Jehovai, Perëndia i komunikimit
«Dëgjomë dhe unë do të flas.»—JOBI 42:4.
1-3. (a) Pse themi se gjuha dhe komunikimi i Perëndisë qëndrojnë më lart se ato të njerëzve? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
PERËNDIA i përjetshëm bëri krijesa inteligjente sepse donte që edhe ato të gëzonin jetën e të ishin të lumtura. (Psal. 36:9; 1 Tim. 1:11) Apostulli Gjon e quajti krijesën e parë «Fjala» dhe «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Gjoni 1:1; Zbul. 3:14) Perëndia Jehova komunikonte me Birin e parëlindur duke i treguar çfarë mendonte e ndiente. (Gjoni 1:14, 17; Kolos. 1:15) Apostulli Pavël flet për ‘gjuhët e engjëjve’, një formë qiellore komunikimi shumë më e lartë se gjuhët e njerëzve.—1 Kor. 13:1.
2 Jehovai njeh imtësisht miliarda krijesa inteligjente, në tokë dhe në qiell. Sa e sa njerëz mund t’i luten njëkohësisht në shumë gjuhë. Ai jo vetëm i dëgjon këto lutje, por njëherësh u jep drejtim dhe komunikon me krijesat qiellore. Që ta bëjë këtë, mendimet, gjuha dhe komunikimi i tij duhet të jenë ku e ku më lart se ato të njerëzve. (Lexo Isainë 55:8, 9.) Është e qartë se, kur komunikon me ne njerëzit, Jehovai shprehet me një gjuhë të thjeshtë që ta kuptojmë.
3 Tani do të shqyrtojmë si ka marrë masa ky Perëndi plot mençuri për të komunikuar qartë me popullin e tij në rrjedhën e historisë. Do të shohim edhe si e përshtat mënyrën e komunikimit sipas nevojave dhe rrethanave.
PERËNDIA U JEP NJERËZVE FJALËN E TIJ
4. (a) Cilën gjuhë përdori Jehovai për të komunikuar me Moisiun, Samuelin dhe Davidin? (b) Çfarë përmban Bibla?
4 Në kopshtin e Edenit, Jehovai komunikoi me Adamin në gjuhën e njerëzve. Ka të ngjarë të ketë përdorur një formë të lashtë të hebraishtes. Më vonë komunikoi me shkrimtarë të Biblës, si Moisiu, Samueli e Davidi, që flisnin po ashtu hebraisht. Ata shprehën mendimet e Tij me fjalët dhe stilin e tyre. Dokumentuan jo vetëm fjalët që u tha drejtpërdrejt Perëndia, por edhe si vepronte ai me popullin e vet, përfshirë rastet kur këta tregonin besim e dashuri, si edhe ato kur gabonin e ishin jobesnikë. Sot, gjithë ky informacion ka vlerë të pashoqe.—Rom. 15:4.
5. A këmbënguli Jehovai që populli i tij të përdorte vetëm hebraishten? Shpjegoni.
5 Teksa ndryshonin rrethanat, Perëndia nuk komunikonte me njerëzit vetëm në hebraisht. Pas mërgimit në Babiloni, disa nga populli i Perëndisë flitnin aramaisht në jetën e përditshme. Ndoshta për këtë arsye Jehovai frymëzoi profetët Daniel e Jeremia dhe priftin Ezdra që t’i shkruanin në aramaisht disa pjesë të librave të tyre biblikë.a
6. Si u vu në dispozicion Fjala e Perëndisë edhe në gjuhë të tjera përveç hebraishtes?
6 Më vonë Aleksandri i Madh pushtoi pjesën më të madhe të botës së lashtë, dhe greqishtja e zakonshme ose koine u bë gjuhë ndërkombëtare. Shumë judenj nisën të flitnin këtë gjuhë, e si pasojë Shkrimet Hebraike u përkthyen në greqisht. Ky përkthim, që mendohet të jetë bërë nga 72 përkthyes, u bë i njohur si Septuaginta. Ishte përkthimi i parë i Biblës dhe një nga më të rëndësishmit.b Ngaqë punuan aq shumë përkthyes, kishte stile të ndryshme përkthimi, nga ai fjalë për fjalë deri te përkthimi thuajse i lirë. Prapëseprapë, judenjtë që flisnin greqisht dhe më pas të krishterët e konsideronin Septuagintën si Fjalën e Perëndisë.
7. Cilën gjuhë ka të ngjarë të ketë përdorur Jezui për t’i mësuar dishepujt?
7 Kur i parëlinduri i Perëndisë erdhi në tokë, ka të ngjarë të ketë folur dhe të ketë mësuar në gjuhën që Bibla e quan hebraisht. (Gjoni 19:20; 20:16; Vep. 26:14) Me sa duket, hebraishtja e shekullit të parë ishte ndikuar nga aramaishtja, prandaj Jezui mund të ketë përdorur disa shprehje në gjuhën aramaike. Megjithatë dinte edhe hebraishten e lashtë të Moisiut dhe të profetëve, e cila lexohej çdo javë në sinagoga. (Luka 4:17-19; 24:44, 45; Vep. 15:21) Përveç kësaj, në Izrael fliteshin greqishtja e latinishtja. Shkrimet nuk thonë gjë nëse Jezui i fliste edhe këto gjuhë.
8, 9. Me përhapjen e krishterimit, pse populli i Perëndisë përdorte greqishten si gjuhë kryesore, dhe ç’na tregon kjo për Jehovain?
8 Ithtarët e hershëm të Jezuit dinin hebraisht, por pas vdekjes së tij, dishepujt flitnin gjuhë të tjera. (Lexo Veprat 6:1.) Me përhapjen e krishterimit, të krishterët komunikonin kryesisht në greqisht. Në fakt, Ungjijtë e Mateut, të Markut, të Lukës dhe të Gjonit, që përmbajnë tregime të frymëzuara të gjërave që mësoi dhe bëri Jezui, ishin goxha të përhapur në greqisht. Prandaj shumë dishepuj nuk flitnin hebraisht, por greqisht.c Edhe letrat e apostullit Pavël dhe librat e tjerë të frymëzuar shpërndaheshin në greqisht.
9 Vlen të përmendet se kur citonin nga Shkrimet Hebraike, shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke përdornin zakonisht Septuagintën. Këto citime, që nganjëherë ndryshojnë disi nga shprehjet origjinale në hebraisht, tani janë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara. Pra, puna e përkthyesve njerëzorë të papërsosur u bë pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, i cili nuk anon nga një kulturë a një gjuhë më shumë se nga një tjetër.—Lexo Veprat 10:34.
10. Ç’mësojmë për Jehovain nga fakti që u dha njerëzve Fjalën e tij?
10 Nga kjo përmbledhje e shkurtër e komunikimit të Perëndisë me njerëzit, mësojmë se Jehovai e përshtat komunikimin sipas nevojave dhe rrethanave. Ai nuk këmbëngul që të mësojmë një gjuhë të caktuar për të njohur atë dhe qëllimet e tij. (Lexo Zakarinë 8:23; Zbulesën 7:9, 10.) Ndonëse Bibla u shkrua nën frymëzimin e Jehovait, ai lejoi të përcillej në lloj-lloj stilesh.
RUHET MESAZHI I PERËNDISË
11. Pse ndryshimet gjuhësore nuk e kanë penguar Perëndinë të komunikojë me njerëzit?
11 A e kanë penguar Perëndinë gjuhët e ndryshme dhe ndryshimet e vogla në përkthim që të komunikojë me njerëzit? Jo. Për shembull, ne mund të dimë vetëm disa nga fjalët origjinale që përdori Jezui. (Mat. 27:46; Mar. 5:41; 7:34; 14:36) Gjithsesi, Jehovai u sigurua që mesazhi i Jezuit të transmetohej në greqisht dhe, me kalimin e kohës, në gjuhë të tjera. Më vonë, dorëshkrimet biblike u kopjuan herë pas here nga judenj e të krishterë, duke ruajtur shkrimet e shenjta. Ato u përkthyen edhe në shumë gjuhë të tjera. Joan Krizostomi, që jetoi mes shekujve 4 dhe 5 të e.s., tha se në kohën e tij mësimet e Jezuit ishin përkthyer në gjuhët e sirianëve, të egjiptianëve, të indianëve, të persëve, të etiopasve dhe të goxha popujve të tjerë.
12. Çfarë kundërshtimi hasi përhapja e Biblës?
12 Botimi i Biblës në shumë gjuhë pengoi orvatjet e burrave të tillë, si perandori romak Diokleciani, që në vitin 303 të e.s. urdhëroi të shkatërroheshin të gjitha kopjet e Shkrimeve. Fjala e Perëndisë dhe ata që e përkthenin dhe e shpërndanin, u sulmuan pareshtur. Në shekullin e 16-të, Uilliam Tindali, që filloi të përkthente Biblën nga hebraishtja dhe greqishtja në anglisht, i tha një burri të arsimuar: «Nëse Perëndia ma kursen jetën, pa kaluar shumë vjet, do ta bëj një djalë që përdor plugun të dijë nga Shkrimet më shumë sesa dini ju.» Tindalit iu desh të arratisej nga Anglia për në kontinentin evropian që të përkthente dhe të shtypte versionin e tij të Biblës. Ndonëse kleri bëri një fushatë për t’i djegur publikisht të gjitha Biblat që gjente, përkthimi i Tindalit filloi të qarkullonte gjithnjë e më shumë. Më pas, Tindalin e tradhtuan, e mbytën dhe e dogjën në turrën e druve, ama përkthimi i tij i Biblës mbijetoi. Ai u përdor goxha në përgatitjen e përkthimit të Biblës King James, që është shumë i përhapur.—Lexo 2 Timoteut 2:9.
13. Çfarë ka treguar studimi i dorëshkrimeve të lashta?
13 Vërtet, disa kopje të lashta të Biblës që kanë mbijetuar, përmbajnë gabime dhe mospërputhje të vogla. Mirëpo, studiuesit e Biblës kanë krahasuar dhe kanë shqyrtuar me bisturi mijëra fragmente, dorëshkrime dhe përkthime të lashta. Nga ky studim u vërtetua se përmbajtja e shumicës dërrmuese të pjesëve të Biblës është autentike. Ato pak vargje për të cilat jemi deri diku të pasigurt nuk e ndryshojnë mesazhin. Studimi i dorëshkrimeve të lashta i bind studentët e sinqertë të Biblës se kanë në dorë tamam atë që Jehovai i frymëzoi shkrimtarët e Biblës të dokumentonin.—Isa. 40:8.d
14. Sa i përhapur është mesazhi i Biblës?
14 Pavarësisht nga kundërshtimi i egër i armiqve, Jehovai është kujdesur që Fjala e tij të jetë libri më i përkthyer në historinë njerëzore. Edhe pse jetojmë në një kohë kur shumë veta kanë pak ose aspak besim te Perëndia, Bibla vazhdon të jetë libri më i përhapur dhe tani është në dispozicion, e plotë ose pjesërisht, në mbi 2.800 gjuhë. Asnjë libër nuk krahasohet me Biblën për sa i përket përhapjes. Disa përkthime të Biblës nuk janë aq të qarta ose të besueshme. Por prapë, thuajse nga të gjitha përkthimet mund të mësojmë mesazhin bazë të shpresës dhe të shpëtimit që përcjell Bibla.
NEVOJITEJ NJË PËRKTHIM I RI I BIBLËS
15. (a) Si janë kapërcyer pengesat e sotme gjuhësore? (b) Pse është praktike që anglishtja përdoret si gjuhë bazë për të përhapur ushqimin frymor?
15 Në fillim të shekullit të kaluar, një grup i vogël dhe i zellshëm studentësh të Biblës u caktuan si «skllavi i besueshëm dhe i matur», i cili komunikonte me «shërbëtorët e shtëpisë» kryesisht në gjuhën angleze. (Mat. 24:45) Ky ‘skllav’ është përpjekur me mish e me shpirt të sigurojë ushqim frymor në gjithnjë e më shumë gjuhë. Numri i tyre tani ka arritur në mbi 700. Ashtu si greqishtja koine në shekullin e parë, edhe anglishtja sot përdoret gjerësisht si gjuhë biznesi dhe akademike, prandaj është praktike si gjuhë bazë për përkthimin.
16, 17. (a) Çfarë i nevojitej popullit të Perëndisë? (b) Si u plotësua kjo nevojë? (c) Çfarë shpresohej të arrihej me Përkthimin Bota e Re në vitin 1950?
16 Ushqimi frymor bazohet te Bibla. Në mes të shekullit të 20-të, Bibla më e përdorur në anglisht ishte versioni King James i vitit 1611. Ama, gjuha e kësaj Bible ishte shumë e vjetër dhe emri i Perëndisë përdorej vetëm disa herë, kurse në dorëshkrimet e lashta biblike gjendej mijëra herë. Kjo Bibël kishte ca gabime në përkthim, si edhe vargje shtesë që nuk gjendeshin në dorëshkrimet e lashta e të besueshme. Edhe përkthime të tjera të Biblës në anglisht kishin mangësi.
17 Nevojitej një Bibël që ta përcillte me saktësi dhe në gjuhë bashkëkohore domethënien e shkrimeve origjinale. Ja pse u formua Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re dhe gjatë një dekade, nga 1950-1960, ky përkthim doli në gjashtë vëllime. Kur njoftoi daljen e vëllimit të parë më 2 gusht 1950, vëlla Nejthën H. Nori i tha auditorit në një kongres: «Kemi kuptuar se nevojitet gjithnjë e më shumë një përkthim në gjuhën bashkëkohore, që të jetë në përputhje me të vërtetën dhe në të njëjtën kohë një bazë e mirë që të fitojmë më tepër njohuri për të vërtetën, ngaqë pasqyron besnikërisht kuptimin e shkrimeve origjinale. Na nevojitet një përkthim po aq i kuptueshëm për lexuesit e sotëm, sa ç’ishin shkrimet origjinale të dishepujve të Krishtit për lexuesit e thjeshtë, të zakonshëm dhe të përulur të asaj kohe.» Ai uroi që ky përkthim të ndihmonte frymësisht miliona njerëz.
18. Cilat vendime e përshpejtuan përkthimin e Biblës?
18 Ajo që shpresohej, u realizua në mënyrë domethënëse më 1963 kur Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re u botuan edhe në gjashtë gjuhë të tjera: frëngjisht, gjermanisht, holandisht, italisht, portugalisht dhe spanjisht. Në vitin 1989, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait formoi një repart në selinë qendrore për të përshpejtuar përkthimin e Biblës. Pastaj më 2005, iu dha përparësi përkthimit të Biblës në gjuhët që botohet revista Kulla e Rojës. Si rezultat, tani Përkthimi Bota e Re disponohet i plotë ose i pjesshëm në mbi 130 gjuhë.
19. Ç’ngjarje historike ndodhi më 2013, dhe ç’do të shohim në artikullin tjetër?
19 Me kalimin e kohës u duk qartë se botimi në anglisht i Përkthimit Bota e Re duhej përditësuar sipas ndryshimeve të gjuhës angleze. Fundjavën e 5 dhe 6 tetorit 2013, një auditor prej 1.413.676 vetash në 31 shtete ndoqi drejtpërdrejt ose nëpërmjet transmetimit online mbledhjen e 129-të vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Të gjithë u emocionuan kur dëgjuan një anëtar të Trupit Udhëheqës që njoftoi daljen e botimit të rishikuar Përkthimi Bota e Re në anglisht. Shumë s’i mbanin dot lotët teksa përcjellësit shpërndanin Biblën e rishikuar. Ndërsa oratorët lexonin vargje nga teksti i rishikuar, auditori kuptoi menjëherë se kurrë s’kishin pasur në duar një përkthim kaq të mirë në anglisht të Fjalës së Perëndisë. Në artikullin tjetër do të ndalemi te disa hollësi të këtij botimi të rishikuar, si edhe te përkthimi i tij në gjuhë të tjera.
a Ezdra 4:8-6:18, 7:12-26; Jeremia 10:11 dhe Danieli 2:4b-7:28 u shkruan fillimisht në aramaisht.
b Septuagintë do të thotë «shtatëdhjetë». Thuhet se përkthimi filloi në Egjipt në shekullin e tretë p.e.s dhe mund të ketë përfunduar rreth vitit 150 p.e.s. Ky përkthim ka vlerë edhe sot, sepse prej tij studiuesit kuptojnë më mirë domethënien e disa fjalëve dhe pjesëve në hebraisht që janë disi të paqarta.
c Disa mendojnë se Mateu e shkroi ungjillin e tij në hebraisht dhe pastaj u përkthye në greqisht, ndoshta nga ai vetë.
d Shih shtojcën A3 në Përkthimin Bota e Re të rishikuar (anglisht); edhe broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, f. 7-9, «Si mbijetoi libri?»