Mrekulli që i ke parë!
FJALA «mrekulli» ka edhe një kuptim tjetër, që do të thotë ‘diçka që të mahnit me madhështinë e saj, diçka e jashtëzakonshme, vepër ose arritje e shkëlqyer’. (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe) Të gjithë i kemi parë këto lloj mrekullish, të bëra pa ndërhyrjen e Perëndisë.
Duke fituar gjithnjë e më shumë njohuri për ligjet fizike të natyrës, njeriu ka arritur të bëjë atë që njëherë e një kohë konsiderohej e paarritshme. Për shembull, një qind vjet më parë, shumë njerëzve u dukej e pamundur ajo që sot është më se e zakonshme të arrihet me anë të kompjuterit, të televizorit, të teknologjisë së hapësirës dhe me anë të shpikjeve të tjera.
Duke e kuptuar që njohuria e tyre për mrekullitë që fshihen pas krijimit të Perëndisë është e kufizuar, disa shkencëtarë e pranojnë që tani askush nuk mund ta thotë me siguri se diçka është e pamundur. Shumë-shumë, e pranojnë pa ngurruar se nuk ka gjasa të ndodhë. Në këtë mënyrë u lihet rrugë e hapur «mrekullive» që do të ndodhin në të ardhmen.
Edhe po të përdorim kuptimin bazë të fjalës «mrekulli», d.m.th. duke iu referuar gjërave «që kryhen nga një forcë e mbinatyrshme», mund të themi se secili prej nesh sheh mrekulli të tilla. Për shembull, shohim diellin, hënën, yjet, të gjitha rezultat i një «force të mbinatyrshme», të vetë Krijuesit. Përveç kësaj, kush mund ta shpjegojë deri në hollësi se si funksionon trupi, truri i njeriut dhe si zhvillohet embrioni i tij? Një libër shkruan: «Organizmi i njeriut që kontrollohet dhe bashkërendohet nga sistemi nervor qendror, është një aparat i ndërlikuar, një motorr vetëriparues, një kompjuter riprodhues, një krijim i mahnitshëm dhe i mistershëm në shumë drejtime.» (The Body Machine, anglisht) Perëndia që krijoi ‘organizmin e njeriut’ ka bërë vërtet një mrekulli të tillë që ende vazhdon të na mahnitë. Ka edhe shumë lloje të tjera mrekullish, që ndoshta nuk i keni parë si të tilla.
A mund të jetë mrekulli një libër?
Asnjë libër tjetër nuk ka një përhapje kaq të madhe sa Bibla. A e konsideroni këtë libër një mrekulli? A ekziston ajo falë një «force të mbinatyrshme»? Është e vërtetë që Bibla është shkruar nga njerëzit, por ata treguan se nuk shkruan mendimet e tyre, por të Perëndisë. (2 Samuelit 23:1, 2; 2 Pjetrit 1:20, 21) Mendoni pak! Ishin rreth 40 individë që jetuan gjatë një periudhe kohore prej 1.600 vjetësh. Kishin formime të ndryshme, si për shembull: barinj, ushtarakë, peshkatarë, shërbëtorë, mjekë, priftërinj dhe mbretër. Pavarësisht nga kjo, ata në harmoni me njëri-tjetrin përçuan të njëjtin mesazh shprese, që është i besueshëm dhe i saktë.
Duke u bazuar në një studim të kujdesshëm, Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë Biblën ashtu si e konsideronte edhe apostulli Pavël, «jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë». (1 Selanikasve 2:13) Gjatë viteve, në botimet e tyre është shpjeguar se si të ashtuquajturat kontradikta në Bibël, janë në harmoni me mesazhin e saj kryesor. Kjo harmoni, që e përshkon Biblën, është në vetvete një provë se ka për autor vetë Perëndinë.a
Për asnjë libër tjetër, nuk janë bërë kaq shumë përpjekje për ta shkatërruar. Prapëseprapë, ajo ekziston ende dhe, të paktën pjesërisht, është përkthyer në më shumë se 2.000 gjuhë. Fakti që ka mbijetuar si libër dhe si përmbajtje, tregon se për ruajtjen e saj ka ndërhyrë vetë Perëndia. Bibla është vërtet një mrekulli!
‘E gjallë dhe ushtron fuqi’
Mrekullitë që ndodhnin në të kaluarën, si shërimet e mrekullueshme dhe ringjallja, nuk ndodhin më në ditët e sotme. Por kemi arsye të besojmë se në botën e re të Perëndisë, mrekulli të tilla do të ndodhin përsëri në shkallë botërore. Ato do të sjellin lehtësim të përhershëm dhe do të jenë të atilla që as na e merr mendja.
Edhe ndikimi i Biblës në ditët e sotme është i barasvlershëm me një mrekulli, pasi i motivon njerëzit që të ndryshojnë për mirë personalitetin e tyre. (Shih përvojën në kutinë «Fuqia e Fjalës së Perëndisë» në faqen 8.) Te Hebrenjve 4:12 thuhet: «Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» Po, Bibla ka ndryshuar jetën e më shumë se gjashtë milionë njerëzve anembanë globit, duke i dhënë jetës së tyre një qëllim dhe një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
Pse nuk lejon që Bibla të kryejë një mrekulli në jetën tënde?
[Shënimi]
a Në qoftë se dëshironi t’i shqyrtoni edhe më mirë këto të ashtuquajtura kontradikta, mund të gjeni shumë shembuj në kapitullin 7 të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njeriut? (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
KISHTE VDEKUR APO ISHTE ENDE GJALLË?
Sipas Gjonit 19:33, 34, Jezui tashmë kishte vdekur kur «një nga ushtarët i shpoi ijën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë». Megjithatë, Mateu 27:49, 50 tregon se kur ndodhi kjo, Jezui ishte ende gjallë. Si është i mundur ky ndryshim midis shkrimeve?
Sipas Ligjit të Moisiut, ndalohej që një kriminel të lihej gjithë natën varur në shtyllën e ekzekutimit. (Ligji i përtërirë 21:22, 23) Kështu që, në ditët e Jezuit, nëse në mbarim të ditës një kriminel i vënë në shtyllë ishte ende gjallë, ishte zakon që t’i thyheshin këmbët, në mënyrë që të përshpejtonin vdekjen e tij. Kështu nuk do të ishte më në gjendje që ta mbante trupin drejt dhe të merrte frymë lirisht. Fakti që ushtarët u thyen këmbët vetëm dy keqbërësve që ishin në shtyllat përbri Jezuit, por atij nuk ia thyen, tregon se ata mendonin që ai kishte vdekur. Ka mundësi që ushtari e shpoi anash vetëm për t’u siguruar që kishte vdekur, që të mos kishte mundësi ta merrte veten më vonë, sepse kjo në mënyrë të rreme mund të shpallej si ringjallje.
Mateu 27:49, 50 e rendit ndryshe rrjedhën e ngjarjeve. Aty thuhet: «Një tjetër, mori një heshtë dhe e shpoi tejpërtej në ijë dhe doli gjak e ujë. Jezui thërriti përsëri me zë të lartë e dha frymë.» Por, kjo fjali me të pjerrët nuk del në çdo dorëshkrim të lashtë të Biblës. Shumë autoritete të kësaj fushe besojnë se ky varg u shtua më vonë nga ungjilli i Gjonit, por u vu në vendin e gabuar. Ja pse në shumë përkthime këtë fjali e vendosin në kllapa ose midis thonjëzash, japin një shënim shpjegues ose e heqin fare të gjithë fjalinë.
Teksti bazë në greqisht nga Uestkoti dhe Horti, që është përdorur gjerësisht si bazë për Përkthimin Bota e Re, e vendos fjalinë në kllapa katrore të dyfishta. Ky botim përmban një shënim ku thuhet se në lidhje me këtë fjali «pothuajse gjithçka të shtyn të besosh se mund të jetë futur nga skribët».
Atëherë, ka më shumë prova se ajo që thuhet te Gjoni 19:33, 34 është faktike, dhe Jezui kishte vdekur kur ushtari romak e shpoi me heshtë.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
FUQIA E FJALËS SË PERËNDISË
Kur ishte adoleshent dhe iu divorcuan prindërit, Detlefib u dha pas drogës, alkoolit dhe pas muzikës hevi metëll. U bë një nga ata që zakonisht quhen skinhead dhe sjellja e tij e dhunshme i hapi telashe me policinë.
Në vitin 1992, në një bar-restorant në verilindje të Gjermanisë, 60 të rinj skinhead u përfshinë në një përleshje kundër 35 të tjerëve që i përkitnin një lloj bande tjetër që njihen si punkers. Tomasin, një pjesëtar të bandës së dytë, e rrahën aq shumë sa vdiq nga plagët. Detlefi dhe disa nga krerët e bandës u dënuan me burgim dhe mediat i kushtuan vëmendje të veçantë gjyqit.
Pak kohë pasi doli nga burgu, Dëshmitarët e Jehovait i dhanë një fletushkë Detlefit. Fletushka titullohej: «Përse jeta është plot me probleme?» Detlefi e kuptoi menjëherë vërtetësinë e fjalëve që thuheshin aty dhe filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Ky studim ia ndryshoi krejtësisht jetën. Që nga viti 1996 ai ka qenë një Dëshmitar i zellshëm i Jehovait.
Edhe Zigfridi, një ish-punker, që ishte shok i ngushtë me Tomasin, djalin që u vra, më vonë u bë Dëshmitar i Jehovait dhe tani është plak kongregacioni. Kur Zigfridi shkoi në kongregacionin e Detlefit për të mbajtur një fjalim biblik, Detlefi e ftoi për drekë (rastësisht, edhe nëna e Tomasit shkon në mbledhje në atë kongregacion disa herë). Rreth dhjetë vjet më parë, nuk do të kishin mundur ta kontrollonin urrejtjen për njëri-tjetrin. Sot, dashuria e tyre vëllazërore është më se e dukshme.
Detlefi dhe Zigfridi mezi presin që ta takojnë Tomasin e ringjallur në parajsën tokësore. Detlefi shprehet: «Vetëm kur e mendoj këtë ngjarje, më mbushen sytë me lot. Më vjen kaq keq për atë që bëra.» Dëshira e tyre është që, ashtu siç po bëjnë sot me njerëzit e tjerë, kur të vijë ajo ditë ta ndihmojnë edhe Tomasin që të njohë Jehovain dhe të gëzojë shpresën që na jep Bibla.
Po, e tillë është fuqia e Fjalës së Perëndisë.
[Shënimi]
b Emrat janë ndryshuar.
[Figura në faqen 6]
Trupi i njeriut është një mrekulli e krijimit
[Burimi]
Anatomia e përmirësuar dhe e ilustruar, Londër, 1723, nga Bernardino Genga