Jetë pas vdekjes: Çfarë thotë Bibla?
«Ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.»—ZANAFILLA 3:19, BR.
1, 2. (a) Çfarë mendimesh të ndryshme ekzistojnë për jetën e përtejme? (b) Çfarë duhet të shqyrtojmë, me qëllim që të përcaktojmë atë që mëson Bibla për shpirtin?
«TEORIA e vuajtjes së përhershme nuk përputhet me besimin në dashurinë e Perëndisë për gjërat e krijuara. . . . Të besosh në ndëshkimin e përjetshëm të shpirtit për gabimet e pak viteve, pa i dhënë atij një mundësi për t’u ndrequr, do të thotë të shkosh kundër zërit të arsyes»,—vërejti filozofi hinduist Nikilananda.
2 Ngjashëm Nikilanandës, shumë persona sot janë të turbulluar nga mësimi i dënimit të përjetshëm. Për të njëjtën arsye, të tjerë e kanë të vështirë të kuptojnë koncepte të tilla si arritja e Nirvanës dhe bërja një me natyrën. Edhe mes atyre që pohojnë se i bazojnë bindjet e tyre në Bibël, ka mendime të ndryshme për atë se çfarë është shpirti dhe çfarë ndodh me të kur vdesim. Por, çfarë mëson në të vërtetë Bibla për shpirtin? Për ta zbuluar, duhet të shqyrtojmë kuptimin e fjalëve hebraike dhe greke, që në Bibël janë përkthyer «shpirt».
Shpirti sipas Biblës
3. (a) Cila fjalë është përkthyer «shpirt» në Shkrimet Hebraike dhe cili është kuptimi bazë i kësaj fjale? (b) Si e vërteton Zanafilla 2:7 faktin që fjala «shpirt» mund të tregojë një person të tërë?
3 Fjala hebraike e përkthyer «shpirt» është nefesh dhe shfaqet 754 herë në Shkrimet Hebraike. Çfarë do të thotë nefesh? Sipas një fjalori (The Dictionary of Bible and Religion), kjo fjalë «i referohet zakonisht qenies së gjallë në tërësi, të gjithë individit». Kjo tregohet nga përshkrimi që i bëhet shpirtit në Zanafillën 2:7: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i dheut dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (BR) Vër re që njeriu i parë «u bë» një shpirt. Kjo do të thotë se Adami nuk kishte një shpirt, ai ishte një shpirt, ashtu si dikush që bëhet një mjek, është mjek. Pra, fjala «shpirt» këtu përshkruan personin si një i tërë.
4. Cila fjalë është përkthyer «shpirt» në Shkrimet e Krishtere Greke dhe cili është kuptimi bazë i kësaj fjale?
4 Fjala që përkthehet «shpirt» (psikeʹ) shfaqet më shumë se njëqind herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Njëlloj si nefesh, kjo fjalë i referohet shpesh personit si një i tërë. Për shembull, shqyrto deklaratat e mëposhtme: «Shpirti im është i shqetësuar.» (Gjoni 12:27, BR) «Frika filloi të binte mbi çdo shpirt.» (Veprat 2:43, BR) «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» (Romakëve 13:1, BR) «Folu në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar.» (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:14, BR) «Pak njerëz, pra, tetë shpirtra, u shpëtuan përmes ujërave.» (1. Pjetrit 3:20, BR) Qartë, psikeʹ, ngjashëm nefesh, i referohet të gjithë personit. Sipas dijetarit Nigel Tërner, kjo fjalë «nënkupton atë që karakterizon njeriun, veten, trupin fizik që ka rûah [frymën] e Perëndisë, fryrë brenda tij . . . Theksi vihet mbi veten në tërësi».
5. A janë kafshët shpirtra? Shpjegoje.
5 Interesant është fakti se në Bibël, fjala «shpirt» përdoret jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët. Për shembull, duke përshkruar krijimin e krijesave detare, Zanafilla 1:20 thotë se Perëndia urdhëroi: «Le të gëlojnë ujërat nga një mizëri shpirtrash të gjallë.» (BR) Pastaj, në ditën tjetër të krijimit, Perëndia tha: «Le të nxjerrë toka shpirtra të gjallë sipas llojeve të tyre, kafshë shtëpiake dhe kafshë që lëviz dhe bishë të egër të tokës sipas llojit të saj.»—Zanafilla 1:24, BR; krahaso Numrat 31:28.
6. Çfarë mund të thuhet për përdorimin që i bën Bibla fjalës «shpirt»?
6 Kështu, fjala «shpirt», siç përdoret në Bibël, i referohet një personi a kafshe ose jetës që ka një person a një kafshë. (Shiko kutinë sipër.) Përcaktimi i Biblës për shpirtin është i thjeshtë, konsekuent dhe i parënduar nga filozofitë dhe besëtytnitë e ndërlikuara të njerëzve. Pasi është kështu, pyetja e menjëhershme që duhet të bëhet është: Sipas Biblës, çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes?
Të vdekurit janë të pavetëdijshëm
7, 8. (a) Çfarë zbulojnë Shkrimet rreth gjendjes së të vdekurve? (b) Jep shembuj nga Bibla që tregojnë se shpirti mund të vdesë.
7 Gjendja e të vdekurve është treguar qartë në Eklisiastiun (Predikuesin) 9:5, 10, ku lexojmë: «Të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Nuk ka punë as plane, as njohuri ose inteligjencë brenda varrit.» (Moffatt) Vdekja, pra, është një gjendje mosekzistence. Psalmisti shkroi se, kur një person vdes, «ai kthehet në dheun e tij, në atë ditë mendimet e tij zhduken». (Psalmi 146:4, BR) Të vdekurit janë të pavetëdijshëm, joaktivë.
8 Kur shpalli vendimin kundër Adamit, Perëndia tha: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19, BR) Përpara se Perëndia ta formonte nga pluhuri i dheut dhe t’i jepte atij jetë, Adami nuk ekzistonte. Kur vdiq, ai u rikthye në atë gjendje. Ndëshkimi i tij ishte vdekja, jo një transferim në një sferë tjetër të jetës. Atëherë, çfarë ndodhi me shpirtin e tij? Duke qenë se në Bibël, shpesh fjala «shpirt» i referohet thjesht një personi, kur themi se Adami vdiq, po themi që shpirti i quajtur Adam vdiq. Kjo mund t’i tingëllojë e pazakontë një personi që beson në pavdekësinë e shpirtit. Megjithatë, Bibla thotë: «Shpirti që mëkaton, ai vetë do të vdesë.» (Ezekieli 18:4, BR) Levitiku 21:1 flet për «një shpirt të vdekur» (BR) (një «kufomë», DSF). Nazirejve iu tha që të mos i afroheshin «ndonjë shpirti të vdekur» (BR) («një trupi të vdekur», Dio).—Numrat 6:6.
9. Çfarë nënkupton Bibla kur thotë se «shpirti [i Rahilës] po dilte»?
9 Por, ç’të themi për pohimin e bërë në Zanafillën 35:18 lidhur me vdekjen tragjike të Rahilës, ndërsa po lindte birin e saj të dytë? Atje lexojmë: «Ndërsa shpirti i saj po dilte (sepse ajo vdiq), e quajti atë Benomi, por babai i tij e quajti Benjamin.» (BR) A lë të kuptojë ky fragment se Rahila kishte një qenie të brendshme që u largua pas vdekjes së saj? Aspak. Mos harro, fjala «shpirt» mund t’i referohet, gjithashtu, jetës që personi zotëron. Kështu, në këtë rast «shpirti» i Rahilës do të thoshte thjesht «jeta» e saj. Ja përse Bibla të tjera e përkthejnë shprehjen «shpirti i saj po dilte» në këtë mënyrë: «Jeta e saj po mbaronte» (Knox), «ajo dha frymën e fundit» (JB) dhe «jeta iku prej saj» (Bible in Basic English). Nuk ka asnjë shenjë që një pjesë misterioze e Rahilës mbijetoi pas vdekjes së saj.
10. Në ç’mënyrë shpirti i birit të ringjallur të vejushës «u kthye brenda tij»?
10 Kjo është e ngjashme me ringjalljen e djalit të së vesë, regjistruar në 1. Mbretërve, kapitulli 17. Në vargun 22 lexojmë se ndërsa Elija po lutej mbi trupin e djaloshit, «Jehovai e dëgjoi zërin e Elijas, kështu që shpirti i fëmijës u kthye brenda tij dhe ai erdhi në jetë». (BR) Edhe një herë fjala «shpirt» do të thotë «jetë». Kështu, në një përkthim të Biblës (New American Standard Bible) lexojmë: «Jeta e fëmijës u rikthye tek ai dhe ai u kthye në jetë.» Po, ishte jeta, jo ndonjë formë si hije që u rikthye te djaloshi. Kjo është në harmoni me atë që i tha Elija nënës së djalit: «Shiko, biri yt [i gjithë personi] është gjallë.»—1. Mbretërve 17:23, BR.
Çfarë është fryma?
11. Përse fjala «frymë» nuk mund t’i referohet një pjese të shtrupëzuar të një personi që mbijeton pas vdekjes?
11 Bibla thotë se kur një njeri vdes «fryma e tij del, ai kthehet në dheun e tij». (Psalmi 146:4, BR) A do të thotë kjo që një frymë e shtrupëzuar, largohet në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jeton pas vdekjes së personit? Kjo nuk është e mundur, sepse më pas psalmisti thotë: «Në atë ditë mendimet e tij zhduken («e gjithë aftësia e tij e të menduarit merr fund», The New English Bible).» Çfarë është, atëherë, fryma dhe si «del» nga personi në momentin që ai vdes?
12. Çfarë nënkuptohet nga fjalët hebraike dhe greke të përkthyera «frymë» në Bibël?
12 Në Bibël fjalët e përkthyera «frymë» (hebraisht, ruah; greqisht, pneuma) në themel do të thonë «frymëmarrje». Në këtë mënyrë, në vend të «fryma e tij doli» përkthimi nga R. A. Noks përdor shprehjen «frymëmarrja lë trupin e tij». (Psalmi 145:4) Por fjala «frymë» përfshin shumë më tepër se procesin e frymëmarrjes. Për shembull, në përshkrimin e shkatërrimit të jetës njerëzore dhe asaj shtazore në kohën e Përmbytjes globale, Zanafilla 7:22 thotë: «Çdo gjë, në vrimat e hundës të së cilës ishte aktive frymëmarrja e forcës [ose frymë; hebraisht, ruah] së jetës, domethënë, çdo gjë që ekzistonte mbi dheun e thatë, vdiq.» Kështu, «fryma» mund t’i referohet forcës jetësore që është aktive në të gjitha krijesat e gjalla, si te njerëzit, ashtu edhe te kafshët dhe që mbështetet nga frymëmarrja.
13. Si rikthehet fryma te Perëndia pasi vdes një person?
13 Atëherë, çfarë nënkuptohet në Eklisiastiun 12:7, ku thuhet se kur një person vdes, «fryma vetë rikthehet te Perëndia i vërtetë, i cili ia dha atë»? A do të thotë kjo se fryma, në kuptimin e vërtetë të fjalës, udhëton nëpër hapësirë në praninë e Perëndisë? Nuk përfshihet asgjë e ngjashme. Meqë fryma është forca e jetës, ajo «rikthehet te Perëndia i vërtetë» në kuptimin që çdo shpresë për jetën e ardhshme, për atë person, tani mbështetet plotësisht te Perëndia. Vetëm Perëndia mund ta rivendosë frymën ose forcën e jetës, duke shkaktuar që një person të kthehet në jetë. (Psalmi 104:30) Por, a ka për qëllim Perëndia ta bëjë këtë?
«Ai do të ngrihet»
14. Çfarë tha e bëri Jezui për t’u sjellë lehtësim dhe ngushëllim motrave të Lazrit me humbjen e vëllait të tyre?
14 Në qytetin e vogël të Betanisë, rreth tri kilometra në lindje të Jerusalemit, Maria dhe Marta po vajtonin për vdekjen e parakohshme të vëllait të tyre, Lazrit. Jezui mori pjesë në pikëllimin e tyre, pasi ai i kishte për zemër Lazrin dhe motrat e tij. Si mund t’i ngushëllonte Jezui motrat? Jo duke u treguar ndonjë histori të ngatërruar, por duke u thënë të vërtetën. Jezui tha thjesht: «Vëllai yt do të ngrihet.» Pastaj, Jezui shkoi te varri dhe e ringjalli Lazrin, duke i kthyer jetën një njeriu, i cili kishte katër ditë i vdekur!—Gjoni 11:18-23, 38-44, BR.
15. Cili qe reagimi i Martës ndaj asaj që tha e bëri Jezui?
15 A u çudit Marta nga thënia e Jezuit se Lazri do të ‘ngrihej’? Është e dukshme që jo, pasi ajo u përgjigj: «E di, ai do të ngrihet në ringjalljen në ditën e fundit.» Ajo tashmë kishte besim në premtimin për një ringjallje. Më pas, Jezui i tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim në mua, edhe po të vdesë, do të kthehet në jetë.» (Gjoni 11:23-25, BR) Mrekullia e kthimit të Lazrit në jetë shërbeu për të forcuar besimin e saj dhe për të ngulitur besimin te të tjerët. (Gjoni 11:45) Por, çfarë do të thotë saktësisht termi «ringjallje»?
16. Çfarë do të thotë fjala «ringjallje»?
16 Fjala «ringjallje» është përkthyer nga fjala greke anastasis, e cila fjalë për fjalë do të thotë «një ngritje në këmbë përsëri». Përkthyesit hebrenj të greqishtes, e kanë përkthyer anastasis me një shprehje që do të thotë «ardhje në jetë e të vdekurve» (në hebraisht teçiath hamethim).a Kështu, ringjallja përfshin ngritjen e personit nga gjendja e pajetë e vdekjes, duke rivendosur dhe riaktivizuar çdo veçori të jetës së individit.
17. (a) Përse ringjallja e individëve nuk është një problem për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin? (b) Çfarë premtimi bëri Jezui në lidhje me ata që gjenden në varret përkujtimore?
17 Duke qenë se është i pafundëm në mençuri dhe i përsosur në kujtesë, Perëndia Jehova mund ta ringjallë me lehtësi një person. Për të nuk është një problem të mbajë mend çdo veçori të jetës së të vdekurve, tiparet e personalitetit të tyre, historinë personale dhe të gjitha detajet e identitetit të tyre. (Jobi 12:13; krahaso Isainë 40:26.) Për më tepër, ashtu siç tregon përvoja e Lazrit, Jezu Krishti është si i gatshëm, ashtu edhe në gjendje për të ringjallur të vdekurit. (Krahaso Lukën 7:11-17; 8:40-56.) Në fakt, Jezu Krishti tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore, do ta dëgjojnë zërin e tij [Jezuit] dhe do të dalin jashtë.» (Gjoni 5:28, 29, BR.) Po, Jezu Krishti premtoi se të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait do të ringjallen. Qartë, sipas Biblës shpirti vdes dhe ilaçi për vdekjen është ringjallja. Por, miliarda njerëz kanë jetuar dhe kanë vdekur. Cilët prej tyre janë në kujtesën e Jehovait, duke pritur ringjalljen?
18. Cilët do të ringjallen?
18 Ata që kanë ndjekur një udhë të drejtë si shërbëtorë të Jehovait do të ringjallen. Megjithatë, miliona njerëz të tjerë kanë vdekur pa mundur të tregojnë nëse do të vepronin në përputhje me standardet e drejta të Perëndisë apo jo. Ata ose ishin në padije lidhur me kërkesat e Jehovait, ose nuk patën mjaft kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme. Edhe këta të tjerët janë në kujtesën e Perëndisë e prandaj do të ringjallen, sepse Bibla premton: «Do të ketë një ringjallje si për të drejtët, ashtu edhe për të padrejtët.»—Veprat 24:15, BR.
19. (a) Çfarë vizioni mori apostulli Gjon në lidhje me ringjalljen? (b) Çfarë është «flakur në liqenin e zjarrtë» dhe çfarë do të thotë kjo shprehje?
19 Apostulli Gjon pati një vizion rrëqethës të të ringjallurve, të cilët qëndronin përpara fronit të Perëndisë. Duke e përshkruar atë, ai shkroi: «Deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja e Hadesi i dorëzuan të vdekurit që ishin në to dhe ata u gjykuan individualisht sipas veprave të tyre. Dhe vdekja e Hadesi u flakën në liqenin e zjarrtë. Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrtë.» (Zbulesa 20:12-14, BR) Mendo se çdo të thotë kjo! Të gjithë të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë, do të çlirohen nga Hadesi ose Sheoli, varri i përbashkët i njerëzimit. (Psalmi 16:10; Veprat 2:31) Pastaj, «vdekja dhe Hadesi» do të flaken në atë që quhet «liqeni i zjarrtë», i cili simbolizon shkatërrimin e plotë. Varri i përbashkët i njerëzimit nuk do të ekzistojë më.
Një perspektivë unike!
20. Në çfarë lloj mjedisi do të ringjallen miliona njerëz që tani janë të vdekur?
20 Kur miliona njerëz do të ringjallen, nuk do të rikthehen në jetë në një tokë bosh. (Isaia 45:18) Ata do të zgjohen në një mjedis të përmirësuar në mënyrë të mrekullueshme dhe do të zbulojnë se për ta janë përgatitur banesa, veshje dhe ushqim me bollëk. (Psalmi 67:6; 72:16; Isaia 65:21, 22) Kush do t’i bëjë gjithë këto përgatitje? Natyrisht, para se të fillojë ringjallja tokësore, në botën e re do të ketë njerëz që jetojnë. Por, cilët njerëz?
21, 22. Çfarë perspektive unike i pret ata që jetojnë në «ditët e fundit»?
21 Përmbushja e profecive të Biblës tregon se ne po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi gjërash.b (2. Timoteut 3:1) Shumë shpejt, Perëndia Jehova do të ndërhyjë në çështjet njerëzore dhe do ta zhdukë ligësinë nga toka. (Psalmi 37:10, 11; Proverbat 2:21, 22) Çfarë do të ndodhë në atë kohë me ata që po i shërbejnë plot besim Perëndisë?
22 Jehovai nuk do t’i shkatërrojë të drejtët bashkë me të ligjtë. (Psalmi 145:20) Ai nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë dhe nuk do ta bëjë as kur të pastrojë tokën nga e gjithë e keqja. (Krahaso Zanafillën 18:22, 23, 26.) Në fakt, libri i fundit i Biblës flet për «një shumicë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët», që dilnin nga «mjerimi i madh». (Zbulesa 7:9-14, BR) Po, një shumicë e madhe do të mbijetojë mjerimin e madh, me të cilin merr fund bota e ligë e tanishme dhe do të hyjnë në botën e re të Perëndisë. Atje, njerëzimi i bindur mund të përfitojë plotësisht nga masat e mrekullueshme të Perëndisë për të çliruar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. (Zbulesa 22:1, 2) Kështu, ‘shumicës së madhe’ nuk do t’i duhet ta provojë kurrë vdekjen. Çfarë perspektive unike!
Jetë pa vdekje
23, 24. Çfarë duhet të bësh nëse dëshiron të jetosh përgjithmonë në Parajsë mbi tokë?
23 A mund të kemi besim te kjo shpresë fantastike? Patjetër që po! Vetë Jezu Krishti tregoi se do të ketë një kohë, kur njerëzit do të jetojnë pa vdekur kurrë. Pikërisht para se të ringjallte mikun e tij Lazrin, Jezui i tha Martës: «Kushdo që jeton dhe ushtron besim tek unë, nuk do të vdesë kurrë.»—Gjoni 11:26, BR.
24 A dëshiron të jetosh përgjithmonë në Parajsë mbi tokë? A dëshiron t’i shohësh përsëri njerëzit e tu të dashur? «Bota po kalon tutje e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë»—thotë apostulli Gjon. (1. Gjonit 2:17, BR) Tani është koha që të mësosh se cili është vullneti i Perëndisë dhe të jesh i vendosur të jetosh në harmoni me këtë vullnet. Atëherë ti, bashkë me miliona të tjerë që po bëjnë tashmë vullnetin e Perëndisë, mund të jetosh përgjithmonë në Parajsë mbi tokë.
[Shënimet]
a Edhe pse fjala «ringjallje» nuk shfaqet në Shkrimet Hebraike, shpresa e ringjalljes është shprehur qartë te Jobi 14:13, Danieli 12:13 dhe Hozea (Osea) 13:14.
b Shiko Njohuria që të çon në jetën e përhershme, faqet 98-107, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Cila është domethënia bazë e fjalëve në gjuhën origjinale të përkthyera «shpirt»?
◻ Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes?
◻ Sipas Biblës, cili është ilaçi për vdekjen?
◻ Cila perspektivë unike i pret ata që janë besnikë sot?
[Kutia në faqen 15]
«Shpirti» si jeta e një krijese
Nganjëherë, fjala «shpirt» i referohet jetës që ka një person ose një kafshë. Kjo nuk e ndryshon përcaktimin e Biblës për shpirtin si një person ose një kafshë. Për ta ilustruar: ne themi se dikush është gjallë, duke nënkuptuar që ai është një person i gjallë. Ne mund të themi, gjithashtu, që ai zotëron jetë. Në të njëjtën mënyrë, një person i gjallë është një shpirt. Megjithatë, ndërsa ai është i gjallë, për «shpirtin» mund të flitet si për diçka që ai zotëron.
Për shembull, Perëndia i tha Moisiut: «Të gjithë burrat që gjuanin shpirtin tënd kanë vdekur.» Është e qartë, armiqtë e Moisiut po kërkonin t’i merrnin jetën. (Dalja [Eksodi] 4:19; krahaso Josiun [Jozuen] 9:24; Proverbat [Fjalët e urta] 12:10.) Jezui e përdori këtë fjalë në një mënyrë të ngjashme kur tha: «Biri i njeriut erdhi . . . për të dhënë shpirtin e tij si shpërblesë në shkëmbim për shumë.» (Mateu 20:28; krahaso 10:28.) Në çdo rast, fjala «shpirt» nënkupton «jetën e një krijese».
[Figurat në faqen 15]
Ata janë të gjithë shpirtra
[Burimi]
Kolibër: U.S. Fish and Wildlife Service, Uashington, D.C./Dean Biggins
[Figura në faqen 17]
Jezui tregoi se ilaçi për vdekjen është ringjallja
[Figura në faqen 18]
«Kushdo që jeton dhe ushtron besim tek unë, nuk do të vdesë kurrë.»—Gjoni 11:26, BR