Të ecim me Perëndinë: Me sytë nga përjetësia
«Ne . . . do të ecim në emrin e Jehovait, Perëndisë sonë, në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.»—MIKEA 4:5, BR.
1. Pse Jehovai mund të quhet «Mbreti i përjetësisë»?
PERËNDIA JEHOVA nuk pati fillim. Ai quhet me të drejtë «I Lashti i Ditëve», sepse ekzistenca e tij shtrihet pafundësisht në të kaluarën. (Danieli 7:9, 13) Jehovai do të gëzojë edhe një të ardhme të përjetshme. Vetëm ai është «Mbreti i përjetësisë». (Zbulesa 10:6; 15:3) Gjithashtu, në sytë e tij, një mijë vjet s’janë «veç si e djeshmja kur ka kaluar dhe si roja gjatë natës».—Psalmi 90:4, BR.
2. (a) Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit e bindur? (b) Ku duhet të përqendrohen shpresat dhe planet tona?
2 Meqenëse Dhënësi i jetës është i përjetshëm, ai mundi t’i ofronte çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës, perspektivën e jetës së pafundme në Parajsë. Por, për shkak të mosbindjes, Adami e humbi të drejtën e jetës së përhershme, duke ua transmetuar mëkatin dhe vdekjen pasardhësve të tij. (Romakëve 5:12) Megjithatë, rebelimi i Adamit nuk e pengoi realizimin e qëllimit fillestar të Perëndisë. Është vullneti i Jehovait që njerëzit e bindur të jetojnë përgjithmonë dhe qëllimin e tij ai do ta përmbushë patjetër. (Isaia 55:11) Sa e përshtatshme është, pra, që t’i përqendrojmë shpresat dhe planet tona në shërbimin e Jehovait, me sytë nga përjetësia! Edhe pse dëshirojmë ta mbajmë mirë në mendje «ditën e Jehovait», është jetësore të mos harrojmë se synimi ynë është të ecim përgjithmonë me Perëndinë.—2. Pjetrit 3:12, BR.
Jehovai vepron në kohën e caktuar prej tij
3. Si e dimë që Jehovai ka një «kohë të caktuar» për përmbushjen e qëllimeve të tij?
3 Si persona që ecim me Perëndinë, na intereson shumë kryerja e vullnetit të tij. E dimë se Jehovai është Llogaritësi i Madh i kohës dhe jemi të sigurt se ai nuk dështon kurrë në përmbushjen e qëllimeve të veta në kohën e caktuar prej tij. Për shembull, «kur erdhi kufiri i plotë i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij». (Galatasve 4:4, BR) Apostullit Gjon iu tha se për përmbushjen e gjërave profetike që pa në formën e shenjave, kishte një «kohë të caktuar». (Zbulesa 1:1-3, BR) Ekziston një «kohë e caktuar për gjykimin e të vdekurve». (Zbulesa 11:18, BR) Mbi 1.900 vjet më parë, apostulli Pavël u frymëzua të thoshte se Perëndia «ka vendosur një ditë në të cilën ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar».—Veprat 17:31, BR.
4. Si e dimë që Jehovai dëshiron t’i japë fund këtij sistemi të lig gjërash?
4 Jehovai do t’i japë fund këtij sistemi të lig gjërash, sepse në botën e sotme emri i tij po mbulohet me turp. Të ligjtë kanë lulëzuar. (Psalmi 92:7) Me fjalët dhe veprimet e tyre ata e fyejnë Perëndinë. Tek sheh shërbëtorët e tij që i shajnë dhe i persekutojnë, Perëndia ndien dhembje. (Zaharia 2:8) S’është për t’u çuditur që Jehovai ka dekretuar se së shpejti e tërë organizata e Satanait do të marrë fund. Perëndia e ka përcaktuar saktë se kur do të ndodhë kjo dhe përmbushja e profecive të Biblës e bën të qartë se tani jetojmë në «kohën e fundit». (Danieli 12:4, BR) Së shpejti, ai do të veprojë për bekimin e të gjithëve atyre që e duan.
5. Si i konsideronin Loti dhe Habakuku kushtet që i rrethonin?
5 Në të kaluarën, shërbëtorët e Jehovait ishin të dëshiruar për ta parë fundin e ligësisë. Loti i drejtë «ishte shumë i hidhëruar nga dhënia pas sjelljes së shthurur e njerëzve që shpërfillnin ligjin». (2. Pjetrit 2:7, BR) I pikëlluar për kushtet përreth tij, profeti Habakuk kërkoi duke u lutur: «Deri kur, o Jehova, duhet të thërras për ndihmë dhe ti të mos dëgjosh? Deri kur do të të thërras për ndihmë kundër dhunës dhe ti të mos shpëtosh? Pse më bën të shoh atë që është e dëmshme dhe vazhdon të shikosh thjesht mundimin? Pse janë përpara meje plaçkitja dhe dhuna, pse ndodh zënia dhe pse bëhet grindja?»—Habakuku 1:2, 3, BR.
6. Çfarë tha Jehovai në përgjigje të lutjes së Habakukut dhe ç’mund të mësojmë prej kësaj?
6 Një pjesë e përgjigjes që Jehovai i dha Habakukut ishte: «Vizioni është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të gulçojë deri në fund dhe nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, vazhdo të rrish në pritje të tij, sepse do të dalë patjetër i vërtetë. Ai nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3, BR) Kështu, Perëndia bëri të ditur se do të vepronte në «kohën e caktuar». Ndonëse mund të duket sikur po vonon, Jehovai do ta përmbushë qëllimin e tij patjetër.—2. Pjetrit 3:9.
Të shërbejmë me zell të pashtershëm
7. Megjithëse Jezui nuk e dinte saktësisht se kur do të vinte dita e Jehovait, si i vazhdoi ai aktivitetet e tij?
7 A është një kërkesë e domosdoshme të dimë kohën e saktë që ka caktuar Jehovai për ngjarjet, që të ecim me zell me Perëndinë? Jo, aspak. Të shqyrtojmë disa shembuj. Jezui ishte tepër i interesuar për kohën kur vullneti i Perëndisë do të bëhej në tokë, ashtu si në qiell. Në fakt, Krishti i mësoi ithtarët e tij të luteshin: «Ati ynë në qiejtë, le të shenjtërohet emri yt. Le të vijë mbretëria jote. Le të bëhet vullneti yt, si në qiell, ashtu edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10, BR) Megjithëse e dinte se kjo kërkesë do të merrte përgjigje, Jezui nuk e dinte kohën e saktë se kur do të ndodhnin këto gjëra. Në profecinë e tij madhështore në lidhje me fundin e këtij sistemi gjërash, ai tha: «Lidhur me atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36, BR) Përderisa Jezu Krishti është figurë qendrore në realizimin e qëllimeve të Perëndisë, ai do të përfshihet drejtpërdrejt në ekzekutimin e armiqve të Atit të tij qiellor. Megjithatë, kur ishte në tokë, as Jezui nuk e dinte se kur do të vepronte Perëndia. A e pakësoi ky fakt zellin e tij në shërbimin e Jehovait? Patjetër që jo! Sapo panë Jezuin tek spastronte me zell tempullin, «dishepujve të tij u erdhi ndër mend se është shkruar: ‘Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.’». (Gjoni 2:17; Psalmi 69:9, BR) Jezui qëndronte plotësisht i zënë me veprën që ishte dërguar të kryente dhe e bëri atë me një zell të pashtershëm. Edhe ai i shërbeu Perëndisë me sytë nga përjetësia.
8, 9. Çfarë iu tha dishepujve kur pyetën për rivendosjen e Mbretërisë dhe si u përgjigjën ata?
8 Kështu bënë edhe dishepujt e vërtetë të Krishtit. Jezui u takua me ta tamam përpara se të ngjitej në qiell. Tregimi thotë: «Tani, kur ishin mbledhur, e pyetën: ‘Zotëri, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?’» Ashtu si Zotëria i tyre, ata dëshironin fort të vinte Mbretëria. Por megjithatë, Jezui u përgjigj: «Nuk ju takon juve të njihni kohët apo stinët që ka vendosur Ati me autoritetin e tij, por do të merrni fuqi kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarë të mi si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në pjesën më të largët të tokës.»—Veprat 1:6-8, BR.
9 Nuk ka asnjë tregues se dishepujt i lëshoi zemra nga kjo përgjigje. Përkundrazi, me zell, qëndruan të zënë në veprën e predikimit. Brenda disa javësh, ata e kishin mbushur Jerusalemin me mësimet e tyre. (Veprat 5:28) Ndërsa brenda 30 vjetësh, e kishin shtrirë aktivitetin e tyre të predikimit në një masë të tillë që Pavli mundi të thoshte se lajmi i mirë ishte predikuar «në të gjithë krijimin që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23, BR) Megjithëse Mbretëria nuk ‘u rivendos në Izrael’, siç kishin pritur gabimisht dishepujt, dhe nuk u vendos as në qiell gjatë jetës së tyre, ata vazhduan t’i shërbenin me zell Jehovait, me sytë nga përjetësia.
Të shqyrtojmë motivet tona
10. Çfarë na lejon të provojmë fakti që nuk e dimë se kur do ta shkatërrojë Perëndia sistemin e Satanait?
10 Edhe shërbëtorët e sotëm të Jehovait janë të dëshiruar për të parë fundin e këtij sistemi të lig gjërash. Megjithatë, meraku ynë kryesor nuk është që të çlirohemi dhe të hyjmë në botën e re që ka premtuar Perëndia. Ne dëshirojmë ta shohim të shenjtëruar emrin e Jehovait dhe të shfajësuar sovranitetin e tij. Prandaj, mund të gëzojmë që Perëndia nuk na e ka treguar ‘ditën ose orën’ e caktuar për shkatërrimin e sistemit të Satanait. Kjo gjë na lejon të japim prova se jemi të vendosur të ecim përjetësisht me Perëndinë, sepse e duam atë e jo sepse kemi synime afatshkurtra dhe egoiste.
11, 12. Në ç’mënyrë u sfidua integriteti i Jobit dhe si lidhet kjo me ne?
11 Mbajtja e integritetit ndaj Perëndisë ndihmon për të provuar edhe se Djalli e kishte gabim kur hodhi akuzën se Jobi i drejtë, pra, edhe njerëzit si ai, i shërbejnë Perëndisë për interesa vetjake. Pasi Jehovai e përshkroi shërbëtorin e tij Job si një njeri të pafajshëm, të drejtë dhe që druante Perëndinë, me ligësi Satanai bëri këtë aluzion: «Më kot e ka druajtur Perëndinë Jobi? A nuk ke ngritur ti vetë një gardh rreth tij, rreth shtëpisë dhe çdo gjëje që ka përreth tij? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe vetë bagëtia e tij është përhapur në tokë. Por, për ta ndryshuar, zgjate dorën tënde, të lutem, dhe prek çdo gjë që ka ai dhe shiko po s’të mallkoi mu në fytyrë.» (Jobi 1:8-11, BR) Duke mbajtur integritetin e tij nën sprovë, Jobi provoi se kjo deklaratë keqdashëse ishte e rremë.
12 Duke iu përmbajtur në mënyrë të ngjashme një rruge integriteti, mund të përgënjeshtrojmë çdo akuzë satanike se ne i shërbejmë Perëndisë vetëm sepse e dimë që shpërblimi është pranë. Fakti që nuk e dimë me saktësi se kur do të ekzekutohet hakmarrja e Perëndisë mbi të ligjtë, na jep mundësinë të provojmë se e duam me të vërtetë Jehovain dhe se dëshirojmë të ecim përgjithmonë në udhët e tij. Kjo tregon se i jemi besnikë Jehovait dhe se i besojmë mënyrës që përdor ai për trajtimin e çështjeve. Për më tepër, duke mos ditur ditën dhe orën ndihmohemi për të qëndruar vigjilentë dhe zgjuar frymësisht, sepse e kuptojmë që fundi mund të vijë në çdo kohë, ashtu si një hajdut natën. (Mateu 24:42-44) Duke ecur ditë për ditë me Jehovain, bëjmë që zemra e tij të gëzojë dhe i japim përgjigje Djallit që tallet me të.—Proverbat (Fjalët e urta) 27:11.
Të planifikojmë për përjetësinë!
13. Çfarë tregon Bibla në lidhje me planifikimin për të ardhmen?
13 Ata që ecin me Perëndinë e dinë se është e mençur të bësh plane të arsyeshme për të ardhmen. Shumë njerëz, duke qenë të vetëdijshëm për problemet dhe kufizimet e moshës së thyer, përpiqen ta përdorin sa më mirë rininë dhe forcën e tyre, që më vonë të kenë një jetë të sigurt nga ana financiare. Ç’të themi, atëherë, për të ardhmen tonë frymore, e cila është shumë më e rëndësishme? Proverbat 21:5 thotë: «Planet e të zellshmit çojnë me siguri te përfitimi, por kushdo që është i nxituar drejtohet me siguri për te skamja.» Planifikimi me sytë nga përjetësia është vërtet me përfitim. Meqenëse nuk e dimë me përpikmëri se kur do të vijë fundi i këtij sistemi, duhet të mendojmë për nevojat tona në të ardhmen. Por le të jemi të drejtpeshuar dhe interesat frymore t’i vëmë të parat në jetë. Njerëzit, të cilëve u mungon besimi, mund të nxjerrin përfundimin se përqendrimi i interesave në kryerjen e vullnetit të Perëndisë është diçka dritëshkurtër. Por a është vërtet kështu?
14, 15. (a) Cilin ilustrim bëri Jezui në lidhje me planet për të ardhmen? (b) Pse ishte dritëshkurtër burri për të cilin flitej në ilustrimin e Jezuit?
14 Jezui bëri një ilustrim që e sqaron mirë këtë. Ai tha: «Toka e një njeriu të pasur prodhoi mirë. Prandaj, ai filloi të arsyetonte në vetvete, duke thënë: ‘Ç’do të bëj tani, që nuk kam se ku t’i mbledh të korrat e mia?’ Kështu që tha: “Do të bëj kështu: Do t’i shemb depot e mia dhe do t’i ndërtoj më të mëdha dhe atje do të mbledh të gjithë grurin tim dhe të gjitha gjërat e mia të mira dhe do t’i them shpirtit tim: ‘Shpirt, ti ke shumë gjëra të mira të vëna mënjanë për shumë vite; rehatohu, ha, pi, gëzohu.’” Por Perëndia i tha: ‘I paarsyeshëm, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Kush, pra, do t’i ketë gjërat që ke grumbulluar?’ Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur ndaj Perëndisë.»—Luka 12:16-21, BR.
15 Mos donte të thoshte Jezui se i pasuri nuk duhej të kishte punuar, duke u përpjekur të kishte një të ardhme të sigurt materialisht? Jo, sepse në Shkrimet jepet inkurajimi për të punuar me zell. (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 3:10) Gabimi i të pasurit ishte se nuk bëri atë që ishte e domosdoshme për të qenë «i pasur ndaj Perëndisë». Edhe sikur të kishte pasur mundësi ta gëzonte pasurinë e tij materiale për shumë vite, në fund do të vdiste. Duke mos menduar për përjetësinë, ai ishte treguar dritëshkurtër.
16. Pse për një të ardhme të sigurt mund të mbështetemi me besim te Jehovai?
16 Ecja me Jehovain me sytë nga përjetësia, është si praktike, ashtu edhe largpamëse. Kjo është mënyra më e mirë e planifikimit për të ardhmen. Megjithëse është e mençur të bëjmë plane praktike në lidhje me shkollimin, punësimin dhe përgjegjësitë familjare, gjithmonë duhet të mos harrojmë se Jehovai nuk i braktis kurrë shërbëtorët e tij besnikë. Mbreti David këndoi: «Një i ri isha, gjithashtu, jam plakur, por megjithatë nuk kam parë asnjë të drejtë të lënë krejtësisht, as pasardhësit e tij të kërkojnë bukë.» (Psalmi 37:25, BR) Në mënyrë të ngjashme, Jezui dha sigurinë se Perëndia do të kujdeset materialisht për të gjithë ata që kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë dhe që ecin në udhët e drejta të Jehovait.—Mateu 6:33.
17. Nga e dimë që fundi është afër?
17 Megjithëse ne i shërbejmë Perëndisë me sytë nga përjetësia, e mbajmë mirë në mendje ditën e Jehovait. Përmbushja e profecive biblike dëshmon në mënyrë të gjallë për afërsinë e asaj dite. Ky shekull është karakterizuar nga luftërat, murtajat, tërmetet dhe mungesat e ushqimit, bashkë me persekutimin e të krishterëve të vërtetë dhe me predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë në mbarë botën. Të gjitha këto janë veçori të kohës së fundit të këtij sistemi të lig gjërash. (Mateu 24:7-14; Luka 21:11) Bota është plot me ata që janë «dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kokëfortë, të fryrë nga krenaria, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Për ne si shërbëtorë të Jehovait, jeta është e vështirë në këto ditë të fundit. Sa fort e dëshirojmë ditën kur Mbretëria e Perëndisë do të fshijë tutje të gjithë ligësinë! Ndërkaq, le të jemi të vendosur për të ecur me Perëndinë me sytë nga përjetësia!
Të shërbejmë me sytë nga jeta e pafundme
18, 19. Ç’gjë e tregon se besimplotët e lashtësisë i shërbyen Perëndisë me sytë nga përjetësia?
18 Ndërsa ecim me Jehovain, le të sjellim ndër mend besimin e Abelit, Enokut, Noes, Abrahamit dhe Sarës. Pasi i përmendi ata, Pavli shkroi: «Të gjithë këta vdiqën në besim, megjithëse nuk morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg, i mirëpritën dhe deklaruan publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend.» (Hebrenjve 11:13, BR) Këta besimplotë po ‘synonin një vend më të mirë, domethënë një vend që i përket qiellit’. (Hebrenjve 11:16, BR) Me besim, ata mezi pritnin një vend më të mirë nën sundimin e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë. Mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i shpërblejë me jetën e përhershme në atë vend më të mirë: parajsën tokësore nën sundimin e Mbretërisë.—Hebrenjve 11:39, 40.
19 Profeti Mikea shpalli vendosmërinë e popullit të Jehovait për ta adhuruar përjetësisht Atë. Ai shkroi: «Të gjithë popujt, nga ana e tyre, do të ecin secili në emër të Perëndisë së vet, por ne nga ana jonë, do të ecim në emër të Perëndisë sonë Jehova në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.» (Mikea 4:5, BR) Derisa vdiq, Mikea i shërbeu besnikërisht Jehovait. Pa dyshim që ky profet, sapo të ringjallet në botën e re, do të vazhdojë të ecë me Perëndinë për të gjithë përjetësinë. Ç’shembull i shkëlqyer për të gjithë ne që jetojmë të futur thellë në kohën e fundit!
20. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
20 Jehovai e vlerëson dashurinë që tregojmë për emrin e tij. (Hebrenjve 6:10) Ai e di që për ne është e vështirë ta mbajmë integritetin ndaj tij në këtë botë të zotëruar nga Djalli. Megjithatë, ndonëse «bota po kalon, . . . ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë». (1. Gjonit 2:17, BR; 1Gjo 5:19) Prandaj, me ndihmën e Jehovait, le të jemi të vendosur për të duruar sprovat që hasim nga dita në ditë! Mënyra jonë e të menduarit dhe e të jetuarit u përqendrofshin në bekimet e mrekullueshme të premtuara nga Ati ynë i dashur qiellor! Këto bekime mund të jenë tonat nëse vazhdojmë të ecim me Perëndinë, me sytë nga përjetësia.—Juda 20:, 21.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit e bindur?
◻ Pse Jehovai nuk ka vepruar ende për t’i dhënë fund botës së paperëndishme?
◻ Pse fakti që nuk e dimë saktësisht se kur do të veprojë Perëndia, nuk duhet ta pakësojë zellin tonë?
◻ Cilat janë disa dobi të ecjes me Perëndinë, me sytë nga përjetësia?
[Figura në faqen 17]
Ecja me Perëndinë kërkon që t’i shërbejmë atij me zell, ashtu siç i shërbyen dishepujt e parë të Krishtit