«Të ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit»
«Ne po ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit.»—2. KORINTASVE 5:7, BR.
1. Çfarë do të thotë ‘të ecësh me anë të besimit’?
SA HERË që lutemi në harmoni me drejtimet e paraqitura në Fjalën e Perëndisë, tregojmë se kemi të paktën njëfarë mase besimi. Kur fillojmë t’u dëshmojmë të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, edhe kjo gjë tregon besim. Kur ia dedikojmë jetën Jehovait, jemi duke dhënë dëshmi se është dëshira jonë që të «ecim me anë të besimit», domethënë të ndjekim një rrugë jete që sundohet nga besimi.—2. Korintasve 5:7, BR; Kolosianëve 1:9, 10.
2. Pse pjesëmarrja në aktivitetet e kongregacionit nuk është medoemos provë se një person ka besim?
2 Në qoftë se duam me të vërtetë të jetojmë në një mënyrë të tillë, kemi nevojë për një besim me themele të forta. (Hebrenjve 11:1, 6) Shumë njerëz tërhiqen drejt Dëshmitarëve të Jehovait për shkak të standardeve të larta morale dhe dashurisë që shohin mes tyre. Ky është një fillim i shkëlqyer, por nuk do të thotë se njerëz të tillë kanë besim. Të tjerë mund të kenë një bashkëshort apo një prind që është i fortë në besim dhe mund të marrin pjesë në disa prej aktiviteteve në të cilat angazhohet ky person që ata duan. Pasja e një ndikimi të tillë në shtëpi është vërtet një bekim, por edhe kjo nuk është një zëvendësues i dashurisë personale për Perëndinë dhe i besimit personal.—Luka 10:27, 28.
3. (a) Që të kemi një besim me themele të forta, çfarë bindjeje duhet të kemi personalisht në lidhje me Biblën? (b) Pse disa njerëz binden më shpejt për frymëzimin e Biblës sesa të tjerët?
3 Ata që ecin me të vërtetë me anë të besimit, janë plotësisht të bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë. Ekziston një dëshmi e bollshme se Shkrimet e Shenjta janë me të vërtetë «të frymëzuara nga Perëndia».a (2. Timoteut 3:16) Ç’sasi e kësaj dëshmie duhet shqyrtuar përpara se një person të bindet? Kjo mund të varet nga formimi i tij. Ajo që e bind plotësisht një person, mund të mos e bindë një tjetër. Në disa raste, edhe pse një personi i tregohet një bollëk dëshmish të parefuzueshme, megjithatë, ai mund t’i rezistojë përfundimit drejt të cilit çojnë ato. Pse? Për shkak të dëshirave të varrosura thellë në zemrën e tij. (Jeremia 17:9) Pra, megjithëse një person mund të shpallë se ka interes për qëllimin e Perëndisë, zemra e tij mund të dëshirojë fort aprovimin e botës. Ai mund të mos ketë dëshirë që të lërë t’i ikë një mënyrë jetese, e cila është në konflikt me standardet e Biblës. Megjithatë, nëse dikush është me të vërtetë i uritur për të vërtetën, nëse është i ndershëm me vetveten dhe nëse është i përulur, me kohë do ta kuptojë se Bibla është Fjala e Perëndisë.
4. Çfarë kërkohet nga ana e një individi, që të fitojë besimin?
4 Shpesh, brenda vetëm pak muajsh, njerëz që ndihmohen për të studiuar Biblën, kuptojnë se tashmë kanë parë më shumë sesa prova të mjaftueshme që ajo është Fjala e Perëndisë. Nëse kjo i nxit ta hapin zemrën e tyre për t’u mësuar nga Jehovai, atëherë mendimet e tyre të brendshme, dëshirat dhe motivimet, gradualisht do të modelohen nga ajo që mësojnë. (Psalmi 143:10) Romakëve 10:10 thotë se «me zemër» një person ushtron besim. Një besim i tillë shpreh atë se si ndihet me të vërtetë individi dhe kjo do të manifestohet në rrugën e tij të jetës.
Noeja veproi sipas besimit të tij me themele të forta
5, 6. Mbi çfarë bazohej besimi i Noes?
5 Noeja ishte një njeri që e pati besimin me themele të forta. (Hebrenjve 11:7) Çfarë baze pati ai për të? Noeja e kishte fjalën e Perëndisë jo në formë të shkruar, por siç i ishte thënë. Zanafilla 6:13 thotë: «Perëndia i tha Noes: ‘Fundi i çdo mishi ka ardhur para meje, sepse toka është plot me dhunë si rezultat i tyre.’» Jehovai e drejtoi Noen të ndërtonte një arkë dhe siguroi hollësi në lidhje me ndërtimin e saj. Pastaj Perëndia shtoi: «Sa për mua, ja tek po sjell përmbytjen me ujëra mbi tokë, për ta çuar në rrënim çdo mish nën qiell, në të cilin forca e jetës është aktive. Çdo gjë që është në tokë do të marrë fund.»—Zanafilla 6:14-17, BR.
6 A kishte rënë shi më përpara? Bibla nuk flet për këtë. Zanafilla 2:5 thotë: «Perëndia Jehova nuk kishte bërë të binte shi.» Por kështu u shpreh Moisiu, i cili jetoi shekuj më vonë, duke folur jo për ditët e Noes, por për një periudhë shumë kohë para saj. Siç tregohet në Zanafillën 7:4, Jehovai iu referua shiut kur po i fliste Noes dhe me sa duket Noeja e kuptoi se çfarë donte të thoshte ai. Por megjithatë, besimi i Noes nuk qëndronte në atë që mund të shihte. Apostulli Pavël shkroi se Noes «iu dha paralajmërim hyjnor për gjëra ende të papara». Perëndia i tha Noes se do të sillte mbi tokë «përmbytje me ujëra», apo «oqeanin qiellor», siç e shpreh këtë një shënim për Zanafillën 6:17 në Përkthimin Bota e Re. Deri në atë kohë, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Por i gjithë krijimi i dukshëm për Noen, qëndroi si një demonstrim i dukshëm se Perëndia mund të sillte me të vërtetë një përmbytje të tillë shkatërrimtare. I nxitur nga besimi, Noeja ndërtoi arkën.
7. (a) Për çfarë nuk kishte nevojë Noeja, për të bërë atë që e urdhëroi Perëndia? (b) Si kemi përfituar nga shqyrtimi i besimit të Noes dhe si mund të jetë një bekim për të tjerët besimi ynë?
7 Perëndia nuk i kishte dhënë Noes një datë se kur do të fillonte Përmbytja. Por Noeja nuk e përdori këtë si një justifikim për të adoptuar një qëndrim ‘shohim e bëjmë’, duke e vendosur ndërtimin e arkës dhe predikimin në vend të dytë në jetën e tij. Në një kohë të mjaftueshme përpara, Perëndia i tha Noes se kur duhej të hynte në arkë. Ndërkohë, «Noeja vazhdoi të bënte sipas të gjithë asaj që Perëndia i kishte urdhëruar. Ai bëri pikërisht ashtu». (Zanafilla 6:22, BR) Noeja eci me anë të besimit, jo me anë të shikimit. Sa mirënjohës jemi që ai veproi kështu! Për shkak të besimit të tij, ne jemi gjallë sot. Edhe në rastin tonë, besimi që tregojmë mund të ketë një ndikim të thellë në atë që rezervon e ardhmja jo vetëm për ne, por edhe për fëmijët tanë dhe për njerëzit e tjerë që na rrethojnë.
Besimi i Abrahamit
8, 9. (a) Ku e mbështeti Abrahami besimin e tij? (b) Në ç’mënyrë iu «shfaq» Jehovai Abrahamit?
8 Le të shqyrtojmë një shembull tjetër, atë të Abrahamit. (Hebrenjve 11:8-10) Mbi çfarë e bazoi Abrahami besimin e tij? Ambienti në të cilin u rrit në Ur të kaldeasve, ishte idhujtar dhe materialist. Por ishin ndikime të tjera ato që i dhanë formë botëkuptimit të Abrahamit. Pa dyshim që ai ka mundur të shoqërohet me birin e Noes, Semin, me të cilin qe bashkëkohës për 150 vjet. Abrahami u bind se Jehovai është «Perëndia Më i Lartë, Prodhuesi i qiellit dhe i tokës».—Zanafilla 14:22, BR.
9 Tek Abrahami pati një ndikim të thellë diçka tjetër. Jehovai «iu shfaq . . . Abrahamit kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të vendosej me banim në Haran dhe i tha: ‘Dil prej vendit tënd dhe prej të afërmve të tu dhe eja në vendin që do të të tregoj’». (Veprat 7:2, 3, BR) Në ç’mënyrë iu «shfaq» Jehovai Abrahamit? Abrahami nuk e pa Perëndinë drejtpërdrejt. (Dalja [Eksodi] 33:20) Megjithatë, ka mundësi që Jehovai t’i jetë shfaqur Abrahamit në ëndërr, me një shfaqje të mbinatyrshme lavdie ose me anë të një lajmëtari engjëllor, apo përfaqësuesi. (Krahaso Zanafillën 18:1-3; 28:10-15; Levitiku 9:4, 6, 23, 24.) Cilido të ketë qenë mjeti me anë të të cilit iu shfaq Jehovai Abrahamit, ky burrë besimplotë pati bindjen se Perëndia po i vendoste përpara një privilegj të çmuar. Abrahami u përgjigj në besim.
10. Si e përforcoi Jehovai besimin e Abrahamit?
10 Besimi i Abrahamit nuk u var nga pasja e hollësive rreth vendit drejt të cilit po e drejtonte Perëndia. Ky besim nuk u var nga dijenia e Abrahamit se kur do t’i jepej ky vend. Ai pati besim, sepse e njihte Jehovain si Perëndi të Plotfuqishëm. (Dalja 6:3) Jehovai i tha Abrahamit se ai do të kishte pasardhës, por hera-herës Abrahami e pyeti veten se si mund të ndodhte kjo. Ai po plakej. (Zanafilla 15:3, 4) Jehovai e përforcoi besimin e Abrahamit duke i thënë të shikonte yjet dhe nëse mundte, t’i numëronte. «Kështu do të bëhet fara jote»,—tha Perëndia. Abrahami u prek thellë. Ishte e qartë se Krijuesi i atyre trupave qiellorë që ngjallin frikë nderuese, mund të përmbushte atë që kishte premtuar. Abrahami «vuri besim në Jehovain». (Zanafilla 15:5, 6) Abrahami nuk besoi thjesht sepse i pëlqeu ajo që po dëgjonte; ai pati një besim me themele të forta.
11. (a) Ndërsa i afrohej të 100-ave, si reagoi Abrahami ndaj premtimit të Perëndisë se Sara e moshuar do të lindte një djalë? (b) Me ç’lloj besimi e përballoi Abrahami sprovën që kishte të bënte me çuarjen e birit të tij në malin Moriah për ta ofruar si flijim?
11 Kur Abrahami ishte afër të 100-ave, ndërsa gruaja e tij, Sara, afër të 90-ave, Jehovai deklaroi përsëri premtimin e tij se Abrahami do të kishte një djalë dhe tha se nëna e këtij djali do të ishte Sara. Në mënyrë realiste, Abrahami filloi të mendonte rreth situatës së tyre. «Por për shkak të premtimit të Perëndisë, ai nuk u lëkund në një mungesë besimi, por u bë i fuqishëm me anë të besimit të tij, duke i dhënë lavdi Perëndisë dhe duke qenë plotësisht i bindur se atë që kishte premtuar, ishte, gjithashtu, në gjendje ta bënte.» (Romakëve 4:19-21, BR) Abrahami e dinte se premtimi i Perëndisë nuk mund të dështonte. Më vonë, për shkak të besimit të tij, Abrahami u bind kur Perëndia i tha ta çonte të birin, Isakun, në vendin e Moriahut dhe ta ofronte si flijim. (Zanafilla 22:1-12) Abrahami ishte plotësisht i sigurt se Perëndia, që në mënyrë të mrekullueshme kishte bërë të lindte i biri, mundte, gjithashtu, ta risillte në jetë, që të përmbushte premtimet e mëtejshme që kishte bërë në lidhje me të.—Hebrenjve 11:17-19.
12. Për sa kohë vazhdoi të ecte me anë të besimit Abrahami dhe çfarë shpërblimi e pret atë dhe pjesëtarët e familjes së tij, të cilët demonstruan besim të fortë?
12 Abrahami tregoi se sundohej nga besimi jo vetëm në rrethana të veçanta, por gjatë gjithë jetës së tij. Gjatë jetës së tij, Abrahami nuk mori prej Perëndisë asnjë pjesë të Tokës së Premtuar si trashëgimi. (Veprat 7:5) Por megjithatë, Abrahami nuk u lodh dhe nuk u kthye në Urin e kaldeasve. Për 100 vjet, deri në momentin e vdekjes së tij, ai jetoi në tenda në vendin tek i cili e kishte drejtuar Perëndia. (Zanafilla 25:7) Në lidhje me të, gruan e tij, Sarën, birin e tyre, Isakun dhe nipin, Jakobin, Hebrenjve 11:16 thotë: «Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse për ta ka bërë gati një qytet.» (BR) Po, Jehovai ka një vend për ta në sferën tokësore të Mbretërisë së tij Mesianike.
13. Cilët mes shërbëtorëve të Jehovait sot, japin dëshmi se kanë besim si ai i Abrahamit?
13 Sot, mes shërbëtorëve të Jehovait ka nga ata që janë si Abrahami. Ata kanë ecur me anë të besimit për shumë vite. Me forcën që jep Perëndia, ata kanë kapërcyer pengesa ngjashëm maleve. (Mateu 17:20) Ata nuk po lëkunden në besim se nuk e dinë tamam kur do t’ua japë Perëndia trashëgiminë që ka premtuar. Ata e dinë se fjala e Jehovait nuk mund të dështojë dhe e konsiderojnë një privilegj të paçmueshëm të llogariten mes Dëshmitarëve të tij. A ndihesh edhe ti kështu?
Besimi që nxiti Moisiun
14. Si qe hedhur themeli për besimin e Moisiut?
14 Një shembull tjetër besimi është Moisiu. Cili ishte themeli për besimin e tij? Ai ishte braktisur në foshnjëri. Ndonëse bija e Faraonit e gjeti Moisiun në një kosh papirusi në lumin Nil dhe e mori si birin e vet, nëna e vërtetë hebreje e Moisiut, Jokebeda, i dha të pijë dhe e pati nën kujdesin e vet gjatë viteve të para të jetës së tij. Me sa duket, Jokebeda e mësoi mirë atë, duke i ngulitur dashurinë për Jehovain dhe çmueshmërinë për premtimet që i kishte bërë Abrahamit. Më vonë, si pjesëtar i shtëpisë së Faraonit, Moisiu «u arsimua në të gjithë mençurinë e egjiptianëve». (Veprat 7:20-22; Dalja 2:1-10; 6:20; Hebrenjve 11:23) Megjithatë, pavarësisht nga pozita e favorizuar e Moisiut, zemra e tij ishte me popullin e skllavëruar të Perëndisë.
15. Çfarë donte të thoshte për Moisiun identifikimi i vetes me popullin e Jehovait?
15 Në moshën 40-vjeçare, Moisiu vrau një egjiptian që të çlironte një izraelit, i cili po trajtohej në mënyrë të padrejtë. Ky incident tregoi se si e konsideronte Moisiu popullin e Perëndisë. Në të vërtetë, «me anë të besimit Moisiu, kur ishte rritur, refuzoi të quhej i biri i bijës së Faraonit». Në vend që të kapej fort pas «gëzimit të përkohshëm të mëkatit», si pjesëtar i oborrit egjiptian, ai u nxit nga besimi që të identifikohej me popullin e keqtrajtuar të Perëndisë.—Hebrenjve 11:24, 25, BR; Veprat 7:23-25.
16. (a) Çfarë i ngarkoi Jehovai Moisiut dhe si e ndihmoi atë Perëndia? (b) Në kryerjen e detyrës së tij, si tregoi besim Moisiu?
16 Moisiu ishte i paduruar për të ndërmarrë veprime, që t’i sillte çlirimin popullit të tij, por koha e Perëndisë për këtë çlirim nuk kishte ardhur ende. Moisiut iu desh të ikte nga Egjipti. Vetëm rreth 40 vjet më vonë, Jehovai, me anë të një engjëlli, e ngarkoi Moisiun të kthehej në Egjipt, për t’i udhëhequr izraelitët jashtë atij vendi. (Dalja 3:2-10) Si reagoi Moisiu? Ai nuk shprehu dyshime në lidhje me aftësinë e Jehovait për ta çliruar Izraelin, por ai vetë u ndie i paaftë për rolin që i vuri përpara Perëndia. Me dashuri, Jehovai siguroi inkurajimin që i nevojitej Moisiut. (Dalja 3:11–4:17) Besimi i Moisiut u bë më i fortë. Ai u kthye në Egjipt dhe herë pas here e paralajmëroi faraonin, ballë për ballë, për plagët që do të vinin mbi Egjiptin, pasi si sundimtar nuk e linte Izraelin të shkonte të adhuronte Jehovain. Moisiu nuk kishte fuqi personale për të shkaktuar ato plagë. Ai eci me anë të besimit, jo me anë të shikimit. Besimi i tij ishte në Jehovain dhe në fjalën e tij. Faraoni e kërcënoi Moisiun, por Moisiu këmbënguli. «Me anë të besimit, ai la Egjiptin, por duke mos iu frikësuar zemërimit të mbretit, sepse vazhdoi i palëkundur, si të shihte Atë që është i padukshëm.» (Hebrenjve 11:27, BR) Moisiu nuk ishte i përsosur. Ai bëri gabime. (Numrat 20:7-12) Megjithatë, pasi iu ngarkua detyra nga Perëndia, e gjithë rruga e jetës së tij u sundua nga besimi.
17. Në çfarë rezultoi ecja me anë të besimit për Noen, Abrahamin dhe Moisiun, megjithëse ata nuk jetuan sa të shihnin botën e re të Perëndisë?
17 Besimi ynë daltë si ai i Noes, i Abrahamit dhe i Moisiut! Është e vërtetë se në kohën e tyre ata nuk e panë botën e re të Perëndisë. (Hebrenjve 11:39) Ende nuk ishte koha e caktuar e Perëndisë; kishte aspekte të tjera të qëllimit të tij që ende duheshin përmbushur. Por megjithatë, besimi i tyre në fjalën e Perëndisë nuk u lëkund dhe emrat e tyre janë në librin e jetës të Perëndisë.
18. Për ata që janë thirrur në jetën qiellore, pse ka qenë e domosdoshme të ecin me anë të besimit?
18 «Perëndia parapa diçka më të mirë për ne»,—shkroi apostulli Pavël. Kjo do të thotë se Perëndia parapa diçka më të mirë për ata që ashtu si Pavli, ishin thirrur në jetën qiellore me Krishtin. (Hebrenjve 11:40, BR) Këta janë ata që pati veçanërisht në mend Pavli, kur shkroi fjalët e regjistruara në 2. Korintasve 5:7: «Ne po ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit.» (BR) Kur u shkrua kjo, asnjëri prej tyre nuk e kishte arritur ende shpërblimin e vet qiellor. Ata nuk mund ta shihnin me sytë e tyre fizikë, por besimi i tyre në të kishte themele të forta. Krishti ishte ringjallur së vdekuri, fryti i parë i atyre që do të bekoheshin me jetën qiellore. Më shumë se 500 dëshmitarë e kishin parë përpara ngritjes në qiell. (1. Korintasve 15:3-8) Ata kishin arsye të mjaftueshme për ta pasur të gjithë rrugën e jetës së tyre të sunduar nga ky besim. Edhe ne kemi arsye të shëndosha për të ecur me anë të besimit.
19. Siç tregohet në Hebrenjve 1:1, 2, me anë të kujt na ka folur Perëndia?
19 Sot, Jehovai nuk i flet popullit të tij me anë të një engjëlli, siç i foli Moisiut nga ferrishtja që po digjej. Perëndia ka folur me anë të Birit të tij. (Hebrenjve 1:1, 2) Atë që Perëndia tha me anë të tij, e ka regjistruar në Bibël, e cila është përkthyer në gjuhët e njerëzve përreth botës.
20. Në ç’mënyrë situata jonë është shumë më e favorshme se ajo e Noes, e Abrahamit dhe e Moisiut?
20 Prej saj, ne kemi shumë më tepër sesa patën Noeja, Abrahami dhe Moisiu. Ne e kemi të plotë Fjalën e Perëndisë, një pjesë e madhe e së cilës tashmë është përmbushur. Duke pasur parasysh të gjithë atë që thotë Bibla në lidhje me burrat dhe gratë që e provuan se ishin dëshmitarë besimplotë të Jehovait, megjithë sprovat e çdo lloji, Hebrenjve 12:1 nxit: «Le të heqim, gjithashtu, çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.» Besimi ynë nuk është diçka që duhet konsideruar si e zakonshme. «Mëkati në të cilin ngecim lehtësisht», është mungesa e besimit. Nëse duam të vazhdojmë «të ecim me anë të besimit», kërkohet një betejë e fortë.
[Shënimi]
a Shiko Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
Cili është komenti yt?
◻ Çfarë përfshihet në ‘ecjen me anë të besimit’?
◻ Si mund të përfitojmë nga mënyra në të cilën tregoi besim Noeja?
◻ Si na ndihmon mënyra në të cilën ushtroi besim Abrahami?
◻ Pse Bibla e tregon Moisiun si një shembull besimi?
[Figura në faqen 10]
Abrahami eci me anë të besimit
[Figura në faqen 10]
Moisiu dhe Aaroni shfaqën besim kur u ndodhën përballë faraonit