«Kujdesu për këtë hardhi!»
DYMBËDHJETË vëzhguesit i ranë kryq e tërthor Tokës së Premtuar. Moisiu u kishte thënë që të vëzhgonin banorët dhe të sillnin disa prodhime të vendit. Ç’gjë tërhoqi veçanërisht vëmendjen e tyre? Jo larg nga Hebroni, ata gjetën një vresht me rrush që kishte kokrra kaq të mëdha, saqë u deshën dy burra për të mbajtur vetëm një bistak. Aq mbreslënëse ishte sasia e rrushit, saqë vëzhguesit e quajtën këtë zonë pjellore ‘lugina e përroit të Eshkolit’ ose «bistak [rrushi]».—Numrat 13:21-24; shënimi.
Në shekullin e 19-të një vizitor në Palestinë raportoi: «Eshkoli ose Lugina e Rrushit, . . . është ende e veshur me hardhi, dhe rrushi i saj është më i miri dhe më kokërrmadhi në Palestinë.» Në kohët biblike, megjithëse hardhitë e Eshkolit ishin shumë të mira, në pjesën më të madhe të Palestinës prodhohej një rrush i shkëlqyer. Në dokumentimet egjiptiane tregohet se faraonët importonin verë nga Kanaani.
«Shpatet e kodrave shkëmbore [të Palestinës] mbi të cilat rrëzëllen dielli, me dheun me pak zhavorr, me të nxehtin e verës dhe me kullimin e shpejtë të shirave të dimrit, të gjitha këto e bëjnë një vend të pashoq hardhish»,—shpjegon libri Historia natyrore e Biblës (anglisht). Profeti Isaia tregonte se në disa zona të zgjedhura kishte më tepër se një mijë hardhi.—Isaia 7:23.
‘Një vend me hardhi’
Moisiu i tha kombit të Izraelit se do të banonin në një vend me «hardhi, fiq dhe shegë». (Ligji i përtërirë 8:8) Sipas një enciklopedie (Baker Encyclopedia of Bible Plants), «hardhitë ishin kaq me bollëk në Palestinën e lashtë, saqë fara rrushi janë gjetur në pothuajse të gjitha vendet e gërmuara». Hardhitë e Tokës së Premtuar ishin kaq prodhimtare, saqë edhe gjatë vitit 607 p.e.s kur ushtria e Nabukodonosorit shkretoi Judën, njerëzit që mbetën në atë vend «filluan të grumbullonin verë dhe fruta vere në sasi shumë të mëdha».—Jeremia 40:12; 52:16.
Për të prodhuar sasi të mëdha vere, bujqit izraelitë duhej të kujdeseshin shumë për hardhitë e tyre. Libri i Isaisë përshkruan se si një vreshtar tipik izraelit punonte një pjesë toke në një shpat kodre dhe para se ta mbillte me «rrush të kuq të zgjedhur», hiqte prej saj gurët e mëdhenj. Më pas ngrinte një mur guri, me ata gurë që kishte hequr. Ky mur do të mbronte vreshtin që të mos shkelej nga gjedhët, si edhe do ta mbronte nga dhelprat, derrat e egër dhe hajdutët. Gjithashtu, ai bënte një shtypëse rrushi e ndërtonte një kullë të vogël që do të shërbente si një vend i freskët banimi gjatë periudhës së vjeljes, kur vreshtat kishin nevojë për më shumë mbrojtje. Pas gjithë kësaj pune paraprake, ai mund të priste një prodhim të mirë rrushi.—Isaia 5:1, 2.a
Për të siguruar një prodhim të mirë, bujku e krasiste rregullisht hardhinë që t’ia shtonte prodhueshmërinë dhe e prashiste tokën që të mos lejonte rritjen e barërave të këqija, të drizave dhe të gjembave. Ai mund ta ujiste vreshtin gjatë muajve të verës, nëse shirat e pranverës nuk kishin siguruar mjaft lagështi.—Isaia 5:6; 18:5; 27:2-4.
Koha e vjeljes së rrushit në fund të verës ishte një kohë gëzimi të madh. (Isaia 16:10) Tri psalme kanë një mbishkrim që përfshin frazën «për Gitith». (Psalmi 8, 81 dhe 84) Kjo shprehje muzikore me domethënie të paqartë, në versionin e Septuagintës është përkthyer «shtypëset e rrushit» dhe mund të tregojë që izraelitët i këndonin këto psalme në kohën e vjeljes së rrushit. Ndonëse rrushi shërbente kryesisht për të bërë verën, izraelitët hanin edhe rrush të freskët ose e thanin atë dhe bënin kuleçë prej rrushi të thatë.—2 Samuelit 6:19; 1 Kronikave 16:3.
Hardhia e Izraelit
Në Bibël populli i Perëndisë përshkruhet shumë herë si një hardhi. Kjo është një metaforë e përshtatshme duke parë rëndësinë e hardhisë për izraelitët. Te Psalmi 80 Asafi e krahasoi kombin e Izraelit me një hardhi që Jehovai e kishte mbjellë në Kanaan. Vendi u pastrua që hardhia e Izraelit të lëshonte rrënjë dhe të rritej e fortë. Por ndërsa vitet kalonin, muret e tij mbrojtës u shembën. Kombi nuk kishte më besim te Jehovai dhe Ai e hoqi mbrojtjen e tij. Si një derr i egër që grabit një vresht, kombet armike vazhduan të gllabëronin pasurinë e Izraelit. Asafi u lut që Jehovai ta ndihmonte kombin, në mënyrë që t’i rikthehej lavdia e tij e dikurshme. Ai u përgjërua: «Kujdesu për këtë hardhi.»—Psalmi 80:8-15.
Isaia e krahasoi ‘shtëpinë e Izraelit’ me një vresht që dalëngadalë dha «rrush të egër» ose kokrra të kalbura. (Isaia 5:2, 7) Kokrrat e rrushit të egër janë shumë më të vogla se kokrrat e rrushit të kultivuar dhe kanë shumë pak tul. Farat zënë pothuajse tërë kokrrën. Rrushi i egër nuk vlen as për të bërë verë dhe as për t’u ngrënë, e ky simbol ishte i përshtatshëm për kombin apostat fryti i të cilit ishte paligjshmëria, dhe jo drejtësia. Ky fryt i pavlerë nuk ishte për faj të Kultivuesit të hardhisë. Jehovai kishte bërë gjithçka mundte për ta bërë kombin të frytshëm. Ai pyeti: «Çfarë tjetër mund t’i bëj vreshtit tim që nuk ia kam bërë deri tani?»—Isaia 5:4.
Meqë hardhia e Izraelit nuk dha fryt, Jehovai i paralajmëroi se do të shembte murin mbrojtës që kishte ndërtuar përqark popullit të tij. Ai nuk do ta krasiste më hardhinë e tij të figurshme dhe nuk do t’ia prashiste dheun. Shirat pranverore nga të cilat varej prodhimi, nuk do të binin, dhe vreshtin do ta pushtonin gjembat e barërat e këqija.—Isaia 5:5, 6.
Moisiu profetizoi se apostazia e Izraelit do të bënte të thaheshin madje edhe vreshtat e tyre të mirëfillta. «Do të mbjellësh vreshta e do t’i kultivosh, por nuk do të pish verë e nuk do të mbledhësh gjë në to, sepse do t’i përpijë krimbi.» (Ligji i përtërirë 28:39) Një hardhi mund të thahet brenda pak ditësh nëse krimbi futet në trungun kryesor dhe i ha pjesën e brendshme.—Isaia 24:7.
«Hardhia e vërtetë»
Ashtu si Jehovai e krahasoi Izraelin me një hardhi, edhe Jezui përdori një metaforë të ngjashme. Gjatë Darkës së Fundit, siç e quajnë shumë veta, Jezui u tha dishepujve: «Unë jam hardhia e vërtetë, kurse Ati im është kultivuesi.» (Gjoni 15:1) Jezui i krahasoi dishepujt me degët e hardhisë. Ashtu si degët e hardhisë e marrin fuqinë nga trungu kryesor, po kështu dishepujt e Krishtit duhet të qëndrojnë në unitet me të. «Pa mua, s’mund të bëni asgjë fare»,—tha Jezui. (Gjoni 15:5) Bujqit e kultivojnë një hardhi që të japë fryt dhe po kështu Jehovai pret që populli i tij të japë fryt frymor. Kjo i sjell kënaqësi dhe lavdi Perëndisë, Kultivuesit të hardhisë.—Gjoni 15:8.
Në rastin e hardhisë së mirëfilltë, frytshmëria varet nga krasitja dhe pastrimi, e Jezui i përmendi të dyja këto veprime. Një vreshtar mund ta krasitë hardhinë dy herë në vit, që të marrë maksimumin e frytit. Gjatë muajve të dimrit, hardhisë i priten shumë degë. Kultivuesi heq shumicën e degëve që kanë dalë vitin e mëparshëm. Ai ndoshta lë tri ose katër degë kryesore që ndodhen në trung, si edhe një ose dy bisqe në secilën nga këto degë. Këto bisqe të reja, që janë të ngjashme me bisqet e reja të vitit të mëparshëm, do të bëhen degë që do të prodhojnë fryt gjatë verës vijuese. Në fund, kur mbaron krasitjen, vreshtari i djeg degët e krasitura.
Jezui e përshkruan kështu këtë krasitje të madhe: «Ai që nuk qëndron në unitet me mua, flaket si degë dhe thahet. Ato degë njerëzit i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe i djegin.» (Gjoni 15:6) Edhe pse hardhia në këtë fazë mund të duket sikur nuk ka degë, në pranverë bëhet një tjetër krasitje përzgjedhëse.
«Çdo degë timen që nuk jep fryt, ai e heq»,—tha Jezui. (Gjoni 15:2) Kjo mund t’i referohet krasitjes së mëvonshme, pasi hardhia është zhvilluar shumë dhe dallohen qartë bistakët e vegjël të rrushit. Vreshtari këqyr me kujdes çdo degë të re që të dallojë se cila ka fryt dhe cila është shterpë. Po të lihen në hardhi, degët që nuk kanë fryt do të thithin nga trungu lëndë ushqyese dhe ujë. Prandaj kultivuesi i krasit këto degë të pafrytshme që ushqimi i hardhisë të shkojë vetëm te degët e frytshme.
Së fundi, Jezui përmend edhe procesin e pastrimit. «Atë që jep fryt, ai e pastron, që të japë edhe më shumë fryt»,—shpjegon ai. (Gjoni 15:2) Pasi janë hequr degët e pafrytshme, vreshtari këqyr me kujdes çdo degë me fryt. Pranë rrëzës së degës me fryt ai gjen gjithnjë bisqe të reja të vogla; edhe këto duhen hequr. Po të lihen të rriten, këto do t’i thithin hardhisë limfën që do t’i siguronte lëngun jetësor për kokrrat e rrushit. Edhe disa gjethe të mëdha mund të hiqen, që t’u bjerë më mirë drita e diellit bistakëve të rinj. Këto janë që të gjitha hapa të dobishëm, që degët e frytshme të japin fryt me bollëk.
«Vazhdoni të jepni shumë fryt»
Degët e figurshme të ‘hardhisë së vërtetë’ përfaqësojnë të krishterët e mirosur. Megjithatë edhe ‘delet e tjera’ duhet të tregojnë se janë dishepuj të frytshëm të Krishtit. (Gjoni 10:16) Edhe ato mund të japin «shumë fryt» dhe t’i sjellin lavdi Atit të tyre qiellor. (Gjoni 15:5, 8) Ilustrimi i Jezuit për hardhinë e vërtetë na kujton se shpëtimi varet nëse qëndrojmë në unitet me Krishtin dhe japim fryt të mirë. Jezui tha: «Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.»—Gjoni 15:10.
Në ditët e Zakarisë, Perëndia i premtoi një mbetjeje besnike izraelitësh se vendi do të gëzonte edhe një herë ‘farë paqeje. Hardhia do të jepte frytin e saj dhe toka do të jepte prodhimin e saj’. (Zakaria 8:12) Hardhia përdoret edhe për të përshkruar paqen që do të gëzojë populli i Perëndisë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Mikea profetizoi: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.»—Mikea 4:4.
[Shënimi]
a Sipas Encyclopaedia Judaica kultivuesit izraelitë preferonin hardhi që prodhonin rrush të purpurt, i njohur si sorek. Me sa duket, ky është lloji i rrushit që përmendet tek Isaia 5:2. Nga ky rrush prodhohej një verë e kuqe e ëmbël.
[Figura në faqen 18]
Një hardhi e tharë para pak kohësh
[Figura në faqen 18]
Krasitja e dimrit
[Figura në faqen 18]
Djegia e degëve të hequra