Ata bënë vullnetin e Jehovait
Pjetri predikon gjatë Rrëshajëve
ISHTE një mëngjes i butë pranvere, në vitin 33 të e.s. Ajri ishte i mbushur me gjallëri! Një turmë e zhurmshme me judenj dhe prozelitë kishte vërshuar rrugëve të Jerusalemit. Ata kishin ardhur nga vende të tilla, si Elami, Mesopotamia, Kapadokia, Egjipti dhe Roma. Sa tërheqëse ishte t’i shihje të veshur me kostumet lokale dhe të dëgjoje gjuhët e tyre të ndryshme! Shumë kishin udhëtuar pothuajse dy mijë kilometra, për të qenë të pranishëm në këtë rast të veçantë. Cili ishte ai? Rrëshajët, një festë e gëzueshme e judenjve, e cila shënonte fundin e korrjes së elbit.—Levitiku 23:15-21.
Tymi ngrihej nga flijimet mbi altarin e tempullit, ndërsa levitët këndonin Halelin (Psalmet 113 deri 118). Pak përpara orës 9 00 paradite, ndodhi diçka e frikshme. Nga qielli, erdhi «një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm». Ajo mbushi gjithë shtëpinë, ku ishin mbledhur rreth 120 dishepuj të Jezu Krishtit. Ja, ç’thotë tregimi biblik: «Dhe atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flisnin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin.»—Veprat 2:1-4.
Secili dëgjon në gjuhën e tij
Shpejt, shumë dishepuj dolën jashtë shtëpisë. Në mënyrë të habitshme, ata mund të flitnin në gjuhët e ndryshme të turmës! Përfytyro se sa e habitshme ishte që një vizitor nga Persia dhe një egjiptian të dëgjonin galileasit t’u flisnin në gjuhën e tyre. Kuptohet që turma kishte mbetur e shtangur. «Ç’do të thotë kjo?»—pyesnin ata. Disa filluan të talleshin me dishepujt, duke thënë: «Janë plot me verë të ëmbël!»—Veprat 2:12, 13.
Më pas, apostulli Pjetër u ngrit në këmbë dhe iu drejtua turmës. Ai shpjegoi se kjo dhuratë e mrekullueshme e gjuhëve ishte në përmbushje të premtimit që kishte bërë Perëndia nëpërmjet profetit Joeli: «Unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish.» (Veprat 2:14-21; Joeli 2:28-32) Po, Perëndia sapo kishte derdhur frymën e tij të shenjtë mbi dishepujt e Jezuit. Kjo ishte një dëshmi e qartë se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit dhe tashmë ndodhej në qiell, në të djathtë të Perëndisë. «Ta dijë, pra,—tha Pjetri,—me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar [vënë në shtyllë, BR], Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.»—Veprat 2:22-36.
Si reaguan dëgjuesit? «U pikëlluan në zemër,—thotë tregimi,—dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ‘Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?’» Pjetri u përgjigj: «Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet.» Gati 3.000 veta bënë pikërisht ashtu! Pas kësaj, «ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve».—Veprat 2:37-42.
Duke marrë drejtimin në atë rast historik, Pjetri përdori të parin nga «çelësat e mbretërisë së qiejve», që Jezui kishte premtuar se do t’i jepte. (Mateu 16:19) Këta çelësa hapën privilegje të veçanta për grupe të ndryshme popullsie. Ky çelës i parë u mundësoi judenjve të bëheshin të krishterë të mirosur me frymë. Më vonë, çelësi i dytë dhe i tretë bënë të mundur po këtë mundësi, përkatësisht për samaritanët dhe për paganët.—Veprat 8:14-17; 10:44-48.
Mësime për ne
Edhe pse ajo turmë me judenj dhe prozelitë mbante përgjegjësinë e përbashkët për vdekjen e Birit të Perëndisë, Pjetri iu drejtua me respekt, duke i quajtur «vëllezër». (Veprat 2:29) Synimi i tij ishte që t’i nxiste të pendoheshin, jo t’i dënonte. Prandaj, afrimi i tij ishte pozitiv. Ai paraqiti faktet dhe mbështeti pikat e tij me citime nga Shkrimet.
Ata që predikojnë sot lajmin e mirë, bëjnë mirë të ndjekin shembullin e Pjetrit. Ata duhet të përpiqen të vendosin një bazë të përbashkët me dëgjuesit e tyre e më pas, me takt, të arsyetojnë me ta nga Shkrimet. Kur e vërteta e Biblës paraqitet në mënyrë pozitive, njerëzit me zemër të drejtë do të përgjigjen.—Veprat 13:48.
Zelli dhe guximi i Pjetrit ditën e Rrëshajëve qëndron në kontrast të hapur me mohimin që ai i bëri Jezuit rreth shtatë javë më parë. Në atë rast, Pjetri u paralizua nga frika e njeriut. (Mateu 26:69-75) Por Jezui ishte lutur në mbështetje të Pjetrit. (Luka 22:31, 32) Pa dyshim, shfaqja e Jezuit pas ringjalljes e forcoi apostullin Pjetër. (1. Korintasve 15:5) Si rrjedhojë, besimi i Pjetrit nuk u mpak. Brenda një kohe të shkurtër, ai gjendej duke predikuar me guxim. Kështu pra, ai predikoi jo vetëm gjatë Rrëshajëve, por edhe gjatë pjesës tjetër të jetës së tij.
Ç’të themi nëse ne kemi gabuar në ndonjë mënyrë, madje siç bëri edhe Pjetri? Le të tregojmë pendim, të lutemi për falje e të ndërmarrim hapa për të marrë ndihmë frymore. (Jakovit 5:14-16) Pastaj, mund të ecim përpara me besim se shërbimi ynë i shenjtë është i pranueshëm për Atin tonë të mëshirshëm qiellor, Jehovain.—Dalja 34:6.