KAPITULLI 88
I pasuri dhe Lazari
NJË NDRYSHIM PËR TË PASURIN DHE LAZARIN
Jezui u ka dhënë dishepujve këshilla të shkëlqyera se si t’i përdorin të mirat materiale. Por dishepujt nuk janë të vetmit që po e dëgjojnë. Aty ka edhe farisenj që duhet t’ia vënë veshin kësaj këshille. Pse? Sepse ata ‘vdesin për pará’. Megjithatë kur dëgjojnë Jezuin, ‘nisin ta tallin gjithë përçmim’.—Luka 15:2; 16:13, 14.
Ama kjo nuk e tremb aspak Jezuin, i cili u thotë: «Ju e mbani veten për të drejtë në sytë e njerëzve, por Perëndia i njeh mirë zemrat tuaja, sepse ato që kanë shumë vlerë për njerëzit, janë të neveritshme në sytë e Perëndisë.»—Luka 16:15.
Prej shumë kohësh, farisenjtë janë konsideruar ‘me shumë vlerë nga njerëzit’, por ka ardhur momenti që gjërat të ndryshojnë kryekëput. Këta farisenj që kanë një pozitë të lartësuar për shkak të pasurisë, pushtetit politik dhe influencës së tyre fetare, do të përulen. Kurse njerëzit e thjeshtë, që pranojnë se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, do të lartësohen.
Jezui bën të qartë se ka filluar të ndodhë një ndryshim rrënjësor, kur thotë: «Ligji dhe Profetët u shpallën derisa erdhi Gjoni. Por, që nga ajo kohë e tutje, po shpallet lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë, dhe çdo lloj njeriu po sulet me zjarr drejt saj. Në të vërtetë është më e lehtë të zhduket qielli e toka, sesa të mbetet pa u përmbushur qoftë edhe një pjesëz shkronje nga Ligji.» (Luka 3:18; 16:16, 17) Si e tregojnë këto fjalë se gjërat po ndryshojnë?
Krerët fetarë judenj pohojnë me krenari se e zbatojnë Ligjin e Moisiut. Sill ndër mend se, kur Jezui i ktheu shikimin një të verbri në Jerusalem, farisenjtë thanë tërë arrogancë: «Ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë që Perëndia i ka folur Moisiut.» (Gjoni 9:13, 28, 29) Ligji që Perëndia i dha Moisiut kishte si qëllim t’i drejtonte njerëzit e përulur te Mesia, pra te Jezui. Gjon Pagëzori e identifikoi Jezuin si Qengjin e Perëndisë. (Gjoni 1:29-34) Judenjtë e përulur, kryesisht nga shtresa e varfër, kanë dëgjuar për «Mbretërinë e Perëndisë» që kur Gjoni filloi shërbimin. Vërtet, ka një ‘lajm të mirë’ për këdo që dëshiron të jetë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë dhe të gëzojë të mirat që vijnë prej saj.
Qëllimi i Ligjit të Moisiut po plotësohet; ai i ka drejtuar njerëzit te Mesia. Ja pse detyrimit për ta zbatuar Ligjin po i vjen fundi. Për shembull, Ligji e lejonte divorcin për arsye të ndryshme, por tani Jezui shpjegon se «ai që e divorcon gruan dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje». (Luka 16:18) Imagjino sa i tërbojnë fjalët e Jezuit farisenjtë, të cilët kanë prirjen të vënë rregulla për çdo gjë!
Për të theksuar sa i madh është ndryshimi që po ndodh, Jezui tregon ilustrimin e dy burrave, të cilëve u ndryshon situata në mënyrë drastike. Ndërsa shqyrton këtë ilustrim, ki parasysh se mes atyre që po dëgjojnë, janë farisenjtë që vdesin për pará dhe që vlerësohen së tepërmi nga njerëzit.
Jezui fillon kështu: «Tani, ishte një njeri i pasur që vishej me rroba të purpurta dhe prej linoje, e jetonte mes qejfeve dhe luksit. Pranë portës së tij çonin gjithmonë një lypës të quajtur Lazar, që e kishte trupin plot ulcera. Atij i shkonte goja lëng për gjërat që binin nga tryeza e të pasurit, dhe madje qentë vinin e ia lëpinin ulcerat.»—Luka 16:19-21.
Meqë farisenjtë janë të etur për pará, s’ka dyshim se ‘njeriu i pasur’ përfaqëson ata. Këtyre krerëve fetarë judenj iu pëlqen të veshin rroba të shtrenjta që bien në sy. Dhe përveçse kanë të mira materiale, duket sikur kanë me bollëk edhe favorin e bekimin e Perëndisë. Rrobat me ngjyrë të purpurt mbretërore të këtij burri, ilustrojnë pozitën e privilegjuar të farisenjve, kurse linoja e bardhë pasqyron faktin që e mbajnë veten për të drejtë.—Danieli 5:7.
Por, si i shohin këta krerë të pasur dhe krenarë njerëzit e thjeshtë e të varfër? Ata i quajnë plot përçmim am-haretë, ose popull i vendit (i tokës), që as e njohin Ligjin dhe as meritojnë ta mësojnë. (Gjoni 7:49) Kjo pasqyrohet nga situata e ‘lypësit të quajtur Lazar’, të cilit i shkon goja lëng «për gjërat që binin nga tryeza e të pasurit». Ashtu si Lazari, i cili është i mbuluar nga ulcera, njerëzit e thjeshtë përbuzen, si të jenë të padenjë për miratimin e Perëndisë.
Situata e trishtë, që ilustrohet nga i pasuri dhe Lazari, ka kohë që ekziston. Por ka ardhur momenti për një ndryshim rrënjësor.
NDRYSHOJNË GJËRAT PËR TË PASURIN DHE LAZARIN
Jezui vazhdon të përshkruajë kthesën dramatike që marrin ngjarjet: «Me kalimin e kohës lypësi vdiq, dhe engjëjt e çuan pranë Abrahamit. Vdiq edhe i pasuri dhe e varrosën. Kur ishte në mundime në Varr, ai ngriti sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Lazarin pranë tij.»—Luka 16:22, 23.
Dëgjuesit e Jezuit e dinë se Abrahami ka shumë kohë që ka vdekur dhe është në Varr. Shkrimet e tregojnë qartë se ata që janë në Varr, pra në Sheol, përfshirë këtu edhe Abrahamin, nuk mund të shohin, të flasin apo të vuajnë. (Eklisiastiu 9:5, 10) Atëherë çfarë kuptojnë krerët fetarë nga ky ilustrim? Çfarë mund të jetë duke treguar Jezui për njerëzit e thjeshtë dhe për krerët fetarë të etur për pará?
Jezui sapo ka folur për një ndryshim, kur tha se ‘Ligji dhe Profetët u shpallën derisa erdhi Gjon Pagëzori. Por, që nga ajo kohë e tutje, po shpallet lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë’. Ja pse me predikimin e Gjonit dhe të Jezu Krishtit, jeta e të pasurit dhe e Lazarit ndryshon.
Prej shumë kohësh, njerëzit e varfër e të thjeshtë kanë qenë të privuar nga të vërtetat për Perëndinë. Por tani, po marrin ndihmë dhe po i përgjigjen pozitivisht mesazhit për Mbretërinë, që e dëgjuan fillimisht nga Gjon Pagëzori, e pastaj nga Jezui. Më parë u duhej të mjaftoheshin me ato pak ‘gjëra që binin nga tryeza’ e krerëve fetarë, pra me ato pak mësime që ata ishin të gatshëm t’u jepnin. Kurse tani, po ushqehen me të vërteta thelbësore nga Shkrimet, veçanërisht me gjërat e mrekullueshme që po u shpjegon Jezui. Pra, më në fund mund të kenë një qëndrim të miratuar në sytë e Perëndisë.
Krejt ndryshe, krerët fetarë, të pasur e plot influencë, nuk e pranojnë mesazhin për Mbretërinë që shpalli Gjoni dhe që Jezui e ka predikuar në mbarë vendin. (Mateu 3:1, 2; 4:17) Në të vërtetë, mesazhi për gjykimin e furishëm që do të sjellë Perëndia, i tërbon ose i mundon. (Mateu 3:7-12) Krerët fetarë që vdesin për pará, do të ndiheshin goxha të lehtësuar nëse Jezui dhe dishepujt e tij do të hiqnin dorë nga shpallja e mesazhit të Perëndisë. Ata i ngjajnë të pasurit në ilustrim, që tha: «O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgoje Lazarin të njomë majën e gishtit në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë zjarr flakërues.»—Luka 16:24.
Por kjo s’ka për të ndodhur. Shumica e krerëve fetarë nuk do të ndryshojnë. Ata nuk kanë pranuar ‘të dëgjojnë Moisiun dhe Profetët’, shkrimet e të cilëve duhej t’i kishin nxitur ta pranonin Jezuin si Mesinë dhe Mbretin e caktuar nga Perëndia. (Luka 16:29, 31; Galatasve 3:24) Nuk përulen dhe nuk ua vënë veshin të varfërve që e pranojnë Jezuin e që tani gëzojnë miratimin hyjnor. Nga ana tjetër, as dishepujt e Jezuit nuk mund të bëjnë kompromis apo ta zbusin të vërtetën vetëm që të kënaqin ose të lehtësojnë krerët fetarë. Në ilustrimin e tij, Jezui e përshkruan këtë të vërtetë me fjalët që ‘ati Abraham’ i tha të pasurit:
«O bir, mos harro se ti u ngope me të mira gjatë jetës sate, kurse Lazari me të këqijat. Tani ai po ngushëllohet këtu, kurse ti po vuan tmerrësisht. Mbi të gjitha, mes nesh dhe jush është vënë një hendek i madh. Prandaj, ata që duan të kalojnë nga këtu e të vijnë atje te ju, nuk munden; po ashtu, ata që janë atje nuk mund të vijnë këtu te ne.»—Luka 16:25, 26.
Sa e drejtë dhe me vend është që të ndodhë ky ndryshim rrënjësor! Vendin që më parë e kishin krerët fetarë krenarë, e kanë zënë të përulurit që pranojnë zgjedhën e Jezuit e më në fund po freskohen e po mësohen nga Perëndia. (Mateu 11:28-30) Ky ndryshim do të bëhet më i dukshëm pas disa muajsh, kur besëlidhja e Ligjit të zëvendësohet nga besëlidhja e re. (Jeremia 31:31-33; Kolosianëve 2:14; Hebrenjve 8:7-13) Kur Perëndia të derdhë frymën e shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., s’do të mbetet më fije dyshimi se miratimin e Perëndisë e gëzojnë dishepujt e Jezuit, jo farisenjtë e aleatët e tyre fetarë.