Duke dhënë dëshmi në «të gjitha kombet»
«Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—MATEU 24:14, BR.
1. Përse fjalët e Jezuit në Mateun 24:14 duhet të kenë qenë një surprizë për ithtarët e tij?
ÇFARË surprize duhet të kenë qenë fjalët e mësipërme të Jezuit për dishepujt e tij hebrenj! Vetë ideja që një hebre i shenjtë të shkonte e të fliste me paganë «të papastër», «njerëz nga kombet», ishte e huaj për të, madje neveritëse.a Një hebre i ndërgjegjshëm as që do ta mendonte të hynte në shtëpinë e një pagani! Ata dishepuj hebrenj kishin ende shumë për të mësuar mbi Jezuin, mbi dashurinë dhe urdhrin e tij. Ata kishin shumë për të mësuar edhe mbi paanësinë e Jehovait.—Veprat 10:28, 34, 35, 45.
2. (a) Sa i përhapur ka qenë shërbimi i Dëshmitarëve? (b) Cilët janë tre faktorët themelorë që kanë kontribuar në përparimin e Dëshmitarëve?
2 Dëshmitarët e Jehovait e kanë predikuar lajmin e mirë midis kombeve, duke përfshirë edhe Izraelin e sotëm dhe po e predikojnë tani në më shumë kombe se kurrë më parë. Në vitin 1994, mbi katër milion e gjysmë Dëshmitarë po predikojnë mbi 230 vende. Ata po drejtojnë rreth katër milion e gjysmë studime biblike në shtëpi me njerëz të interesuar. Gjithë kjo punë po kryhet pavarësisht nga paragjykimi ndërkombëtar, që shpesh bazohet mbi mosnjohjen e mësimeve dhe motiveve të Dëshmitarëve. Ajo çka u tha për të krishterët e parë, mund të thuhet edhe për ta: «Për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.» (Veprat 28:22) Kujt, pra, mund t’ia japim meritën për suksesin e shërbimit të tyre? Janë të paktën tre faktorët që i kontribuojnë përparimit të tyre: ndjekja e udhëheqjes së frymës së Jehovait, imitimi i metodave praktike të Krishtit dhe përdorimi i mjeteve të duhura për një komunikim të efektshëm.
Fryma e Jehovait dhe lajmi i mirë
3. Përse nuk duhet të mburremi për punën që është kryer?
3 A mburren Dëshmitarët e Jehovait për suksesin e tyre, sikur ky t’i detyrohej ndonjë aftësie të tyre të veçantë? Jo, sepse zbatojnë fjalët e Jezuit: «Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim për detyrë të bënim.’» Si të krishterë të dedikuar dhe të pagëzuar, Dëshmitarët e Jehovait kanë pranuar vullnetarisht përgjegjësinë për t’i shërbyer Perëndisë, pavarësisht nga rrethanat e tyre personale. Për disa, kjo do të thotë shërbim i plotë kohor si misionarë apo si vullnetarë në zyrat e degëve apo në fabrikat për shtypjen e botimeve të krishtere. Disa të tjerë, kjo frymë vullnetare e krishterë i shtyn të punojnë në ndërtimin e ndërtesave fetare ose të jenë pionierë (predikues në shërbim të plotë kohor) apo edhe predikues lajmëtarë të lajmit të mirë në kongregacionet lokale. Asnjë nga ne nuk mund të mburret me të drejtë se e kemi kryer detyrën tonë, «atë që kishim për detyrë të bënim».—Luka 17:10; 1. Korintasve 9:16.
4. Si është kapërcyer kundërshtimi i përhapur ndaj shërbimit të krishterë?
4 Për çdo sukses që kemi, mund t’ia japim meritën frymës së Jehovait ose forcës aktive. Sot, ashtu si edhe në ditët e profetit Zakaria, është e drejtë të themi: «Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,—thotë Zoti i ushtrive.» Kështu, pra, kundërshtimi i përhapur në të gjithë botën ndaj veprës së predikimit të Dëshmitarëve është kaluar jo falë përpjekjeve njerëzore, por falë drejtimit dhe mbrojtjes së Jehovait.—Zakaria 4:6.
5. Çfarë roli ka luajtur Jehovai në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë?
5 Sa për ata që e pranojnë mesazhin e Mbretërisë, Jezui tha: «Në profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia’. Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe ka mësuar nga Ati, vjen tek unë. . . . askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.» (Gjoni 6:45, 65) Jehovai mund të lexojë zemrat e mendjet dhe i njeh ata që mund t’i përgjigjen dashurisë së tij, edhe pse ata ende mund të mos e njohin. Ai përdor, gjithashtu, edhe engjëjt e tij për të drejtuar këtë shërbim unik. Për këtë arsye Gjoni pa në vizion pjesëmarrjen engjëllore dhe shkroi: «Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli.»—Zbulesa 14:6.
Të ndërgjegjshëm për nevojën frymore
6. Për cilin qëndrim themelor ka nevojë një njeri që t’i përgjigjet lajmit të mirë?
6 Një faktor tjetër, i cili ndikon mbi faktin që Jehovai i lejon një personi mundësinë për të pranuar lajmin e mirë, është shprehur nga Jezui: «Lum ata që janë të ndërgjegjshëm për nevojën e tyre frymore, sepse atyre u takon mbretëria e qiejve.» (Mateu 5:3, BR) Një njeri i kënaqur me veten apo dikush që nuk është në kërkim të së vërtetës, nuk do të jetë i ndërgjegjshëm për nevojën frymore. Ai ose ajo mendon vetëm në terma materialë, truporë. Vetëkënaqësia kthehet në një pengesë. Prandaj, kur shumë nga ata që takojmë nga shtëpia në shtëpi e refuzojnë mesazhin, ne duhet të mbajmë parasysh të gjitha arsyet e ndryshme që mund të kenë njerëzit për reagimin e tyre.
7. Përse shumë veta nuk i përgjigjen së vërtetës?
7 Shumë veta nuk duan të dëgjojnë, sepse me kokëfortësi i mbahen fesë që kanë trashëguar dhe nuk duan të hapin biseda. Të tjerë janë tërhequr nga një fe që përshtatet me personalitetin e tyre: disa pëlqejnë misticizmin, të tjerë pranojnë emocionalizmin dhe të tjerë akoma janë kryesisht të interesuar për aktivitetet shoqërore të kishës së tyre. Shumë veta sot kanë zgjedhur një mënyrë jetese që është në kundërshtim me normat e Perëndisë. Ndoshta bëjnë një jetë imorale, gjë që përbën arsyen për të cilën ata thonë: «Nuk më intereson.» Disa të tjerë, që mund të thonë se janë të edukuar dhe shkencëtarë, nuk e pranojnë Biblën, duke thënë se është tepër e thjeshtë.—1. Korintasve 6:9-11; 2. Korintasve 4:3, 4.
8. Përse refuzimi nuk duhet ta zvogëlojë zellin tonë? (Gjoni 15:18-20)
8 A duhet ta zvogëlojë besimin dhe zellin tonë në shërbimin jetëshpëtues refuzimi nga ana e shumicës? Mund të ngushëllohemi nga fjalët e Pavlit drejtuar romakëve: «Ç’të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë? Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ‘Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh.’»—Romakëve 3:3, 4.
9, 10. Çfarë dëshmish kemi se kundërshtimi është kapërcyer në shumë vende?
9 Mund të inkurajohemi nga shumë shembuj nëpër botë, nga vende që fillimisht dukeshin pa fryt, por që me kalimin e kohës dolën se ishin krejt e kundërta. Jehovai dhe engjëjt e kanë ditur se aty ka pasur njerëz zemërmirë që duheshin gjetur, por Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur të jenë këmbëngulës dhe të durueshëm në shërbimin e tyre. Merr, për shembull, disa vende ku katolicizmi dukej një pengesë e pakapërcyeshme 50 vjet më parë: Argjentinën, Brazilin, Irlandën, Italinë, Kolumbinë, Meksikën, Portugalinë dhe Spanjën. Dëshmitarët ishin të paktë në vitin e largët 1943, vetëm 126.000 në të gjithë botën, nga të cilët 72.000 në Shtetet e Bashkuara. Mospërfillja dhe paragjykimet që hasnin Dëshmitarët i ngjanin një muri tullash që kurrë nuk mund të shembej. Megjithatë, sot, pjesa më e madhe e rezultateve të suksesshme të predikimit janë arritur në këto vende. E njëjta gjë është vërtetuar në shumë nga ish-vendet komuniste. Në vitin 1993, pagëzimi i 7.402 vetave në kongresin e Kievit, Ukrainë, ishte një dëshmi e kësaj.
10 Çfarë metodash kanë përdorur Dëshmitarët për t’ua transmetuar lajmin e mirë fqinjëve të tyre? A kanë përdorur nxitjet materiale për të kthyer njerëzit, siç kanë pohuar disa? A kanë vizituar ata vetëm të varfrit dhe të paedukuarit, siç thonë të tjerët?
Metoda të suksesshme për transmetimin e lajmit të mirë
11. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jezui në shërbimin e tij? (Shiko Gjonin 4:6-26.)
11 Jezui dhe dishepujt e tij vendosën modelin që po ndjekin sot Dëshmitarët në veprën e tyre të bërjes së dishepujve. Jezui shkonte kudo që kishte njerëz, të pasur apo të varfër: nëpër shtëpi, nëpër vende publike, buzë liqeneve, rrëzë maleve, madje edhe nëpër sinagoga.—Mateu 5:1, 2; 8:14; Marku 1:16; Luka 4:15.
12, 13. (a) Në ç’mënyrë Pavli siguroi një model për të krishterët? (b) Si e kanë ndjekur Dëshmitarët e Jehovait shembullin e Pavlit?
12 Në lidhje me shërbimin e vet, apostulli Pavël me të drejtë tha: «Ju e dini [që nga] dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë, duke i shërbyer Zotit . . . dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi.»—Veprat 20:18-20.
13 Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në të gjithë botën për ndjekjen që i bëjnë modelit apostolik të shërbimit, nga shtëpia në shtëpi. Në vend se të përqendrohen mbi një shërbim të kushtueshëm, të përciptë dhe jo të drejtpërdrejtë nga televizori, Dëshmitarët shkojnë te njerëzit, të pasur e të varfër dhe i takojnë ata ballë për ballë. Ata përpiqen të bisedojnë mbi Perëndinë dhe mbi Fjalën e tij.b Ata nuk përpiqen të bëjnë prozelitë që kthehen në të krishterë vetëm për interes dhe nuk japin ndihma materiale për qëllime të tilla. Me ata që duan të arsyetojnë, Dëshmitarët nxjerrin në pah se e vetmja zgjidhje e vërtetë për problemet e njerëzimit është sundimi i Mbretërisë së Perëndisë, e cila do t’i ndryshojë për mirë kushtet mbi tokë.—Isaia 65:17, 21-25; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.
14. (a) Si kanë vendosur shumë misionarë dhe pionierë një themel të fortë? (b) Çfarë mësojmë nga përvoja e Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni?
14 Për të kryer veprën në sa më shumë vende që të jetë e mundur, misionarë dhe pionierë kanë vendosur një urëkalimi në shumë kombe. Ata kanë hedhur themelin dhe pastaj Dëshmitarët lokalë kanë marrë drejtimin. Në këtë mënyrë, nuk kërkohet një numër i madh Dëshmitarësh të huaj për të vazhduar veprën e predikimit dhe për organizimin e mirë të saj. Një shembull i jashtëzakonshëm është Japonia. Në fund të viteve ’40, atje u dërguan misionarë nga Australazia dhe Britania, të cilët mësuan gjuhën, u përshtatën me kushtet primitive e të vështira të periudhës së pasluftës dhe iu futën predikimit nga shtëpia në shtëpi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dëshmitarët kishin qenë të ndaluar dhe të persekutuar në Japoni. Kështu që misionarët gjetën vetëm një grusht Dëshmitarësh aktivë japonezë. Por sot, ata janë shtuar në mbi 187.000, në më shumë se 3.000 kongregacione! Cili ishte sekreti i suksesit të tyre në fillim? Një misionar, me 25 vjet shërbimi mbi shpatulla në atë vend, tha: «Ishte shumë e rëndësishme të mësonim të bisedonim me njerëzit. Duke njohur gjuhën e tyre, ishim në gjendje të identifikoheshim me ta, të kuptonim dhe të vlerësonim mënyrën e tyre të jetesës. Na duhej të tregonim se i donim japonezët. Përulësisht, ne u përpoqëm të bëheshim pjesë e bashkësisë lokale, natyrisht, pa bërë kompromise me vlerat tona të krishtere.»
Edhe sjellja e krishterë është një dëshmi
15. Si e kanë shfaqur Dëshmitarët sjelljen e krishterë?
15 Megjithatë, njerëzit nuk i përgjigjen vetëm mesazhit të Biblës. Ata e kanë parë krishterimin e vërtetë edhe në veprime. Kanë vërejtur dashurinë, harmoninë dhe unitetin e Dëshmitarëve, madje edhe nën situatat më të vështira, të tilla si luftërat civile, grindjet midis fiseve dhe armiqësitë etnike. Dëshmitarët kanë mbajtur një qëndrim të qartë të asnjanësisë së krishterë në të gjitha konfliktet dhe kanë përmbushur fjalët e Jezuit: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
16. Cila përvojë ilustron dashurinë praktike të krishterë?
16 Dashuria për të afërmin është ilustruar me rastin e një burri të moshuar që i shkroi një gazete lokale, në lidhje me një çift që ishte sjellë me të me shumë dashamirësi. Ai shpjegoi se fqinjët e tij kishin qenë shumë të sjellshëm me të pasi i kishte vdekur gruaja. «Qëkurse vdiq ajo . . . ata nuk kanë pasur të paguar,—shkroi ai.—Prej atëherë ata më ‘adoptuan’ . . . , duke bërë të gjitha punët e shtëpisë dhe duke dhënë ndihmën e tyre për të zgjidhur problemet e një pensionisti 74-vjeçar. Por ajo që e bën gjithë këtë edhe më të pazakontë, është fakti se ata janë zezakë, unë jam i bardhë. Ata janë Dëshmitarë të Jehovait, unë jam një katolik pasiv.»
17. Cilën rrugë duhet të shmangim?
17 Kjo përvojë tregon se mund të japim dëshmi në shumë mënyra, duke përfshirë edhe sjelljen tonë të përditshme. Në fakt, nëse sjellja jonë nuk do të ishte si e Krishtit, atëherë shërbimi ynë do të kishte qenë si ai i farisenjve, pa dobi. Ne nuk duam të jemi si ata që përshkroi Jezui: «Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.»—Mateu 22:37-39; 23:3.
Klasa e skllavit siguron mjetet e duhura
18. Si na mundëson literatura biblike për të ndihmuar njerëzit me zemër të sinqertë?
18 Një tjetër faktor jetësor për predikimin e lajmit të mirë në të gjitha kombet ka qenë edhe disponimi i literaturës biblike, të prodhuar nga Shoqata Watch Tower and Tract. Ne kemi libra, broshura, fletushka dhe revista që mund të kanaqin pothuajse çdo lexues të sinqertë. Nëse takojmë një mysliman, një hinduist, një budist, një taoist apo një hebre, mund të përdorim librin Mankind’s Search for God apo një sërë fletushkash dhe broshurash, për të filluar një bisedë apo mundësisht edhe një studim biblik. Nëse një evolucionist na pyet mbi krijimin, mund të përdorim librin Life—How Did It Get Here? By Evolution or by Creation? Nëse një i ri na pyet: «Cili është qëllimi i jetës?», ne mund t’i drejtohemi me librin Questions Young People Ask—Answers That Work. Nëse dikush ndihet mjaft i rënduar nga problemet personale: depresioni, lodhja, përdhunimi, divorci, ne kemi revista që kanë trajtuar në një mënyrë praktike këto subjekte. Vërtet, klasa e skllavit besnik, që siç profetizoi Jezui do të siguronte «ushqimin në kohën e duhur», po e plotëson rolin e saj.—Mateu 24:45-47.
19, 20. Si është përshpejtuar vepra e Mbretërisë në Shqipëri?
19 Por, për të arritur kombet ka qenë e nevojshme që kjo literaturë të prodhohej në shumë gjuhë. Si është bërë i mundur përkthimi i Biblës dhe i literaturës biblike në më tepër se 200 gjuhë? Shqyrtimi i shkurtër i një shembulli, Shqipërisë, ilustron se si ka mundur klasa e skllavit besnik e të matur të çojë përpara lajmin e mirë pavarësisht nga vështirësitë e mëdha dhe pa nevojën e një Rrëshaje moderne që do të lejonte të folurit e njëkohshëm të gjuhëve të ndryshme.—Veprat 2:1-11.
20 Vetëm pak vite më parë, Shqipëria konsiderohej si vendi i vetëm komunist me të vërtetë ateist. Revista National Geographic pohonte në 1980-ën: «Shqipëria e ndalon [fenë], duke e shpallur veten në 1967-ën ‘vendi i parë ateist në botë’. . . . Brezat e rinj në Shqipëri njohin vetëm ateizmin.» Tani që komunizmi ra, shqiptarët po e kuptojnë nevojën e tyre frymore dhe po i përgjigjen predikimit që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait. Një ekip i vogël përkthimi, i përbërë nga Dëshmitarë të rinj që dinin italisht dhe anglisht, u formua në Tiranë në 1992-shin. Vëllezër me përvojë, të ardhur nga vende të tjera, u mësuan atyre përdorimin e kompjuterëve për të futur në ta tekstin shqip. Ata filluan, duke përkthyer fletushka dhe revistën Kulla e Rojës. Ndërsa fitojnë eksperiencë, ata po punojnë në përkthimin e botimeve të tjera të vlefshme biblike. Aktualisht, në këtë vend të vogël (me popullsi 3.262.000 banorë) ka mbi 350 Dëshmitarë aktivë dhe në Përkujtimin e 1994-ës morën pjesë 1.984 veta.
Të gjithë ne kemi një përgjegjësi
21. Në çfarë lloj periudhe po jetojmë?
21 Ngjarjet botërore po arrijnë kulmin. Me rritjen e krimeve dhe të dhunës, të masakrave dhe të përdhunimeve në luftërat lokale, të moralit të shthurur dhe fryteve të tij, sëmundjet e transmetuara seksuale, të mosrespektit për autoritetin legjitim, duket se bota po kthehet në anarki, e pamundur për t’u qeverisur. Gjendemi në një periudhë paralele me kohët para Përmbytjes, të përshkruara në Zanafillë: «Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.»—Zanafilla 6:5, 6; Mateu 24:37-39.
22. Cilën përgjegjësi të krishterë kanë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait?
22 Ashtu si në kohën e Noes, Jehovai do të veprojë. Por në drejtësinë dhe dashurinë e tij, ai do që së pari lajmi i mirë dhe mesazhi paralajmërues t’u predikohet të gjitha kombeve. (Marku 13:10) Nën këtë aspekt Dëshmitarët e Jehovait kanë një përgjegjësi: të gjejnë ata që meritojnë paqen e Perëndisë dhe t’u mësojnë atyre rrugët e tij të paqes. Së shpejti, në kohën e caktuar nga Perëndia, urdhri i predikimit do të përmbushet me sukses. «Dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 10:12, 13; 24:14; 28:19, 20.
[Shënimet]
a Për informata të mëtejshme mbi paganët shiko zërin «Kombet» në Insight on the Scriptures, vëll. 2, fq. 472-474, të botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Për sugjerime praktike mbi shërbimin e krishterë shiko Kullën e Rojës, 15 gusht 1984 (angl.), faqe 15 «Si të bëhemi shërbëtorë të efektshëm» dhe faqe 21 «Shërbimi i efektshëm jep më shumë dishepuj».
A të kujtohet?
◻ Çfarë suksesi kanë pasur Dëshmitarët e sotëm në shërbimin e tyre?
◻ Përse shumë veta e refuzojnë mesazhin e krishterë?
◻ Cilën metodë apostolike të predikimit përdorin Dëshmitarët?
◻ Çfarë mjetesh kemi për një shërbim të efektshëm?
◻ Çfarë duhet të bëjmë të gjithë ne në përputhje me Markun 3:10?
[Kutia në faqen 19]
VENDI DËSHMITARË AKTIVË NË 1943 NË 1993
Argjentinë 374 102.043
Brazil 430 366.297
Filipine Lufta II Botërore: asnjë regjistrim 116.576
Francë Lufta II Botërore: asnjë regjistrim 122.254
Irlandë 150? 4.224
Itali Lufta II Botërore: asnjë regjistrim 201.440
Kili 72 44.668
Kolumbi ?? 60.854
Meksikë 1565 380.201
Peru Asnjë regjistrim aktiviteti 45.363
Poloni Lufta II Botërore: asnjë regjistrim 113.551
Portugali Asnjë regjistrim aktiviteti 41.842
Spanjë Asnjë regjistrim aktiviteti 97.595
Uruguaj 22 9.144
Venezuelë Asnjë regjistrim aktiviteti 64.081
[Figura në faqen 17]
Dëshmitarët e Jehovait po shtohen në shumë vende katolike, të tilla si Spanja
[Figurat në faqen 18]
Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë nëpër kombet përreth globit