Rimishërimi
Përkufizimi: Besimi sipas të cilit një individ rilind një ose disa herë si njeri ose si kafshë. Zakonisht besohet se «shpirti» që nuk është i prekshëm, rilind në një trup tjetër. Ky mësim nuk është biblik.
A është provë e rimishërimit, kur na duket sikur njohim njerëz a vende që i shohim për herë të parë?
A nuk ju ka ndodhur të ngatërroni me njëri-tjetrin dy njerëz që jetojnë në të njëjtën kohë? Kjo u ka ndodhur shumë vetave. Përse? Sepse disa njerëz kanë sjellje të ngjashme ose mund të duken gati njësoj. Ndaj, kur ju duket se e njihni dikë, ndonëse nuk e keni takuar kurrë më parë, nuk provon se e keni njohur këtë njeri në një jetë të mëparshme, apo s’është kështu?
Si shpjegohet që një shtëpi ose një qytet të duket i njohur, ndonëse s’ke qenë kurrë atje? Mos ndoshta ngaqë ke jetuar atje në një jetë të mëparshme? Shumë modele shtëpish janë të ngjashme. Edhe pajisjet që përdoren në qytete mjaft të largëta nga njëra-tjetra, mund të jenë bërë sipas të njëjtit model. Veç kësaj, a s’është e vërtetë që peizazhet e disa vendeve, edhe pse larg njëri-tjetrit, janë shumë të ngjashme? Prandaj, kjo ndjesi sikur disa gjëra i njihni tashmë, mund të shpjegohet lehtë, pa iu drejtuar rimishërimit.
A e provojnë rimishërimin kujtimet e nxjerra me hipnotizëm për një tjetër jetë në një tjetër vend?
Nën ndikimin e hipnozës mund të nxirret shumë informacion i arkivuar në tru. Hipnotizuesit prekin kujtimet e nënvetëdijshme. Por, si janë grumbulluar këto kujtime atje? Ndoshta duke lexuar një libër, duke parë një film ose duke mësuar për disa njerëz përmes televizorit. Nëse e përfytyroni veten në vendin e atyre rreth të cilëve po mësoni, kjo mund t’ju lërë mbresa të thella, gati-gati sikur po e përjetoni vetë. Ose mund të keni bërë diçka shumë kohë më parë, dhe e keni harruar, por, nën ndikimin e hipnozës, ajo gjë mund t’ju vijë ndër mend si të ishte «një jetë tjetër». Megjithatë, edhe sikur të ishte vërtet ashtu, a nuk do të kishin të gjithë kujtime të tilla? Por ja që nuk i kanë të gjithë. Ia vlen të përmendet fakti se një numër gjithnjë e në rritje i Gjykatave të Larta në Shtetet e Bashkuara, nuk i pranojnë më dëshmitë e marra nën ndikimin e hipnozës. Në vitin 1980, Gjykata e Lartë e Minesotës shpalli se «sipas ekspertëve më të mirë, asnjë specialist s’mund të përcaktojë nëse kujtimet e nxjerra nëpërmjet hipnotizimit ose ndonjë fragment i atij kujtimi, është i vërtetë, i rremë a përrallë, domethënë, një boshllëk i mbushur nga fantazia. Këto rezultate nuk janë shkencërisht të sakta e të besueshme». (State v. Mack, 292 N.W.2d 764) Një faktor që i bën të pabesueshme, është ndikimi i sugjestionimeve të hipnotizuesit mbi të hipnotizuarin.
A e mbështet Bibla besimin te rimishërimi?
A pasqyron besimin te rimishërimi Mateu 17:12, 13?
Mat. 17:12, 13: «[Jezui tha:] ‘Elija ka ardhur tashmë dhe ata nuk e pranuan, por bënë me të ç’deshën. Po kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut në duart e tyre.’ Atëherë dishepujt e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzorin.»
A do të thotë kjo se Gjon Pagëzori ishte Elija i rimishëruar? Kur priftërinjtë judenj e pyetën Gjonin: «Kush je ti, atëherë? Elija?», ai u përgjigj: «Nuk jam.» (Gjoni 1:21) Atëherë, çfarë donte të thoshte Jezui? Siç kishte paralajmëruar edhe engjëlli i Jehovait, Gjoni shkoi para Mesisë «me frymën dhe fuqinë e Elijas, që t’i kthejë zemrat e fëmijëve si ato të etërve dhe të pabindurit te mençuria e të drejtëve, që të bëjë gati për Jehovain një popull të përgatitur». (Luka 1:17) Kështu pra, Gjon Pagëzori po e përmbushte këtë profeci, duke kryer një vepër si ajo e profetit Elija.—Mal. 4:5, 6.
A e mbështet rimishërimin tregimi i Gjonit 9:1, 2?
Gjoni 9:1, 2: «Kur po shkonte më tutje, ai [Jezui] pa një njeri të verbër që nga lindja, prandaj dishepujt e pyetën: ‘Rabi, kush mëkatoi, ai apo prindërit e tij, që lindi i verbër?’»
A ka mundësi që dishepujt të ishin të ndikuar nga besimi i farisenjve judenj, sipas të cilit «vetëm shpirtrat e njerëzve të mirë zhvendosen në trupa të tjerë»? (Luftërat e judenjve, Jozefi, Libri II, kap. VIII, par. 14) Kjo s’ka mundësi, pasi pyetja e tyre nuk nënkupton se ata mendonin që ai ishte ‘njeri i mirë’. Si dishepuj të Jezuit, ka më shumë të ngjarë që ata i besonin Shkrimet dhe e dinin se shpirti vdes. Megjithatë, përderisa edhe një foshnjë e palindur ka jetë dhe është ngjizur në mëkat, ata mund të kenë pyetur nëse kjo foshnjë mund të kishte mëkatuar që në bark të nënës meqë kishte lindur e verbër. Sidoqoftë, përgjigjja e Jezuit nuk mbështeti as rimishërimin dhe as mendimin se një fëmijë i palindur mëkaton që në bark të nënës. Jezui u përgjigj: «Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij.» (Gjoni 9:3) Jezui e dinte se si pasardhës të Adamit, ne trashëgojmë të meta e papërsosmëri njerëzore. Jezui e shëroi të verbrin, duke e shfrytëzuar këtë rast për të lartësuar Perëndinë.
A e mbështetin rimishërimin mësimet e Biblës për shpirtin dhe vdekjen?
Te Zanafilla 2:7 thuhet: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» Duhet vënë re se shkrimi thotë që shpirti ishte vetë njeriu. Pra, shpirti nuk ishte diçka jomateriale, e ndarë dhe e veçuar nga trupi. «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Ezek. 18:4, 20) Njeriu që vdes, bëhet ‘shpirt i vdekur’. (Num. 6:6) Kur vdes, «fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij». (Psal. 146:4) Pra, kur njeriu vdes, vdes tërë qenia. S’mbetet asgjë e gjallë që të mund të kalojë në një trup tjetër. (Për hollësi të mëtejshme shih temat «Shpirti» dhe «Vdekja».)
Ekl. 3:19: «Ka një fund, si për bijtë e njerëzve, ashtu edhe për kafshët. Ata kanë të njëjtin fund. Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri.» (Edhe me kafshët ndodh njësoj si me njerëzit: asgjë nuk mbijeton pas vdekjes. S’mbetet asgjë që të rilindë në një trup tjetër.)
Ekl. 9:10: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.» (I vdekuri nuk futet në një trup tjetër, por shkon në Sheol, në varrin e përbashkët të njerëzimit.)
Cili është ndryshimi mes rimishërimit dhe shpresës që ofron Bibla?
Rimishërimi: Sipas këtij besimi, kur njeriu vdes, shpirti, «vetvetja», kalon në një ekzistencë më të mirë, nëse personi ka bërë një jetë të mirë e të rregullt. Nëse sjellja e tij ka qenë më shumë e keqe se e mirë, ekziston rreziku që ai të rilindë si kafshë. Besohet se çdo rilindje e sjell personin në po të njëjtin sistem, ku ai do të përballet me vuajtje të tjera dhe në fund me vdekjen. Ciklet e rilindjeve shihen në kuptim të mirëfilltë si të pafund. A është vërtet kjo e ardhmja që keni përpara? Disa mendojnë se mënyra e vetme për t’i shpëtuar gjithë këtij cikli, është të ndrydhësh çdo dëshirë për gjërat që i pëlqejnë trupit. Dhe, ku gjejnë strehë ata? Në atë që disa e përshkruajnë si jetë të pavetëdijshme.
Bibla: Sipas Biblës, shpirti është personi në tërësi. Edhe sikur dikush të ketë bërë të këqija në të kaluarën, nëse pendohet dhe ndërron rrugë, Perëndia Jehova e fal. (Psal. 103:12, 13) Me vdekjen e një njeriu nuk mbijeton asgjë. Vdekja është si një gjumë i thellë e pa ëndrra. Gjithsesi, të vdekurit do të ringjallen, dhe kjo nuk do jetë thjesht rimishërim, por një risjellje në jetë me të njëjtin personalitet. (Vep. 24:15) Pjesa më e madhe e njerëzve do të ringjallen për të jetuar në tokë. Kjo do të ndodhë pasi Perëndia t’i japë fund sistemit të lig në të cilin po jetojmë tani. Sëmundjet, vuajtjet, e madje edhe vdekja e pashmangshme, do t’i përkasin së kaluarës. (Dan. 2:44; Zbul. 21:3, 4) A nuk do të donit të dinit më shumë për këtë shpresë e të shqyrtonit arsyet pse ajo është e realizueshme?
Nëse dikush thotë:
‘Unë besoj te rimishërimi’
Mund të përgjigjesh: ‘Ju shpresoni që në fund të keni një jetë më të mirë, apo jo? . . . A nuk do të donit të jetonit në një botë si ajo që përshkruhet këtu te Zbulesa 21:1-5?’
Ose mund të thuash: ‘Më vjen mirë që më treguat pikëpamjen tuaj. A mund t’ju pyes nëse keni besuar gjithmonë te rimishërimi? . . . Ç’gjë ju ka bërë të lini bindjet që keni pasur më parë?’ (Pastaj mund të përdorësh mendimet e shprehura në temën te faqja 323.)
Një mundësi tjetër: ‘Kam bërë biseda të këndshme edhe me të tjerë që besojnë te rimishërimi. A mund t’ju pyes përse nevojitet rimishërimi, sipas jush?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A i kujtoni të gjitha hollësitë e jetëve të mëparshme që besoni se keni pasur? . . . Por, a s’mendoni se kjo do të ishte e nevojshme për të korrigjuar gabimet e kaluara dhe për t’u përmirësuar?’ (2) Nëse personi thotë se është mirë të harrosh, mund ta pyesësh: ‘A është mirë, sipas jush, që të keni kujtesë të dobët në jetën e përditshme? Atëherë, a do të na ndihmonte të përmirësoheshim, nëse çdo 70 vjet harrojmë gjithçka që kemi mësuar?’ (3) Nëse personi thotë se vetëm njerëzit e mirë lindin sërish si njerëz, mund ta pyesësh: ‘Pse atëherë kushtet në botë vazhdojnë të përkeqësohen? . . . Bibla tregon se si do të përmirësohen vërtet kushtet në ditët tona. (Dan. 2:44)’