Akuila dhe Prishila: Një çift shembullor
«U BËNI të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus, të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falënderoj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve [kongregacionet e kombeve, BR].»—Romakëve 16:3, 4.
Këto fjalë të apostullit Pavël drejtuar kongregacionit të krishterë në Romë, tregojnë nderimin e madh dhe vlerësimin e përzemërt që ai kishte për këtë çift të martuarish. Ai u sigurua se nuk i kishte lënë pas dore ata, kur i shkroi kongregacionit të tyre. Por, kush ishin këta dy «bashkëpunëtorë» të Pavlit dhe përse ishin kaq të dashur për të dhe për kongregacionet?—2. Timoteut 4:19.
Akuila ishte një jude nga diaspora (judenjtë e shpërndarë), që kishte lindur në Pontus, një rajon në veri të Azisë së Vogël. Ai dhe gruaja e tij, Prishila (Priska), ishin vendosur në Romë. Në atë qytet kishte ekzistuar një komunitet e madh judenjsh, të paktën që nga pushtimi i Jerusalemit nga Pompei, në vitin 63 p.e.s., kur një numër i madh të burgosurish u dërguan në Romë si skllevër. Në fakt, mbishkrimet romake zbulojnë ekzistencën e dymbëdhjetë a më shumë sinagogave në qytetin e lashtë. Disa judenj nga Roma ishin të pranishëm në Jerusalem, në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur dëgjuan lajmin e mirë. Ndoshta përmes tyre arriti për herë të parë mesazhi i krishterë në kryeqytetin e Perandorisë Romake.—Veprat 2:10.
Megjithatë, judenjtë u zbuan nga Roma në vitin 49 apo në fillim të vitit 50 të e.s. me urdhër të perandorit Klaud. Kështu, apostulli Pavël u takua me Akuilën dhe Prishilën në qytetin grek të Korintit. Kur Pavli arriti në Korint, Akuila dhe Prishila i ofruan atij me mirësjellje mikpritje dhe punë, pasi ata morën pjesë në një tregti të përbashkët për bërjen e tendave.—Veprat 18:2, 3.
Bërës tendash
Kjo nuk ishte një punë e lehtë. Bërja e tendave përfshinte prerjen dhe qepjen e pjesëve të një materiali të ngrirë e të ashpër apo të lëkurës. Sipas historianit Fernando Bea, ishte «një punë që kërkonte aftësi dhe kujdes» nga ana e atyre që bënin tenda, të cilët punonin me «pëlhura të trasha dhe rezistente, të cilat përdoreshin për fushim gjatë udhëtimit, për t’u mbrojtur nga dielli dhe shiu apo për të mbuluar sendet në hambarin e anijeve».
Kjo ngre një pyetje. A nuk tha Pavli se ai ishte ‘edukuar në këmbët e Gamalielit’, duke i hapur atij në këtë mënyrë rrugën për një karrierë me emër gjatë viteve që do të vinin? (Veprat 22:3) Edhe pse kjo gjë është e vërtetë, judenjtë e shekullit të parë e konsideronin nder t’i mësonin një djaloshi një zeje, edhe kur ai do të merrte një arsimim më të lartë. Prandaj, ka të ngjarë që si Akuila, ashtu edhe Pavli ta kenë fituar mjeshtërinë e bërjes së tendave, kur ishin të rinj. Më vonë, kjo përvojë doli shumë e dobishme. Por si të krishterë, ata nuk e konsideruan këtë punë në botë si synimin e tyre kryesor. Pavli shpjegoi se puna që ai bëri në Korint bashkë me Akuilën dhe Prishilën, ishte vetëm një mjet për të mbështetur aktivitetin e tij kryesor, atë të shpalljes së lajmit të mirë pa ‘iu bërë barrë asnjërit’.—2. Selanikasve 3:8; 1. Korintasve 9:18; 2. Korintasve 11:7.
Siç duket, Akuila dhe Prishila ishin të kënaqur tek bënin gjithçka që mundnin për të lehtësuar shërbimin misionar të Pavlit. Kushedi se sa herë mund të kenë ndërprerë punën këta tre miq për t’u dhënë dëshmi joformale klientëve apo kalimtarëve! E megjithëse puna si bërës tendash ishte një punë e papërfillshme dhe e lodhshme, ata ishin të lumtur që bënin një punë të tillë, duke punuar edhe «ditë e natë» për të mbështetur interesat e Perëndisë, ashtu si shumë të krishterë në ditët moderne mbajnë veten me një punë gjysmëditore apo sezonale, me qëllim që shumicën e kohës që mbetet t’ia dedikojnë veprës për të ndihmuar njerëzit që të dëgjojnë lajmin e mirë.—1. Selanikasve 2:9; Mateu 24:14; 1. Timoteut 6:6.
Shembuj të mikpritjes
Ka të ngjarë që Pavli të ketë përdorur shtëpinë e Akuilës si bazë për aktivitetin e tij misionar, gjatë 18 muajve që qëndroi në Korint. (Veprat 18:3, 11) Atëherë ka mundësi që Akuila dhe Prishila patën kënaqësinë të kishin si mysafirë edhe Silën (Silvanin) dhe Timoteun, kur u kthyen nga Maqedonia. (Veprat 18:5) Dy letrat e Pavlit drejtuar selanikasve, të cilat më vonë u bënë pjesë e kanunit biblik, mund të jenë shkruar gjatë kohës që apostulli ishte duke qëndruar me Akuilën dhe Prishilën.
Nuk është e vështirë të përfytyrojmë se në atë kohë, shtëpia e Prishilës dhe Akuilës ishte një djep i vërtetë për aktivitetin teokratik. Ka mundësi që ajo të jetë frekuentuar nga shumë miq të dashur: Stefani dhe familja e tij, të krishterët e parë nga provinca e Akaisë, të cilët i pagëzoi vetë Pavli, Tit Justi, i cili e lejoi Pavlin që të përdorte shtëpinë e tij për të dhënë fjalime dhe Krispi, zyrtari drejtues i sinagogës, i cili pranoi të vërtetën bashkë me gjithë shtëpinë e tij. (Veprat 18:7, 8; 1. Korintasve 1:16) Përveç këtyre, ishin Fortunati dhe Akaiku, Gai, në shtëpinë e të cilit mund të jenë mbajtur mbledhjet e kongregacionit, Erasti, administratori i qytetit, Terti, sekretari, të cilit Pavli i diktoi letrën e tij drejtuar romakëve dhe Foeba, një motër plot besim nga kongregacioni fqinj i Cenkreas, e cila ka mundësi të ketë çuar letrën nga Korinti në Romë.—Romakëve 16:1, 22, 23; 1. Korintasve 16:17.
Ata shërbëtorë të Jehovait në ditët moderne, të cilët kanë pasur mundësinë që t’i tregojnë mikpritje një shërbëtori udhëtues, e dinë se sa inkurajuese dhe e paharrueshme mund të jetë. Përvojat ndërtuese që tregohen në raste të tilla, mund të jenë një burim i vërtetë freskimi frymor për të gjithë. (Romakëve 1:11, 12) Dhe ashtu si Akuila dhe Prishila, ata që hapin shtëpinë për mbledhje, ndoshta për të zhvilluar studimin e librit të kongregacionit, kanë gëzimin dhe kënaqësinë që mund t’i kontribuojnë në këtë mënyrë përparimit të adhurimit të vërtetë.
Kaq e ngushtë ishte miqësia që kishin me Pavlin, sa Akuila dhe Prishila e shoqëruan, kur u nis nga Korinti në pranverë të vitit 52 të e.s., duke shkuar me të deri në Efes. (Veprat 18:18-21) Ata qëndruan në atë qytet dhe vunë bazën për vizitën e ardhshme të apostullit. Pikërisht këtu, këta mësues të talentuar për lajmin e mirë, morën Apolin elokuent «me vete» dhe patën gëzimin që ta ndihmonin atë për të kuptuar «më thellë udhën e Perëndisë». (Veprat 18:24-26) Kur Pavli rivizitoi Efesin, gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, dikur aty afër dimrit të viteve 52-53 të e.s., fusha që ishte kultivuar nga ky çift energjik ishte tashmë gati për korrje. Për gati tre vjet, Pavli predikoi dhe mësoi atje për «Rrugën», ndërkohë që kongregacioni i Efesit mbante mbledhjet në shtëpinë e Akuilës.—Veprat 19:1-20, 26; 20:31; 1. Korintasve 16:8, 19.
Më vonë, kur u kthyen përsëri në Romë, këta dy miq të Pavlit vazhduan «të ndiqnin rrugën e mikpritjes», duke e vënë shtëpinë e tyre në dispozicion për mbledhjet e krishtere.—Romakëve 12:13; 16:3-5.
Ata «vunë kokën në rrezik» për Pavlin
Ndoshta Pavli u strehua tek Akuila dhe Prishila edhe gjatë kohës që ishte në Efes. A ishte duke qëndruar ai tek ata në kohën e rrëmujës së argjendarëve? Sipas tregimit të Veprave 19:23-31, kur zejtarët që bënin faltore bënë revoltë kundër predikimit të lajmit të mirë, vëllezërve iu desh të ndalonin Pavlin, që të mos rrezikonte veten, duke shkuar para turmës. Disa komentatorë të Biblës kanë teorizuar se mund të ketë qenë pikërisht kjo rrethanë e rrezikshme, në të cilën Pavli u ndie ‘i pasigurt edhe për vetë jetën e tij’ dhe kur Akuila dhe Prishila ndërhynë në ndonjë mënyrë, ‘duke vënë kokën e tyre në rrezik’ për të.—2. Korintasve 1:8; Romakëve 16:3, 4, BR.
Kur «pushoi trazira», Pavli me mençuri iku nga qyteti. (Veprat 20:1) Pa dyshim që edhe Akuila dhe Prishila ndeshën kundërshtim dhe tallje. Mos vallë kjo gjë i bëri të ndiheshin zemërlëshuar? Përkundrazi, Akuila dhe Prishila vazhduan me guxim në përpjekjet e tyre të krishtere.
Një çift shumë i lidhur
Pasi kishte marrë fund sundimi i Klaudit, Akuila dhe Prishila u kthyen përsëri në Romë. (Romakëve 16:3-15) Megjithatë, herën e fundit që janë përmendur në Bibël, i gjejmë ata përsëri në Efes. (2. Timoteut 4:19) Përsëri, si në të gjitha referimet e tjera në Shkrime, ky burrë dhe kjo grua janë përmendur së bashku. Çfarë çifti i lidhur dhe i bashkuar! Pavli nuk mund të mendonte për Akuilën, atë vëlla të dashur, pa sjellë ndërmend bashkëpunimin plot besim të gruas së tij. Dhe çfarë shembulli i shkëlqyer është për çiftet e krishtere sot, pasi ndihma besnike e një bashkëshorti të devotshëm i jep mundësi personit që të bëjë shumë «në veprën e Zotërisë» dhe nganjëherë, edhe më shumë nga sa mund të kishte pasur mundësi të bënte si një beqar.—1. Korintasve 15:58.
Akuila dhe Prishila shërbyen në disa kongregacione të ndryshme. Ashtu si ata, shumë të krishterë të zellshëm në ditët moderne kanë vënë veten në dispozicion për t’u transferuar atje ku ka më shumë nevojë. Edhe ata përjetojnë gëzimin dhe kënaqësinë që vjen, duke parë të rriten interesat e Mbretërisë dhe nga mundësia për të kultivuar miqësi të ngrohta e të çmuara të krishtere.
Me anë të shembullit të tyre të shkëlqyer në dashurinë e krishterë, Akuila dhe Prishila fituan çmueshmërinë e Pavlit dhe çmueshmërinë e të tjerëve. Por ajo që është më e rëndësishme, ata krijuan një reputacion të shkëlqyer me vetë Jehovain. Shkrimet na sigurojnë: «Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.»—Hebrenjve 6:10.
Ne mund të mos kemi mundësi për të harxhuar veten në mënyra të ngjashme si Akuila dhe Prishila, megjithatë mund të imitojmë shembullin e tyre të shkëlqyer. Ndërsa i kushtojmë energjitë dhe jetën tonë shërbimit të shenjtë, do të kemi kënaqësi të thellë, duke mos harruar kurrë ‘bamirësinë dhe dhënien e ndihmës të tjerëve, sepse Perëndia i pëlqen flijime të tilla’.—Hebrenjve 13:15, 16.