«Këto gjëra duhet të ndodhin»
«Jezui u tha: ‘. . . Këto gjëra duhet të ndodhin, por akoma nuk është fundi.’»—MATEU 24:4-6, BR.
1. Cila temë duhet të na ngjallë interes?
PA DYSHIM, ti interesohesh për jetën dhe për të ardhmen tënde. Atëherë duhet të të interesojë edhe një temë që tërhoqi vëmendjen e C. T. Russell në vitin 1877. Russell, i cili më vonë themeloi Shoqatën Watch Tower, shkroi broshurën Qëllimi dhe mënyra e kthimit të Zotërisë tonë (The Object and Manner of Our Lord’s Return). Kjo broshurë me 64 faqe trajtonte kthimin ose ardhjen e Jezuit në të ardhmen. (Gjoni 14:3) Në një rast, kur ishte në Malin e Ullinjve, apostujt e pyetën lidhur me këtë kthim: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë [ose «ardhjes», Diodati] sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»—Mateu 24:3, BR.
2. Pse ka kaq shumë pikëpamje kontradiktore rreth asaj që paratha Jezui?
2 A e di dhe a e kupton përgjigjen e Jezuit? Atë e gjejmë në tre prej Ungjijve. Profesori D. A. Karson pohon: «Pak kapituj të Biblës kanë shkaktuar më shumë mosmarrëveshje mes interpretuesve, sesa kapitulli 24 i Mateut dhe paralelet e tij në kapitullin 13 të Markut dhe në kapitullin 21 të Lukës.» Pastaj, ai jep opinionin e tij, që s’është gjë tjetër veçse një nga pikëpamjet kontradiktore të njerëzve. Në shekullin e fundit ose aty rrotull, shumë nga këto pikëpamje kanë pasqyruar një mungesë besimi. Ata që i shprehin këto pikëpamje, të cilat formulohen prej kritikës më të lartë, pohojnë se Jezui nuk e ka thënë kurrë atë çfarë lexojmë në Ungjijtë, se thëniet e tij më vonë u shtrembëruan ose që parashikimi i tij dështoi. Madje një komentues e shqyrtoi ungjillin e Markut, ‘duke u nisur nga pikëpamja e filozofisë mahajana-budiste’.
3. Si e shqyrtojnë Dëshmitarët e Jehovait profecinë e Jezuit?
3 Në kontrast, Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e Biblës, duke përfshirë edhe atë që u tha Jezui katër apostujve që ishin me të në Malin e Ullinjve, tri ditë para se të vdiste. Që nga ditët e C. T. Russell, populli i Perëndisë ka fituar në mënyrë progresive një kuptueshmëri më të qartë të profecisë që dha Jezui atje. Në pak vitet e fundit, Kulla e Rojës e ka qartësuar akoma më tej pikëpamjen e popullit të Perëndisë mbi këtë profeci. A e ke përvetësuar atë informacion, duke kuptuar ndikimin e tij mbi jetën tënde? a Le ta rishikojmë bashkë.
Një përmbushje tragjike jo e largët
4. Pse mund ta kenë pyetur apostujt Jezuin për të ardhmen?
4 Apostujt e dinin se Jezui ishte Mesia. Prandaj, kur e dëgjuan të përmendte vdekjen, ringjalljen dhe kthimin e tij, duhet të kenë pyetur veten: ‘Nëse Jezui vdes dhe ikën, si mund t’i përmbushë gjërat e mrekullueshme që presim të bëjë Mesia?’ Më tej, Jezui foli për një fund që do të vinte mbi Jerusalemin dhe tempullin e tij. Apostujt mund të kenë menduar: ‘Si dhe kur do të ndodhë kjo?’ Duke u përpjekur të kuptonin këto gjëra, apostujt pyetën: «Kur do të jenë këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur të gjitha këto gjëra janë të paracaktuara të vijnë në përfundim?»—Marku 13:4, BR; Mateu 16:21, 27, 28; 23:37–24:2.
5. Si u përmbush në shekullin e parë ajo që tha Jezui?
5 Jezui paratha se do të kishte luftëra, zi buke, murtaja, tërmete, urrejtje dhe persekutim të të krishterëve, mesi të rremë dhe një predikim të përhapur të lajmit të mirë të Mbretërisë. Më pas duhej të vinte fundi. (Mateu 24:4-14; Marku 13:5-13; Luka 21:8-19) Jezui e tha këtë gjë aty nga fillimi i vitit 33 të e.s. Gjatë dekadave që pasuan, dishepujt e tij syçelë mundën ta kuptonin se gjërat e parathëna po ndodhnin në fakt në një mënyrë domethënëse. Po, historia provon se shenja pati një përmbushje në atë kohë, duke çuar në përfundimin e sistemit judaik të gjërave nga romakët, në vitet 66-70 të e.s. Si ndodhi kjo?
6. Çfarë ndodhi mes romakëve dhe judenjve në vitin 66 të e.s.?
6 Gjatë verës së nxehtë judaike të vitit 66 të e.s., zelotët judenj udhëhoqën një sulm mbi rojet romake të një fortese afër tempullit të Jerusalemit, duke provokuar dhunën në mbarë vendin. Në librin Historia e judenjve (History of the Jews), profesori Hajnrih Grets tregon: «Cest Gali, detyra e të cilit ishte që, si guvernator i Sirisë, të mbronte nderin e forcave ushtarake romake, . . . nuk mund të rrinte më të bënte sehir rebelimin që po përhapej përreth tij, pa u përpjekur t’ia ndalte hovin. Ai i mblodhi bashkë legjionet, dhe princat e vendeve fqinje dërguan vullnetarisht trupat e tyre ushtarake.» Kjo ushtri prej 30.000 burrash rrethoi Jerusalemin. Pas disa luftimesh, judenjtë u tërhoqën brenda mureve që ndodheshin afër tempullit. «Gjatë pesë ditëve që pasuan, romakët i sulmuan muret, por gjithnjë detyroheshin të sprapseshin para shigjetave të judenjve. Vetëm ditën e gjashtë ata ia dolën mbanë të shembnin një pjesë të murit verior përballë Tempullit.»
7. Pse dishepujt e Jezuit mund t’i shihnin gjërat ndryshe nga pjesa më e madhe e judenjve?
7 Vetëm mendo se sa të pështjelluar duhej të kishin qenë judenjtë, meqë kishin menduar për shumë kohë se Perëndia do t’i mbronte ata dhe qytetin e tyre të shenjtë! Por dishepujt e Jezuit ishin paralajmëruar se Jerusalemin e priste një katastrofë. Jezui kishte parathënë: «Përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët, dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty, dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur.» (Luka 19:43, 44) Por, a nënkuptonte kjo vdekjen për të krishterët që gjendeshin brenda Jerusalemit në vitin 66 të e.s.?
8. Cilën tragjedi paratha Jezui dhe cilët ishin «të zgjedhurit» për të cilët do të shkurtoheshin ditët?
8 Kur po u përgjigjej apostujve në Malin e Ullinjve, Jezui paratha: «Ato ditë do të jenë ditë të një mjerimi të tillë që nuk ka ndodhur qysh nga fillimi i krijimit që Perëndia krijoi e deri në atë kohë, dhe s’do të ndodhë përsëri. Në fakt, po të mos i shkurtonte Jehovai ditët, asnjë mish s’do të shpëtonte. Por, për shkak të të zgjedhurve që ai ka zgjedhur, i ka shkurtuar ditët.» (Marku 13:19, 20, BR; Mateu 24:21, 22) Kështu, ditët do të shkurtoheshin dhe «të zgjedhurit» do të shpëtoheshin. Cilët ishin këta të zgjedhur? Patjetër nuk ishin judenjtë rebelë, të cilët pohonin se adhuronin Jehovain, por kishin hedhur poshtë Birin e tij. (Gjoni 19:1-7; Veprat 2:22, 23, 36) Të zgjedhurit e vërtetë në atë kohë ishin ata judenj dhe jojudenj, të cilët ushtruan besim në Jezuin si Mesia dhe Shpëtimtari. Perëndia i kishte zgjedhur këta persona dhe në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. kishte formuar me ta një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë».—Galatasve 6:16; Luka 18:7; Veprat 10:34-45; 1. Pjetrit 2:9.
9, 10. Si u ‘shkurtuan’ ditët e sulmit romak dhe me çfarë rezultati?
9 A u ‘shkurtuan’ ditët dhe a shpëtuan të zgjedhurit e mirosur në Jerusalem? Profesori Grets sugjeron: «[Cest Galit] nuk iu duk e arsyeshme të vazhdonte luftën kundër entuziastëve kokëkrisur e të përfshihej në një fushatë të zgjatur në atë stinë, kur shumë shpejt do të fillonin shirat e vjeshtës . . . që mund ta pengonin ushtrinë për të marrë furnizimet e nevojshme. Duke pasur parasysh këtë gjë, ndoshta ai mendoi se do të ishte më e matur të sprapsej.» Cilatdo qofshin mendimet e Cest Galit, ushtria romake u tërhoq nga qyteti, me humbje të mëdha të shkaktuara nga judenjtë që i ndoqën pas.
10 Tërheqja e habitshme e romakëve i dha mundësinë «mishit», dishepujve të Jezuit që ishin në rrezik brenda Jerusalemit, që të shpëtohej. Historia tregon se kur u hap kjo mundësi për të ikur, të krishterët u larguan nga rajoni. Çfarë shfaqjeje e aftësisë së Perëndisë për të njohur që më përpara të ardhmen dhe për të siguruar mbijetesën e adhuruesve të tij! Por, çfarë ndodhi me judenjtë jobesimtarë që qëndruan në Jerusalem dhe në Judë?
Bashkëkohësit do ta shihnin atë
11. Çfarë tha Jezui për ‘këtë brez’?
11 Shumë judenj mendonin se sistemi i tyre i adhurimit, i përqendruar mbi tempullin, do të vazhdonte për shumë kohë. Por Jezui tha: «Nga pema e fikut mësoni . . . këtë pikë: sapo bisku i tij i ri zbutet dhe lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni të gjitha këto gjëra, dijeni se ai është pranë, te dyert. Me të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë aspak, derisa të ndodhin të gjitha këto gjëra. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë aspak.»—Mateu 24:32-35, BR.
12, 13. Si do ta kishin kuptuar dishepujt e Jezuit referimin që ai i bëri ‘këtij brezi’?
12 Në vitet që i paraprinë vitit 66 të e.s., të krishterët do të kishin parë të përmbusheshin shumë nga elementet përgatitore të shenjës së përbërë, si luftëra, zi buke, madje edhe një predikim të zgjeruar të lajmit të mirë të Mbretërisë. (Veprat 11:28; Kolosianëve 1:23) Por, kur do të vinte fundi? Çfarë kishte ndër mend Jezui kur tha: ‘Ky brez [greqisht geneaʹ] nuk do të kalojë’? Jezui shpesh e kishte quajtur popullsinë bashkëkohëse të judenjve kundërshtarë, ku përfshiheshin edhe udhëheqësit fetarë, ‘një brez të lig dhe kurorëshkelës’. (Mateu 11:16; 12:39, 45, BR; Mt 16:4; 17:17; 23:36) Prandaj, kur foli përsëri në Malin e Ullinjve për ‘këtë brez’, duket se ai nuk kishte ndër mend të gjithë racën e judenjve përgjatë historisë, as nuk kishte ndër mend ithtarët e tij, edhe pse ata ishin «një racë e zgjedhur». (1. Pjetrit 2:9, BR) Ai as nuk po thoshte se «ky brez» është një periudhë kohore.
13 Përkundrazi, Jezui kishte ndër mend judenjtë kundërshtarë të asaj kohe, të cilët do të përjetonin përmbushjen e shenjës që dha ai. Lidhur me referimin që i bëhet ‘këtij brezi’ në Lukën 21:32, profesori Joel B. Grin vëren: «Në Ungjillin e tretë, ‘ky brez’ (dhe frazat që lidhen me të) ka nënkuptuar në mënyrë të rregullt një kategori njerëzish, të cilët i rezistojnë qëllimit të Perëndisë. . . . [U referohet] njerëzve që me kryeneçësi i kthejnë kurrizin qëllimit hyjnor.»b
14. Çfarë përjetoi ai «brez», por cilin përfundim të ndryshëm patën të krishterët?
14 Brezi i lig i kundërshtarëve judenj, i cili do të mund të vërente përmbushjen e shenjës, do të përjetonte, gjithashtu, edhe fundin. (Mateu 24:6, 13, 14) Dhe vërtet kështu ndodhi! Në vitin 70 të e.s., ushtria romake u kthye përsëri, nën komandën e Titit, djalit të perandorit Vespasian. Vuajtjet e judenjve, të cilët u mbyllën përsëri brenda qytetit, janë pothuajse të paimagjinueshme.c Dëshmitari okular, Flavius Jozefusi raporton se në kohën kur romakët shembën muret e qytetit, vdiqën rreth 1.100.000 judenj dhe 100.000 të tjerë u morën robër, ku pjesën më të madhe e priste shumë shpejt një vdekje e tmerrshme nga uria ose nëpër arenat romake. Me të vërtetë, mjerimi i viteve 66-70 të e.s., ishte më i madhi që kishin parë ndonjëherë ose që do të shihnin ndonjëherë Jerusalemi dhe sistemi judaik. Sa i ndryshëm ishte përfundimi për të krishterët, të cilët ia kishin vënë veshin paralajmërimit profetik të Jezuit dhe ishin larguar nga Jerusalemi pas ikjes së ushtrive romake në vitin 66 të e.s.! «Të zgjedhurit» e krishterë të mirosur u ‘shpëtuan’ ose mbetën gjallë në vitin 70 të e.s.—Mateu 24:16, 22.
Një përmbushje tjetër që duhet të vijë
15. Si mund ta dimë me siguri që profecia e Jezuit do të kishte një përmbushje më të madhe pas vitit 70 të e.s.?
15 Gjithsesi, kjo nuk mbaronte këtu. Më parë, Jezui kishte treguar se pasi të shkatërrohej qyteti, ai do të vinte në emrin e Jehovait. (Mateu 23:38, 39; 24:2) Më pas, ai e bëri më të qartë këtë në profecinë që tha në Malin e Ullinjve. Pasi kishte përmendur «mjerimin e madh» që do të vinte, ai tha se pas kësaj do të shfaqeshin Krishtër të rremë dhe Jerusalemi do të shkelej nga kombet për një periudhë të gjatë. (Mateu 24:21, 23-28, BR; Luka 21:24) Mos ndoshta duhej të vinte një përmbushje tjetër, më e madhe? Faktet na përgjigjen po. Kur krahasojmë Zbulesën 6:2-8 (e cila u shkrua pas mjerimit të madh që ra mbi Jerusalemin në vitin 70 të e.s.) me Mateun 24:6-8 dhe me Lukën 21:10, 11, shohim se luftërat, mungesat e ushqimit dhe murtajat në një shkallë më të madhe duhej të ndodhnin akoma. Kjo përmbushje më e madhe e fjalëve të Jezuit ka filluar të ndodhë që me shpërthimin e Luftës I Botërore në vitin 1914.
16-18. Çfarë presim ende të ndodhë?
16 Për shumë dekada Dëshmitarët e Jehovait kanë mësuar se përmbushja aktuale e shenjës provon se një «mjerim i madh» pritet ende të vijë. «Brezi» i tanishëm i lig do ta shohë këtë mjerim. Duket se do të ketë përsëri një fazë hapëse (një sulm mbi të gjithë fenë e rreme), pikërisht ashtu si sulmi i Galit në vitin 66 të e.s. që shënoi fillimin e mjerimit në Jerusalem.d Pastaj, pas një intervali kohe të paspecifikuar, do të vijë fundi, shkatërrimi në rang mbarëbotëror, paralel me shkatërrimin e vitit 70 të e.s.
17 Duke iu referuar mjerimit që shtrihet para nesh, Jezui tha: «Menjëherë pas mjerimit të atyre ditëve [shkatërrimit të fesë së rreme] dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell, dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të godasin veten duke vajtuar dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit, me fuqi dhe lavdi të madhe.»—Mateu 24:29, 30, BR.
18 Kështu, vetë Jezui thotë se «pas mjerimit të atyre ditëve», do të ndodhin fenomene qiellore të ndonjë lloji. (Krahaso Joelin 2:28-32; 3:15.) Kjo do t’i trembë dhe do t’i tronditë kaq shumë njerëzit e pabindur, saqë do të «godasin veten duke vajtuar». Shumë do të «mpaken për shkak të frikës dhe pritjes së gjërave që do të vijnë mbi tokën e banuar». Por nuk do të ndodhë kështu me të krishterët e vërtetë! Këta ‘do të ngrenë kokat lart, sepse çlirimi i tyre po afrohet’.—Luka 21:25, 26, 28, BR.
Gjykimi shtrihet përpara!
19. Si mund ta përcaktojmë se kur do të përmbushet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepëve?
19 Vër re se Mateu 24:29-31 parathotë që (1) Biri i njeriut vjen, (2) ardhja e tij do të jetë me shumë lavdi, (3) me të do të jenë engjëjt dhe (4) të gjitha fiset e tokës do ta shohin. Këto elemente Jezui i përsërit në shëmbëlltyrën e tij të deleve dhe të cjepëve. (Mateu 25:31-46) Prandaj, mund të nxjerrim përfundimin se kjo shëmbëlltyrë ka të bëjë me kohën, pas shpërthimit fillestar të mjerimit, kur Jezui do të vijë me engjëjt e tij dhe do të ulet mbi fronin e vet për të gjykuar. (Gjoni 5:22; Veprat 17:31; krahaso 1. Mbretërve 7:7; Danielin 7:10, 13, 14, 22, 26; Mateun 19:28.) Kush do të gjykohet dhe me çfarë rezultati? Shëmbëlltyra tregon se Jezui do t’u kushtojë vëmendje të gjitha kombeve, sikur këta të ishin mbledhur mu para fronit të tij qiellor.
20, 21. Çfarë do t’u ndodhë deleve në shëmbëlltyrën e Jezuit? (b) Çfarë do të pësojnë cjeptë në të ardhmen?
20 Burrat e gratë ngjashëm deleve do të ndahen në të djathtën e favorit të Jezuit. Pse? Sepse i kanë përdorur mundësitë e tyre për t’u bërë mirë vëllezërve të tij, të krishterëve të mirosur, të cilët do të marrin pjesë në Mbretërinë qiellore të Krishtit. (Danieli 7:27; Hebrenjve 2:9–3:1) Në harmoni me shëmbëlltyrën, miliona të krishterë ngjashëm deleve i kanë njohur vëllezërit frymorë të Jezuit dhe kanë punuar në mbështetje të tyre. Si rezultat, «shumica e madhe» ka shpresën e bazuar në Bibël për të mbijetuar «mjerimin e madh» e për të jetuar përgjithmonë në Parajsë, në sferën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë.—Zbulesa 7:9, 14, BR; Zb 21:3, 4; Gjoni 10:16 .
21 Sa përfundim të ndryshëm do të ketë për cjeptë! Në Mateun 24:30, ata përshkruhen sikur ‘godasin veten duke vajtuar’, kur vjen Jezui. Dhe ashtu duhet, pasi e kaluara e tyre do të ketë treguar se kanë hedhur poshtë lajmin e mirë të Mbretërisë, kanë kundërshtuar dishepujt e Jezuit dhe kanë preferuar botën që po kalon. (Mateu 10:16-18; 1. Gjonit 2:15-17) Se cilët janë cjeptë, e vendos Jezui e jo ndonjë nga dishepujt e tij në tokë. Për këta cjep, Jezui thotë: «Këta do të shkojnë në këputjen e përhershme.»—Mateu 25:46, BR.
22. Cila pjesë e profecisë së Jezuit meriton nga ne një shqyrtim të mëtejshëm?
22 Progresi që kemi bërë në kuptueshmërinë e profecisë që gjejmë në Mateun, kapitujt 24 dhe 25, ka qenë rrëqethës. Megjithatë, ka akoma një pjesë të profecisë së Jezuit që meriton vëmendjen tonë të mëtejshme, ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim, që qëndron në vendin e shenjtë’. Jezui i nxiti ithtarët e tij që të përdornin aftësi shquese lidhur me këtë dhe të ishin gati për të vepruar. (Mateu 24:15, 16) Çfarë është kjo ‘gjë e neveritshme’? Kur qëndron ajo në vendin e shenjtë? Çfarë lidhje ka me këtë perspektiva e jetës sonë tani dhe në të ardhmen? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.
[Shënimet]
a Shiko artikujt e studimit në Kullën e Rojës, 15 maj 1994; br2 1995, faqet 28-38 dhe 44-50; 15 gusht 1996.
b Dijetari britanik, G. R. Bizli Mërrej vëren: «Fraza ‘ky brez’ nuk duhet t’u shkaktojë asnjë vështirësi interpretuesve. Edhe pse pranohet që në greqishten e vjetër fjala genea kishte kuptimin lindje, pasardhje e prandaj, racë, . . në [Septuagintën greke] shumë shpesh është përdorur për të përkthyer termin hebraik dôr, që do të thotë epokë, epokë e njerëzimit ose brez në kuptimin e bashkëkohësve. . . . Në thëniet që i atribuohen Jezuit, termi duket se ka një domethënie të dyfishtë: nga njëra anë nënkupton gjithnjë bashkëkohësit e tij dhe nga ana tjetër përmban gjithnjë një notë të qartë kritike.»
c Në librin Histori e judenjve, profesori Grets thotë se nganjëherë romakët vinin në shtyllë rreth 500 të burgosur në ditë. Të burgosurve të tjerë judenj u priteshin duart dhe dërgoheshin përsëri në qytet. Çfarë kushtesh mbizotëronin në qytet? «Paraja e kishte humbur vlerën e vet, pasi me të nuk mund të blihej as bukë. Njerëzit luftonin të pashpresë nëpër rrugë edhe për ushqimin më të urryer e më të neveritshëm, për një grusht kashtë, një copë lëkurë ose për plehrat që u hidheshin qenve. . . . Numri gjithnjë në rritje i kufomave të pavarrosura e mbushte ajrin e nxehtë të verës me epidemi dhe popullsia ra pre e sëmundjeve, mungesës së ushqimit dhe e shpatës.»
d Artikulli vijues do të trajtojë këtë aspekt të mjerimit që do të vijë.
A të kujtohet?
◻ Çfarë përmbushjeje pati Mateu 24:4-14 në shekullin e parë?
◻ Siç ishte parathënë në Mateun 24:21, 22, si u shkurtuan ditët dhe si shpëtoi mishi në kohët e apostujve?
◻ Çfarë e karakterizonte «brezin» e përmendur në Mateun 24:34?
◻ Si e dimë që profecia e dhënë në Malin e Ullinjve do të ketë një përmbushje tjetër më të gjerë?
◻ Kur edhe si do të përmbushet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepëve?
[Figura në faqen 12]
Pjesë nga Harku i Titit në Romë, ku tregohet plaçka që kishin zënë nga shkatërrimi i Jerusalemit
[Burimi]
Soprintendenza Archeologica di Roma