Zanafilla
18 Pas kësaj Jehovai*+ iu shfaq Abrahamit mes pemëve të mëdha në Mamre,+ ndërsa rrinte ulur në hyrje të tendës, në pikë të vapës. 2 Kur ngriti sytë, vuri re tre burra që po rrinin në këmbë disi larg tij.+ Sa i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t’i takonte dhe u përkul deri në tokë. 3 Pastaj tha: «Jehova, nëse kam fituar miratimin tënd, të lutem, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. 4 Më lejoni, ju lutem, t’ju sjell pak ujë e t’ju laj këmbët,+ e pastaj çlodhuni pak nën këtë pemë. 5 Meqë keni ardhur këtu te shërbëtori juaj, më lini t’ju sjell një copë bukë që të merrni veten,* e pastaj vazhdoni rrugën.» Ata ia kthyen: «Mirë, bëj ashtu si the.»
6 Kështu Abrahami shkoi me nxitim te Sara në tendë dhe i tha: «Shpejt! Merr tri masa* nga mielli më i mirë, zër brumin dhe bëj ca bukë.» 7 Pastaj Abrahami vrapoi te kopeja, zgjodhi një dem të njomë e të mirë, ia dha shërbëtorit, i cili nxitoi që ta bënte gati. 8 Mori pastaj gjalpë, qumësht dhe demin e ri që kishte bërë gati e ua vuri përpara. Kurse vetë rrinte në këmbë pranë tyre nën pemë, ndërkohë që ata hanin.+
9 Ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?»+ Ai u përgjigj: «Këtu, në tendë.» 10 Atëherë njëri prej tyre tha: «Do të kthehem me siguri te ti vitin tjetër në këtë kohë dhe Sara, gruaja jote, do të lindë një djalë.»+ Ndërkohë Sara ishte te hyrja e tendës që ndodhej pas tij dhe po dëgjonte. 11 Abrahami me Sarën ishin pleq, të shkuar në moshë,+ dhe Sara e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë.*+ 12 Prandaj Sara nisi të qeshte me vete e të thoshte: «A do ta kem vërtet këtë gëzim tani që u plaka dhe që zotëria im është i moshuar?»+ 13 Atëherë Jehovai i tha Abrahamit: «Pse qeshi Sara e tha: ‘A do të lind vërtet edhe pse jam plakur?’ 14 A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?+ Do të kthehem te ti vitin tjetër tamam në këtë kohë dhe Sara do të lindë një djalë.» 15 Mirëpo Sara e mohoi nga frika dhe tha: «Nuk qesha.» Por ai ia ktheu: «Po, po, qeshe.»
16 Ndërkohë që burrat u ngritën të iknin dhe po shikonin poshtë në drejtim të Sodomës,+ Abrahami po i përcillte. 17 Jehovai tha: «S’kam për t’ia mbajtur të fshehtë Abrahamit atë që do të bëj.+ 18 Me siguri Abrahami do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm dhe gjithë kombet e tokës do të bekohen* nëpërmjet tij.+ 19 Ja pse jam lidhur ngushtë me të, që ai t’i urdhërojë bijtë dhe shtëpinë e tij të qëndrojnë në udhën e Jehovait e të bëjnë ç’është e drejtë dhe e ndershme.+ Kështu unë, Jehovai, mund të plotësoj premtimet që i bëra Abrahamit.»
20 Pastaj Jehovai tha: «E fortë është britma e ankimit kundër Sodomës e Gomorrës,+ dhe shumë i rëndë mëkati i tyre.+ 21 Do të zbres për të parë nëse po sillen vërtet ashtu si më ka ardhur në vesh britma e ankimit, dhe nëse nuk është kështu, kam për ta marrë vesh.»+
22 Atëherë dy burrat ikën që andej dhe shkuan në drejtim të Sodomës, kurse Jehovai+ qëndroi me Abrahamin. 23 Kështu Abrahami iu afrua dhe tha: «Vërtet do ta shfarosësh të drejtin bashkë me të ligun?+ 24 Ta zëmë se në qytet ka 50 të drejtë. A do t’i shfarosësh dhe nuk do ta falësh vendin për hir të 50 të drejtëve që janë në të? 25 As që mund të mendohet kurrë që ti të veprosh kështu: të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, dhe të drejtit t’i ndodhë siç i ndodh edhe të ligut!+ S’mund të mendohet kurrë për ty!+ A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?!»+ 26 Atëherë Jehovai tha: «Po të gjej në qytetin e Sodomës 50 të drejtë, do ta fal gjithë vendin për hir të tyre.» 27 Por Abrahami iu drejtua përsëri dhe i tha: «Të lutem, tani po marr guximin të flas me Jehovain, ndonëse jam pluhur e hi. 28 Ta zëmë se atyre 50 të drejtëve u mungojnë pesë. A do ta shkatërrosh gjithë qytetin ngaqë mungojnë pesë?» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj po të gjej 45 të drejtë.»+
29 Por Abrahami i tha prapë: «Ta zëmë se gjenden 40.» Perëndia i tha: «Nuk do ta bëj për hir të atyre 40 të drejtëve.» 30 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi,+ por më lër të flas akoma. Ta zëmë se gjenden 30.» Perëndia ia ktheu: «Nuk do ta bëj po të gjej 30 veta.» 31 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, po marr guximin të flas me Jehovain. Ta zëmë se gjenden vetëm 20.» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 20 vetave.» 32 Së fundi Abrahami tha: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi, por më lër të flas edhe këtë herë. Ta zëmë se gjenden vetëm 10.» Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 10 vetave.» 33 Kur mbaroi së foluri me Abrahamin, Jehovai u largua,+ kurse Abrahami u kthye në vendin e vet.