jezuin. Atëherë, sa e sinqertë është kjo ftesë?
Ndërkohë që mysafirët shtrohen në tryezë dhe fillojnë të hanë, një grua e paftuar hyn pa u ndier në dhomë. Ajo është «e njohur në qytet si mëkatare». (Luka 7:37) Të gjithë njerëzit e papërsosur janë mëkatarë, megjithatë duket se kjo grua bën një jetë imorale, ndoshta është prostitutë. Ajo mund të ketë dëgjuar mësimet e Jezuit, përfshirë ftesën e tij ‘që të gjithë ata që janë të ngarkuar, të vijnë tek ai e të freskohen’. (Mateu 11:28, 29) Me sa duket ka ardhur ta takojë, e prekur nga fjalët dhe veprat e Jezuit.
I afrohet nga mbrapa Jezuit të shtruar në tavolinë dhe ulet në gjunjë te këmbët e tij. Lotët i rrjedhin çurg mbi këmbët e Jezuit dhe i than me flokët e saj. Ia puth me përzemërsi këmbët dhe derdh ca vaj aromatik që e ka sjellë me vete. Shikimi i Simonit tregon se nuk i pëlqen çfarë po ndodh, dhe thotë me vete: «Po të ishte vërtet profet, ky do ta dinte kush është ajo që po e prek dhe ç’grua është, se është një mëkatare.»—Luka 7:39.
Jezui e di çfarë po mendon Simoni dhe shton: «Simon, kam diçka për të të thënë.» Ai përgjigjet: «Po, Mësues, më thuaj.» Jezui vazhdon: «Dy njerëz i kishin borxh një huadhënësi: njëri 500 denarë dhe tjetri 50. Meqë nuk kishin t’ia kthenin, ai i fali bujarisht që të dy. Cili nga të dy do ta dojë më shumë?» Ndoshta me një qëndrim prej indiferenti, Simoni përgjigjet: «Ma ha mendja, ai të cilit i fali më shumë.»—Luka 7:40-43.
Jezui është dakord me përgjigjen e tij. Pastaj, duke parë nga gruaja, i thotë Simonit: «A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde, mirëpo ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët. Kurse kjo grua m’i lau këmbët me lotët e saj dhe m’i fshiu me flokët e vet. Ti nuk më puthe, kurse kjo grua, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk më derdhe vaj mbi kokë, kurse kjo grua m’i lau këmbët me vaj aromatik.» Jezui dallon se kjo grua po jep prova se është e penduar nga zemra për jetën e saj imorale. Ai përfundon: «Unë po të them se mëkatet e saj, edhe pse të shumta, i janë falur, sepse tregoi shumë dashuri. Por, kujt i falet pak, tregon pak dashuri.»—Luka 7:44-47.
Jezui nuk po justifikon imoralitetin. Përkundrazi po tregon se i kupton dhe i dhimbsen njerëzit që mëkatojnë rëndë, por që pastaj pendohen dhe i drejtohen Krishtit për lehtësim. Sa e lehtësuar ndihet kjo grua kur Jezui i thotë: «Mëkatet e tua janë falur. . . . Besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe.»—Luka 7:48, 50.