Le të jetë Jehovai siguria jonë!
«Ti je shpresa ime, o Zotëria Sovran Jehova, siguria ime që nga rinia.»—Psalmi 71:5, BR.
1. Çfarë sfide përballoi Davidi, një djalosh që ishte bari?
AI BURRË ishte pothuajse 3 metra i gjatë. Prandaj nuk habitemi që gjithë ushtarët e forcave luftarake të Izraelit kishin frikë të ndesheshin me të. Për javë të tëra, çdo mëngjes dhe mbrëmje ky gjigant filistin, Goliadi, tallej me ushtrinë e Izraelit, duke i sfiduar që të nxirrnin luftëtarin më të fortë, me të cilin të luftonte. Më në fund sfidën e pranoi jo një ushtar, por një djalosh i thjeshtë. Davidi, ky djalosh që ishte bari, dukej edhe më i vogël për shkak të kundërshtarit të tij. Në të vërtetë ka mundësi që ai të peshonte më pak se armatura dhe armët e Goliadit. Megjithatë i riu u ndesh me gjigantin dhe u bë simbol i përhershëm guximi.—1 Samuelit 17:1-51.
2, 3. (a) Pse Davidi arriti t’i dilte përpara Goliadit me kaq siguri? (b) Cilët janë dy hapat që do të shqyrtojmë që Jehovai të jetë siguria jonë?
2 Ku e gjeti këtë guxim Davidi? Të shqyrtojmë disa fjalë që me sa duket ai i shkroi vite më vonë: «Ti je shpresa ime, o Zotëria Sovran Jehova, siguria ime që nga rinia.» (Psalmi 71:5, BR) Po, që kur ishte i ri, Davidi kishte pasur besim të plotë te Jehovai. Ai i kishte dalë përpara Goliadit me këto fjalë: «Ti po më vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po të vij me emrin e Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave luftarake të Izraelit, me të cilin ti je tallur.» (1 Samuelit 17:45, BR) Goliadi ndihej i sigurt për shkak të forcës së tij të madhe dhe të armëve të veta, por Davidi ndihej i sigurt se kishte Jehovain në anën e tij. Përderisa Davidi kishte në anën e vet Zotërinë Sovran të universit, atëherë pse duhej të frikësohej nga një njeri i thjeshtë, pavarësisht se sa i madh e i armatosur mund të ishte ky?
3 Kur lexon për Davidin, a dëshiron edhe ti që të ndihesh më i sigurt, se ke Jehovain në anën tënde? Ndoshta shumë prej nesh e dëshirojnë këtë. Atëherë, le të shqyrtojmë dy hapa që mund të marrim në mënyrë që Jehovai të jetë siguria jonë. Së pari duhet të kapërcejmë një pengesë që zakonisht e minon këtë siguri. Së dyti duhet të mësojmë se çfarë do të thotë saktësisht të kesh besim te Jehovai.
Të kapërcejmë një pengesë që zakonisht e minon sigurinë te Jehovai
4, 5. Pse shumë njerëz e kanë të vështirë të gjejnë siguri te Perëndia?
4 Çfarë i pengon njerëzit që të gjejnë siguri te Perëndia? Shpeshherë disa ndihen të pështjelluar se përse ndodhin gjërat e këqija. Shumë njerëzve u kanë mësuar se Perëndia është përgjegjës për vuajtjet. Kur ndodh një tragjedi, klerikët mund të thonë se Perëndia i «mori» viktimat që të jenë me të në qiell. Për më tepër, mjaft udhëheqës fetarë mësojnë se Perëndia ka paracaktuar që shumë kohë më parë çdo ngjarje që ndodh në këtë botë, përfshirë edhe çdo tragjedi e vepër të ligë. Do të ishte e vështirë të gjeje siguri te një Perëndi i tillë, zemërgur. Satanai, i cili ua verbon mendjen jobesimtarëve, i përhap me zell të gjitha këto ‘mësime të demonëve’.—1 Timoteut 4:1; 2 Korintasve 4:4.
5 Satanai do që njerëzit ta humbasin sigurinë te Jehovai. Ky armik i Perëndisë nuk do që të dimë shkaqet e vërteta të vuajtjeve njerëzore. E nëse kemi mësuar nga Shkrimet arsyet e vuajtjeve, Satanai do që t’i harrojmë ato. Prandaj është mirë që të rishikojmë herë pas here tri arsyet kryesore përse ka vuajtje në botë. Po të veprojmë kështu, mund të sigurojmë zemrën se Jehovai nuk është përgjegjës për problemet që hasim në jetë.—Filipianëve 1:9, 10.
6. Si e vë në dukje 1 Pjetrit 5:8 njërën nga arsyet pse vuajnë njerëzit?
6 Një arsye pse njerëzit vuajnë është se Satanai do që të thyejë integritetin e popullit besnik të Jehovait. Ai u përpoq t’i thyente integritetin Jobit. Satanai dështoi në atë rast, por nuk ka hequr dorë. Si sundimtar i kësaj bote, ai përpiqet «të përpijë» shërbëtorët besnikë të Jehovait. (1 Pjetrit 5:8) Këtu përfshihet secili nga ne. Satanai dëshiron që të mos i shërbejmë më Jehovait. Prandaj shpesh nxit përndjekje. Por, sado të dhembshme që mund të jenë këto vuajtje, kemi një arsye të fortë për të qëndruar. Duke vepruar kështu, tregojmë se Satanai është gënjeshtar dhe në këtë mënyrë gëzojmë Jehovain. (Jobi 2:4; Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Teksa Jehovai na forcon për t’i qëndruar përndjekjes, siguria jonë tek ai bëhet më e madhe.—Psalmi 9:9, 10.
7. Cilën arsye për vuajtjet na ndihmon të kuptojmë Galatasve 6:7?
7 Arsyeja e dytë e vuajtjeve gjendet në këtë parim: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Disa herë njerëzit mbjellin duke bërë zgjedhje të gabuara, dhe si pasojë korrin vuajtje. Ndoshta u pëlqen t’i japin makinës pa kujdes, e pastaj pësojnë aksident. Shumë veta duan të pinë duhan, e pastaj kanë sëmundje të zemrës ose kancer në mushkëri. Ata që jepen pas një sjelljeje seksuale imorale rrezikojnë prishjen e marrëdhënieve familjare, humbjen e respektit për veten, të marrin sëmundje të transmetuara në rrugë seksuale dhe të kenë shtatzëni të padëshiruara. Ndoshta njerëzit përpiqen të fajësojnë Perëndinë për këto vuajtje, por në të vërtetë ata janë viktima të vendimeve të tyre të gabuara.—Fjalët e urta 19:3.
8. Pse vuajnë njerëzit sipas Predikuesit 9:11?
8 Arsyeja e tretë për vuajtjet thuhet te Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11: «Pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët, por të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.» Disa herë njerëzit janë thjesht në vendin e gabuar në çastin e gabuar. Pavarësisht nga pikat tona të forta ose të dobëta, vuajtjet dhe vdekja mund t’i ndodhin papritur çdonjërit prej nesh. Për shembull, në ditët e Jezuit, në Jerusalem ra një kullë, e si pasojë u vranë 18 veta. Jezui tha se ata njerëz nuk i ndëshkoi Perëndia për mëkatet e tyre. (Luka 13:4) Jo, nuk duhet fajësuar Jehovai për vuajtje të tilla.
9. Çfarë nuk kuptojnë shumë njerëz rreth vuajtjeve?
9 Është e rëndësishme të kuptojmë disa prej shkaqeve të vuajtjeve. Por ka një anë të kësaj çështjeje që shumë njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë. Ajo është: pse i lejon Perëndia Jehova vuajtjet?
Pse i lejon Jehovai vuajtjet?
10, 11. (a) Çfarë i ndodhi ‘të gjithë krijesës’ sipas Romakëve 8:19-22? (b) Si mund ta përcaktojmë se kush ia nënshtroi krijesën kotësisë?
10 Një fragment në letrën e apostullit Pavël drejtuar Romakëve hedh dritë mbi këtë temë të rëndësishme. Pavli shkroi: «Pritja e zjarrtë e krijesës pret zbulimin e bijve të Perëndisë. Sepse krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por prej atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë. Sepse ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.»—Romakëve 8:19-22.
11 Për të kapur kuptimin e këtyre vargjeve, së pari duhet të trajtojmë disa pyetje kyçe. Për shembull, kush ia nënshtroi krijesën kotësisë? Disa kanë thënë Satanai; të tjerë Adami. Por asnjëri prej tyre nuk mund ta ketë bërë këtë. Pse? Sepse ai që ia nënshtron krijesën kotësisë e bën këtë «mbi bazën e shpresës». Po, ai jep shpresën që njerëzit besnikë së fundi ‘do të lirohen nga skllavëria e prishjes’. As Adami, as Satanai nuk mund të jepnin këtë shpresë. Vetëm Jehovai mund ta jepte. Pra, është e qartë se ai ia nënshtroi krijesën kotësisë.
12. Çfarë pështjellimi është krijuar rreth asaj se cila është «e gjithë krijesa» dhe si mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje?
12 Por, cila është «e gjithë krijesa» për të cilën flitet në këtë fragment? Disa thonë se bëhet fjalë për gjithë botën e gjallë, përfshirë kafshët dhe bimët. Por, a shpresojnë kafshët dhe bimët që të fitojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë»? Jo. (2 Pjetrit 2:12) Atëherë shprehja «e gjithë krijesa» mund të bëjë fjalë vetëm për njerëzimin. Kjo është krijesa e prekur nga mëkati e vdekja, për shkak të rebelimit në Eden, dhe që ka shumë nevojë për shpresë.—Romakëve 5:12.
13. Çfarë i shkaktoi njerëzimit rebelimi në Eden?
13 Çfarë i shkaktoi saktësisht ky rebelim njerëzimit? Pavli i përshkruan pasojat me një fjalë të vetme: kotësi. Sipas një vepre referimi, kjo fjalë përshkruan «kotësinë e një objekti që nuk funksionon siç ishte projektuar». Njerëzit u krijuan për të jetuar përgjithmonë, duke punuar së bashku si një familje e bashkuar dhe e përsosur për t’u kujdesur për tokën parajsore. Në vend të kësaj ata bëjnë një jetë të shkurtër, të dhembshme dhe shpesh zhgënjyese. Siç e tha Jobi, «njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime». (Jobi 14:1) Kjo është vërtet kotësi!
14, 15. (a) Çfarë dëshmie të drejtësisë gjejmë në dënimin që i dha Jehovai njerëzimit? (b) Pse Pavli tha që krijesa iu nënshtrua kotësisë «jo me vullnetin e vet»?
14 Tani kemi arritur te pyetja kryesore: pse «Gjykatësi i tërë tokës» ia nënshtroi njerëzimin kësaj jete të dhembshme dhe zhgënjyese? (Zanafilla 18:25) A po tregohej i drejtë në këtë rast? Mirë pra, të kujtojmë se çfarë bënë prindërit tanë të parë. Duke u rebeluar kundër Perëndisë, ata morën anën e Satanait, i cili hodhi një sfidë të përgjithshme ndaj sovranitetit të Jehovait. Me veprimet e tyre ata mbështetën pohimin se njerëzimi jeton më mirë pa Jehovain, duke u vetëqeverisur nën drejtimin e një krijese frymore rebele. Kur i dënoi rebelët, Jehovai në të vërtetë u dha atë që kërkuan. E la njeriun të vetëqeverisej nën ndikimin e Satanait. Në këto rrethana, cili vendim mund të ishte më i drejtë, sesa t’ia nënshtronte njerëzimin kotësisë, por mbi bazën e një shprese?
15 Sigurisht ky nuk ishte ‘vullneti’ i krijesës. Ne kemi lindur skllevër të mëkatit dhe të prishjes pa pasur ndonjë mundësi për të zgjedhur në lidhje me këtë çështje. Por Jehovai me mëshirën e tij i la Adamin dhe Evën që të jetonin për disa kohë dhe të lindnin pasardhës. Edhe pse ne, pasardhësit e tyre, i jemi nënshtruar kotësisë së mëkatit dhe të vdekjes, kemi mundësinë të bëjmë atë që nuk e bëri Adami dhe Eva. Mund ta dëgjojmë Jehovain dhe të mësojmë se sovraniteti i tij është i drejtë e i përsosur, kurse sundimi njerëzor i pavarur nga Jehovai sjell vetëm dhembje, zhgënjim dhe kotësi. (Jeremia 10:23; Zbulesa 4:11) Përveç kësaj, ndikimi i Satanait vetëm sa i keqëson gjërat. Historia njerëzore dëshmon për këto të vërteta.—Predikuesi 8:9.
16. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk është përgjegjës për vuajtjet që shohim sot në botë? (b) Çfarë shprese ka siguruar me dashuri Jehovai për njerëzit besnikë?
16 Qartë, Jehovai kishte arsye të vlefshme pse ia nënshtroi njerëzimin kotësisë. Por, a do të thotë kjo se Jehovai është shkaku i kotësisë dhe i vuajtjeve që mundojnë secilin prej nesh sot? Mirë pra, të mendojmë për një gjykatës që jep një dënim të drejtë për një kriminel. I dënuari ndoshta vuan shumë, ndërsa kryen dënimin, por a mund ta fajësojë me të drejtë gjykatësin si shkakun e vuajtjeve të tij? Patjetër që jo! Për më tepër Jehovai nuk është asnjëherë burimi i ligësisë. Te Jakovit 1:13 thuhet: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Të kujtojmë gjithashtu se Jehovai e dha këtë dënim «mbi bazën e shpresës». Me dashuri ka marrë masa që pasardhësit besnikë të Adamit e të Evës të shohin fundin e kotësisë dhe të kënaqen me «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». Gjatë gjithë përjetësisë njerëzve besnikë nuk do t’u duhet të shqetësohen kurrë më se mos e gjithë krijesa bie përsëri në gjendjen e dhembshme të kotësisë. Mënyra e drejtë se si do t’i zgjidhë gjërat Jehovai do të ketë provuar një herë e mirë drejtësinë e sovranitetit të tij.—Isaia 25:8.
17. Si duhet të ndikojë te ne rishikimi i arsyeve pse ka vuajtje në botën e sotme?
17 Ndërsa i rishikojmë këto arsye pse vuajnë njerëzit, a shohim ndonjë bazë për ta fajësuar Jehovain për ligësinë ose për të humbur sigurinë tek ai? Përkundrazi, ky shqyrtim na jep arsye për t’u bërë jehonë këtyre fjalëve të Moisiut: «Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.» (Ligji i përtërirë 32:4) Duke medituar për këto arsye, le ta rifreskojmë herë pas here kujtesën për të parë sa mirë i kemi kuptuar ato. Kështu që, kur hasim sprova nuk do t’u hapim rrugë përpjekjeve të Satanait për të na mbjellë dyshime në mendje. Por, ç’të themi për hapin e dytë që përmendëm në fillim të artikullit? Çfarë do të thotë të kesh besim te Jehovai?
Çfarë do të thotë të kesh besim te Jehovai?
18, 19. Me cilat fjalë na inkurajon Bibla të kemi besim te Jehovai, por në lidhje me këtë, çfarë idesh të gabuara kanë disa njerëz?
18 Fjala e Perëndisë na nxit: «Ki besim te Jehovai me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6, BR) Këto janë fjalë të këndshme e inkurajuese. Patjetër që në gjithë universin, askush nuk është i denjë për besim më shumë sesa Ati ynë i dashur qiellor. Megjithatë t’i lexosh këto fjalë te Proverbat është më e lehtë sesa t’i vësh në praktikë.
19 Shumë njerëz kanë ide të gabuara se ç’do të thotë të kesh besim te Jehovai. Disa mendojnë se një besim i tillë është thjesht një ndjenjë, një lloj ndjenje euforike që duhet të vërshojë natyrshëm në zemër. Të tjerë me sa duket mendojnë se të kesh besim te Perëndia do të thotë të presësh që ai të të mbrojë nga çdo vështirësi, të të zgjidhë çdo problem, të t’i zgjidhë shqetësimet e përditshme pikërisht siç shpreson ti, dhe menjëherë. Por këto mendime janë të pathemelta. Besimi është më tepër se një ndjenjë e thjeshtë dhe nuk është diçka jorealiste. Për njerëzit në moshë të pjekur besim do të thotë të marrin vendime të vetëdijshme e të menduara mirë.
20, 21. Çfarë do të thotë të kesh besim te Jehovai? Jepni një shembull.
20 Të shohim përsëri se çfarë thuhet te Proverbat 3:5. Aty vihet në kontrast besimi te Jehovai me mbështetjen në kuptueshmërinë tonë e lë të kuptohet se nuk mund t’i bëjmë që të dyja. A do të thotë kjo se nuk na lejohet ta përdorim fuqinë tonë për të kuptuar? Jo, sepse Jehovai, i cili na dha këtë fuqi, pret që ta përdorim për t’i shërbyer atij. (Romakëve 12:1) Por, në çfarë mbështetemi ose te cila gjë varemi? Në qoftë se mënyra jonë e të menduarit nuk përputhet me atë të Jehovait, a e pranojmë mençurinë e tij sepse është pafundësisht më e lartë se mençuria jonë? (Isaia 55:8, 9) Të kemi besim te Jehovai do të thotë të lejojmë që mënyra e tij e të menduarit të drejtojë mënyrën tonë të të menduarit.
21 Të bëjmë një shembull: mendoni sikur një fëmijë i vogël është ulur në anën e pasme të makinës, kurse prindërit janë ulur përpara. Babai po i jep makinës. Si reagon një fëmijë që ka besim te prindërit e që është i bindur, kur gjatë udhëtimit dalin disa vështirësi, si për shembull, kur i ati nuk është i sigurt për rrugën që duhet të marrë ose kur ka ndoshta një problem me motin a me gjendjen e rrugës automobilistike? Mos vallë bërtet nga aty ku është ulur duke i treguar të atit se nga të shkojë ose si t’i japë makinës? A i vë në dyshim vendimet e prindërve ose a i kundërshton kur i thonë që të qëndrojë ulur me rripin e sigurimit shtrënguar? Jo, natyrisht ai ka besim te prindërit se si do t’i zgjidhin këto probleme, megjithëse janë të papërsosur. Jehovai është Ati ynë i përsosur. A nuk duhet të kemi besim të plotë tek ai, sidomos kur hasim situata të vështira?—Isaia 30:21.
22, 23. (a) Pse duhet të kemi besim te Jehovai kur hasim probleme dhe si mund ta bëjmë këtë? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
22 Megjithatë Proverbat 3:6 na tregon se duhet ‘t’i kushtojmë vëmendje Jehovait në të gjitha udhët tona’, dhe jo vetëm kur hasim situata të vështira. Kështu vendimet që marrim çdo ditë në jetën tonë duhet të pasqyrojnë besimin që kemi te Jehovai. Kur dalin probleme, nuk duhet të dëshpërohemi, të na zërë paniku ose t’i kundërvihemi drejtimit të Jehovait në lidhje me mënyrën më të mirë për t’i zgjidhur gjërat. Duhet t’i shohim sprovat si mundësi për të përkrahur sovranitetin e Jehovait, për të treguar se Satanai është gënjeshtar dhe për të kultivuar bindjen e cilësi të tjera që i pëlqejnë Jehovait.—Hebrenjve 5:7, 8.
23 Mund ta tregojmë besimin tonë te Jehovai, pavarësisht nga pengesat që mund të na dalin përpara. E bëjmë këtë me anë të lutjeve dhe nëpërmjet mënyrës se si kërkojmë drejtim nga Fjala e Jehovait e nga organizata e tij. Por, si mund ta tregojmë konkretisht se kemi besim te Jehovai kur hasim probleme që mund të lindin në botën e sotme? Artikulli vijues do të trajtojë këtë temë.
Si do të përgjigjeshit?
• Si e tregoi Davidi se siguria e tij ishte Jehovai?
• Cilat janë tri arsyet pse vuajnë njerëzit sot dhe pse është mirë t’i rishikojmë herë pas here?
• Çfarë dënimi i dha Jehovai njerëzimit dhe pse ky dënim ishte i drejtë?
• Çfarë do të thotë të kesh besim te Jehovai?
[Figurat në faqen 8]
Siguria e Davidit ishte Jehovai
[Figura në faqen 10]
Jezui tregoi se kur ra një kullë në Jerusalem, nuk ishte Jehovai përgjegjës për të