Kapitulli 77
Çështja e trashëgimisë
NJERËZIT, me sa duket, e marrin vesh që Jezui është për drekë në shtëpinë e fariseut. Prandaj, ata mblidhen me mijëra jashtë shtëpisë dhe presin që ai të dalë. Ndryshe nga farisenjtë, të cilët e kundërshtojnë Jezuin dhe përpiqen ta kapin duke thënë diçka të gabuar, njerëzit e dëgjojnë me etje dhe me çmueshmëri.
Duke iu drejtuar së pari dishepujve të tij, Jezui thotë: «Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizia.» Siç u bë e dukshme edhe gjatë ngrënies, i gjithë sistemi fetar i farisenjve është plot e përplot me hipokrizi. Por, edhe pse ligësia e farisenjve mund të maskohet me një shfaqje devocioni, më në fund ajo do të dalë në shesh. «Nuk ka asgjë të mbuluar,—thotë Jezui,—që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që nuk do të njihet.»
Jezui vazhdon, duke përsëritur inkurajimin që u dha të 12-ve, kur i dërgoi në një udhëtim predikimi në Galile. Ai thotë: «Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.» Jezui i siguron ithtarët e tij se, përderisa Perëndia nuk harron as edhe një harabel të vetëm, ai nuk do t’i harrojë as ata. Ai pohon: «Kur t’ju çojnë përpara sinagogave, gjykatësve dhe autoriteteve, . . . Fryma e Shenjtë në po atë moment do t’ju mësojë se ç’duhet të thoni.»
Nga mesi i turmës e merr fjalën një burrë. «Mësues,—i lutet ai,—i thuaj vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Sipas Ligjit të Moisiut, birit të parëlindur i takojnë dy pjesë të trashëgimisë, prandaj nuk duhet të ketë asnjë arsye për t’u grindur. Por, me sa duket, burri dëshiron të marrë nga trashëgimia më shumë sesa i takon me ligj.
Jezui, me të drejtë, nuk pranon të përzihet në këtë çështje. «O njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?»—pyet ai. Pastaj i jep turmës këtë këshillë me rëndësi jetësore: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur një person ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (BR) Po, pavarësisht se sa shumë mund të arrijë të zotërojë dikush, normalisht ai do të vdesë dhe do t’i lërë të gjitha mbrapa. Për të theksuar këtë fakt, si dhe për të treguar se është marrëzi të mos fitosh një reputacion të mirë para Perëndisë, Jezui përdor një ilustrim. Ai shpjegon:
«Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: ‘Ç’të bëj sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?’ Dhe tha: ‘Këtë do të bëj; do të shemb hambarët e mi dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera; dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: pusho, ha, pi dhe gëzo.’ Por Perëndia i tha: ‘O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?’»
Duke përfunduar, Jezui vëren: «Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë.» Edhe pse për dishepujt marrëzia e grumbullimit të pasurive mund të mos jetë një grackë, ankthet e përditshme të jetës, mund t’i shpërqendrojnë ata fare lehtë nga shërbimi me gjithë shpirt ndaj Jehovait. Prandaj, Jezui përfiton nga rasti, për të përsëritur këshillën e shkëlqyer, që ka dhënë rreth një vit e gjysmë më parë, në Predikimin në Mal. Duke iu drejtuar dishepujve të tij, ai thotë:
«Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. . . . Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë qilar e as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen. . . . Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në të gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata.»
«Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini dhe mos jini në merak, sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë.»
Sidomos kur kalohen vështirësi ekonomike, këto fjalë të Jezuit meritojnë vërtet një shqyrtim të kujdesshëm. Një person që shqetësohet tepër për nevojat materiale dhe fillon të lërë pas dore aktivitetet frymore, faktikisht, tregon se i mungon besimi në aftësinë e Perëndisë për t’u siguruar shërbëtorëve të tij atë që u nevojitet. Luka 12:1-31; Ligji i përtërirë 21:17.
▪ Cila është ndoshta arsyeja e pyetjes së burrit mbi trashëgiminë dhe çfarë këshille jep Jezui?
▪ Çfarë ilustrimi përdor Jezui dhe cili është qëllimi i tij?
▪ Çfarë këshille përsërit Jezui dhe përse është e përshtatshme ajo?