Lum ata që rrinë zgjuar!
«Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta.»—ZBULESA 16:15.
1. Përderisa dita e Jehovait është afër, çfarë mund të presim?
DITA e madhe e Jehovait është afër dhe kjo do të thotë luftë! Në vizion, apostulli Gjon pa «shprehje të frymëzuara nga demonët» ngjashëm bretkosave, që shkonin tek të gjithë «mbretërit» apo sundimtarët e tokës. Për të bërë çfarë? Ja, çfarë: «Që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm!» Gjoni shtoi: «Ato i mblodhën së bashku në një vend që hebraisht quhet Har-Magedon.»—Zbulesa 16:13-16, BR.
2. Cili është Gogu i Magogut dhe çfarë do të ndodhë kur ai të sulmojë popullin e Jehovait?
2 Së shpejti, Jehovai do ta nxisë elementin politik të këtij sistemi për të shkatërruar Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:1-5, 15-17) Atëherë Gogu i Magogut, Satana Djalli i hedhur poshtë në afërsi të tokës, do të radhisë hordhitë e tij dhe do të bëjë një sulm me të gjitha forcat mbi popullin paqësor, në dukje të pambrojtur, të Jehovait. (Ezekieli 38:1-12) Por Perëndia do të veprojë për ta shpëtuar popullin e tij. Kjo do të shënojë shpërthimin e «ditës së madhe dhe të tmerrshme të Jehovait».—Joeli 2:31, BR; Ezekieli 38:18-20.
3. Si do t’i përshkruaje zhvillimet e parathëna në Ezekielin 38:21-23?
3 Po, Jehovai do ta shpëtojë popullin e tij dhe do të shkatërrojë çdo gjurmë të fundit të sistemit të Satanait, kur të arrijmë në situatën botërore të quajtur Har–Magedon ose Harmagedon. Lexo fjalët profetike të Ezekielit 38:21-23 dhe përfytyro skenën. Jehovai ushtron fuqinë e tij për të sjellë rrebeshe përmbytëse, kokrra breshëri shkretues, zjarr përpirës dhe murtajë vdekjeprurëse. Paniku mbretëron në mbarë botën, ndërsa hordhitë e Gogut janë hedhur në konfuzion, duke luftuar kundër njëra-tjetrës. Të gjithë armiqtë e mbijetuar të Perëndisë së Plotfuqishëm janë ekzekutuar, ndërsa Jehovai përdor mjete të mbinatyrshme për të shpëtuar shërbëtorët e tij. Kur «mjerimi i madh» i parathënë të ketë përfunduar, nuk do të mbetet asgjë nga sistemi i paperëndishëm i Satanait. (Mateu 24:21) Megjithatë, edhe pse në grahmat e tyre të vdekjes, të ligjtë do të mësojnë se cili është përgjegjës për fatkeqësinë e tyre. Vetë Perëndia ynë fitimtar thotë: «Do t’ju duhet të dinë se unë jam Jehovai.» (BR) Këto ngjarje të jashtëzakonshme do të ndodhin në ditët tona, gjatë pranisë së Jezuit.
Po vjen si një vjedhës
4. Në ç’mënyrë do të vijë Jezui për të shkatërruar këtë sistem të lig gjërash?
4 Zotëria i lavdëruar Jezu Krisht tha: «Ja, unë vij si një vjedhës.» Një ardhje si vjedhës do të ishte e menjëhershme, në një kohë të papritur, kur shumica e njerëzve janë në gjumë. Kur Jezui të vijë si një vjedhës për të shkatërruar këtë sistem të lig, ai do t’i ruajë ata që janë me të vërtetë zgjuar. Ai i tha Gjonit: «Lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij.» (Zbulesa 16:15) Cila është domethënia e këtyre fjalëve dhe si mund të rrimë frymësisht zgjuar?
5. Çfarë rregullimesh për shërbimin e tempullit ekzistonin, kur Jezui ishte në tokë?
5 Në përgjithësi, një rojë nuk do të zhvishej lakuriq nëse gjatë punës do të binte në gjumë. Por kjo ndodhi në tempullin e Jerusalemit, kur Jezui ishte në tokë dhe divizione priftërinjsh dhe levitësh shërbenin në tempullin e Jerusalemit. Ndodhi në shekullin e 11-të p.e.s. që mbreti David sistemoi qindra priftërinjtë e Izraelit dhe mijërat e levitëve të tyre ndihmës, në një organizatë të përbërë nga 24 divizione. (1. Kronikave 24:1-18) Çdo divizion me mbi një mijë punëtorë të stërvitur, bënte turnin e tij në mbajtjen e pajimeve të shërbimit të tempullit, së paku dy herë në vit, për një javë të plotë njëherësh. Megjithatë, në Festën e Kasolleve, të 24 divizionet ishin të pranishme për kryerjen e detyrës. Gjithashtu, në Festën e Pashkëve nevojitej një ndihmë mbi të zakonshmen.
6. Për çfarë mund ta ketë pasur fjalën Jezui, kur tha, «lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij»?
6 Kur Jezui tha, «lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij», ndoshta e ka pasur fjalën për një procedurë që ndiqej atëherë, e cila përfshinte detyrën e rojës në tempull. Mishna judaike thotë: «Priftërinjtë bënin rojë në tri vende në Tempull: në Dhomën e Abtinasve, në Dhomën e Flakës dhe në Dhomën e Vatrës, ndërsa levitët në njëzetë e një vende: pesë tek pesë portat e Malit të Tempullit, katër tek katër qoshet e tij të brendshme, pesë tek pesë portat e Oborrit të Tempullit, katër tek katër qoshet e tij të jashtme, një tek Dhoma e Ofertave, një tek Dhoma e Perdes dhe një prapa vendit të Ndenjëses së Mëshirës [jashtë murit të pasëm të Më të Shenjtës]. Oficeri i Malit të Tempullit kalonte tek secili rojë me pishtarë të ndezur para vetes dhe nëse ndonjë rojë nuk qëndronte më këmbë dhe s’i thoshte : ‘O oficer i Malit të Tempullit, paqja qoftë me ty!’, si dhe ishte e dukshme se po flinte, ai do ta godiste me shkopin e tij dhe kishte të drejtën t’i digjte rrobat.»—Mishna, Midoth («Masat»), 1, paragrafët 1-2, përkthyer nga Herbert Denbi.
7. Përse priftërinjtë dhe levitët me detyrën e rojës në tempull, duhej të rrinin zgjuar?
7 Levitët dhe priftërinjtë e shumtë të divizionit që shërbente, rrinin zgjuar gjithë natën për të bërë rojë e për të penguar hyrjen e ndonjë të papastri në oborret e tempullit. Derisa «oficeri i Malit të Tempullit» ose «komandanti i tempullit», të kalonte tek të 24 vendndodhjet e rojeve të natës, çdo rojeje i duhej të qëndronte zgjuar në vendin e tij, nëse nuk donte të kapej duke mos bërë detyrën.—Veprat 4:1.
8. Cilat janë rrobat e figurshme të të krishterit?
8 Të krishterët e mirosur dhe bashkëshërbëtorët e tyre duhet të qëndrojnë frymësisht zgjuar dhe të ruajnë rrobat e tyre të figurshme. Ato janë dëshmia e jashtme e emërimit tonë në shërbimin e tempullit frymor të Jehovait. Në miratim të kësaj, ne kemi frymën e shenjtë të Perëndisë, ose forcën aktive, që na ndihmon për të kryer detyrat dhe për të përmbushur privilegjet tona si lajmëtarë të Mbretërisë. Rënia në gjumë në postin tonë si shërbëtorë të Perëndisë, do të na bënte të rrezikonim që të kapeshim nga Jezu Krishti, komandanti i tempullit të madh frymor. Nëse në atë kohë do të ishim në gjumë, figurativisht do të zhvisheshim lakuriq dhe do të na digjeshin rrobat tona simbolike. Pra, si mund të rrimë zgjuar frymësisht?
Si mund të rrimë zgjuar
9. Përse studimi i Biblës me ndihmën e botimeve të krishtere është kaq i rëndësishëm?
9 Studimi i zellshëm i Shkrimeve me ndihmën e botimeve të krishtere është nxitës i pagjumësisë frymore. Një studim i tillë do të na pajisë për shërbimin, do të na ndihmojë për të përballuar krizat dhe do na tregojë rrugën për në lumturinë e përjetshme. (Proverbat 8:34, 35; Jakovit 1:5-8) Studimi ynë duhet të jetë i plotë dhe progresiv. (Hebrenjve 5:14–6:3) Ushqimi i mirë i ngrënë rregullisht, mund të na ndihmojë për të qëndruar zgjuar dhe vigjilentë. Ai mund të parandalojë topitjen, që mund të jetë një shenjë e të ushqyerit të keq. Nuk kemi asnjë arsye për të qenë të ushqyer keq dhe të përgjumur frymësisht, sepse Perëndia po merr masa të bollshme për ushqim frymor, nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur» të mirosur. (Mateu 24:45-47, BR) Konsumimi i rregullt i ushqimit frymor me anë të studimit personal dhe familjar, është një mënyrë për të qëndruar zgjuar dhe për të qenë «të shëndoshë në besim».—Titit 1:13.
10. Si na ndihmojnë mbledhjet e krishtere, asambletë dhe kongreset, për të ndenjur zgjuar?
10 Mbledhjet e krishtere, asambletë dhe kongreset na ndihmojnë për të qëndruar frymësisht zgjuar. Ato sigurojnë inkurajim dhe mundësi për ‘t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira’. Veçanërisht, ne duhet të mblidhemi rregullisht, ndërsa ‘shohim ditën që po afrohet’. Kjo ditë, tani është me të vërtetë afër. Ajo është «dita e Jehovait», në të cilën ai do të shfajësojë sovranitetin e tij. Nëse ajo ditë është me të vërtetë e rëndësishme për ne, dhe duhet të jetë, ‘nuk do të heqim dorë nga të mbledhurit bashkë tonin’.—Hebrenjve 10:24, 25; 2. Pjetrit 3:10, BR.
11. Përse mund të thuhet se shërbimi i krishterë është themelor për pagjumësinë frymore?
11 Pjesëmarrja me gjithë zemër në shërbimin e krishterë është themelore për pagjumësinë frymore. Një pjesëmarrje e rregullt dhe e zellshme në predikimin e lajmit të mirë, na mban vigjilentë. Shërbimi ynë na jep shumë mundësi për t’u folur njerëzve në lidhje me Fjalën e Perëndisë, Mbretërinë dhe qëllimet e tij. Është e kënaqshme të dëshmosh nga shtëpia në shtëpi, të bësh rivizita dhe të drejtosh studime biblike në shtëpi, me anën e botimeve të tilla si Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Pleqtë në Efesin e lashtë mundën të dëshmonin se Pavli i kishte mësuar ata «publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi». (Veprat 20:20, 21, BR) Sigurisht, disa Dëshmitarë besimplotë të Jehovait kanë probleme serioze shëndeti, që në njëfarë mënyre e pengojnë shërbimin e tyre, por ata gjejnë mënyra për t’u folur të tjerëve mbi Jehovain dhe mbretërimin e tij dhe nxjerrin gëzim të madh nga bërja e një gjëje të tillë.—Psalmi 145:10-14.
12, 13. Për cilat arsye duhet të shmangim teprimin në ushqime dhe pije?
12 Shmangia e teprimeve, do të na ndihmojë për të ndenjur frymësisht zgjuar. Kur po fliste në lidhje me praninë e tij, Jezui i nxiti apostujt: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.» (Luka 21:7, 34, 35) Grykësia dhe dehja nuk janë në përputhje me parimet biblike. (Ligji i përtërirë 21:18-21) Proverbat 23:20, 21 thotë: «Mos rri me ata që pijnë [tepër, BR] verë, as me grykësit dhe mishngrënësit; sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.»—Proverbat 28:7.
13 Edhe nëse të ngrënët apo të pirët e tepërt nuk kanë arritur atë pikë, megjithatë, ato mund ta bëjnë një person të përgjumur, madje dembel dhe të shkujdesur në lidhje me kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Natyrisht, do të ketë ankthe që përfshijnë jetën familjare, shëndetin e kështu me radhë. Por megjithatë, ne do të jemi të lumtur nëse në jetë vendosim në vendin e parë interesat e Mbretërisë dhe nëse kemi besim se Ati ynë qiellor do të marrë masa siguruese për ne. (Mateu 6:25-34) Përndryshe, «ajo ditë» do të vijë mbi ne si një «lak», ndoshta si një grackë e maskuar që do të na zërë të pavetëdijshëm ose si karremi i një gracke, si ata që tërheqin dhe pastaj kapin kafshët, të cilat as që e mendojnë atë. Kjo nuk do të ndodhë nëse ne rrimë zgjuar, plotësisht të vetëdijshëm se po jetojmë në «kohën e mbarimit».—Danieli 12:4.
14. Përse duhet t’i kushtohemi lutjes së zjarrtë?
14 Lutja e zjarrtë është një ndihmë tjetër për pagjumësinë frymore. Në profecinë e tij të madhe, Jezui më tej nxiti: «Prandaj rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.» (Luka 21:36) Po, le të lutemi që të mund të jemi gjithmonë në anën e Jehovait dhe të gëzojmë një qëndrim të miratuar kur Jezui, Biri i njeriut, të vijë për të shkatërruar këtë sistem të lig gjërash. Për vetë të mirën tonë dhe për të mirën e bashkëbesimtarëve për të cilët lutemi, duhet ‘të qëndrojmë zgjuar në lutje’.—Kolosianëve 4:2; Efesianëve 6:18-20.
Koha po mbaron
15. Çfarë është kryer nëpërmjet shërbimit tonë si predikues të drejtësisë?
15 Ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait, pa dyshim që dëshirojmë të bëjmë gjithë sa mundemi në shërbimin e tij. Nëse i lutemi me zjarr atij për këtë, mund të na hapet «një derë e madhe që çon drejt aktivitetit». (1. Korintasve 16:8, 9, BR) Në kohën e caktuar nga Perëndia, Jezui do të bëjë gjykimin dhe do të ndajë «delet» e drejta, të denja për jetën e përhershme, nga «cjeptë» e paperëndishëm që meritojnë shkatërrim të përjetshëm. (Gjoni 5:22) Nuk jemi ne ata që ndajmë delet nga cjeptë. Por shërbimi ynë si predikues të drejtësisë, po u jep tani njerëzve mundësinë për të zgjedhur një jetë në shërbim të Perëndisë dhe për të pasur kështu shpresën që të ndahen për jetën, kur Jezui «të vijë në lavdinë e tij». Koha e shkurtër e mbetur për këtë sistem gjërash, rrit nevojën për një aktivitet me gjithë zemër, ndërsa kërkojmë ata «me të drejtë të prirur për jetën e përhershme».—Mateu 25:31-46; Veprat 13:48, BR.
16. Pse duhet të jemi lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë?
16 Koha mbaroi për botën e ditëve të Noes dhe së shpejti do të mbarojë edhe për këtë sistem gjërash. Prandaj, le të jemi lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë. Vepra jonë e predikimit po lulëzon, pasi çdo vit me qindra mijëra po pagëzohen në simbol të dedikimit të tyre ndaj Perëndisë. Ata po bëhen pjesë e organizatës së bekuar të Jehovait, «populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij». (Psalmi 100:3) Çfarë gëzimi është të marrësh pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë që u jep shpresë kaq shumë personave, përpara «ditës së madhe dhe të tmerrshme të Jehovait»!
17, 18. (a) Ndërsa predikojmë, çfarë reagimi duhet të presim nga disa? (b) Ç’gjë është e sigurt se do t’i zërë tallësit?
17 Ashtu si Noeja, ne kemi mbështetjen dhe mbrojtjen e Perëndisë. Po, njerëzit, engjëjt e materializuar dhe nefilimët, duhet të jenë tallur me mesazhin e Noes, por kjo nuk e ndali atë. Sot, shumë persona tallen kur ne theksojmë dëshmitë e panumërta se po jetojmë në «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5) Një tallje e tillë është në përmbushje të profecisë biblike në lidhje me praninë e Krishtit, sepse Pjetri shkroi: «Në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta dhe do të thonë: ‘Ku është premtimi i ardhjes [pranisë, BR] së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.’»—2. Pjetrit 1:16; 3:3, 4.
18 Përqeshësit e sotëm mund të mendojnë: ‘Asgjë nuk ka ndryshuar që nga krijimi. Jeta vazhdon me njerëzit që hanë, pijnë, martohen dhe ngrenë familje. Edhe sikur Jezui të jetë i pranishëm, ai s’ka për ta ekzekutuar gjykimin gjatë jetës sime.’ Sa gabim e kanë! Nëse ata ndërkohë nuk vdesin nga shkaqe të tjera, dita e tmerrshme e Jehovait do t’i zërë përfundimisht, ashtu si shkatërrimi kataklizmik nga Përmbytja, i dha fund brezit të lig në ditët e Noes.—Mateu 24:34.
Patjetër, rrini zgjuar!
19. Si duhet t’i shohim aktivitetet tona të bërjes së dishepujve?
19 Nëse i jemi dedikuar Jehovait, mos qofshim kurrë të nanurisur për të fjetur nga një mënyrë e papërshtatshme arsyetimi! Kjo është koha për të ndenjur zgjuar, për të ushtruar besim në profecinë hyjnore dhe për të kryer detyrën tonë për të ‘bërë dishepuj nga të gjithë popujt’. (Mateu 28:19, 20) Ndërsa ky sistem ndodhet përballë fundit të tij final, ne nuk mund të kemi privilegj më të madh se ai i shërbimit ndaj Perëndisë Jehova nën udhëheqjen e Jezu Krishtit dhe pjesëmarrjes në veprën mbarëbotërore të predikimit të «këtij lajmi të mirë të mbretërisë», përpara se të vijë fundi.—Mateu 24:14, BR; Marku 13:10.
20. Çfarë shembulli u la nga Kalebi dhe Josiu dhe çfarë na tregon rruga e ndjekur prej tyre?
20 Disa nga pjesëtarët e popullit të Jehovait i kanë shërbyer atij për dekada, ndoshta gjatë gjithë jetës. Edhe nëse e kemi marrë të vërtetën pikërisht kohët e fundit, qofshim si izraeliti Kaleb, i cili «i ka shkuar pas Zotit plotësisht»! (Ligji i përtërirë 1:34-36) Ai dhe Josiu ishin plotësisht të përgatitur për të hyrë në Tokën e Premtuar, pak pas çlirimit të Izraelit nga skllavëria egjiptase. Megjithatë, izraelitëve të rritur, në përgjithësi u mungoi besimi dhe kaluan 40 vjet në shkretëtirë, ku edhe vdiqën. Gjatë gjithë asaj kohe, Kalebi dhe Josiu u qëndruan vështirësive bashkë me ta, por së fundi ata dy burra hynë në tokën e premtimit. (Numrat 14:30-34; Josiu 14:6-15) Nëse ne ‘i shkojmë pas Zotit plotësisht’ dhe qëndrojmë frymësisht zgjuar, do të kemi gëzimin e hyrjes në botën e re të premtuar nga Perëndia.
21. Cila do të jetë përvoja jonë nëse rrimë zgjuar frymësisht?
21 Provat tregojnë qartë se jemi duke jetuar në kohën e fundit dhe se dita e madhe e Jehovait është afër. Kjo nuk është kohë për t’u përgjumur dhe për t’u shkujdesur në kryerjen e vullnetit hyjnor. Ne do të bekohemi vetëm nëse rrimë zgjuar frymësisht dhe ruajmë rrobat tona të identifikimit si shërbëtorë të krishterë të Jehovait. Qoftë jona vendosmëria për të ‘qëndruar zgjuar, të palëkundshëm në besim, për t’u sjellë si burrat, për të qenë të fortë’! (1. Korintasve 16:13) Si shërbëtorë të Jehovait, qoftë secili prej nesh i palëkundur dhe i guximshëm! Atëherë, do të jemi mes atyre që, kur të bjerë ora e ditës së madhe të Jehovait, janë gati, duke i shërbyer me besim të plotë në radhët e të lumturve që rrinë zgjuar.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si do t’i përshkruaje rrobat tona të figurshme dhe si mund t’i ruajmë ato?
◻ Cilat janë disa mënyra për të ndenjur zgjuar frymësisht?
◻ Përse duhet t’i presim tallësit dhe si duhet t’i konsiderojmë ata?
◻ Si duhet ta konsiderojmë veprën tonë të bërjes së dishepujve në këto ditë të fundit?
[Diçitura në faqen 16]
Të krishterët kanë frymën e shenjtë të Perëndisë, që i ndihmon të rrinë zgjuar dhe të përmbushin detyrat e tyre
[Figura në faqen 15]
A je i vendosur për të qëndruar zgjuar frymësisht dhe për të ruajtur rrobat e tua të figurshme?