Libri biblik numër 1—Zanafilla
Shkrimtari: Moisiu
Vendi ku u shkrua: shkretëtirë
Shkrimi përfundoi: 1513 p.e.s.
Periudha përkatëse: «Në fillim» deri në 1657 p.e.s.
1. Cilat janë disa nga argumentet kryesore që trajton Zanafilla?
IMAGJINO sikur gjen një libër me vetëm 50 kapituj të shkurtër, dhe në një a dy faqet e tij të para të zbulosh të vetmin tregim të saktë të historisë më të hershme të njerëzimit, si dhe një dokumentim që tregon lidhjen mes njeriut e Perëndisë, Krijuesit të vet, dhe mes njeriut e tokës dhe krijesave të saj të panumërta! Gjithashtu, në ato pak faqe arrin të fitosh një gjykim të thellë për qëllimin se përse Perëndia e vuri njeriut në tokë. Teksa lexon edhe më tej, zbulon përse vdesin njerëzit, arsyen e kushteve të tanishme plot halle, madje arrin të kuptosh edhe bazën e vërtetë për besim dhe shpresë, duke identifikuar mjetin që do të përdorë Perëndia për të sjellë shpëtimin: Farën e premtuar. Ky libër i jashtëzakonshëm që ka brenda tij gjithë këto informacione, është Zanafilla, i pari nga 66 librat e Biblës.
2. Cila është domethënia e emrit Zanafilla, dhe pjesë e parë e kujt është ajo?
2 «Zanafillë» (ose: gjenezë) do të thotë «origjinë; lindje», dhe është marrë nga emri i librit sipas përkthimit Septuaginta në greqisht. Në dorëshkrimet hebraike, si titull shërbejnë fjalët e para, Bereʼshíth, «në fillim» (greqisht: en arhéi). Zanafilla është libri i parë i Pentateukut (fjalë greke që do të thotë «pesë rrotulla» ose «volum pesëfish»). Me sa duket, fillimisht ky ishte një libër i vetëm i quajtur Tora (Ligj) ose «libri i ligjit të Moisiut», por më pas u nda në pesë rrotulla për lehtësi përdorimi.—Jos. 23:6; Ezd. 6:18.
3. (a) Kush është Autori i Zanafillës, dhe kush e shkroi? (b) Si mund ta ketë marrë Moisiu informacionin që përfshiu te Zanafilla?
3 Autori i Biblës është Perëndia Jehova, mirëpo ai frymëzoi Moisiun të shkruante librin e Zanafillës. Nga e mori Moisiu informacionin që dokumentoi në Zanafillë? Disa pjesë mund t’i ketë marrë drejtpërdrejt nga ndonjë zbulim hyjnor, ndërsa disa të tjera, gojarisht nën drejtimin e frymës së shenjtë. Gjithashtu, ka të ngjarë që Moisiu të ketë pasur dokumente të shkruara, të ruajtura nga paraardhësit e tij si tregime të çmuara e të vlefshme të origjinës së njerëzimit.a
4. (a) Kur dhe ku e përfundoi së shkruari librin Moisiu? (b) Si mund ta ketë marrë Moisiu materialin për pjesën e fundit të Zanafillës?
4 Ka mundësi që, nën frymëzim, Moisiu ta ketë përfunduar librin e tij aty nga viti 1513 p.e.s., në shkretëtirën e Sinait. (2 Tim. 3:16; Gjoni 5:39, 46, 47) Ku e gjeti Moisiu informacionin për pjesën e fundit të Zanafillës? Meqë stër-stërgjyshi i tij, Levi, ishte gjysmëvëlla i Jozefit, këto hollësi mund të kenë qenë saktësisht të njohura brenda familjes së tij. Ka të ngjarë madje që i ati i Moisiut, Amrami, të ketë qenë në jetë ndërkohë që Levi rronte ende. Sidoqoftë, fryma e Jehovait do të bënte të mundur që edhe kjo pjesë e Shkrimeve të dokumentohej me saktësi.—Dal. 6:16, 18, 20; Num. 26:59.
5. Cila dëshmi e brendshme biblike provon se Moisiu ishte shkrimtari i Zanafillës?
5 S’ka ndonjë dyshim për shkrimtarin e Zanafillës. Shprehje të tilla si ‘libri i ligjit të Moisiut’ dhe referime të tjera të ngjashme për pesë librat e parë të Biblës, një nga të cilët është Zanafilla, hasen shpesh që nga koha e Josiut, pasuesit të Moisiut, e këtej. Në fakt, te 27 librat e mëvonshëm të Biblës ka rreth 200 referime për Moisiun. Judenjtë s’e kanë vënë kurrë në dyshim se Moisiu ishte shkrimtari. Shkrimet e Krishtere Greke e përmendin shpesh Moisiun si shkrimtarin e «ligjit», kurse vulën ia vë dëshmia e vetë Jezu Krishtit. Moisiu shkroi nën komandën e drejtpërdrejt dhe nën frymëzimin e Jehovait.—Dal. 17:14; 34:27; Jos. 8:31; Dan. 9:13; Luka 24:27, 44.
6. Ç’gjë na bën të mendojmë se shkrimi ka filluar herët në historinë e njeriut?
6 Gjithsesi, disa skeptikë kanë pyetur: ‘Por, si mund të shkruanin Moisiu dhe paraardhësit e tij? A nuk u zhvillua më vonë shkrimi?’ Nga sa duket shkrimi zuri fill herët në historinë njerëzore, ndoshta para përmbytjes së kohës së Noesë, në vitin 2370 p.e.s. A ka ndonjë dëshmi të hershme të aftësisë së njeriut për të shkruar? Edhe pse arkeologët i datojnë më herët se viti 2370 p.e.s. disa pllaka argjile që kanë gjetur, këto data janë thjesht hamendje. Megjithatë, është për t’u vërejtur që Bibla tregon qartësisht se ndërtimi i qyteteve, shpikja e instrumenteve muzikore dhe farkëtimi i veglave të metalta, kanë filluar shumë kohë para Përmbytjes. (Zan. 4:17, 21, 22) Prandaj është e arsyeshme të themi se njeriu s’mund ta ketë pasur shumë të vështirë të zhvillonte një metodë për të shkruar.
7. Cilat dëshmi jobiblike ekzistojnë për përmbytjen globale dhe për tri familjet e racës njerëzore, sikurse flitet edhe në tregimin e Zanafillës?
7 Libri i Zanafillës ka dalë në mënyrë të mahnitshme në përputhje me faktet e provuara edhe në shumë aspekte të tjera. Vetëm libri i Zanafillës na jep një tregim të vërtetë e të faktuar të Përmbytjes dhe të të mbijetuarve, ndonëse tregime për një përmbytje dhe për njerëz që kanë mbijetuar (në shumë raste duke hipur në një anije) gjenden nëpër legjendat e shumë racave të familjes njerëzore. Tregimi i Zanafillës përcakton edhe vendet ku nisën të banonin familjet e ndryshme të racës njerëzore që rrodhën nga tre bijtë e Noesë: Semi, Kami dhe Jafeti.b Doktori Melvin G. Kajëll, nga Seminari Teologjik i Ksenias, në Misuri, SHBA, thotë: «Është një fakt i pakundërshtueshëm që, nga ndonjë pikë qendrore, diku në Mesopotami, familja kamitike shtegtoi në jugperëndim, familja jafetike në veriperëndim dhe familja semitike ‘drejt lindjes’, drejt ‘vendit të Shinarit’.»c
8. Cilat dëshmi të tjera vërtetojnë autenticitetin e Zanafillës?
8 Autenticiteti i Zanafillës si pjesë e tregimit hyjnor duket edhe nga harmonia e saj e brendshme, si dhe nga përputhja e plotë me pjesën tjetër të Shkrimeve të frymëzuara. Çiltërsia me të cilën është shkruar dëshmon se shkrimtari i frikësohej Jehovait dhe e donte të vërtetën, pasi pa ngurrim shkroi për mëkatet e kombit dhe të burrave që kishin pozita përgjegjësie në Izrael. Mbi të gjitha, profecitë e Zanafillës janë përmbushur me aq saktësi, sikurse do të shohim nga fundi i këtij kapitulli, saqë ky libër është një shembull i jashtëzakonshëm i shkrimit të frymëzuar nga Perëndia Jehova.—Zan. 9:20-23; 37:18-35; Gal. 3:8, 16.
PËRMBAJTJA E ZANAFILLËS
9. (a) Ç’tregon kapitulli i parë i Zanafillës për krijimin nga Perëndia? (b) Cilat hollësi të tjera na jep kapitulli i dytë për njeriun?
9 Krijimi i qiejve dhe i tokës, dhe përgatitja e tokës si banesë për njerëzimin (1:1–2:25). Ndërsa kthehet miliarda vite prapa, Zanafilla çelet me një thjeshtësi që të habit: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Në mënyrë domethënëse, kjo fjali e parë e identifikon Perëndinë si Krijuesin, kurse krijimin e tij material si qiejt dhe tokën. Me madhështi e me fjalë të zgjedhura më së miri, kapitulli i parë na jep një tregim të përgjithshëm të veprës krijuese në lidhje me tokën. Kjo vepër është kryer në gjashtë periudha kohore të quajtura ditë. Secila zë fill me një mbrëmje, kur vepra krijuese për atë periudhë është e papërcaktuar, dhe mbaron me zbardhjen e mëngjesit, kur lavdia e veprës krijuese bëhet qartësisht e dukshme. Ndërsa «ditët» ia lënë vendin njëra-tjetrës, shfaqet drita; shtrirja e atmosferës; vendi i thatë dhe bimësia; ndriçuesit që ndajnë ditën nga nata; peshqit dhe shpendët; kafshët e tokës, dhe së fundi, njeriu. Perëndia bën të njohur ligjin e tij për llojet, barrierën e pakapërcyeshme që e bën të pamundur evoluimin e një lloji në një tjetër. Perëndia bëri edhe njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, dhe pastaj shpalli qëllimin e trefishtë që do të përmbushte njeriu në tokë: ta mbushte atë me pasardhës të drejtë, ta nënshtronte dhe të mbante të nënshtruara kafshët. «Dita» e shtatë u bekua dhe u shpall e shenjtëruar nga Jehovai, i cili tani «filloi të pushonte nga gjithë puna e tij». Pastaj, tregimi na jep një pamje të hollësishme të veprës krijuese të Perëndisë në lidhje me njeriun. Përshkruan kopshtin e Edenit dhe vendndodhjen e tij, shpall ligjin e Perëndisë për pemën e ndaluar, flet për Adamin që u vë emra kafshëve, dhe për masat që mori Jehovai për martesën e parë, duke formuar një grua nga vetë trupi i Adamit, që pastaj e çoi pranë tij.
10. Si e shpjegon Zanafilla origjinën e mëkatit e të vdekjes, dhe cili qëllim i rëndësishëm bëhet i njohur?
10 Mëkati dhe vdekja hyjnë në botë; «fara» profetizohet si çlirimtar (3:1–5:5). Gruaja ha nga fryti i ndaluar, i mbush mendjen edhe të shoqit të bashkohet me të në rebelim, dhe kështu Edeni ndotet nga mosbindja. Perëndia tregon menjëherë mjetin përmes të cilit do të plotësojë qëllimin e tij: «Perëndia Jehova i tha gjarprit [Satanait, nxitësit të padukshëm të rebelimit]: ‘ . . . Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.’» (3:14, 15) Ndërkaq, njeriu dëbohet nga kopshti, që të jetojë me dhembje, mund e djersë mes gjembave e gjembaçëve. Së fundi, do të vdesë e do të kthehet në dhé, nga i cili është marrë. Vetëm pasardhësit e tij mund të shpresojnë te Fara e premtuar.
11. Si vazhdon edhe jashtë Edenit dëmi që shkaktoi mëkati?
11 Dëmi që shkaktoi mëkati, vazhdon edhe jashtë Edenit. Kaini, fëmija i parë i lindur, vret të vëllanë, Abelin, një shërbëtor besnik të Jehovait. Jehovai e përzë Kainin në vendin e Arratisë, ku i lindin bij e bija, të cilët më vonë shfarosen gjatë Përmbytjes. Ndërkaq, Adami është bërë me një tjetër djalë, Setin, të cilit i lind Enosi; në këtë kohë njerëzit nisin të thërrasin emrin e Jehovait me hipokrizi. Adami vdes në moshën 930-vjeçare.
12. Si rrënohet toka në ditët e Noesë?
12 Njerëz dhe engjëj të ligj rrënojnë tokën; Perëndia sjell Përmbytjen (5:6–11:9). Këtu na jepet gjenealogjia përmes Setit. Ndër pasardhësit e Setit të bie në sy Enoku, që e shenjtëron emrin e Jehovait ‘duke ecur me Perëndinë e vërtetë’. (5:22) Një njeri tjetër me besim të jashtëzakonshëm është stërnipi i Enokut, Noeja, i cili lindi 1056 vjet pas krijimit të Adamit. Gjatë kësaj kohe ndodh diçka që e shton dhunën në tokë. Engjëj të Perëndisë braktisin vendbanimin e tyre qiellor për t’u martuar me vajzat e bukura të njerëzve. Nga kjo bashkëjetesë e paautorizuar del një racë hibride gjigantësh, të njohur si nefilimë (që do të thotë «rrëzues»), të cilët nuk i bëjnë një emër Perëndisë, por vetes së tyre. Atëherë, Jehovai e lajmëron Noenë se do t’i shfarosë njerëzit dhe kafshët, për shkak të ligësisë së vazhdueshme të njeriut. Vetëm Noeja fiton pëlqimin e Jehovait.
13. Si e shenjtëron Jehovai emrin e tij?
13 Noesë i lindin Semi, Kami dhe Jafeti. Ndërsa në tokë vazhdon të ketë dhunë e rrënim, Jehovai i zbulon Noesë se po përgatitet të shenjtërojë emrin e Tij me anë të një përmbytjeje të madhe. Ai e urdhëron Noenë të ndërtojë një arkë për të mbijetuar, duke i dhënë edhe plane të hollësishme për ndërtimin. Noeja bindet menjëherë, mbledh familjen e tij prej tetë vetash, bashkë me kafshët e zogjtë, dhe, në vitin e 600-të të jetës së tij (2370 p.e.s.), fillon Përmbytja. Rrebeshi vazhdon për 40 ditë, derisa edhe malet e larta mbulohen me 15 kute (rr. 6,5 m) ujë. Pas një viti, kur më në fund Noeja mund ta nxjerrë familjen nga arka, veprimi i parë që bën, është paraqitja e një flijimi të madh për të falënderuar Jehovain.
14. Çfarë urdhëron Jehovai dhe cila besëlidhje bëhet? Cilat ngjarje të tjera mbushin jetën e Noesë?
14 Jehovai e bekon Noenë dhe familjen e tij, dhe u jep urdhër të mbushin tokën me pasardhës. Dekreti i Perëndisë u lejon të hanë mish, por i urdhëron të rrinë larg nga gjaku që është shpirti ose jeta e mishit, dhe kërkon ekzekutimin e vrasësit. Besëlidhja e Perëndisë se nuk do të sjellë kurrë më një përmbytje në tokë, vërtetohet me shfaqjen e ylberit në qiell. Më vonë, Kami nuk tregon respekt për Noenë, profetin e Jehovait. Kur e merr vesh këtë, Noeja mallkon Kanaanin, djalin e Kamit, por shton edhe një bekim që tregon se Semi do të jetë veçanërisht i privilegjuar, dhe që edhe Jafeti do të bekohet. Noeja vdes në moshën 950-vjeçare.
15. Si përpiqen njerëzit të bëjnë një emër të famshëm për vete, dhe si i pengon Jehovai që ta arrijnë këtë qëllim?
15 Tre djemtë e Noesë e përmbushin urdhrin e Perëndisë që të shumohen, duke formuar 70 familje, paraardhësit e racës së sotme të njerëzimit. Këtu nuk është llogaritur Nimrodi, nipi i Kamit, me sa duket ngaqë u bë «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait». (10:9) Ai themelon një mbretëri dhe nis të ndërtojë qytete. Në këtë kohë, në të gjithë tokën ka një gjuhë të vetme. Në vend që të përhapen kudo, që të popullojnë e të punojnë tokën, njerëzit vendosin të ndërtojnë një qytet dhe një kullë, maja e së cilës të shkojë deri në qiell, e t’i bëjnë kështu një emër të famshëm vetes. Por Jehovai ua pengon realizimin e këtij qëllimi, duke u ngatërruar gjuhën, dhe kështu i shpërndan. Ai qytet quhet Babel (që do të thotë «Ngatërrim»).
16. (a) Përse është e rëndësishme gjenealogjia e Semit? (b) Pse Abrami u quajt «miku i Perëndisë», dhe cilat bekime mori ai?
16 Marrëdhënia e Jehovait me Abrahamin (11:10–25:26). Këtu ravijëzohet linja e rëndësishme e prejardhjes nga Semi deri te djali i Terahut, Abrami, si dhe na jepen lidhjet kronologjike. Abrami nuk përpiqet të bëjë një emër për veten, por tregon besim te Perëndia. Me urdhër të Perëndisë, ai lë qytetin kaldeas të Urit, dhe në moshën 75-vjeçare kalon lumin Eufrat, rrugës për në Kanaan, duke thirrur emrin e Jehovait. Falë besimit e bindjes që tregoi, ai u quajt «miku [i dashur] i Perëndisë», dhe Perëndia bën një besëlidhje me të. (Jak. 2:23; 2 Kron. 20:7; Isa. 41:8) Perëndia e mbron Abramin dhe gruan e tij gjatë një qëndrimi të shkurtër në Egjipt. Në Kanaan, Abrami tregon sa bujar dhe paqësor është, kur e lejon nipin dhe bashkadhuruesin e tij, Lotin, të zgjedhë pjesën më të mirë të vendit. Më vonë, ai e çliron Lotin nga katër mbretër që e kishin kapur rob. Tek kthehet nga beteja, Abrami takon Melkisedekun, mbretin e Salemit, i cili, si prift i Perëndisë, e bekon Abramin, dhe ky i paguan atij të dhjetat.
17. Si e zgjeron Perëndia besëlidhjen e tij, dhe çfarë zbulohet për farën e Abramit?
17 Më pas Perëndia i shfaqet Abramit për t’i shpallur se Ai është mburoja e tij, dhe për të zgjeruar premtimin e besëlidhjes, duke zbuluar se fara e Abramit do të shtohet sa yjet e qiellit. Abramit i thuhet se fara e tij do të mundohet për 400 vjet, por Perëndia do ta çlirojë, duke gjykuar kombin që e ka munduar. Kur Abrami është 85 vjeç, gruaja e tij, Saraja, që s’ka ende fëmijë, i jep skllaven e vet egjiptiane, Agarën, që të ketë një fëmijë prej saj. Kështu lind Ismaeli, dhe mendohet se ky do të jetë trashëgimtari. Por Jehovai ka diçka tjetër në mendje. Kur Abrami është 99 vjeç, Jehovai ia ndryshon emrin në Abraham, kurse Sarajës në Sara, dhe premton se ajo do të lindë një djalë. Me Abrahamin bëhet besëlidhja e rrethprerjes, dhe ai menjëherë i rrethpret të gjithë ata të shtëpisë së vet.
18. Cilat ngjarje të rëndësishme përbëjnë një kulm në jetën e Lotit?
18 Tani, Perëndia e lajmëron mikun e tij, Abrahamin, se ka vendosur të shkatërrojë Sodomën dhe Gomorrën për shkak të mëkateve të tyre të rënda. Engjëjt e Jehovait e paralajmërojnë Lotin dhe e ndihmojnë të ikë nga Sodoma bashkë me gruan dhe dy vajzat. Megjithatë, gruaja e tij ngurron të ikë dhe sheh gjërat që ka lënë pas, prandaj kthehet në një shtyllë kripe. Loti nuk kishte pasardhës, prandaj vajzat e tij e dehin me verë, kryejnë marrëdhënie seksuale me të, dhe lindin kështu dy djem, të cilët bëhen etërit e kombeve të Moabit e të Amonit.
19. Cilën provë në lidhje me Farën përballon me sukses Abrahami, dhe çfarë zbulon më tej Jehovai kur konfirmon premtimin e Tij?
19 Perëndia e mbron Sarën që të mos ndotet nga Abimeleku i filistinëve. Trashëgimtari i premtuar, Isaku, lind kur Abrahami është 100 vjeç dhe Sara rreth 90. Nja pesë vjet më pas, Ismaeli 19-vjeçar tallet me Isakun, trashëgimtarin, dhe për këtë arsye Abrahami largon Agarën dhe Ismaelin, me miratimin e Perëndisë. Disa vjet më vonë, Perëndia e vë në provë Abrahamin, duke e urdhëruar që të flijojë të birin, Isakun, në një nga malet e Moriahut. Besimi i madh që ka Abrahami te Jehovai, nuk lëkundet. Ai orvatet ta flijojë djalin dhe trashëgimtarin e tij, por Jehovai e ndalon, duke i siguruar një dash si flijim. Edhe një herë Jehovai i konfirmon premtimin që ka bërë, dhe i thotë se Ai do ta shumojë farën e Abrahamit si yjet e qiellit dhe si kokrrizat e rërës në breg të detit. I tregon se kjo farë do të shtjerë në dorë portat e armiqve të vet, dhe se të gjitha kombet e tokës do të arrijnë të marrin bekime përmes Farës.
20. Ç’kujdes tregon Abrahami për të gjetur një grua për Isakun, dhe në ç’mënyrë Isaku bëhet trashëgimtari i vetëm?
20 Sara vdes në moshën 127-vjeçare, dhe Abrahami e varros në një arë që e blen nga bijtë e Hethit. Tani, Abrahami dërgon kreun e shërbëtorëve të shtëpisë që të gjejë një grua për Isakun nga vendi i të afërmve të tij. Jehovai e drejton shërbëtorin në familjen e Betuelit, birit të Nahorit, dhe bien në ujdi që Rebeka të shkojë bashkë me të. Rebeka shkon me dëshirë, me bekimin e familjes së saj, dhe bëhet nusja e Isakut. Abrahami merr një grua tjetër, Keturën, e cila i lind gjashtë djem. Gjithsesi, Abrahami u jep këtyre dhurata dhe i largon që atje, duke e bërë kështu Isakun trashëgimtarin e tij të vetëm. Së fundi, Abrahami vdes në moshën 175-vjeçare.
21. Si bëhen me binjakë Isaku dhe Rebeka?
21 Sikurse kishte parathënë Jehovai, gjysmëvëllai i Isakut, Ismaeli, bëhet kreu i një kombi të madh, i themeluar mbi 12 bijtë e tij prijësa. Për 20 vjet Rebeka mbetet shterpë, por Isaku vazhdon t’i përgjërohet Jehovait gjersa ajo lind dy binjakë, Esaun dhe Jakobin, për të cilët Jehovai ka thënë se më i madhi do t’i shërbejë më të voglit. Tani, Isaku është 60 vjeç.
22. Si e konsiderojnë besëlidhjen me Abrahamin, Esau dhe Jakobi, e me ç’rezultat?
22 Jakobi dhe 12 djemtë e tij (25:27–37:1). Esaut i pëlqen të gjuajë. Ai nuk ka vlerësim për besëlidhjen me Abrahamin, dhe një ditë, kur kthehet nga gjuetia, ia shet të drejtën e të parëlindurit Jakobit për një lugë gjellë. Gjithashtu, ai martohet me dy gra hitite (dhe më vonë me një ismaelite), dhe kjo i hidhëron prindërit e tij. Me ndihmën e së ëmës, Jakobi maskohet si Esau që të marrë bekimet e të parëlindurit. Esau, që nuk i ka treguar Isakut se e ka shitur të drejtën si i parëlindur, thur plane për të vrarë Jakobin kur merr vesh ç’kishte bërë ai. Prandaj, Rebeka e këshillon Jakobin që të ikë në Haran, te vëllai i saj, Labani. Përpara se Jakobi të niset, Isaku e bekon përsëri dhe e udhëzon që të mos marrë për grua një pagane, por një vajzë nga shtëpia e nënës së tij. Në Bethel, rrugës për në Haran, Jakobi sheh në ëndërr Jehovain, që i jep siguri dhe i konfirmon premtimin e besëlidhjes.
23. (a) Si bëhet me 12 djem Jakobi? (b) Si e humbet Rubeni të drejtën e të parëlindurit?
23 Në Haran, Jakobi punon për Labanin, dhe martohet me dy vajzat e tij, Lean e Rakelën. Edhe pse përfshihet në këtë martesë poligame nga një hile e Labanit, Perëndia e bekon duke i dhënë Jakobit 12 djem e një vajzë nga gratë dhe nga dy shërbëtoret e tyre, Zilpa e Bilhaja. Perëndia bën që kopetë e Jakobit të shtohen së tepërmi, dhe më vonë e udhëzon të kthehet në vendin e të parëve të tij. Labani e ndjek Jakobin nga prapa, megjithatë, të dy lidhin një besëlidhje në vendin e quajtur Galed dhe Kulla e Rojës (hebraisht: hamMicpáh). Jakobi vihet përsëri në udhë dhe engjëjt i japin siguri. Një natë lufton me një engjëll, i cili së fundi e bekon dhe ia ndryshon emrin nga Jakob në Izrael. Jakobi arrin të ketë një takim paqësor me Esaun, dhe udhëton për në Sikem. Këtu, vajzën e tij, Dinën, e përdhunon djali i një prijësi hivit. Vëllezërit e saj, Simeoni dhe Levi, hakmerren duke vrarë burrat e Sikemit. Kjo nuk i pëlqen Jakobit, pasi është përfaqësues i Jehovait dhe kjo i sjell një emër të keq në vend. Perëndia i thotë të shkojë në Bethel e të ndërtojë atje një altar. Rrugës, duke dalë nga Betheli, Rakela vdes, teksa sillte në jetë djalin e dymbëdhjetë të Jakobit, Beniaminin. Rubeni përdhunon shërbyesen e Rakelës, Bilhanë, nënën e dy prej bijve të Jakobit, prandaj humbet të drejtën e të parëlindurit. Pak pas kësaj Isaku vdes, në moshën 180-vjeçare, dhe Esau e Jakobi e varrosin.
24. Përse Esau dhe ata të shtëpisë së tij zhvendosen në rajonin malor të Seirit?
24 Esau dhe gjithë ata të shtëpisë së tij zhvendosen në rajonin malor të Seirit, sepse pasuria e përbashkët e Esaut dhe e Jakobit është kaq e madhe, sa nuk mund të jetojnë më së bashku. Na jepet një listë e pasardhësve të Esaut, si dhe e sheikëve dhe mbretërve të Edomit. Jakobi vazhdon të banojë në Kanaan.
25. Cilat ngjarje çojnë deri në skllavërimin e Jozefit në Egjipt?
25 Në Egjipt, që të mbeten gjallë (37:2–50:26). Për shkak se ka pëlqimin e Jehovait dhe Ai i jep disa ëndrra Jozefit, vëllezërit më të mëdhenj nisin ta urrejnë atë. Ata thurin plane që ta vrasin, por pastaj vendosin t’ia shesin disa tregtarëve udhëtues ismaelitë. Veshjen vija-vija të Jozefit e ngjyejnë në gjakun e një cjapi, dhe ia çojnë Jakobit gjoja si provë që djaloshin 17-vjeçar e ka vrarë ndonjë kafshë e egër. Jozefin e çojnë në Egjipt dhe ia shesin Potifarit, kreut të rojave të faraonit.
26. Përse është i rëndësishëm tregimi i lindjes së Perezit?
26 Kapitulli 38 del për një çast nga tema, për të na dhënë tregimin e lindjes së Perezit nga Tamara, e cila me anë të një strategjie bën që vjehrri i saj, Juda, të përmbushë me të detyrën martesore që duhej ta bënte djali i tij. Ky tregim nënvizon edhe një herë kujdesin tejet të madh me të cilin Shkrimet na paraqitin çdo ngjarje që çon drejt Farës së premtuar. Djali i Judës, Perezi, bëhet një nga paraardhësit e Jezuit.—Luka 3:23, 33.
27. Si bëhet Jozefi kryeministër i Egjiptit?
27 Ndërkaq, Jehovai e bekon Jozefin në Egjipt, dhe ai bëhet i madh në shtëpinë e Potifarit. Megjithatë, për të fillojnë vështirësitë kur refuzon të sjellë sharje mbi emrin e Jehovait, dhe nuk kryen kurvëri me gruan e Potifarit. Prandaj e akuzojnë në mënyrë të rreme dhe e burgosin. Në burg, Jehovai e përdor që të interpretojë ëndrrat e dy bashkëvuajtësve të tij, kupëmbajtësit dhe bukëpjekësit të faraonit. Më vonë, faraoni sheh një ëndërr që e shqetëson shumë, dhe i tregojnë për aftësinë që ka Jozefi, kështu që atë e dërgojnë menjëherë nga burgu para faraonit. Jozefi ia jep meritën Perëndisë, dhe interpreton ëndrrën që parashikon shtatë vjet bollëku, të pasuar nga shtatë vjet zi buke. Faraoni pranon që Jozefi ka «frymën e Perëndisë», dhe e emëron kryeministër që të marrë në dorë situatën. (Zan. 41:38) Tanimë 30 vjeç, Jozefi e administron situatën me mençuri, duke depozituar ushqim gjatë shtatë viteve të bollëkut. Më vonë, gjatë shtatë viteve të zisë së bukës botërore, ua shet drithin egjiptianëve dhe popujve të tjerë që vijnë në Egjipt për ushqim.
28. Cilat ngjarje shoqërojnë shpërnguljen e shtëpisë së Jakobit në Egjipt?
28 Edhe Jakobi i dërgon dhjetë bijtë e tij më të mëdhenj në Egjipt për drithë. Jozefi i njeh, por ata nuk arrijnë ta njohin. Duke mbajtur peng Simeonin, ai u kërkon që të sjellin me vete vëllanë e tyre më të vogël, kur të vijnë përsëri për drithë. Kur nëntë vëllezërit kthehen bashkë me Beniaminin, Jozefi u tregon kush është, i siguron se i ka falur dhjetë fajtorët, dhe i udhëzon të marrin Jakobin e të shpërngulen në Egjipt, që të mos kenë probleme gjatë zisë së bukës. Në këtë mënyrë, Jakobi, bashkë me 66 pasardhës të tij, zbresin në Egjipt. Faraoni u jep pjesën më të mirë të vendit, vendin e Goshenit ku vendosen me banim.
29. Cilat profeci të rëndësishme thotë Jakobi në shtratin e vdekjes?
29 Kur Jakobi është buzë vdekjes, bekon Efraimin dhe Manaseun, djemtë e Jozefit, dhe pastaj i mbledh bashkë 12 djemtë e vet për t’u thënë ç’do të ndodhë «në ditët e fundit». (49:1) U jep atyre me hollësi një sërë profecish, që janë plotësuar të gjitha në mënyrë të jashtëzakonshme.d Ai parathotë se skeptri i sundimit do të mbetet në fisin e Judës deri kur të vijë Shilohu (që do të thotë «Ai e të cilit është; Ai të cilit i përket»), Fara e premtuar. Pasi bekon krerët e 12 fiseve dhe pasi u jep urdhra për varrimin e tij në Tokën e Premtuar, Jakobi vdes në moshën 147-vjeçare. Jozefi vazhdon të kujdeset për vëllezërit e tij dhe për shtëpinë e vet deri kur vdes, në moshën 110-vjeçare. Në atë kohë, ai shpreh besimin se Perëndia do ta kthejë përsëri Izraelin në tokën e vet, dhe kërkon që eshtrat e tij të çohen në Tokën e Premtuar.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
30. (a) Ç’bazë siguron Zanafilla për të kuptuar librat e mëpastajshëm të Biblës? (b) Cilin synim të përshtatshëm thekson Zanafilla?
30 Si fillesa e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Zanafilla ka një vlerë të paçmuar në paraqitjen e qëllimeve të lavdishme të Perëndisë Jehova. Ajo siguron një bazë për të kuptuar librat e mëpastajshëm të Biblës. Përshkruan fillimin dhe fundin e botës së drejtë në Eden, zhvillimin dhe shkatërrimin e botës së parë të njerëzve të paperëndishëm, dhe ngritjen e botës së tanishme të ligë. Në mënyrë të jashtëzakonshme, ajo vendos temën e krejt Biblës, domethënë, shfajësimin e Jehovait përmes Mbretërisë së sunduar nga «fara» e premtuar. Tregon përse vdesin njerëzit. Që nga Zanafilla 3:15 e më tej, dhe sidomos në pjesët që tregojnë marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, ajo shpall shpresën e jetës në botën e re nën Mbretërinë e Farës. Ajo është e dobishme, sepse thekson synimin e përshtatshëm që duhet të kenë të gjithë njerëzit: të mbajnë integritetin dhe të shenjtërojnë emrin e Jehovait.—Rom. 5:12, 18; Hebr. 11:3-22, 39, 40; 12:1; Mat. 22:31, 32.
31. Duke iu referuar tabelës shoqëruese, trego që Zanafilla përmban (a) profeci domethënëse, dhe (b) parime të vlefshme.
31 Shkrimet e Krishtere Greke i referohen çdo ngjarjeje dhe individi të rëndësishëm që përmendet në librin e Zanafillës. Për më tepër, sikurse duket kudo nëpër Shkrime, profecitë e regjistruara te Zanafilla janë përmbushur në mënyrë të pagabueshme. Një nga këto, «katërqind vjetët» e mundimit të farës së Abrahamit, filloi kur Ismaeli u tall me Isakun në vitin 1913 p.e.s., dhe mbaroi me çlirimin nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s.e (Zan. 15:13) Shembuj të profecive të tjera domethënëse dhe të përmbushjes së tyre gjenden në tabelën shoqëruese. Edhe parimet hyjnore që përmenden për herë të parë te Zanafilla, sjellin dobi të pashoqe për ndërtimin e besimit dhe për kuptueshmërinë. Profetët e lashtësisë, si dhe Jezui e dishepujt e tij, iu referuan shpesh dhe bënë aplikime të pjesëve nga libri i Zanafillës. Bëjmë mirë të ndjekim shembullin e tyre, dhe për këtë do të na ndihmojë studimi i tabelës shoqëruese.
32. Ç’informacione të rëndësishme përmban Zanafilla për martesën, gjenealogjinë dhe llogaritjen e kohës?
32 Zanafilla zbulon qartësisht vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë për martesën, marrëdhënien e duhur mes burrit e gruas dhe parimet e kryesisë e të stërvitjes në familje. Vetë Jezui i përdori këto informacione kur citoi nga kapitulli i parë e i dytë i Zanafillës: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’» (Mat 19:4, 5; Zan. 1:27; 2:24) Tregimi i Zanafillës është thelbësor për gjenealogjinë e familjes njerëzore dhe për të llogaritur se nga sa kohë njeriu është këtu në tokë.—Zan., kap. 5, 7, 10, 11.
33. Përmend disa praktika dhe parime të shoqërisë patriarkale që janë të rëndësishme për të kuptuar Biblën.
33 Vërtet i dobishëm për një studiues të Shkrimeve, është edhe studimi i shoqërisë patriarkale që paraqit Zanafilla. Shoqëria patriarkale ishte qeverisja e familjes në formë bashkësie, që ekzistonte mes popullit të Perëndisë që nga ditët e Noesë derisa u dha Ligji në malin Sinai. Shumë nga hollësitë që u bënë pjesë e besëlidhjes së Ligjit, praktikoheshin tashmë në shoqërinë patriarkale. Parime të tilla, si merita kolektive (18:32), përgjegjësia kolektive (19:15), ndëshkimi kapital, shenjtëria e gjakut dhe e jetës (9:4-6), dhe urrejtja e Perëndisë për lavdërimin e njerëzve (11:4-8) kanë ndikuar te njerëzimi gjatë gjithë historisë. Shumë praktika dhe terma ligjore hedhin dritë mbi ngjarje të mëvonshme, madje deri në ditët e Jezuit. Ne duhet të njohim ligje të tilla, si ligjin patriarkal për mbrojtjen e personit e të pronës (Zan. 31:38, 39; 37:29-33; Gjoni 10:11, 15; 17:12; 18:9) dhe mënyrën e kalimit të pronësisë (Zan. 23:3-18), si dhe ligjin për trashëgiminë e dikujt që merrte të drejtën e të parëlindurit (48:22), nëse duam të kemi sfondin e nevojshëm për të pasur një kuptueshmëri të qartë të Biblës. Praktika të tjera të shoqërisë patriarkale të përfshira në Ligj, ishin flijimet, rrethprerja (që iu dha së pari Abrahamit), besëlidhjet, martesa e kunatit (38:8, 11, 26) dhe betimet për të vërtetuar një çështje.—22:16; 24:3.f
34. Cilat mësime të vlefshme për të krishterët mund të nxjerrim nga studimi i Zanafillës?
34 Zanafilla, libri i parë i Biblës, na siguron shumë mësime për integritetin, besimin, besnikërinë, bindjen, respektin, sjelljen e mirë dhe guximin. Ja disa shembuj: besimi dhe guximi i Enokut për të ecur me Perëndinë, pavarësisht nga armiqtë e dhunshëm; Noeja i drejtë e i patëmetë, dhe me një bindje të padiskutueshme; besimi i Abrahamit, vendosmëria, qëndrueshmëria, ndjenja e përgjegjësisë si kryefamiljar dhe si mësues i urdhërimeve të Perëndisë për fëmijët e vet, bujaria dhe dashuria e tij; Sara, e nënshtruar ndaj kreut të saj, të shoqit, dhe e papërtuar; natyra e butë e Jakobit dhe meraku i tij për premtimin e Perëndisë; bindja e Jozefit ndaj të atit, ndershmëria e tij morale, guximi, sjellja e mirë në burg, respekti për autoritetet më të larta, përulësia me të cilën i dha lavdi Perëndisë dhe mëshira me të cilën i fali vëllezërit; dëshira e flaktë që kishin të gjithë këta njerëz që të shenjtëronin emrin e Jehovait. Cilësi të tilla shembullore bien në sy në jetën e atyre që ecën me Perëndinë gjatë periudhës së gjatë 2369-vjeçare që trajtohet në librin e Zanafillës, që nga krijimi i Adamit, deri te vdekja e Jozefit.
35. Për çfarë na nxit Zanafilla, teksa na ndërton besimin?
35 Vërtet, tregimi i Zanafillës, me shembujt e shkëlqyer të besimit që na paraqit, është i dobishëm për ndërtimin e besimit, për atë cilësi të sprovuar të besimit që na bën të synojmë drejt qytetit të ndërtuar e të krijuar nga Perëndia, drejt qeverisë së Mbretërisë së tij, të cilën ai nisi ta përgatiste shumë kohë më parë përmes Farës së tij të premtuar, shenjtëruesit kryesor të emrit të madh të Jehovait.—Hebr. 11:8, 10, 16.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 919, 920; vëll. 2, faqja 1212, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 328, 329, anglisht.
c Biblical History in the Light of Archaeological Discovery, 1934, D. E. Hart-Deivis, faqja 5.
d Kulla e Rojës, 1962, faqet 360-374, 392-408, anglisht.
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 460, 461, 776, anglisht.
f Kulla e Rojës, 1952, faqet 432-445, anglisht.
[Figura në faqen 18]
ZANAFILLA: E FRYMËZUAR DHE E DOBISHME
Tekste nga Parimi Referime nga
Zanafilla shkrimtarë të tjerë
1:27; 2:24 Shenjtëria, qëndrueshmëria
e lidhjes martesore Mat. 19:4, 5
2:7 Njeriu është një shpirt 1 Kor. 15:45
2:22, 23 Kryesia 1 Tim. 2:13;
9:4 Shenjtëria e gjakut Vep. 15:20, 29
20:3 Kurorëshkelja, e gabuar 1 Kor. 6:9
24:3; 28:1-8 Martesë vetëm me besimtar 1 Kor. 7:39
28:7 Bindje ndaj prindërve Efes. 6:1
Profeci të përmbushura dhe paralele profetike
12:1-3; Identifikimi i farës së
22:15-18 Abrahamit Gal. 3:16, 29
14:18 Melkisedeku tipizon Krishtin Hebr. 7:13-15
16:1-4, 15 Domethënia simbolike e Sarës,
Agarës, Ismaelit, Isakut Gal. 4:21-31
49:1-28 Bekimi i Jakobit për
12 fiset Jos. 14:1–21:45
Tekste të tjera të përdorura në ilustrime, aplikime ose si shembuj, nga profetët, Jezui dhe dishepujt, që japin prova të mëtejshme të autenticitetit të Zanafillës
1:1 Perëndia krijoi qiellin dhe
tokën Isa. 45:18; Zbul. 10:6
1:26 Njeriu u bë sipas
shëmbëlltyrës së Perëndisë 1 Kor. 11:7
1:27 Njeriu krijohet, mashkull
dhe femër Mat. 19:4; Mar. 10:6
2:2 Perëndia pushoi ditën e shtatë Hebr. 4:4
3:1-6 Gjarpri mashtroi Evën 2 Kor. 11:3
3:20 Gjithë njerëzimi vjen
nga çifti i parë Vep. 17:26
4:8 Kaini vrau Abelin Jud. 11; 1 Gjon. 3:12
4:9, 10 Gjaku i Abelit Mat. 23:35
Gjenealogjia Luka, kap. 3
5:29 Noeja Ezek. 14:14;
6:13, 17-20 Përmbytja Isa. 54:9; 2 Pjet. 2:5
12:1-3, 7 Besëlidhja abrahamike Gal. 3:15-17
15:6 Besimi i Abrahamit Rom. 4:3; Jak. 2:23
15:13, 14 Banojnë përkohësisht në Egjipt Vep. 7:1-7
18:1-5 Mikpritja Hebr. 13:2
19:24, 25 Sodoma dhe Gomorra
u shkatërruan 2 Pjet. 2:6; Jud. 7
19:26 Gruaja e Lotit Luka 17:32
20:7 Abrahami, profet Psal. 105:9, 15
21:9 Ismaeli u tall me Isakun Gal. 4:29
22:10 Abrahami provoi të flijonte
Isakun Hebr. 11:17
25:23 Jakobi dhe Esau Rom. 9:10-13;
25:32-34 Esau shiti të drejtën
si i parëlindur Hebr. 12:16, 17
28:12 Shkalla e komunikimit
me qiellin Gjoni 1:51
37:28 Jozefi u shit në Egjipt Psal. 105:17
41:40 Jozefi u bë kryeministër Psal. 105:20, 21