Vdekja
Përkufizimi: Mbarimi i të gjitha funksioneve të jetës. Pasi kanë pushuar frymëmarrja, rrahjet e zemrës dhe aktiviteti i trurit, dalëngadalë forca e jetës ndalon të funksionojë në qelizat e trupit. Vdekja është e kundërta e jetës.
A e krijoi Perëndia njeriun që të vdiste?
Përkundrazi, Jehovai e paralajmëroi Adamin se mosbindja do ta çonte në vdekje. (Zan. 2:17) Më vonë, Perëndia e paralajmëroi Izraelin të kishte kujdes nga sjellje që mund t’u sillnin edhe atyre vdekje të parakohshme. (Ezek. 18:31) Me kalimin e kohës, ai dërgoi Birin e tij që të vdiste për njerëzimin, dhe që ata, të cilët do të tregonin besim në këtë masë, të gëzonin jetën e përhershme.—Gjoni 3:16, 36.
Psalmi 90:10 thotë se jetëgjatësia normale e njerëzve është 70 ose 80 vjet. Këto fjalë ishin të vërteta kur Moisiu i shkroi, megjithatë në fillim nuk ishte kështu. (Krahaso Zanafillën 5:3-32.) Hebrenjve 9:27 thotë: «Njerëzve u është rezervuar të vdesin një herë të vetme.» Edhe këto fjalë ishin të vërteta në kohën kur u shkruan. Ama nuk ishte kështu përpara se Perëndia të gjykonte Adamin mëkatar.
Përse plakemi dhe vdesim?
Jehovai e krijoi të përsosur çiftin e parë njerëzor, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë. Atyre iu dha edhe vullneti i lirë. A do t’i bindeshin Krijuesit të tyre të nxitur nga dashuria dhe vlerësimi për gjithçka që ai kishte bërë për ta? Ata ishin plotësisht në gjendje ta bënin këtë. Perëndia i tha Adamit: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» Duke përdorur një gjarpër si zëdhënës, Satanai e nxiti Evën të shkelte urdhrin e Perëndisë. Adami nuk e qortoi të shoqen, por u bashkua me të dhe hëngri frytin e ndaluar. Jehovai e mbajti fjalën, dhe i komunikoi Adamit dënimin me vdekje. Megjithatë, para se ta ekzekutonte çiftin mëkatar, me mëshirë Jehovai lejoi që ata të sillnin në jetë fëmijë.—Zan. 2:17; 3:1-19; 5:3-5; krahaso Ligjin e përtërirë 32:4 dhe Zbulesën 12:9.
Rom. 5:12, 17, 19: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar . . . Nga shkelja e një njeriu të vetëm, vdekja mbretëroi nëpërmjet tij. . . . Nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, shumë u bënë mëkatarë.»
1 Kor. 15:22: «Në Adamin të gjithë po vdesin.»
Shih edhe temën «Fati».
Përse vdesin foshnjat?
Psal. 51:5, DSF: «Ja, mëkatar unë leva, madje në mëkate nëna ime më ngjizi.» (Shih edhe Jobin 14:4; Zanafillën 8:21.)
Rom. 3:23; 6:23: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë . . . Paga që paguan mëkati është vdekja.»
Perëndia nuk ua «merr» fëmijët prindërve, sikurse disa kanë dëgjuar t’u thuhet. Edhe pse toka prodhon ushqim me bollëk, elementët egoistë politikë dhe tregtarë shpesh bëhen pengesë që ushqimi t’u shpërndahet atyre që kanë më shumë nevojë, duke sjellë si pasojë vdekje nga të kequshqyerit. Disa fëmijë vdesin nëpër aksidente, si edhe të rriturit. Por të gjithë ne kemi trashëguar mëkatin; të gjithë jemi të papërsosur. Kemi lindur në një sistem ku të gjithë, të mirë e të këqij, në fund të fundit vdesin. (Ekl. 9:5) Megjithatë, Jehovai ‘ka një dëshirë të madhe’ që t’i bashkojë sërish fëmijët me prindërit me anë të ringjalljes, dhe me dashuri ka marrë masat për një gjë të tillë.—Gjoni 5:28, 29; Job. 14:14, 15, Dio; krahaso Jereminë 31:15, 16; Markun 5:40-42.
Ku janë të vdekurit?
Zan. 3:19: «Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»
Ekl. 9:10: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [«varr», Kris; «dhé të zi», DSF], në vendin ku po shkon.»
Cila është gjendja e të vdekurve?
Ekl. 9:5: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»
Psal. 146:4: «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet [«planet», Dio; «mendimet», Kris] e tij.»
Gjoni 11:11-14: «‘Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.’ . . . Atëherë Jezui ua tha troç: ‘Lazari ka vdekur.’» (Shih edhe Psalmin 13:3.)
A ka ndonjë pjesë të njeriut, që vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit?
Ezek. 18:4: «Ai shpirt [«shpirti», Dio; «njeriu», DSF] që mëkaton, do të vdesë.»
Isa. 53:12: «E zbrazi shpirtin e tij [jetën», Dio; «veten», DSF] deri në vdekje.» (Krahaso Mateun 26:38.)
Shih edhe temat «Shpirti» dhe «Fryma».
A ka ndonjë mundësi që të vdekurit t’i ndihmojnë apo t’i dëmtojnë të gjallët?
Ekl. 9:6: «Dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell.»
Isa. 26:14: «Ata janë të vdekur, nuk do të jetojnë më. Vdekja i ka bërë të pafuqishëm, dhe nuk do të ngrihen.»
Ç’të themi për ata individë që kanë thënë se u kthyen në jetë, pasi ishin deklaruar të vdekur, dhe që tregojnë për një jetë tjetër?
Normalisht, pasi një person nuk merr më frymë dhe rrahjet e zemrës pushojnë, duhen disa minuta para se të nisë ndalimi gradual i forcës së jetës në qelizat e trupit. Nëse trupi i nënshtrohet një të ftohti të ashpër, ky proces mund të vonohet për disa orë. Për këtë arsye, ndonjëherë është e mundur të kthesh në jetë disa individë, me anë të rigjallërimit kardiopulmonar. Ata kanë qenë në një gjendje që quhet «vdekje klinike», porse qelizat e trupit të tyre ishin ende gjallë.
Shumë nga ata që janë kthyer në jetë pas një «vdekjeje klinike», nuk kujtojnë asgjë. Të tjerë raportojnë se kanë përjetuar një ndjenjë pluskimi në boshllëk. Disa thonë që kanë parë gjëra të bukura, kurse të tjerë akoma ishin të tmerruar nga ajo që kishin përjetuar.
A ka ndonjë shpjegim mjekësor për të gjitha këto përjetime?
«Kur forca fizike është në pikën e saj më të ulët, si për shembull në rastet kur jemi nën anestezi, kur kemi ndonjë sëmundjeje a traumë, kontrolli automatik i funksioneve trupore pakësohet. Për këtë arsye, neurohormonet dhe katekolaminat e sistemit nervor çlirohen dhe dalin jashtë në sasi të pakontrolluar. Ndër shenjat e tjera, rezultati është halucinacioni, domethënë ndjesia, e cila kuptohet në mënyrë racionale pas kthimit të vetëdijes, sikur ke vdekur dhe je rikthyer në jetë.»—Redaktori mjekësor i The Arizona Republic, 28 maj 1977, f. C-1; po ashtu edhe revista mjekësore gjermane Fortschritte der Medizin, nr. 41, 1979; dhe Psychology Today, janar 1981.
Por, a nuk mbështetet dëshmia e individëve që janë kthyer në jetë, nga ata persona, njerëzit e dashur të të cilëve kanë vdekur dhe u janë shfaqur, madje edhe u kanë folur?
Le të lexojmë përsëri, ju lutemi, shkrimet e cituara më lart, në lidhje me gjendjen e të vdekurve. Çfarë na thotë Fjala e vërtetë e Perëndisë për gjendjen e të vdekurve?
Kush dëshiron që njerëzit të besojnë të kundërtën? Kush iu kundërvu paralajmërimit që Jehovai u bëri prindërve tanë të parë, sipas të cilit mosbindja do të sillte vdekjen? «Gjarpri [që u përdor nga Satanai; shih Zbulesën 12:9] ia ktheu: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak.’» (Zan. 3:4) Sigurisht që më vonë Adami dhe Eva vdiqën. Kështu pra, nëse arsyetojmë pak, kush e shpiku idenë që një pjesë frymore e njeriut mbijeton pas vdekjes së trupit? Sikurse kemi parë tashmë, kjo nuk erdhi nga Fjala e Perëndisë. Ligji që Perëndia i dha Izraelit të lashtë e dënonte si diçka ‘të ndotur’ dhe «të pështirë» zakonin e këshillimit me të vdekurit. (Lev. 19:31; Ligj. 18:10-12; Isa. 8:19) A do ta dënonte Perëndia i dashurisë këtë zakon, sikur të gjallët të ishin në këtë mënyrë thjesht duke komunikuar me njerëzit e tyre të dashur, që kishin vdekur? Nga ana tjetër, nëse frymërat demonike hiqen sikur janë personat e vdekur dhe i mashtrojnë njerëzit, duke u përcjellë në mendje përshtypje që do të përjetësonin një gënjeshtër, a nuk është diçka e dashur nga ana e Perëndisë t’i mbrojë shërbëtorët e tij nga ky mashtrim?—Efes. 6:11, 12.
Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk i ndjekin zakonet tradicionale të mbajtjes zi për të vdekurit?
Është normale të hidhërohesh për vdekjen e një njeriu të dashur dhe ta shprehësh në një masë të arsyeshme këtë ndjenjë
Kur shoku i tij i ngushtë, Lazari, vdiq, «Jezui nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:35) Disa herë, dhembja që kanë përjetuar shërbëtorët e Perëndisë nga ndonjë vdekje, ka qenë shumë e thellë.—2 Sam. 1:11, 12.
Megjithatë, falë shpresës së ringjalljes, të krishterëve u është thënë: «Ne nuk duam që të jeni në padije lidhur me ata që po flenë në gjumin e vdekjes, që të mos pikëlloheni si të tjerët që nuk kanë asnjë shpresë.»—1 Sel. 4:13.
Shërbëtorët e Jehovait i pranojnë disa zakone që kanë lidhje me vdekjen
Zan. 50:2, 3: «Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij, mjekët, që ta balsamosnin [atin e tij]. . . . Atyre iu deshën plot dyzet ditë, sepse kaq ditë u duheshin zakonisht për balsamosjen.»
Gjoni 19:40: «Ata morën trupin e Jezuit dhe e lidhën me fasha e i hodhën erëza, sipas zakonit të judenjve për përgatitjen për varrim.»
Ata që kërkojnë t’i pëlqejnë Perëndisë, i shmangin zakonet që bien ndesh me Fjalën e Tij
Disa zakone janë sa për të shpallur publikisht hidhërimin e dikujt. Mirëpo Jezui tha: «Kur të agjëroni [për shkak të dhembjes], mos e ngrysni më fytyrën si hipokritët, sepse ata shfytyrohen që njerëzit t’i shohin se po agjërojnë. Vërtet po ju them se ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. Por ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën, që të mos të shohin njerëzit se po agjëron, por Ati yt që është në fshehtësi. Atëherë, Ati yt që po sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.»—Mat. 6:16-18.
Disa zakone pasqyrojnë besimin se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes së trupit, dhe është i vetëdijshëm për atë që bëjnë të gjallët. Kurse Bibla thotë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Ekl. 9:5) Gjithashtu: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.»—Ezek. 18:4.
Shumë zakone burojnë nga besimi se të vdekurit kanë nevojë për ndihmën e të gjallëve apo nga frika se mos ata i dëmtojnë të gjallët, nëse nuk prehen në paqe. Mirëpo Fjala e Perëndisë tregon që të vdekurit nuk përjetojnë as dhembje, as kënaqësi. «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Psal. 146:4; shih edhe 2 Samuelit 12:22, 23.) «Dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell.»—Ekl. 9:6.
Nëse dikush thotë:
‘Është vullneti i Zotit’
Mund të përgjigjesh: ‘Shumë veta besojnë kështu. Mirëpo unë për vete e kam parë të dobishme të kërkoj se çfarë thotë për këtë vetë Perëndia.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘(Lexo Zanafillën 2:17.) Nëse babai e paralajmëron të birin, se po të bëjë diçka kjo do t’i kushtojë jetën, a do të thoshit se babai dëshiron që i biri ta bëjë atë gjë?’ (2) ‘Atëherë pra, cili është vërtet vullneti i Perëndisë për njerëzit? Jezui tha: «Vullneti i atit tim është ky: kushdo që e sheh Birin [domethënë, që e kupton dhe e pranon se Jezui është vërtet Biri i Perëndisë] dhe tregon besim tek ai, të ketë jetë të përhershme, dhe unë do ta ringjall ditën e fundit.» (Gjoni 6:40)’
‘Njerëzit do të vdesin gjithmonë’
Mund të përgjigjesh: ‘Në fakt, kështu ka ndodhur me njerëzit deri në ditën e sotme, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Megjithatë, vëreni këtë premtim të mrekullueshëm që bën Perëndia, këtu te Zbulesa 21:3, 4 (ose Isaia 25:8).’
‘Është e shkruar’
Mund të përgjigjesh: ‘Shumë njerëz mendojnë si ju. A e dini që edhe shumë veta në Greqinë e lashtë kishin të njëjtën pikëpamje? Ata besonin se ekzistonin tri perëndesha, të cilat përcaktonin gjatësinë e jetës së çdo njeriu. Por Bibla na paraqet një pikëpamje krejt tjetër për jetën.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘(Lexo Eklisiastiun 9:11.) Ilustrim: Një copë betoni mund të shkëputet nga një ndërtesë e t’i bjerë në kokë një kalimtari. Mos e bëri Zoti këtë? Nëse po, a do të ishte e drejtë të akuzonim pronarin e ndërtesës për pakujdesi? . . . Sikurse thotë Bibla, ai kalimtar rastisi atje në çastin kur ra copa e betonit, në mënyrë të paplanifikuar e të paparashikuar.’ (2) ‘Bibla na thotë se, duke shmangur sjellje të këqija, mbrojmë jetën tonë. (Prov. 16:17) Nëse jeni prind, jam i sigurt që e zbatoni këtë parim me fëmijët tuaj. I paralajmëroni për gjëra që mund t’u kushtojnë jetën. Jehovai po bën sot të njëjtën gjë me të gjithë njerëzit.’ (3) ‘Jehovai e di ç’mund të sjellë e ardhmja. Nëpërmjet Biblës, ai na thotë se si mund të gëzojmë një jetë më të gjatë se ata njerëz që i shpërfillin fjalët e tij. (Gjoni 17:3; Prov. 12:28)’ (Shih edhe temën «Fati».)