Të shërbejmë si lajmëtarë të paqes hyjnore
«Sa të bukura janë mbi male këmbët e . . . atij që shpall paqen.»—ISAIA 52:7, BR.
1, 2. (a) Cili lajm i mirë duhet shpallur sipas asaj që parathotë Isaia 52:7? (b) Çfarë nënkuptonin fjalët profetike të Isaisë në rastin e Izraelit të lashtë?
ËSHTË një lajm i mirë që duhet shpallur! Ai është lajmi i paqes, i paqes së vërtetë. Është një mesazh shpëtimi, që ka të bëjë me Mbretërinë e Perëndisë. Shumë kohë më parë, profeti Isaia shkroi për të dhe fjalët e tij janë ruajtur për ne në Isainë 52:7, ku lexojmë: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajme të mira, të atij që shpall paqen, të atij që sjell lajme të mira për diçka më të mirë, të atij që shpall shpëtimin, të atij që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt është bërë mbret!’»—BR.
2 Jehovai e frymëzoi profetin e tij, Isainë, që ta shkruante atë mesazh për dobinë e Izraelit të lashtë dhe për dobinë tonë sot. Cila është domethënia profetike e fjalëve të Isaisë? Në kohën kur Isaia shkroi ato fjalë, mbretëria veriore e Izraelit mund të ishte marrë tashmë në mërgim nga asirianët. Më vonë, banorët e Judës, mbretërisë jugore, do të merreshin si të mërguar në Babiloni. Ato ditë ishin ditë dëshpërimi dhe trazire për kombin, pasi populli nuk i ishte bindur Jehovait dhe për këtë arsye, nuk ishte në paqe me Perëndinë. Ashtu siç u tha Jehovai, sjellja e tyre mëkatare po shkaktonte një ndarje mes tyre dhe Perëndisë së tyre. (Isaia 42:24; 59:2-4) Por nëpërmjet Isaisë, Jehovai paratha se në kohën e duhur, portat e Babilonisë do të liheshin të hapura. Populli i Perëndisë do të ishte i lirë për t’u kthyer në atdheun e tij, ku do të rindërtonte tempullin e Jehovait. Sioni do të restaurohej dhe në Jerusalem do të vazhdonte përsëri adhurimi i Perëndisë së vërtetë.—Isaia 44:28; 52:1, 2.
3. Në ç’mënyrë restaurimi i Izraelit ishte edhe një profeci për paqen?
3 Ky premtim për çlirim, ishte, gjithashtu, një profeci për paqen. Rivendosja në tokën që Jehovai u kishte dhënë izraelitëve, do të ishte një dëshmi e mëshirës së Perëndisë dhe e pendimit të tyre. Ajo do të tregonte se ata ishin në paqe me Perëndinë.—Isaia 14:1; 48:17, 18.
«Perëndia yt është bërë mbret!»
4. (a) Në ç’kuptim mund të thuhet se në vitin 537 p.e.s. ‘Jehovai u bë mbret’? (b) Si i manovroi Jehovai gjërat gjatë viteve të mëvonshme, për dobinë e popullit të tij?
4 Kur Jehovai kreu këtë çlirim në vitin 537 p.e.s., në mënyrë të përshtatshme, Sionit mund t’i bëhej njoftimi: «Perëndia yt është bërë mbret!» Vërtet, Jehovai është «Mbret i përjetësisë». (Zbulesa 15:3, BR) Por ky çlirim i popullit të tij ishte një tjetër shfaqje e sovranitetit të tij. Ai tregoi në mënyrë mahnitëse, epërsinë e fuqisë së tij ndaj perandorisë më të fuqishme njerëzore deri në atë kohë. (Jeremia 51:56, 57) Si rezultat i veprimit të frymës së Jehovait, komplotet e tjera kundër popullit të tij u prishën. (Estera 9:24, 25) Herë pas here, Jehovai ndërhyri në mënyra të ndryshme për të bërë që mbretërit e Medo-Persisë të bashkëpunonin për kryerjen e vullnetit të tij sovran. (Zaharia 4:6) Ngjarjet e mrekullueshme që ndodhën ato ditë, janë regjistruar për ne në librat biblikë të Ezdrës, Nehemisë, Esterës, Hageut dhe Zaharisë. Sa shumë forcohet besimi ynë, kur i rishqyrtojmë ato!
5. Cilat ngjarje domethënëse janë treguar në Isainë 52:13–53:12?
5 Megjithatë, ajo që ndodhi në vitin 537 p.e.s. e më pas, ishte vetëm fillimi. Menjëherë pas profecisë së restaurimit në Is kreun 52, Isaia shkroi për ardhjen e Mesisë. (Isaia 52:13–53:12) Nëpërmjet Mesisë, i cili doli se ishte Jezu Krishti, Jehovai do të siguronte një mesazh çlirimi dhe paqeje, me një domethënie akoma më të madhe se ajo që ndodhi në vitin 537 p.e.s.
Lajmëtari më i madh i paqes, i Jehovait
6. Kush është lajmëtari më i madh i paqes, i Jehovait dhe çfarë urdhri i zbatoi ai vetes?
6 Jezu Krishti është lajmëtari më i madh i paqes, i Jehovait. Ai është Fjala e Perëndisë, Zëdhënësi personal i vetë Jehovait. (Gjoni 1:14) Në përputhje me këtë, disa kohë pas pagëzimit në lumin Jordan, Jezui qëndroi në këmbë në sinagogën në Nazaret dhe lexoi me zë të lartë nga kreu 61 i Isaisë atë që i ishte ngarkuar për të bërë. Urdhri me të cilin ishte ngarkuar bëri të qartë se arsyeja, për të cilën ishte dërguar të predikonte, përfshinte «çlirimin», «shërimin» dhe mundësinë për t’u pranuar nga Jehovai. Por, Jezui nuk u mjaftua vetëm me shpalljen e mesazhit për paqen. Perëndia e kishte dërguar atë edhe për të siguruar bazën për paqen e qëndrueshme.—Luka 4:16-21.
7. Çfarë vjen nga paqja me Perëndinë, e cila është bërë e mundur përmes Jezu Krishtit?
7 Në kohën e lindjes së Jezuit, engjëjt u ishin shfaqur barinjve afër Bethlehemit, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke thënë: «Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mes njerëzve vullnetmirë mbi tokë.» (Luka 2:8, 13, 14, BR) Po, do të kishte paqe për ata, ndaj të cilëve Perëndia u tregua vullnetmirë, sepse ushtruan besim në sigurimin që ai po bënte përmes Birit të tij. Ç’domethënie kishte kjo? Që njerëzit, megjithëse të lindur në mëkat, mund të fitonin një qëndrim të pastër para Perëndisë, një marrëdhënie të miratuar me të. (Romakëve 5:1) Ata mund të gëzonin qetësinë e brendshme, paqen, që nuk mund të arrihet me asnjë mënyrë tjetër. Në kohën e caktuar nga Perëndia, do të ndodhte çlirimi nga të gjitha pasojat e mëkatit të trashëguar nga Adami, duke përfshirë edhe sëmundjen dhe vdekjen. Njerëzit nuk do të ishin më të verbër, të shurdhër apo të çalë. Dobësia zhgënjyese dhe çrregullimet mendore që të copëtojnë zemrën, do të shfaroseshin njëherë e përgjithmonë. Do të jepej mundësia për të gëzuar përgjithmonë një jetë të përsosur.—Isaia 33:24; Mateu 9:35; Gjoni 3:16.
8. Kujt i është ofruar paqja hyjnore?
8 Kujt i është ofruar paqja hyjnore? Të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Jezu Krishtin. Apostulli Pavël shkroi se ‘Perëndisë iu duk mirë që përmes Krishtit të pajtonte me veten të gjitha gjërat e tjera, duke vënë paqe me anë të gjakut, që derdhi Jezui në shtyllën e torturës’. Apostulli shtoi se ky pajtim do të përfshinte «gjërat në qiej», që do të thotë, ata që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në qiell. Do të përfshinte, gjithashtu, «gjërat mbi tokë», që do të thotë, ata që do të favorizoheshin me mundësinë për të jetuar përgjithmonë mbi këtë tokë, kur në të të silleshin kushtet e plota të parajsës. (Kolosianëve 1:19, 20, BR) Për shkak se shfrytëzonin vlerën e sakrificës së Jezuit dhe për shkak të bindjes së tyre nga zemra ndaj Perëndisë, të gjithë këta do të mund të gëzonin një miqësi të ngrohtë me Perëndinë.—Krahaso Jakovit 2:22, 23.
9. (a) Mbi cilat marrëdhënie të tjera ndikon paqja me Perëndinë? (b) Me mendimin për të sjellë paqe të qëndrueshme kudo, çfarë autoriteti i dha Jehovai Birit të tij?
9 Sa jetësore është një paqe e tillë me Perëndinë! Nëse nuk ka paqe me Perëndinë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme apo domethënëse në asnjë marrëdhënie tjetër. Paqja me Jehovain është themeli për paqen e vërtetë mbi tokë. (Isaia 57:19-21) Në mënyrë të përshtatshme, Jezu Krishti është Princi i Paqes. (Isaia 9:6) Atij, nëpërmjet të cilit njerëzit mund të pajtohen me Perëndinë, Jehovai i ka besuar, gjithashtu, autoritetin sundues. (Danieli 7:13, 14) Dhe në lidhje me rezultatet e sundimit princëror të Jezuit mbi njerëzimin, Jehovai premton: «Paqja nuk do të ketë mbarim.»—Isaia 9:7, BR; Psalmi 72:7.
10. Në ç’mënyrë Jezui la një shembull në shpalljen e lajmit të Perëndisë për paqe?
10 I gjithë njerëzimi ka nevojë për këtë mesazh paqeje nga Perëndia. Jezui personalisht la një shembull të zellit në predikimin e tij. Bëri kështu në zonën e tempullit në Jerusalem, rrëzë malit, përgjatë rrugës, gruas samaritane tek pusi dhe në shtëpitë e njerëzve. Kudo ku kishte njerëz, Jezui krijonte mundësi për të predikuar për paqen dhe Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 4:18, 19; 5:1, 2; 9:9; 26:55; Marku 6:34; Luka 19:1-10; Gjoni 4:5-26.
Të stërvitur për të ecur në gjurmët e Jezuit
11. Për cilën vepër i stërviti Jezui dishepujt e tij?
11 Jezui i mësoi dishepujt e tij që të predikonin mesazhin e Perëndisë për paqen. Ata pranuan se ashtu siç ishte Jezui «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë» i Jehovait, ashtu kishin edhe ata përgjegjësinë për të dhënë dëshmi. (Zbulesa 3:14; Isaia 43:10-12) Ata e shikonin Krishtin si Udhëheqësin e tyre.
12. Si e tregoi Pavli rëndësinë e aktivitetit të predikimit?
12 Apostulli Pavël arsyetoi mbi rëndësinë e aktivitetit të predikimit, duke thënë: «Shkrimi thotë: ‘Kushdo që e vendos besimin e tij në të, nuk do të zhgënjehet.’» Kjo do të thotë, se asnjëri prej atyre që ushtrojnë besim në Jezu Krishtin si Kryepërfaqësuesi i Jehovait për shpëtim, nuk do të zhgënjehet. Dhe prejardhja etnike nuk përbën një faktor skualifikues për asnjërin, sepse Pavli shtoi: «Nuk ka dallim midis judeut dhe grekut, sepse është i njëjti Zotëri mbi të gjithë, i cili është i pasur kundrejt të gjithë atyre që e thërrasin. Sepse ‘kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtohet’.» (Romakëve 10:11-13, BR) Por, si do të mësonin njerëzit për këtë mundësi?
13. Çfarë nevojitej që njerëzit të dëgjonin lajmin e mirë dhe si iu përgjigjën të krishterët e shekullit të parë kësaj nevoje?
13 Pavli e trajtoi nevojën për predikues të lajmit të mirë, duke drejtuar pyetje, rreth të cilave bën mirë të mendojë çdo shërbëtor i Jehovait. Apostulli bëri pyetjen: «Si do ta thërrasin atë, në të cilin nuk kanë vendosur besimin? Nga ana tjetër, si do ta vendosin ata besimin në atë, për të cilin nuk kanë dëgjuar? Si do të dëgjojnë ata nga ana e tyre, pa pasur dikë që t’u predikojë? Si do të predikojnë nga ana e tyre, nëse nuk janë dërguar?» (Romakëve 10:14, 15, BR) Ajo që është shkruar për krishterimin e hershëm, është një dëshmi e gjallë, që burra e gra, të rinj e të vjetër, iu përgjigjën shembullit të lënë nga Krishti dhe apostujt e tij. Ata u bënë lajmëtarë të zellshëm të lajmit të mirë. Duke imituar Jezuin, ata u predikuan njerëzve kudo që mund t’i gjenin. Me dëshirën që asnjë të mos mbetej pa dëgjuar lajmin, ata e vazhduan shërbimin e tyre si në vende publike, ashtu edhe shtëpi më shtëpi.—Veprat 17:17; 20:20.
14. Si doli e vërtetë se «këmbët» e atyre që shpallnin lajmin e mirë ishin «të bukura»?
14 Natyrisht jo të gjithë i pritën me dashamirësi predikuesit e krishterë. Megjithatë, citimi i Pavlit nga Isaia 52:7 doli i vërtetë. Pasi bëri pyetjen ‘Si do të predikojnë, nëse nuk janë dërguar?’, ai shtoi: «Ashtu siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!’» Shumë prej nesh nuk mendojnë se i kanë këmbët të bukura apo të hijshme. Atëherë, ç’domethënie ka ky shkrim? Është fjala për këmbët, nëpërmjet të cilave zakonisht një person lëviz, ndërsa shkon t’u predikojë të tjerëve. Në të vërtetë, këto këmbë paraqesin personin. Dhe mund të jemi të sigurt se për shumë prej atyre që dëgjuan lajmin e mirë nga apostujt dhe dishepujt e tjerë të Jezu Krishtit në shekullin e parë, këta të krishterë të hershëm ishin vërtet një pamje e bukur. (Veprat 16:13-15) Për më tepër, ata ishin të çmuar në sytë e Perëndisë.
15, 16. (a) Si treguan të krishterët e hershëm se me të vërtetë ishin lajmëtarë të paqes? (b) Ç’gjë mund të na ndihmojë për ta vazhduar shërbimin tonë në të njëjtën mënyrë si të krishterët e shekullit të parë?
15 Ithtarët e Jezuit kishin një mesazh paqeje dhe e shpërndanë atë në mënyrë paqësore. Jezui u dha këto udhëzime dishepujve të tij: «Kudo që të hyni në një shtëpi, në fillim thoni: ‘Pastë paqe kjo shtëpi!’ Dhe nëse aty ndodhet një mik i paqes, paqja juaj do të qëndrojë mbi të. Por, nëse atje nuk ka, ajo do t’ju kthehet juve.» (Luka 10:5, 6, BR) Sha·lohmʹ apo «paqe» është një përshëndetje tradicionale judaike. Por, udhëzimet e Jezuit përfshinin shumë më tepër sesa kjo. Si «ambasadorë zëvendësues për Krishtin», dishepujt e tij të mirosur i nxitën njerëzit: «Paqtohuni me Perëndinë!» (2. Korintasve 5:20) Në harmoni me udhëzimet e Jezuit, ata u folën njerëzve mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe mbi domethënien që mund të kishte për ata si individë. Ata që i dëgjuan, morën një bekim; ata që nuk e pranuan mesazhin e humbën një gjë të tillë.
16 Në të njëjtën mënyrë e vazhdojnë edhe sot Dëshmitarët e Jehovait shërbimin e tyre. Lajmi i mirë që ata u çojnë njerëzve nuk vjen prej tyre; ai i përket Atij që i dërgoi. Ata janë ngarkuar që ta shpërndajnë atë. Nëse njerëzit e pranojnë, ata e vënë veten në pozitën e duhur për marrjen e bekimeve të mrekullueshme. Nëse nuk e pranojnë, ata nuk pranojnë paqen me Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin.—Luka 10:16.
Paqedashës në një botë të trazuar
17. Si duhet të sillemi ne, kur gjendemi përballë me njerëz që na drejtojnë fjalë fyese dhe përse?
17 Cilido qoftë reagimi i njerëzve, për shërbëtorët e Jehovait është e rëndësishme që të mbajnë parasysh se ata janë lajmëtarë të paqes hyjnore. Njerëzit e botës mund të hyjnë në zënka dhe e shprehin zemërimin e tyre, duke bërë vërejtje lënduese apo duke u lëshuar me zë të lartë fjalë fyese atyre që i acarojnë. Ndoshta disa prej nesh vepronin kështu në të kaluarën. Por, nëse kemi veshur personalitetin e ri dhe tani nuk jemi pjesë e botës, nuk do të imitojmë rrugët e tyre. (Efesianëve 4:23, 24, 31; Jakovit 1:19, 20) Pavarësisht nga fakti se si veprojnë të tjerët, ne do të zbatojmë këshillën: «Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.»—Romakëve 12:18.
18. Si duhet të përgjigjemi, nëse një zyrtar shtetëror është i ashpër me ne dhe përse?
18 Herë pas here, shërbimi ynë mund të na çojë para zyrtarëve shtetërorë. Duke mbrojtur autoritetin e tyre, ata mund ‘të kërkojnë nga ne’ një shpjegim mbi atë se përse ne bëjmë disa gjëra ose përse përmbahemi nga angazhimi në disa aktivitete të veçanta. Ata mund të dëshirojnë të dinë përse ne predikojmë këtë mesazh, mesazh që demaskon fenë e rreme dhe që na tregon fundin e sistemit të tanishëm të gjërave. Respekti ynë për shembullin e lënë nga Krishti, do të na nxisë që të shfaqim një temperament të butë dhe respekt të thellë. (1. Pjetrit 2:23; 3:15) Shpesh, këta zyrtarë janë nën presionin e klerit apo ndoshta të vetë eprorëve të tyre. Një përgjigje e butë mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë se aktiviteti ynë nuk përbën asnjë kërcënim për ata apo për paqen e vendit ku jetojmë. Një përgjigje e tillë ngjall një frymë respekti, bashkëpunimi dhe paqeje tek ata që e pranojnë.—Titit 3:1, 2.
19. Në cilat aktivitete nuk përzihen asnjëherë Dëshmitarët e Jehovait?
19 Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë tokën si njerëz që nuk marrin pjesë në mosmarrëveshjet botërore. Nuk përfshihen në konfliktet e botës mbi racën, fenë apo politikën. (Gjoni 17:14) Duke qenë se Fjala e Perëndisë na drejton që «të jemi të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta», ne as nuk duhet ta çojmë nëpër mend pjesëmarrjen në aktet e mosbindjes ndaj shtetit, për të protestuar mbi politikën qeveritare. (Romakëve 13:1, BR) Dëshmitarët e Jehovait nuk janë bashkuar asnjëherë me ndonjë lëvizje që ka pasur për qëllim përmbysjen e qeverisë. Duke pasur parasysh normat që Jehovai ka vendosur për shërbëtorët e tij të krishterë, pjesëmarrja e tyre në gjakderdhje apo dhunë të çdo lloji as që mund të mendohet! Të krishterët e vërtetë jo vetëm që flasin për paqen, por edhe jetojnë në harmoni me atë që predikojnë.
20. Çfarë nami ka Babilonia e Madhe, për sa i përket paqes?
20 Në kontrast me të krishterët e vërtetë, ata që përfaqësojnë organizatat fetare të të ashtuquajturit krishterim, nuk kanë treguar se janë lajmëtarë të paqes. Fetë e Babilonisë së Madhe me kishat e të ashtuquajturit krishterim dhe fetë jo të krishtere bashkë, kanë justifikuar, kanë mbështetur dhe faktikisht kanë marrë drejtimin në luftërat e kombeve. Gjithashtu, ata kanë nxitur persekutimin dhe madje vrasjen e shërbëtorëve besimplotë të Jehovait. Prandaj, në lidhje me Babiloninë e Madhe, Zbulesa 18:24 deklaron: «Në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.»
21. Si përgjigjen shumë persona me zemër të ndershme, kur shohin ndryshimin në sjelljen e popullit të Jehovait dhe të atyre që praktikojnë fenë e rreme?
21 Ndryshe nga fetë e të ashtuquajturit krishterim dhe mbetja e Babilonisë së Madhe, feja e vërtetë është një forcë pozitive unifikuese. Ithtarëve të tij të vërtetë, Jezu Krishti u tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Kjo është një dashuri që i kapërcen kufijtë kombëtarë, shoqërorë, ekonomikë dhe racialë, të cilët tani ndajnë pjesën tjetër të njerëzimit. Duke vërejtur këtë, miliona njerëz anembanë tokës po u drejtohen shërbëtorëve të mirosur të Jehovait me fjalët: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.»—Zaharia 8:23.
22. Si e konsiderojmë veprën e dëshmisë që akoma duhet bërë?
22 Si popull i Jehovait, ne gëzojmë shumë për atë që është arritur, por vepra nuk është përfunduar ende. Pasi mbjell farën dhe kultivon arën, bujku nuk e lë me kaq. Ai vazhdon të punojë, sidomos në kulmin e stinës së të korrave. Koha e të korrave kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe intensive. Dhe pikërisht tani, po bëhet e korra më e madhe e adhuruesve të Perëndisë së vërtetë se kurrë më parë. Kjo është një kohë për të gëzuar. (Isaia 9:3) Është e vërtetë se ndeshim kundërshtim dhe indiferencë. Si individë, ndoshta po përpiqemi të përballojmë sëmundje serioze, situata të vështira në familje apo vështirësi ekonomike. Por dashuria për Jehovain na shtyn që të ngulmojmë. Mesazhi që na ka besuar Perëndia është diçka që njerëzit duhet ta dëgjojnë. Është një mesazh paqeje. Vërtet, është mesazhi që vetë Jezui predikoi: lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë përmbushje pati Isaia 52:7 mbi Izraelin e lashtë?
◻ Si tregoi Jezui se ishte lajmëtari më i madh i paqes?
◻ Si e lidhi apostulli Pavël Isainë 52:7 me veprën, në të cilën marrin pjesë të krishterët?
◻ Çfarë përfshihet në të qenët lajmëtar i paqes, në ditët tona?
[Figurat në faqen 13]
Ashtu si Jezui, Dëshmitarët e Jehovait janë lajmëtarë të paqes hyjnore
[Figurat në faqen 15]
Dëshmitarët e Jehovait mbajnë një qëndrim paqësor, pavarësisht se si reagojnë njerëzit ndaj mesazhit të Mbretërisë