Jeni të çmuar në sytë e Perëndisë!
«Të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.»—JEREMIA 31:3.
1. Si ndryshon qëndrimi i Jezuit ndaj njerëzve të thjeshtë të ditëve të tij nga ai i farisenjve?
MUND t’ia lexonin në sy. Ky njeri, Jezui, nuk ngjante aspak me udhëheqësit e tyre fetarë. Ai kujdesej për njerëzit. Ndiente keqardhje për ta, sepse «ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari». (Mateu 9:36) Udhëheqësit e tyre fetarë mendohej se ishin barinj të dashur që paraqisnin një Perëndi të dashur e të mëshirshëm. Në të vërtetë, ata i konsideronin njerëzit e thjeshtë si llumin e shoqërisë dhe si njerëz të mallkuar!a (Gjoni 7:47-49; krahaso Ezekielin 34:4.) Qartë, këto pikëpamje të shtrembëruara dhe të pabazuara në Shkrime ndryshonin plotësisht nga pikëpamja e Jehovait për popullin e tij. Ai i kishte thënë kombit të tij, Izraelit: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme.»—Jeremia 31:3.
2. Si u përpoqën tre shokët e Jobit ta bindnin atë se ai nuk kishte asnjë vlerë në sytë e Perëndisë?
2 Megjithatë, sigurisht që nuk ishin farisenjtë të parët që u përpoqën t’i bindnin delet e dashura të Jehovait se nuk kishin asnjë pikë vlere. Le të marrim rastin e Jobit. Për Jehovain ai ishte i drejtë dhe i panjollosur, por tre «ngushëlluesit» thoshin tërthorazi se Jobi ishte një apostat imoral dhe i lig, që do të vdiste pa iu ditur as nami as nishani. Ata thoshin se Perëndia nuk do të vlerësonte asnjë drejtësi nga ana e Jobit, sepse Perëndia nuk kishte besim tek vetë engjëjt e tij dhe i shikonte vetë qiejt si të papastër!—Jobi 1:8; 4:18; 15:15, 16; 18:17-19; 22:3.
3. Çfarë mjetesh përdor Satanai sot për t’u munduar t’i bindë njerëzit se nuk kanë asnjë vlerë dhe se askush nuk i do?
3 Sot, Satanai akoma po përdor këtë ‘kurth’, në përpjekje për t’i bindur njerëzit se nuk vlejnë aspak dhe se askush nuk i do. (Efesianëve 6:11) Është e vërtetë se ai shpesh i mashtron njerëzit, duke iu drejtuar fodullëkut dhe krenarisë së tyre. (2. Korintasve 11:3) Gjithashtu, ai kënaqet edhe duke shkatërruar respektin për vetveten tek të dobëtit. E bën këtë veçanërisht në këto «ditë të fundit» kritike. Shumë njerëz, sot, rriten në familje ku nuk ka «dashuri të natyrshme». Shumë prej tyre duhet të ndeshen çdo ditë me ata që janë të ashpër, egoistë dhe kokëfortë. (2. Timoteut 3:1-5) Vite keqtrajtimesh, racizmi, urrejtjeje dhe abuzimesh mund t’i kenë bindur këta persona se nuk kanë asnjë vlerë dhe se askush nuk i do. Një njeri shkroi: «Nuk dua asnjeri dhe nuk mendoj se ndokush më do mua. E kam shumë të vështirë të besoj se Perëndia kujdeset në njëfarë mënyre për mua.»
4, 5. (a) Përse ideja se nuk vlejmë asgjë është në kundërshtim me Shkrimet? (b) Cila është pasoja e rrezikshme e mendimit se përpjekjet tona janë absolutisht të pavlefshme?
4 Ideja se personalisht nuk vlejmë asgjë, kundërshton thelbin e së vërtetës së Fjalës së Perëndisë, mësimin e shpërblerjes. (Gjoni 3:16) Kur Perëndia është treguar i gatshëm të paguajë një çmim kaq të lartë, jetën e çmuar të Birit të tij, për të na dhënë mundësinë për të jetuar përgjithmonë, me siguri që Ai duhet të na dojë; me siguri që në sytë e Tij duhet të vlejmë diçka!
5 Përveç kësaj, sa shkurajuese do të ishte të mendonim se nuk i pëlqejmë Perëndisë, se të gjitha përpjekjet tona nuk vlejnë asgjë! (Krahaso Proverbat 24:10.) Me këtë pikëpamje negative, edhe inkurajimi i dhënë me një synim të mirë, për të na ndihmuar ta rrisim sa më shumë që të jetë e mundur shërbimin tonë ndaj Perëndisë, disave mund t’u duket si një dënim. Mund të duket si një pohim i bindjeve tona të brendshme se çfarëdo që të bëjmë, nuk mjafton kurrë.
6. Cili është ilaçi më i mirë kundër mendimeve tepër negative mbi veten?
6 Nëse ke këto ndjenja negative brenda vetes, mos u dëshpëro! Shumë prej nesh, herë pas here, pa qenë nevoja jemi shumë të ashpër me veten. Por mos harro, Fjala e Perëndisë shërben për të «ndrequr» dhe për të «përmbysur gjëra të ngulitura thellë». (2. Timoteut 3:16; 2. Korintasve 10:4, BR) Apostulli Gjon shkroi: «Nga kjo do ta dimë se vijmë nga e vërteta dhe do t’i sigurojmë zemrat tona para tij për çdo gjë që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe i di të gjitha gjërat.» (1. Gjonit 3:19, 20, BR) Le të shohim, pra, tri mënyra në të cilat Bibla na mëson se jemi të çmuar për Jehovain.
Jehovai të çmon
7. Në ç’mënyrë i mësoi Jezui të gjithë të krishterët se në sytë e Perëndisë kishin vlerë?
7 Së pari, Bibla na mëson drejtpërdrejt se secili prej nesh ka vlerë në sytë e Perëndisë. Jezui tha: «A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë as edhe një prej tyre nuk harrohet përpara Perëndisë. Madje, edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara; prandaj mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Luka 12:6, 7) Në atë kohë, harabelat ishin më të lirët nga zogjtë që shiteshin si ushqim, e megjithatë asnjëri prej tyre nuk kalonte pa u vërejtur nga Krijuesi i tyre. Kështu është vënë themeli për një kontrast mahnitës: Kur bëhet fjalë për njerëzit që vlejnë shumë më tepër, Perëndia njeh çdo hollësi. Është sikur të na jenë numëruar edhe fijet e flokut!
8. Përse është realiste të mendojmë se Jehovai mund t’i numërojë edhe fijet tona të flokëve?
8 Flokët të numëruara? Nëse dyshon se ky aspekt i shëmbëlltyrës së Jezuit nuk është shumë i vërtetë, mendo: Perëndia kujton shërbëtorët e tij besnikë në mënyrë aq të plotë, sa mund t’i ringjallë, duke i rikrijuar deri në hollësitë më të vogla, duke përfshirë kodin e tyre gjenetik shumë të ndërlikuar dhe të gjitha vitet me kujtimet dhe përvojat. Në krahasim me këtë, të numërosh fijet e flokut (që mesatarisht janë rreth 100.000 për çdo kokë) është fare e thjeshtë!—Luka 20:37, 38.
Çfarë shikon Jehovai në ne?
9. (a) Cilat janë disa nga cilësitë që Jehovai çmon? (b) Përse mendon se këto cilësi janë të çmueshme për të?
9 Së dyti, Bibla na mëson se çfarë çmon Jehovai në ne. Me pak fjalë, ai kënaqet me përpjekjet dhe cilësitë tona pozitive. Mbreti David i tha të birit, Solomonit: «Jehovai heton të gjitha zemrat dhe dallon çdo prirje mendimesh.» (1. Kronikave 28:9, BR) Ndërsa Perëndia heton miliarda zemra njerëzish në këtë botë të dhunshme e plot urrejtje, sa kënaqet ai kur gjen një zemër që e do paqen, të vërtetën dhe drejtësinë! (Krahaso Gjonin 1:47; 1. Pjetrit 3:4.) Çfarë ndodh kur Perëndia gjen një zemër që gufon nga dashuria për të, që kërkon të mësojë mbi të dhe ta ndajë këtë njohuri me të tjerët? Tek Malakia 3:16, Jehovai tregon se ai i dëgjon ata që flasin me të tjerët për të dhe madje ka «një libër kujtimi» për të gjithë «ata që i frikësohen Jehovait dhe për ata që mendojnë për emrin e tij». (BR) Këto cilësi janë të çmuara për të!
10, 11. (a) Në ç’mënyrë disa mund të priren drejt zvogëlimit të provave se Jehovai i çmon cilësitë e tyre të mira? (b) Si tregon shembulli i Abijahut se Jehovai i çmon cilësitë e mira në çfarëdolloj mase qofshin?
10 Sidoqoftë, zemra që dënon veten, mund ta zvogëlojë këtë provë të vlerës sonë në sytë e Perëndisë. Ajo mund të pëshpërisë me këmbëngulje: «Por ka shumë të tjerë që janë më të mirë se unë në këto cilësi. Sa i zhgënjyer mund të jetë Jehovai, kur më krahason me ata!» Jehovai as nuk krahason, as nuk ka një mentalitet prej profesionisti të ashpër. (Galatasve 6:4) Ai i lexon zemrat me ndjeshmëri të madhe dhe i çmon cilësitë e mira në çfarëdolloj mase qofshin.
11 Për shembull, kur Jehovai urdhëroi që e gjithë dinastia apostate e mbretit Jeroboam të ekzekutohej, të shfarosej si një «bajgë», Ai urdhëroi që vetëm njëri nga bijtë e mbretit, Abijahu, të varrosej denjësisht. Përse? «Diçka e mirë kundrejt Jehovait, Perëndisë së Izraelit ishte gjetur në të.» (1. Mbretërve 14:10, 13, BR) A donte të thoshte kjo se Abijahu ishte një adhurues besnik i Jehovait? Jo medoemos, pasi edhe ai vdiq ashtu si pjesa tjetër e familjes së tij të ligë. (Ligji i përtërirë 24:16) Prapëseprapë, Jehovai e çmoi atë «diçka të mirë» që pa në zemrën e Abijahut dhe veproi në këtë mënyrë. Një komentar biblik vëren: «Edhe nëse ka vetëm ndonjë gjë fare të vogël të mirë, ajo do të vihet re: Perëndia që e kërkon, e shikon, sado e vogël qoftë ajo dhe kënaqet në të.» (Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible) Gjithashtu, mos harro se nëse Perëndia gjen brenda teje ndonjë cilësi të mirë, edhe pse në masë të vogël, mund të bëjë që të rritet pak nga pak që përpiqesh t’i shërbesh atij me besnikëri.
12, 13. (a) Si tregon Psalmi 139:3 se Jehovai i çmon përpjekjet tona? (b) Në ç’kuptim mund të thuhet se Jehovai e shoshit aktivitetin tonë?
12 Në të njëjtën mënyrë, Jehovai çmon edhe përpjekjet tona. Në Psalmin 139:1-3 lexojmë: «Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupon nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.» Prandaj, Jehovai di gjithçka që bëjmë. Megjithatë, ai nuk është vetëm i vetëdijshëm. Në hebraisht, fraza «i njeh thellë të gjitha rrugët e mia» mund të ketë, gjithashtu, kuptimin «ti i vlerëson të gjitha rrugët e mia» ose «ti i çmon të gjitha rrugët e mia». (Krahaso Mateun 6:19, 20.) Megjithatë, si ka mundësi që Jehovai t’i çmojë rrugët tona, kur ne jemi kaq të papërsosur dhe mëkatarë?
13 Interesante është se sipas disa dijetarëve, kur Davidi shkroi se Jehovai kishte «matur» udhëtimet dhe periudhat e tij të pushimit, termi hebre që përdori do të thotë fjalë për fjalë «shoshit». Një vepër referimi vërente: «Do të thotë . . . të ndash shapin nga sheqeri, pra, të ruash gjithçka që është e çmuar. Prandaj, këtu do të thotë se Perëndia në mënyrë figurative e shoshiti atë. . . . Ai hoqi gjithë shapin ose gjithçka të pavlefshme dhe e pa atë që mbeti si reale dhe të rëndësishme.» Zemra që dënon veten mund t’i shoshitë veprat tona në të kundërt, duke na qortuar pa mëshirë për gabimet e kaluara dhe duke i gjykuar krejt të pavlefshme veprat tona të mira. Por Jehovai i harron mëkatet tona, nëse pendohemi sinqerisht dhe përpiqemi me të gjitha forcat të mos i përsërisim gabimet tona. (Psalmi 103:10-14; Veprat 3:19) Ai i shoshit dhe i kujton veprat tona të mira. Në fakt, ai i kujton ato përgjithmonë, për aq kohë sa i mbetemi besnikë atij. Për të do të ishte padrejtësi t’i harronte ato dhe ai kurrë nuk është i padrejtë!—Hebrenjve 6:10.
14. Ç’gjë tregon se Jehovai e çmon aktivitetin tonë në shërbimin e krishterë?
14 Cilat janë disa vepra të mira që Jehovai çmon? Praktikisht çdo gjë që bëjmë duke imituar Birin e tij, Jezu Krishtin. (1. Pjetrit 2:21) Sigurisht, pra, një vepër shumë e rëndësishme është përhapja e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në Romakëve 10:15 lexojmë: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë të gjërave të mira!» (BR) Edhe pse ndoshta normalisht nuk mendojmë se këmbët tona janë «të bukura», fjala që Pavli përdori këtu ishte e njëjtë me atë që përdoret në versionin grek Septuaginta për të përshkruar Rebekën, Rahilën dhe Jozefin, të cilët që të tre spikateshin për bukurinë e tyre. (Zanafilla 26:7; 29:17; 39:6) Prandaj, aktivizimi ynë në shërbim të Perëndisë tonë, Jehovait, është shumë i bukur dhe i çmuar në sytë e tij.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
15, 16. Përse Jehovai e çmon qëndrueshmërinë tonë dhe në ç’mënyrë e theksojnë këtë fakt fjalët e Davidit në Psalmin 56:8?
15 Një tjetër cilësi që Perëndia vlerëson është qëndrueshmëria jonë. (Mateu 24:13) Mos harro, Satanai dëshiron që ti të braktisësh Jehovain. Çdo ditë që i qëndron besnik Jehovait, është një ditë më shumë që ke ndihmuar për t’i dhënë një përgjigje akuzave të Satanait. (Proverbat 27:11) Nganjëherë nuk është e lehtë të tregosh qëndrueshmëri. Problemet shëndetësore dhe ekonomike, stresi emocional dhe pengesa të tjera mund ta bëjnë çdo ditë që kalon një sprovë. Qëndrueshmëria përballë këtyre sprovave është veçanërisht e çmuar për Jehovain. Ja, përse mbreti David i kërkoi Jehovait t’i ruante lotët e tij në një «calik» figurativ, duke e pyetur me besim: «A nuk i ke regjistruar në librin tënd?» (Psalmi 56:8) Po, Jehovai i çmon dhe i kujton të gjithë lotët dhe vuajtjet që ndeshin në ruajtjen e besnikërisë ndaj tij. Edhe ato janë të çmuara në sytë e tij.
16 Për shkak të përpjekjeve dhe cilësive tona më të mira, sa e qartë është se Jehovai gjen shumë për të çmuar në secilin prej nesh! Pavarësisht se si na ka trajtuar bota e Satanait, në sytë e Jehovait jemi të çmuar dhe pjesë e «gjërave të dëshirueshme të të gjitha kombeve».—Hageu 2:7, BR.
Çfarë ka bërë Jehovai për të treguar dashurinë e tij
17. Përse sakrifica shpërblerëse e Krishtit na bind se Jehovai dhe Jezui na duan ne si individë?
17 Së treti, Jehovai bën shumë për të treguar dashurinë e tij për ne. Sigurisht, sakrifica shpërblerëse e Krishtit është përgjigjja më e fuqishme kundër gënjeshtrës satanike se ne jemi të pavlefshëm dhe se askush nuk na do. Kurrë nuk duhet të harrojmë se vdekja e mundimshme që Jezui përballoi në shtyllën e mundimeve dhe vuajtja edhe më e madhe që Jehovai ndjeu duke parë vdekjen e Birit të tij të dashur, ishin provë e dashurisë së tyre për ne. Për më tepër, kjo dashuri na drejtohet ne personalisht. Kështu e konsideroi apostulli Pavël, sepse ai shkroi: «Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe dha jetën për mua.»—Galatasve 2:20.
18. Në ç’kuptim Jehovai na tërheq drejt Krishtit?
18 Jehovai e ka treguar dashurinë e tij për ne duke na ndihmuar personalisht të nxjerrim dobi nga sakrifica e Krishtit. Në Gjonin 6:44, Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.» Përmes veprës së predikimit, që na fton personalisht dhe përmes frymës së tij të shenjtë, të cilën Jehovai e përdor që të na ndihmojë të kapim kuptimin dhe të zbatojmë të vëtetat frymore, pavarësisht nga papërsosmëria dhe kufizimet tona, Jehovai personalisht na tërheq drejt Birit të tij dhe shpresës për jetën e përhershme. Prandaj, Jehovai mund të thotë për ne atë që tha për Izraelin: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.»—Jeremia 31:3.
19. Përse privilegji i lutjes duhet të na bindë për dashurinë që Jehovai ka për ne personalisht?
19 Por, ndoshta mënyra më intime në të cilën përjetojmë dashurinë e Jehovait, është përmes privilegjit të lutjes. Ai e fton secilin prej nesh t’i ‘lutet pa pushim’. (1. Selanikasve 5:17) Ai dëgjon. Madje ai është quajtur «Dëgjuesi i lutjes». (Psalmi 65:2, BR) Ai nuk ia ka besuar këtë punë askujt tjetër, madje as Birit të tij. Vetëm mendo: Krijuesi i universit na nxit t’i afrohemi atij në lutje me liri fjale. Përgjërimet e tua mund ta nxisin Jehovain të bëjë atë që përndryshe nuk do ta kishte bërë.—Hebrenjve 4:16; Jakovit 5:16; shiko Isaian 38:1-16.
20. Përse dashuria e Perëndisë për ne nuk është një justifikim për t’i dhënë vetes shumë rëndësi ose për të qenë mendjemëdhenj?
20 Asnjë i krishterë i ekuilibruar nuk duhet ta marrë këtë shfaqje të dashurisë dhe respektit të Perëndisë si një justifikim për ta konsideruar veten më të rëndësishëm nga ç’është në të vërtetë. Pavli shkroi: «Për hirin [dashamirësinë e pamerituar, BR] që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.» (Romakëve 12:3) Prandaj, ndërsa ngrohemi në zjarrin e dashurisë së Atit tonë qiellor, le të jemi me mendje të shëndoshë dhe të kujtojmë se dashamirësia e Perëndisë është e pamerituar.—Krahaso Lukën 17:10.
21. Cilës gënjeshtër satanike duhet t’i rezistojmë vazhdimisht dhe mbi cilën të vërtetë hyjnore duhet gjithmonë të mendojmë?
21 Le të bëjë gjithsecili aq sa mundet për t’i rezistuar të gjitha ideve që Satanai mbështet në këtë botë që do të vdesë. Kjo do të thotë të hedhim poshtë mendimin se nuk kemi asnjë vlerë dhe se askush nuk na do. Nëse jeta në këtë sistem të ka mësuar ta shohësh veten si një pengesë të pakapërcyeshme edhe për dashurinë e pakufishme të Perëndisë, ose veprat e tua të mira janë krejtësisht të papërfillshme edhe për syrin e tij, të cilit nuk i shpëton asgjë, ose mëkatet e tua janë tepër të mëdha, sa edhe vdekja e Birit të tij të dashur nuk mund t’i mbulojë, të është mësuar një gënjeshtër. Hidhi poshtë këto gënjeshtra me gjithë neverinë që meritojnë! Le të mbajmë gjithnjë në mendje fjalët e frymëzuara të apostullit Pavël në Romakëve 8:38, 39: «Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin, Zotin tonë.»
[Shënimi]
a Në fakt, i dëbonin të varfërit me termin përçmues «’am-ha·ʼaʹrets», ose «njerëz të vendit». Sipas një dijetari, farisenjtë mësonin se askush nuk duhej t’u besonte sende me vlerë, as të merrte për bazë dëshminë e tyre, as të mos i prisnin si mysafirë, as të mos u shkonin si mysafirë, as të mos blenin gjë prej tyre. Udhëheqësit fetarë thonin se të martoje vajzën me një të tillë, do të ishte sikur ta çoje atë të lidhur dhe të pambrojtur përpara një bishe.
Si mendon?
◻ Përse Satanai përpiqet të na bindë se nuk kemi asnjë vlerë dhe se askush nuk na do?
◻ Si mësoi Jezui se Jehovai e çmon secilin prej nesh?
◻ Si e dimë se Jehovai i çmon cilësitë tona të mira?
◻ Si mund të jemi të sigurt se Jehovai i çmon përpjekjet tona?
◻ Si e ka treguar Jehovai dashurinë për ne si individë?
[Figura në faqen 13]
Jehovai vëren dhe kujton të gjithë ata që mendojnë për emrin e tij