Prilli—Kohë ‘për të punuar pa u lodhur dhe për t’u përpjekur’
1 Javët rreth Përkujtimit janë një kohë meditimi për popullin e Jehovait. Kjo është një kohë për t’u përsiatur rreth asaj që u krye me anë të vdekjes së Krishtit dhe për të menduar thellë për shpresën që na ka dhënë Perëndia, e cila u bë e mundur nëpërmjet gjakut të derdhur të Jezuit. Nëse mendojmë pak për 19 prillin e vitit të kaluar, çfarë na vjen ndërmend? A mund t’i kujtojmë fytyrat që pamë në atë mbrëmje pranvere, atmosferën e pasur e frymore të Përkujtimit, fjalimin serioz biblik dhe lutjet e përzemërta? Ndoshta vendosëm ta tregonim më plotësisht thellësinë e mirënjohjes sonë për dashurinë e treguar ndaj nesh nga Jehovai dhe Jezui. Si ndikon tani te ne një meditim i tillë?
2 Është e qartë se mirënjohja që tregon populli i Jehovait përfshin shumë më tepër sesa vetëm fjalë. (Kolos. 3:15, 17) Veçanërisht prillin e kaluar, vumë si synim që ta tregojmë çmueshmërinë tonë për masat shpëtuese të Jehovait, duke marrë pjesë më shumë në shërbimin e krishterë. Numri i 571 pionierëve ndihmës, prillin e kaluar, e kaloi maksimumin e mëparshëm në Shqipëri me 207 për qind. Përpjekjet e tyre, së bashku me ato të të gjithë lajmëtarëve të Mbretërisë, sollën si përfundim maksimume të reja në orë dhe rivizita. Gëzimi ynë u rrit kur pamë që u filluan 419 studime të reja biblike dhe që pati një maksimum të ri në numrin e pjesëmarrësve në Përkujtim.
3 Vërtet, siguria për shpresën që kemi na nxit të veprojmë. Është tamam siç shkroi apostulli Pavël: «Për këtë po punojmë pa u lodhur dhe po përpiqemi, pasi e kemi varur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë, i cili është Shpëtimtar i njerëzve të çdo lloji, sidomos i atyre që janë të besueshëm.»—1 Tim. 4:10.
4 Si do ta tregojmë gjatë periudhës së këtij Përkujtimi besimin tonë në masat që ka marrë Jehovai për jetën? A mund të synojmë një maksimum të ri në numrin e lajmëtarëve si në prillin e vitit të kaluar? Por për këtë do të duhet të marrë pjesë çdo lajmëtar, qoftë ky i pagëzuar ose i papagëzuar. Edhe shumë studentë të rinj të Biblës mund të kualifikohen për të marrë pjesë. Prandaj, ndërsa bëjmë plane për të punuar pa u lodhur dhe për të bërë përpjekje gjatë këtij prilli, të shqyrtojmë mënyrat me të cilat mund t’i nxitim të tjerët, duke përfshirë personat më të rinj dhe ata me më pak përvojë, që të na shoqërojnë.
5 Të ndihmojmë disa që të rifillojnë shërbimin: Nëse e dimë që disa nuk kanë qenë në shërbim për një ose dy muaj, ndoshta mund t’u japim zemër dhe t’i ftojmë që të dalin me ne në shërbim. Nëse disa në kongregacion janë bërë joaktivë, pleqtë do të bëjnë një përpjekje të veçantë për t’i vizituar dhe për t’i nxitur që të fillojnë sërish në prill.
6 Të gjithë duhet të vazhdojmë të kërkojmë frymën e Jehovait që të na forcojë të kryejmë shërbimin e tij. (Luka 11:13) Çfarë duhet të bëjmë për ta marrë këtë frymë? Të lexojmë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (2 Tim. 3:16, 17) Gjithashtu, duhet «të dëgjojmë çfarë u thotë fryma kongregacioneve» duke qenë të pranishëm në të pesë mbledhjet javore. (Zbul. 3:6) Tani është një kohë e përshtatshme për të ndihmuar të parregulltit dhe joaktivët që të përmirësojnë zakonet e tyre të studimit dhe të bëhen të qëndrueshëm në ndjekjen e mbledhjeve. (Psal. 50:23) Këtë e bëjmë ndërkohë që jemi mjaft syçelë ndaj mirëqenies sonë frymore. Megjithatë, kërkohet edhe diçka tjetër.
7 Apostulli Pjetër shpjegoi se Perëndia u jep frymën e shenjtë «atyre që i binden atij si sundimtar». (Vep. 5:32) Një bindje e tillë përfshin edhe t’i vëmë veshin urdhrit që «t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë». (Vep. 1:8; 10:42) Pra, ndonëse është e vërtetë që na nevojitet fryma e Perëndisë për të marrë forcë që të predikojmë, është e vërtetë edhe se ndërsa fillojmë ta tregojmë dëshirën tonë për t’i pëlqyer Jehovait, ai na ndihmon edhe më tej. Të mos e zvogëlojmë kurrë rëndësinë e marrjes së këtyre hapave fillestarë që tregojnë një bindje me gatishmëri nga ana jonë!
8 Të ndihmojmë të vegjlit: Prindër, a keni vënë re se fëmijët tuaj duan t’u flasin të tjerëve për të vërtetën? A ju kanë shoqëruar në shërbimin në fushë? A janë shembullorë në sjelljen e tyre? Nëse po, përse ngurroni? Afrojuni njërit prej anëtarëve të Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit dhe shihni nëse fëmija juaj është i kualifikuar për t’u llogaritur si një lajmëtar prillin e këtij viti. (Shih librin Të organizuar, faqet 99, 100.) Kujto se fëmija yt mund të ndihmojë në mënyrë të fuqishme në thirrjen e lëvdimit për Jehovain, këtë sezon Përkujtimi.—Mat. 21:15, 16.
9 Një nënë e krishterë në Xhorxhia, SHBA, i jepte zemër gjithmonë të bijës që t’u fliste të tjerëve rreth Jehovait. Vitin e kaluar, ndërsa kishte dalë në shërbim me të ëmën, ajo i la një burri broshurën Çfarë kërkon? dhe i shpjegoi shkurtimisht tabelën e përmbajtjes. Ai e pyeti: «Sa vjeç je?» Vajza iu përgjigj: «Shtatë.» Burri u habit kur e pa të bënte një prezantim kaq domethënës. U mësua se ai ishte shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait kur kishte qenë i ri, por nuk e kishte marrë kurrë seriozisht të vërtetën si një udhë jete. Pak pas kësaj, u fillua një studim biblik me burrin, gruan dhe vajzën e tij.
10 Shumë fëmijë janë tashmë lajmëtarë dhe na pëlqen shoqëria e tyre ndërsa punojnë me ne në shërbim. Ata mund të motivojnë dhe nxitin të tjerët në moshën e tyre. Por prilli është një kohë e përshtatshme edhe për pjesëtarët e familjes që të forcojnë lidhjen e tyre dhe të ndërtohen frymësisht duke punuar së bashku në shërbimin e shenjtë. Kreu i familjes duhet të marrë drejtimin në lidhje me këtë gjë.—Prov. 24:27.
11 Të ndihmojmë të interesuarit e rinj: Ç’mund të themi për të interesuarit e rinj me të cilët po studiojmë Biblën? A mund të ndihmojnë në përpjekjen e veçantë që do të bëhet gjatë prillit? Ndoshta kanë shprehur dëshirën për t’u treguar të tjerëve atë që po mësonin, kur trajtuam me ta kapitullin 2, paragrafi 22 ose kapitullin 11, paragrafi 14 në librin Njohuria. Nëse jemi afër fundit të librit, të përgatitemi që ta diskutojmë qartë këtë çështje, ndërsa studiojmë kapitullin 18, paragrafi 8 ku thuhet: «Ndoshta mezi pret t’u tregosh të afërmve, shokëve dhe të tjerëve atë që po mëson. Në fakt, tashmë mund ta kesh bërë këtë, ashtu si edhe Jezui, i cili e ndau lajmin e mirë me të tjerët në raste joformale. (Luka 10:38, 39; Gjoni 4:6-15) Tani mund të duash të bësh edhe më shumë.» A është po kështu për ata me të cilët po studiojmë?
12 A e beson studenti ynë Fjalën e Perëndisë? A po i zbaton parimet biblike? A e ka vënë jetën në harmoni me standardet hyjnore? A po i ndjek mbledhjet e kongregacionit? A dëshiron që t’i pëlqejë Perëndisë Jehova? Atëherë, përse të mos e nxitim që të flasë me pleqtë, në mënyrë që ata të përcaktojnë nëse është i kualifikuar për të qenë një lajmëtar i papagëzuar dhe të punojë bashkë me ne në prill? (Shih librin Të organizuar, faqet 97-99.) Kështu, mund të fillojë të përjetojë drejtpërdrejt mënyrën se si do ta mbështetë organizata e Jehovait në përpjekjet që bën për t’i shërbyer atij.
13 Vërtet, disa studentë përparojnë më shpejt se të tjerët. Kështu, në harmoni me udhëzimin e dhënë në Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 2000, faqja 4, paragrafët 5, 6, shumë janë duke studiuar një libër të dytë me njerëzit që treguan interes fillimisht, por që u nevojitej më tepër ndihmë për t’u shoqëruar në mënyrë aktive. Ne nuk e humbim kurrë shpresën që këta persona me zemër të sinqertë, «qoftë për një kohë të shkurtër apo qoftë për një kohë të gjatë» do të bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit. (Vep. 26:29) Megjithatë, nëse muajt që jemi duke studiuar me këta individë mund të përshkruhen si ‘një kohë e gjatë’, a mund të jetë kjo periudhë Përkujtimi një mundësi e mirë për studentët tanë që të fillojnë të tregojnë thellësinë e çmueshmërisë së tyre për shpërblesën e Krishtit?
14 Si t’i ndihmojmë që të marrin pjesë: Duke shqyrtuar se si i stërviti Jezui të tjerët, mësojmë shumë lidhur me mënyrën si t’i ndihmojmë ata që janë të kualifikuar të fillojnë shërbimin. Nuk është se ai thjesht gjeti një turmë njerëzish dhe u tha apostujve të tij që të fillonin të bisedonin me ta. Në radhë të parë, ai theksoi nevojën për veprën e predikimit, i nxiti ta bejnë lutjen një zakon dhe më pas u dha tri sigurime bazë: një shok shërbimi, një caktim territori dhe një mesazh. (Mat. 9:35-38; 10:5-7; Mar. 6:7; Luka 9:2, 6) Ne mund të veprojmë po njësoj. Edhe nëse ndihmojmë fëmijën tonë ose një student të ri a dikë që nuk ka dorëzuar raport shërbimi për njëfarë kohe, do të ishte e përshtatshme të bënim një përpjekje të veçantë për të ndjekur objektivat e mëposhtme.
15 Të theksojmë nevojën për të predikuar: Të ngulitim te personi rëndësinë e veprës së predikimit. Të jemi pozitivë lidhur me këtë. Të themi përvoja që tregojnë se çfarë po kryen kongregacioni në shërbim. Të tregojmë frymën që shfaqi Jezui në Mateun 9:36-38. Ta nxitim atë që mund të jetë lajmëtar në të ardhmen ose personin joaktiv që të lutet lidhur me pjesëmarrjen e tij në shërbim, si edhe për suksesin e veprës në mbarë botën.
16 Ta nxitim personin të mendojë rreth mundësive të shumta që ka për të dëshmuar: Të përmendim mundësinë që ka për të dhënë dëshmi shtëpi më shtëpi së bashku me grupin e studimit të librit. Të flasim për bisedat që mund të bëjë me të afërmit dhe të njohurit ose me shokët e punës a shokët e shkollës gjatë pushimeve të drekës. Kur udhëton me mjetet e transportit publik, shpesh, mund të fillohet ndonjë bisedë thjesht duke treguar interes personal për pasagjerët e tjerë. Kur marrim nismën, kjo gjë krijon shpesh mundësinë për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Vërtet, ka shumë raste për ta ndarë shpresën tonë me të tjerët «ditë për ditë».—Psal. 96:2, 3, BR.
17 Megjithatë, mund të parapëlqehet që ne të punojmë sa më shpejt së bashku me lajmëtarin e ri nga shtëpia në shtëpi. Nëse kemi vënë si synim që ta shtojmë shërbimin gjatë prillit, t’i kërkojmë vëllait përgjegjës për territoret nëse ka ndonjë territor të përshtatshëm në dispozicion. Nëse po, kjo do të na japë mundësinë për ta punuar atë plotësisht. Për shembull, ndërsa përfundojmë shërbimin ose po udhëtojmë për në mbledhje, a në vende të tjera, mund të vërejmë se është dikush në një shtëpi ku më parë nuk ishte gjetur njeri ose ku ishte treguar interes. Nëse është e mundur, të bëjmë një vizitë të shkurtër kur të jetë çasti më i përshtatshëm. Kjo nga ana tjetër do të bënte që të provonim kënaqësinë e arritjes dhe gëzim në shërbim.
18 Të përgatitim një mesazh tërheqës: Është një gjë që një person të dojë ta japë mesazhin e Mbretërisë, por është një gjë krejt tjetër që ai të ndihet i sigurt për mënyrën si e shpreh këtë mesazh, veçanërisht nëse është lajmëtar i ri ose që nuk ka qenë në shërbim për një kohë të gjatë. Koha që kalojmë për të ndihmuar lajmëtarët e rinj ose personat joaktivë që të përgatiten për shërbim është më se e vlefshme. Mbledhjet e Shërbimit dhe mbledhjet për shërbimin në fushë mund të sigurojnë ide ndihmëse, por nuk e zëvendësojnë përgatitjen personale.
19 Si mund t’i ndihmojmë lajmëtarët e rinj që të përgatiten për shërbim? Të fillojmë duke u treguar si mund të bëjnë të njohur një revistë në mënyrë të thjeshtë e të shkurtër. T’u kërkojmë të mendojnë se cilat nga ngjarjet që janë dhënë në lajme, do të ishin me interes për njerëzit në territor dhe, pastaj, në një nga revistat e fundit të gjejmë një pikë që lidhet me të. Ta provojmë prezantimin së bashku dhe ta përdorim në shërbim sa më shpejt që të jetë e mundur.
20 Të zhvillojmë mundësinë tonë për një rritje në të ardhmen: Vitin e kaluar, pjesëmarrja në Përkujtim në mbarë botën ishte më shumë se 14,8 milionë. Numri i atyre që raportuan si lajmëtarë ishte gati gjashtë milionë. Kjo do të thotë se rreth 8,8 milionë njerëz ishin mjaft të interesuar, aq sa erdhën në këtë program të veçantë ku dëgjuan t’u shpjegohej një nga mësimet kryesore të Biblës. Arritën të njohin disa nga ne personalisht, gjë që ka mundësi t’u ketë lënë përshtypje të mira. Shumë prej tyre flasin me nderim për ne, japin kontribut për veprën tonë mbarëbotërore dhe na mbrojnë përpara të tjerëve. Ky grup i madh paraqet mundësinë për një rritje në të ardhmen. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar që të përparojnë më tej?
21 Pjesa më e madhe e personave të rinj të pranishëm në Përkujtim, vijnë për shkak të një ftese personale që kanë marrë nga njëri prej nesh. Zakonisht, kjo do të thotë se në auditor kanë të paktën një që e njohin personalisht. Nëse dikush i përgjigjet ftesës sonë dhe merr pjesë, kemi përgjegjësinë ta bëjmë të ndihet i mirëpritur dhe ta ndihmojmë të nxjerrë dobi të plotë nga programi. Pasi salla do të jetë e mbushur, ta ndihmojmë të gjejë një vend. T’i japim sa për atë mbrëmje një Bibël dhe t’i afrojmë librin e këngëve gjatë këndimit. T’i përgjigjemi çdo pyetjeje që mund të bëjë. Vëmendja jonë e ngrohtë personale, mund të jetë një faktor i rëndësishëm në kultivimin e interesit të tij. Sigurisht, përgjegjësia është e të gjithëve. Nëse shohim një fytyrë të panjohur, t’i tregojmë mikpritje të ngrohtë dhe të bisedojmë shkurtimisht me të për t’u njohur.
22 Pjesëmarrja në Përkujtim mund të ketë vërtetë një ndikim në mënyrën e të menduarit të një personi. Fakti që ka ardhur në mbledhje, mund të tregojë se nuk e ka gjetur në ndonjë vend tjetër atë që po kërkon dhe se ne po i japim diçka për të cilën ai ndien nevojën që ta shqyrtojë më nga afër. Shpjegimi i masës së mrekullueshme të shpërblesës, mund të jetë një zbulim i thellë për një person që nuk ka ndonjë ide për dashurinë e pakufishme të Jehovait. Ai mund ta vërejë menjëherë që ne jemi ndryshe—të çiltër, miqësorë, të dashur dhe të respektueshëm. Salla jonë nuk ngjan me atë që ai mund të ketë parë nëpër kisha ku bien në sy shëmbëlltyrat dhe ritet e pakuptimta. Pa dyshim që vizitorët e rinj e shohin se auditori përbëhet nga persona të të gjitha shtresave shoqërore dhe se nuk bëhet mbledhje parash. Të gjitha këto mund të jetë një shtysë e fuqishme për ta që të kthehen sërish.
23 Pas Përkujtimit, kërkohet të jemi syçelë, për t’i siguruar më pas ndihmë çdo personi të ri që ishte i pranishëm. Nëse i kemi ftuar ne këta persona të rinj, kemi një përgjegjësi të veçantë. Përpara se të largohen, të sigurohemi nëse e dinë që në Sallën e Mbretërisë zhvillohen edhe mbledhje të tjera. Të përmendim titullin e fjalimit tjetër publik. T’u tregojmë vendin dhe orarin e Studimit të Librit të Kongregacionit që është më afër shtëpisë së tyre. Më pas, t’u japim një kopje të librit Krijuesi dhe t’u tregojmë se diskutimi për javën që fillon më 30 prill është: «Çfarë mund të mësoni rreth Krijuesit nga një libër?» T’u shpjegojmë përse i gjithë kongregacioni po planifikon të ndjekë një kongres krahinor jo larg asaj zone, që është në program në të ardhmen e afërt.
24 Të bëjmë rregullime për ndonjë vizitë të ngrohtë në shtëpinë e tyre. Të sigurohemi nëse i kanë kopjet e broshurës Çfarë Kërkon? dhe të librit Njohuria, botime këto, që i njohin me të vërtetat themelore të Biblës. Nëse në këtë kohë nuk janë duke studiuar, t’i ftojmë të fillojnë një studim biblik. T’u sugjerojmë që të lexojnë broshurën Dëshmitarët e Jehovait, e cila jep një pamje të qartë të asaj se si veprojmë si organizatë. Të bëjmë që të takojnë të tjerë në kongregacion. Të mbajmë lidhje me këta të interesuar të rinj gjatë muajve që pasojnë dhe t’i ftojmë të ndjekin mbledhjet kur është vizita e mbikëqyrësit qarkor ose kur kemi ditën e asamblesë qarkore a të asamblesë speciale. T’u japim çdo mundësi që të tregojnë se janë «të prirur drejt jetës së përhershme»!—Vep. 13:48.
25 Çfarë mund të bëjnë pleqtë? Suksesi i shtimit të përpjekjeve në shërbim gjatë prillit, do të varet në një masë të madhe nga pleqtë. Nëse je një drejtues i studimit të librit, harto një listë të gjërave që mund të bësh për të ndihmuar secilin në grupin tënd të studimit, që të marrë pjesë në aktivitetet e veçanta. A ka në grupin tënd ndonjë që është i ri në moshë, student i ri i Biblës, i parregullt ose joaktiv? Shih nëse prindërit, pionierët ose lajmëtarët e tjerë kanë marrë nismën për t’i ndihmuar ata. Siguro çfarëdo ndihme personale që t’i vetë mund të japësh. Një motër që kishte qenë e parregullt në shërbim për dy vjet, bëri më shumë se 50 orë në shërbim prillin e kaluar. Çfarë e shkaktoi këtë ndryshim të saj? Tha se ishin vizitat ndërtuese baritore të bëra nga pleqtë.
26 Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet të bashkëpunojnë për t’u siguruar se ka mjaft territor, revista dhe literaturë për muajin e ardhshëm. A mund të bëhen rregullime për të mbajtur mbledhje shtesë për shërbimin në fushë? Nëse po, këto rregullime të veçanta të njoftohen. Mbi të gjitha, në lutjet tuaja publike dhe private, kërkoni që Jehovai ta bekojë këtë muaj veprimtarie të zgjeruar të Mbretërisë.—Rom. 15:30, 31; 2 Sel. 3:1.
27 Prillin e kaluar, pleqtë në një kongregacion, u dhanë vërtetë nxitje lajmëtarëve që ta rritnin shërbimin. Çdo javë, në mbledhje, ata i ftonin lajmëtarët që të shqyrtonin në lutje nëse mund të regjistroheshin si pionierë ndihmës. Në çdo rast që jepej, të gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës flitnin me entuziazëm rreth mundësisë për ta bërë prillin muajin më të mirë se çdo muaj tjetër. Si përfundim, 58 për qind e lajmëtarëve, duke përfshirë të gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, shërbyen si pionierë atë muaj!
28 Gëzimi që vjen nga një pjesëmarrje e plotë: Cilat janë bekimet kur ‘punon pa u lodhur dhe përpiqesh’ në shërbim? (1 Tim. 4:10) Lidhur me veprimtarinë e zellshme të kongregacionit të tyre prillin e kaluar, pleqtë e përmendur më lart shkruan: «Vëllezërit dhe motrat flitnin shpesh rreth faktit se ndienin më shumë dashuri dhe se ndiheshin më të afërt me njëri-tjetrin, që kur filluan të punojnë më shumë në shërbim.»
29 Një vëlla i ri, me aftësi të kufizuara fizike, dëshironte shumë që të merrte pjesë në veprimtarinë e veçantë gjatë prillit të kaluar. Me anë të një plani të bërë me kujdes dhe me ndihmën e nënës së tij, vëllezërve frymorë dhe motrave frymore, ai gëzoi një muaj të frytshëm si pionier ndihmës. Si ndihej lidhur me këtë përvojë? Ky vëlla tha: «Për herë të parë në jetën time, u ndjeva si një njeri me fizik të fortë.»
30 Nuk ka dyshim që Jehovai i bekon në mënyrë të pasur ata që e vlerësojnë shumë privilegjin e tyre për të folur rreth mbretërimit të tij. (Psal. 145:11, 12) Ndërsa përkujtojmë vdekjen e Zotërisë, e kuptojmë se bekimet për devocionin hyjnor që shfaqim, do të jenë edhe më të bollshme në të ardhmen. Apostulli Pavël e dëshironte me zjarr shpërblimin e jetës së përhershme. Megjithatë, e dinte se kjo nuk ishte diçka për të cilën ai thjesht mund të ulej e të shpresonte. Pavli shkroi: «Në fakt, për këtë qëllim jam duke punuar pa u lodhur, duke u përpjekur sipas veprimit të atij që vepron tek unë me fuqi.» (Kolos. 1:29) Nëpërmjet Jezuit, Jehovai e bëri të fuqishëm Pavlin për të kryer një shërbim jetëshpëtues dhe mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne sot. A do ta përjetojmë personalisht këtë gjatë prillit të këtij viti?
[Kutia në faqen 3]
Kë mund të nxitim ne për të filluar si lajmëtar në prill?
Fëmijën tonë?
Një student të Biblës?
Dikë që është bërë joaktiv?