Kapitulli 76
Për drekë te një farise
PASI Jezui u kthen përgjigje kritikëve, të cilët e vënë në dyshim burimin e fuqisë së tij për të shëruar një njeri që nuk mundte të fliste, një farise e fton për drekë. Përpara se të hanë, farisenjtë zbatojnë ritualin e larjes së duarve deri në bërryl. Ata e bëjnë këtë para dhe pas çdo vakti, e madje edhe për çdo pjatë që u vihet përpara. Edhe pse kjo traditë nuk e dhunon ligjin e shkruar të Perëndisë, ajo shkon përtej asaj që kërkon Perëndia në lidhje me pastrimin ceremonial.
Kur Jezui nuk e zbaton këtë traditë, i zoti i shtëpisë befasohet. Edhe pse ai mund të mos e ketë shprehur habinë e tij me fjalë, Jezui e kupton dhe thotë: «Tani, ju farisenjtë e pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi. Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?»
Në këtë mënyrë, Jezui demaskon hipokrizinë e farisenjve, të cilët i lajnë duart në zbatim të ritualit, por nuk pastrojnë zemrat e tyre nga ligësia. Ai këshillon: «Jepni si dhurata mëshire gjërat që janë në brendësi dhe, ja, të gjitha gjërat [e tjera] janë të pastra në lidhje me ju.» (BR) Kur japin, ata duhet të motivohen nga një zemër plot dashuri dhe jo nga dëshira për t’u bërë përshtypje të tjerëve me drejtësinë e tyre të shtirë.
«Mjerë ju, o farisenj,—vazhdon Jezui,—sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mëndrës dhe të çdo barishteje dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, [por] pa i lënë pas dore të tjerat.» Ligji që Perëndia i ka dhënë Izraelit, kërkon të paguhet e dhjeta, domethënë, një e dhjeta pjesë e prodhimeve të fushës. Mendra dhe ryza janë bimë të vogla apo barishte, të cilat përdoren për t’u dhënë aromë ushqimeve. Farisenjtë e paguajnë me kujdes një të dhjetën e këtyre barishteve pa shumë vlerë, por lënë pas dore kërkesa më të rëndësishme të ligjit, si shfaqja e dashurisë, dashamirësisë dhe modestisë e për këtë Jezui i dënon.
Duke i dënuar më tej, Jezui thotë: «Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe. Mjerë ju . . . sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njerëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.» Papastërtia e tyre nuk është e dukshme. Feja e farisenjve bie në sy nga jashtë, por përbrenda nuk ka asnjë vlerë! Ajo bazohet mbi hipokrizinë.
Duke dëgjuar një dënim të tillë, një avokat nga ata që janë të arsimuar në Ligjin e Perëndisë, ankohet: «Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.»
Por Jezui, që i konsideron përgjegjës edhe këta ekspertë të ligjit, thotë: «Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi barten dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht. Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.»
Barrët që përmend Jezui, janë traditat gojore, por këta avokatë nuk do të anulonin as edhe një rregull të vogël, me qëllim që të lehtësonin njerëzit. Jezui zbulon se ata madje e aprovojnë vrasjen e profetëve dhe paralajmëron: «Këtij brezi [do] t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës; nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.»
Bota e njerëzimit, që mund të shpengohej e pati zanafillën me lindjen e fëmijëve të Adamit dhe Evës; prandaj, Abeli jetoi në kohën e «krijimit të botës». Pas vrasjes mizore të Zaharisë, forcat ushtarake siriane, rrënuan Judenë. Por Jezui parathotë një rrënim më të madh për brezin e vet, për shkak të ligësisë më të madhe të tij. Ky rrënim ndodh rreth 38 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s.
Jezui vazhdon të dënojë, duke thënë: «Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.» Ekspertët e Ligjit janë të detyruar t’u shpjegojnë njerëzve Fjalën e Perëndisë, duke zbuluar kuptimin e saj. Por ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë dhe madje ua heqin njerëzve mundësinë për të kuptuar.
Farisenjtë dhe ekspertët e ligjit tërbohen nga inati, për shkak të demaskimit që u bën Jezui. Kur ai largohet nga shtëpia, ata fillojnë ta kundërshtojnë si të tërbuar dhe ta bombardojnë me pyetje. Ata përpiqen ta zënë në grackë, duke pritur që ai të thotë ndonjë gjë, për të cilën të mund ta arrestojnë. Luka 11:37-54; Ligji i përtërirë 14:22; Mikea 6:8; 2. Kronikave 24:20-25.
▪ Përse i dënon Jezui farisenjtë dhe ekspertët e ligjit?
▪ Çfarë barrësh vënë avokatët mbi popullin?
▪ Kur filloi ‘krijimi i botës’?