Imitoni besimin e tyre
«Ja, skllavja e Jehovait!»
MARIA vështroi e shtangur vizitorin që hyri në shtëpinë e saj. Ai nuk kërkonte babanë ose nënën e saj. Ishte atje për të! Ai nuk mund të ishte nga Nazareti, e për këtë ajo ishte e sigurt. Në një qytet të vogël si i saji, të huajt binin në sy. Ky person do të binte në sy kudo. Edhe mënyra se si iu drejtua Marisë, ishte e re për të, pasi i tha: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!»—Luka 1:28.
Në këtë mënyrë, Bibla na njeh me Marinë, bijën e Helit, nga qyteti i Nazaretit në Galile. Për herë të parë lexojmë për të kur ajo ndodhet në një pikë vendimtare të jetës. Maria ishte e fejuar me zdrukthëtarin Jozef, që nuk ishte i pasur, megjithatë ishte një njeri me besim. Kështu, dukej sikur udha e jetës së saj ishte e përcaktuar qartë—një jetë e thjeshtë, duke punuar e duke përkrahur bashkëshortin Jozef, ndërsa formonin familje së bashku. Megjithatë, papritur, u gjend përballë këtij vizitori që i solli një caktim nga Perëndia i saj, një përgjegjësi që do t’i ndryshonte jetën.
Mund të habiteni kur të mësoni se në Bibël nuk flitet shumë për Marinë. Në të thuhet pak për formimin e saj, edhe më pak për personalitetin dhe asgjë për paraqitjen. Megjithatë, ajo çfarë thotë Fjala e Perëndisë për të, është vërtet domethënëse.
Për ta njohur më mirë Marinë, duhet të shikojmë përtej shumë ideve të shtrembëruara që mësojnë për të fe të ndryshme. Kështu pra, le të lëmë mënjanë pikturat dhe shëmbëlltyrat e panumërta të bëra me bojë, mermer ose allçi. Gjithashtu, le të mos flasim as për teologjinë dhe dogmën e ndërlikuar që i atribuojnë kësaj gruaje të përulur tituj të tillë të lartë, si «Nëna e Perëndisë» dhe «Mbretëresha e qiejve». Në vend të kësaj, të përqendrohemi te ajo që zbulon vërtet Bibla, që do të na japë kuptueshmëri të çmuar për besimin e saj dhe si mund ta imitojmë këtë besim.
Vizitë nga një engjëll
Siç mund ta dini, vizitori i Marisë nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ishte engjëlli Gabriel. Kur i tha Marisë «o ti që ke gjetur shumë hir», atë «e turbulluan shumë» këto fjalë dhe pyeste veten për kuptimin e kësaj përshëndetjeje të pazakontë. (Luka 1:29) Nga kush kishte gjetur shumë hir ose miratim? Maria nuk priste që të kishte miratimin e njerëzve. Por engjëlli po fliste për miratimin e Perëndisë Jehova, e për Marinë kjo ishte e rëndësishme. Gjithsesi, ajo nuk pretendonte me krenari se kishte miratimin e Perëndisë. Nëse përpiqemi te kemi miratimin e Perëndisë, pa pretenduar me fodullëk se tashmë e kemi, do të nxjerrim një mësim jetësor që vashëza Mari e kuptoi plotësisht. Perëndia u kundërvihet fodullëve, por i do dhe i mbështet të përulurit.—Jakovi 4:6.
Marisë do t’i duhej një përulësi e tillë, pasi engjëlli i ofroi një privilegj pothuajse të paimagjinueshëm. Ai i shpjegoi se do të lindte një fëmijë që do të bëhej më i rëndësishmi i të gjithë njerëzve. Gabrieli tha: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Patjetër që Maria e dinte premtimin që Perëndia i kishte bërë Davidit më shumë se një mijë vjet më parë—pra që njëri nga pasardhësit e tij do të sundonte përgjithmonë. (2 Samuelit 7:12, 13) Kështu, biri i saj do të ishte Mesia për të cilin kishte shpresuar populli i Perëndisë prej shekujsh!
Për më tepër, engjëlli i tha asaj se i biri ‘do të quhej Bir i Më të Lartit’. Si mund ta sillte në jetë një grua Birin e Perëndisë? Faktikisht, si mund të lindte fëmijë Maria? Ajo ishte e fejuar me Jozefin, por akoma nuk ishin martuar. Maria e pyeti hapur engjëllin: «Si do të ndodhë kjo, kur unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie me një burrë?» (Luka 1:34) Vini re se Maria foli pa ndrojtje për virgjërinë e saj. Përkundrazi, ajo e çmonte dëlirësinë e saj. Sot, shumë të rinj mezi presin të humbin virgjërinë dhe janë të shpejtë për të tallur ata që nuk veprojnë kështu. Pa dyshim që bota ka ndryshuar, por jo Jehovai. (Malakia 3:6) Si në ditët e Marisë, ai i vlerëson ata që u përmbahen normave të tij morale.—Hebrenjve 13:4.
Ndonëse ishte një shërbëtore besnike e Perëndisë, Maria ishte e papërsosur. Atëherë, si do të mund të lindte ajo një pasardhës të përsosur, Birin e Perëndisë? Gabrieli shpjegoi: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» (Luka 1:35) I shenjtë do të thotë «i pastër» dhe «i shenjtëruar». Normalisht njerëzit ua kalojnë gjendjen e papastër dhe mëkatare pasardhësve të tyre. Por në këtë rast, Jehovai do të kryente një mrekulli të pashoqe. Ai do të kalonte jetën e Birit të tij, nga qielli në barkun e Marisë, e pastaj do të përdorte forcën e tij vepruese ose frymën e shenjtë që ‘të mbulonte’ Marinë, duke mbrojtur fëmijën nga çdo njollë mëkati. A i besoi Maria premtimit të engjëllit? Si u përgjigj ajo?
Përgjigjja që i dha Maria Gabrielit
Ata që dyshojnë te kjo mrekulli, duke përfshirë edhe disa teologë të feve të krishtere, e kanë të vështirë ta besojnë se një virgjëreshë mund të lindë fëmijë. Pavarësisht nga dijet, ata nuk arrijnë të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë. Siç e tha Gabrieli, për «Perëndinë asgjë s’është e pamundshme». (Luka 1:37, Diodati i Ri) Maria i besoi fjalët e Gabrielit si të vërteta, pasi ishte një e re me besim të madh. Megjithatë, ky besim nuk ishte naivitet. Si çdokush me arsye, Maria kishte nevojë për prova ku të mbështeste besimin e saj. Gabrieli ishte gati t’i jepte edhe më shumë prova. Ai i tregoi për kushërirën e saj të moshuar, Elizabetën, e cila njihej si shterpë. Me anë të një mrekullie, Perëndia kishte bërë që ajo të ngelte shtatzënë.
Çfarë do të bënte tani Maria? Kishte një caktim përpara, si edhe prova se Perëndia do të bënte gjithçka që kishte thënë Gabrieli. Nuk duhet të mendojmë se ky privilegj nuk duhej marrë me frikë apo nuk kishte vështirësi. Pikësëpari, ajo duhej të mendonte për fejesën me Jozefin. Si do të shkonte martesa e tyre kur ai të zbulonte se ishte shtatzënë? Po ashtu, vetë caktimi mund t’i jetë dukur një përgjegjësi që të trembte. Ajo do të mbante jetën e krijesës më të çmuar të Perëndisë, Birin e tij të dashur. Do t’i duhej të kujdesej për të kur të ishte një foshnjë e brishtë dhe ta mbronte në një botë të ligë. Vërtet, një përgjegjësi serioze!
Bibla tregon se madje edhe burra të fortë e besnikë, disa herë kanë ngurruar të pranojnë caktime të vështira nga Perëndia. Moisiu kundërshtoi duke thënë se nuk ishte aq i gojës, sa të vepronte si zëdhënës i Perëndisë. (Dalja 4:10) Edhe Jeremia ngurroi dhe tha se ishte «veçse një djalosh», tepër i ri për të marrë përsipër detyrën që i kishte caktuar Perëndia. (Jeremia 1:6) Ndërsa Jonai ia mbathi nga caktimi. (Jonai 1:3) Ç’të themi për Marinë?
Fjalët e saj jehojnë përgjatë epokave për përulësinë dhe bindjen e menjëhershme. Ajo i tha Gabrielit: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.» (Luka 1:38) Një skllave ishte shërbëtorja më e ulët, jeta e saj ishte krejtësisht në duart e pronarit. Kështu ndihej Maria ndaj Pronarit të saj, Jehovait. Ajo e dinte se ishte e sigurt në duart e tij, se ai është besnik me ata që i qëndrojnë besnikë, dhe se ai do ta bekonte ndërsa bënte më të mirën në këtë caktim të vështirë.—Psalmi 18:25.
Ndonjëherë Perëndia na kërkon të bëjmë diçka që mund të duket e vështirë, madje e pamundur, në sytë tanë. Megjithatë, në Fjalën e tij, ai na jep arsye të bollshme që të besojmë tek ai, ta lëmë veten në duart e tij, ashtu si Maria. (Proverbat 3:5, 6) A do të veprojmë edhe ne kështu? Nëse po, Perëndia do të na shpërblejë, duke na dhënë arsye për të ndërtuar një besim edhe më të fortë tek ai.
Vizita tek Elizabeta
Fjalët që tha Gabrieli për Elizabetën ishin shumë domethënëse për Marinë. Kush nga të gjitha gratë në botë mund ta kuptonte situatën e saj më mirë? Maria shkoi me nxitim në vendin malor të Judës, udhëtim që ndoshta zgjati tre a katër ditë. Me të hyrë në shtëpinë e Elizabetës dhe të priftit Zakaria, Jehovai e shpërbleu Marinë me prova të tjera të pakundërshtueshme për t’i forcuar besimin. Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë dhe menjëherë ndjeu foshnjën në barkun e saj që hovi nga gëzimi. Ajo u mbush me frymë të shenjtë dhe e quajti Marinë «nëna e Zotërisë tim». Perëndia i zbuloi Elizabetës se biri i Marisë do të bëhej Zotëria i saj, Mesia. Gjithashtu, ajo u frymëzua të lavdëronte Marinë për bindjen e saj besnike, me fjalët: «Lum edhe ajo që besoi.» (Luka 1:39-45) Po, gjithçka që Jehovai i kishte premtuar Marisë, do të dilte e vërtetë!
Pastaj foli Maria. Fjalët e saj janë ruajtur me kujdes te Luka 1:46-55. Pa dyshim, këto fjalë përbëjnë ligjëratën më të gjatë të Marisë që është dokumentuar në Bibël dhe na zbulojnë shumë rreth saj. Ato tregojnë mirënjohjen e saj, teksa lëvdonte Jehovain që e kishte bekuar me privilegjin si nëna e Mesisë. Na tregojnë se sa i thellë ishte besimi i saj, kur tha se Jehovai i ul fodullët e të fuqishmit dhe i ndihmon të përulurit e të varfrit që i shërbejnë. Gjithashtu zbulojnë se sa njohuri kishte. Sipas një llogaritjeje, ajo iu referua më tepër se 20 herë Shkrimeve Hebraike!
Qartë, Maria mendonte thellë për Fjalën e Perëndisë. E megjithatë, mbeti e përulur, duke parapëlqyer të linte Shkrimet të flitnin, sesa të fliste nga vetja. Foshnja që po rritej në bark një ditë do të tregonte të njëjtën frymë e do të thoshte: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Bëjmë mirë të pyesim veten: «Po unë, a tregoj po kaq respekt dhe nderim për Fjalën e Perëndisë? Apo parapëlqej idetë dhe mësimet e mia?» Fjalët e Marisë e tregojnë qartë përgjigjen.
Maria qëndroi me Elizabetën për tre muaj, pa dyshim, duke shkëmbyer me të shumë inkurajim. (Luka 1:56) Të dyja gratë na kujtojnë rëndësinë e miqësive. Nëse kërkojmë miq që e duan vërtet Perëndinë tonë, Jehovain, me siguri do të na rritet besimi dhe do t’i afrohemi më shumë Atij. (Proverbat 13:20) Së fundi, erdhi koha që Maria të kthehej në shtëpi. Çfarë do të thoshte Jozefi kur të merrte vesh për gjendjen e saj?
Maria dhe Jozefi
Patjetër që Maria nuk priti derisa shtatzënia të binte në sy. Pa dyshim, ajo duhej të fliste me Jozefin. Që më përpara, ajo mund të ketë menduar se si do të reagonte ky burrë i ndershëm dhe me frikë Perëndie ndaj gjërave që do t’i thoshte. Prapëseprapë, iu afrua atij dhe i tregoi se ç’i kishte ndodhur. Siç mund ta imagjinoni, Jozefi u trazua thellësisht. Ai dëshironte ta besonte këtë vajzë që e donte, por ajo që i tregoi Maria ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Bibla nuk thotë se çfarë i kaloi nëpër mend ose se si arsyetoi Jozefi. Por, ama, tregon se ai donte të divorcohej prej saj, sepse, në atë kohë, çiftet e fejuara konsideroheshin si të martuara. Sidoqoftë ai nuk donte që ajo të turpërohej ose të ndëshkohej para të gjithëve, kështu që vendosi të divorcohej fshehurazi. (Mateu 1:18, 19) Duhet të ketë qenë e dhembshme për Marinë të shihte këtë njeri të mirë të vuante për këtë situatë të pazakontë. Gjithsesi, Maria nuk u hidhërua që Jozefi nuk e besoi.
Jehovai nuk e la Jozefin ta çonte deri në fund atë që i dukej rruga më e mirë. Në një ëndërr, engjëlli i tha atij se shtatzënia e Marisë ishte falë një mrekullie. Sa i lehtësuar duhet të jetë ndier Jozefi! Tani bëri atë që Maria kishte bërë që nga fillimi—veproi në harmoni me drejtimin e Jehovait. Ai u martua me Marinë dhe u përgatit të merrte përsipër përgjegjësinë e pashoqe që të kujdesej për Birin e Jehovait.—Mateu 1:20-24.
Të martuarit, dhe ata që po mendojnë të martohen, bëjnë mirë të mësojnë nga ky çift i ri që jetoi 2.000 vjet më parë. Teksa Jozefi e shihte gruan e tij të re të përmbushte detyrat dhe përgjegjësitë e një nëne, me siguri ishte i kënaqur që ishte drejtuar nga engjëlli i Jehovait. Jozefi duhet ta ketë kuptuar se sa rëndësi ka të mbështetemi te Jehovai kur marrim vendime të rëndësishme. (Psalmi 37:5; Proverbat 18:13) S’ka dyshim se vazhdoi të tregohej i kujdesshëm dhe i dashur ndërsa merrte vendime si kryefamiljar.
Nga ana tjetër, çfarë mund të mësojmë nga gatishmëria e Marisë për t’u martuar me Jozefin? Edhe pse në fillim atij mund t’i jetë dukur e vështirë të kuptonte atë çka i tha Maria, ajo dinte si të priste dhe vazhdoi të kishte besim te Jozefi si burri që do të bëhej kreu i familjes. Patjetër ajo e kuptonte sa e rëndësishme ishte të kishte durim, dhe ky është një mësim i mirë për gratë e krishtere sot. Së fundi, ka të ngjarë që nga këto situata, Jozefi dhe Maria të kenë mësuar shumë për vlerën e komunikimit të ndershëm dhe të hapur.
Sigurisht ky çift i ri e ndërtoi martesën mbi themelin më të mirë. Që të dy donin mbi gjithçka Perëndinë Jehova dhe dëshironin me zjarr ta kënaqnin duke qenë prindër të përgjegjshëm dhe të dashur. Me siguri i prisnin bekime të mëdha, por edhe sfida të mëdha. Do të kishin mundësinë të rritnin Jezuin, i cili do të bëhej njeriu më i madh që ka njohur ndonjëherë bota.
[Figura në faqen 17]
Dashuria për Perëndinë është themeli më i mirë për martesën