KAPITULLI 30
‘Të vazhdojmë të ecim në dashuri’
1-3. Çfarë vjen si rrjedhim kur imitojmë shembullin që la Jehovai duke treguar dashuri?
«KA MË shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Në fjalët e Jezuit theksohet kjo e vërtetë e rëndësishme: dashuria altruiste sjell shpërblime. Ndonëse një njeri ndien shumë lumturi kur merr dashuri, ndien edhe më shumë kur u jep ose u tregon dashuri të tjerëve.
2 Askush s’e di këtë më mirë se Ati ynë qiellor. Siç e kemi parë në kapitujt e mëparshëm të kësaj pjese, Jehovai është shembulli më i lartë i dashurisë. Askush s’ka treguar dashuri në mënyra më të jashtëzakonshme ose për një periudhë më të gjatë se ai. A është çudi, pra, që Jehovai quhet ‘Perëndia i lumtur’?—1 Timoteut 1:11.
3 Perëndia ynë i dashur dëshiron që ne të përpiqemi të jemi si ai, sidomos kur bëhet fjalë për të treguar dashuri. Tek Efesianëve 5:1, 2 na thuhet: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur, dhe vazhdoni të ecni në dashuri.» Kur imitojmë shembullin që la Jehovai duke treguar dashuri, provojmë lumturinë më të madhe që vjen kur jep. Gjithashtu, kemi kënaqësinë të dimë se po i pëlqejmë Jehovait, sepse Fjala e tij na nxit ‘të duam njëri-tjetrin’. (Romakëve 13:8) Por ka edhe arsye të tjera pse duhet ‘të vazhdojmë të ecim në dashuri’.
Pse është e domosdoshme dashuria?
4, 5. Pse është e rëndësishme që t’u tregojmë dashuri vetëmohuese bashkëbesimtarëve?
4 Pse është e rëndësishme që t’u tregojmë dashuri bashkëbesimtarëve? E thënë thjesht, dashuria është thelbi i krishterimit të vërtetë. Pa dashuri s’mund të kemi një lidhje të fortë me të bashkëkrishterët e, ç’është më e rëndësishme, s’kemi fare vlerë në sytë e Jehovait. Shqyrto se si i thekson Fjala e Perëndisë këto të vërteta.
5 Natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Po ju jap një urdhërim të ri, që ta doni njëri-tjetrin; ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni njëri-tjetrin edhe ju. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:34, 35) Po, urdhri që na jepet, pra «siç ju kam dashur unë», është të shfaqim atë lloj dashurie që shfaqi Jezui. Në kapitullin 29 vumë re se Jezui la një shembull të shkëlqyer për sa i përket dashurisë vetëmohuese, duke i vënë nevojat dhe interesat e të tjerëve mbi të tijat. Edhe ne duhet të tregojmë dashuri altruiste, dhe kjo duhet bërë në mënyrë kaq të dukshme, saqë dashuria jonë t’u bjerë në sy edhe atyre që nuk janë pjesë e kongregacionit të krishterë. Në të vërtetë, dashuria vetëmohuese vëllazërore është shenja dalluese me të cilën identifikohemi si ithtarë të vërtetë të Krishtit.
6, 7. (a) Si e dimë që në Fjalën e Jehovait vlera e shfaqjes së dashurisë është shumë e madhe? (b) Në cilin aspekt të dashurisë përqendrohen fjalët e Pavlit që i gjejmë te 1 Korintasve 13:4-8?
6 Po sikur të mos e kemi këtë dashuri? «Po . . . të mos kem dashuri,—tha apostulli Pavël,—jam bërë si një copë tunxhi që kumbon ose si një cimbal që tingëllon.» (1 Korintasve 13:1) Tingulli që lëshojnë dy pjatat e cimbalit kur përplasen të vret veshin. Po kumbimi i një cope tunxhi? Versione të tjera kanë shprehjen «një gong i zhurmshëm» ose «një gong që kumbon». Sa të përshtatshme si ilustrime! Njeriu që s’ka dashuri është si një vegël muzikore e cila lëshon një tingull të fortë që të cingëris nervat, tingull që nuk të tërheq, por, përkundrazi, të largon. Si mund të ketë ky njeri marrëdhënie të ngushta me të tjerët? Pavli tha edhe: «Po të kem gjithë besimin, sa të zhvendos malet, por të mos kem dashuri, nuk jam asgjë.» (1 Korintasve 13:2) Mendo vetëm këtë: një njeri që s’ka dashuri është «një askush i padobishëm», pavarësisht nga veprat që mund të kryejë. (The Amplified Bible) A nuk është e qartë se në Fjalën e Jehovait vlera e shfaqjes së dashurisë është shumë e madhe?
7 Mirëpo, si mund ta shprehim këtë cilësi në marrëdhëniet tona me të tjerët? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë fjalët e Pavlit që i gjejmë te 1 Korintasve 13:4-8. Në këto vargje theksi nuk vihet as te dashuria që ka Perëndia për ne, as te dashuria që kemi ne për Perëndinë. Përkundrazi, Pavli u përqendrua te mënyra si duhet t’i tregojmë dashuri njëri-tjetrit. Ai përshkroi se çfarë është e çfarë nuk është dashuria.
Çfarë është dashuria?
8. Si mund të na ndihmojë shpirtgjerësia në marrëdhëniet me të tjerët?
8 «Dashuria është shpirtgjerë.» Të jemi shpirtgjerë do të thotë që ta durojmë njëri-tjetrin. (Kolosianëve 3:13) A s’është e vërtetë që kemi nevojë për këtë durim? Duke qenë se jemi krijesa të papërsosura që shërbejnë krah për krah, është më se realiste të presim që hera-herës vëllezërit tanë të krishterë të na acarojnë e që ne të bëjmë të njëjtën gjë me ta. Por durimi dhe vetëpërmbajtja mund të na ndihmojnë t’i përballojmë fërkimet dhe zënkat e vogla që hasim në marrëdhëniet me të tjerët pa e prishur paqen e kongregacionit.
9. Në cilat mënyra mund t’u tregojmë mirëdashje të tjerëve?
9 «Dashuria është . . . mirëdashëse.» Mirëdashja tregohet me veprime që u vijnë në ndihmë të tjerëve dhe me fjalë që marrin parasysh ndjenjat e tyre. Dashuria na shtyn që të kërkojmë mënyra për të treguar mirëdashje, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Për shembull, një bashkëbesimtar i moshuar mund të ndihet i vetmuar dhe të ketë nevojë për një vizitë inkurajuese. Një nënë e vetme ose një motër që jeton në një shtëpi të ndarë nga ana fetare mund të ketë nevojë për ta ndihmuar me ndonjë gjë. Një njeri që është sëmurë ose që po kalon disa vështirësi mund të ketë nevojë të dëgjojë fjalë mirëdashëse nga një mik besnik. (Proverbat 12:25; 17:17) Kur veprojmë të parët për të treguar mirëdashje në këto mënyra, po tregojmë qartë sa e sinqertë është dashuria jonë.—2 Korintasve 8:8.
10. Si na ndihmon dashuria që të përkrahim dhe të themi të vërtetën, edhe kur kjo nuk është e lehtë?
10 «Dashuria . . . gëzon me të vërtetën.» Një version tjetër thotë: «Dashuria . . . mban me gëzim anën e së vërtetës.» Dashuria na shtyn të përkrahim të vërtetën dhe ‘t’i themi të vërtetën njëri-tjetrit’. (Zakaria 8:16) Në qoftë se, për shembull, një njeriu ynë i dashur ka rënë në një mëkat të rëndë, dashuria për Jehovain, si edhe për atë që ka gabuar, do të na ndihmojë t’u përmbahemi normave të Perëndisë e jo të përpiqemi të fshehim, të justifikojmë ose edhe të gënjejmë për sa i përket keqbërjes. Kuptohet që e vërteta në këtë rast mund të jetë e vështirë për t’u pranuar. Por, duke i dashur më të mirën njeriut tonë të dashur, do të dëshirojmë që ai ta marrë e ta pranojë disiplinën e dashur të Perëndisë. (Proverbat 3:11, 12) Si të krishterë të dashur, dëshirojmë edhe që «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë».—Hebrenjve 13:18.
11. Çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë për sa u përket mangësive të bashkëbesimtarëve, meqë dashuria «mban çdo gjë»?
11 «Dashuria . . . mban çdo gjë.» Fjalë për fjalë kjo shprehje ka kuptimin «mbulon çdo gjë». (Kingdom Interlinear) Te 1 Pjetrit 4:8 thuhet: «Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» Po, i krishteri që udhëhiqet nga dashuria nuk është i paduruar për të nxjerrë në shesh të gjitha papërsosmëritë dhe mangësitë e vëllezërve të tij të krishterë. Në shumicën e rasteve gabimet dhe të metat e bashkëbesimtarëve janë të vogla dhe mund të mbulohen me dashuri.—Proverbat 10:12; 17:9.
12. Si e tregoi apostulli Pavël se besonte më të mirën për Filemonin dhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit?
12 «Dashuria . . . beson çdo gjë.» Përkthimi i Mofatit thotë se dashuria është «gjithnjë e gatshme të besojë më të mirën». Nuk bëhemi tepër dyshues për bashkëbesimtarët tanë, duke u vënë në pikëpyetje çdo motiv. Dashuria na ndihmon ‘të besojmë më të mirën’ për vëllezërit tanë dhe t’u japim mirëbesimin tonë.a Vër re një shembull në letrën që Pavli i dërgoi Filemonit. Po i shkruante Filemonit për ta inkurajuar që ta priste me dashamirësi Onesimin, një skllav që ishte arratisur e që ishte bërë i krishterë. Pavli nuk u përpoq ta detyronte Filemonin, por i bëri thirrje në bazë të dashurisë. Ai shprehu bindjen se Filemoni do të bënte atë që ishte e drejtë, duke i thënë: «Me besim se do të më dëgjosh, po të shkruaj, duke e ditur se do të bësh edhe më shumë se ato që them unë.» (Vargu 21) Kur dashuria na shtyn që të shprehim një besim të tillë te vëllezërit tanë, nxjerrim anët e tyre më të mira.
13. Si mund ta tregojmë se shpresojmë më të mirën për vëllezërit tanë?
13 «Dashuria . . . shpreson çdo gjë.» Ashtu siç karakterizohet nga mirëbesimi, dashuria karakterizohet edhe nga shpresa. Të motivuar nga dashuria ne shpresojmë më të mirën për vëllezërit tanë. Për shembull, në qoftë se një vëlla ‘hedh ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të’, ne shpresojmë që do t’u përgjigjet mirë përpjekjeve të dashura që bëhen për ta ndrequr. (Galatasve 6:1) Kemi shpresë edhe se ata që janë të dobët në besim do ta marrin veten. Jemi të duruar me këta të fundit, duke bërë ç’të mundemi për t’i ndihmuar që të bëhen të fortë në besim. (Romakëve 15:1; 1 Selanikasve 5:14) Edhe nëse një njeriu ynë i dashur humbet rrugën, nuk heqim dorë nga shpresa që ndonjë ditë ai do të vijë në vete dhe do të kthehet te Jehovai, ashtu siç bëri djali plëngprishës në ilustrimin e Jezuit.—Luka 15:17, 18.
14. Në cilat mënyra mund të na sprovohet qëndrueshmëria brenda kongregacionit dhe si do të na ndihmojë dashuria që të reagojmë siç duhet?
14 «Dashuria . . . i qëndron çdo gjëje.» Qëndrueshmëria na jep mundësi të qëndrojmë të patundur përballë zhgënjimeve ose vështirësive. Sprovat e qëndrueshmërisë nuk vijnë vetëm nga jashtë kongregacionit. Nganjëherë mund të sprovohemi brenda kongregacionit. Për shkak të papërsosmërisë vëllezërit tanë në ndonjë rast mund të na zhgënjejnë. Mund të lëndohemi nga ndonjë koment i pamenduar. (Proverbat 12:18) Ndoshta një çështje në kongregacion nuk u zgjidh siç mendojmë ne se duhej të ishte zgjidhur. Sjellja e një vëllai të respektuar mund të na turbullojë, duke na bërë të pyesim: ‘Si ka mundësi që një i krishterë të veprojë kështu?’ Kur të hasim rrethana të tilla, a do të largohemi nga kongregacioni dhe do të ndërpresim shërbimin ndaj Jehovait? Jo, në qoftë se kemi dashuri! Pikërisht, dashuria nuk na lejon që të verbohemi kaq shumë nga mangësitë e një vëllai, sa të mos arrijmë të shohim anët e mira tek ai ose te kongregacioni në tërësi. Dashuria na jep mundësi t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë dhe të mbështetim kongregacionin, pavarësisht se çfarë mund të thotë ose të bëjë një njeri tjetër i papërsosur.—Psalmi 119:165.
Çfarë nuk është dashuria?
15. Çfarë është xhelozia e pavend dhe si na ndihmon dashuria që të shmangim këtë ndjenjë shkatërrimtare?
15 «Dashuria nuk është xheloze.» Xhelozia e pavend mund të na bëjë të kemi zili atë që kanë të tjerët, zotërimet e tyre, bekimet që marrin ose aftësitë që kanë. Kjo xhelozi është një ndjenjë egoiste dhe shkatërrimtare që, po të mos frenohet, mund ta prishë paqen e kongregacionit. Çfarë do të na ndihmojë t’i kundërvihemi ‘prirjes drejt smirës’? (Jakovit 4:5) Me një fjalë të vetme, dashuria. Kjo cilësi e çmuar na jep mundësi të gëzohemi bashkë me ata që duket se kanë disa epërsi në jetë që ne nuk i kemi. (Romakëve 12:15) Dashuria na ndihmon të mos e marrim si fyerje personale kur dikush tjetër lavdërohet për ndonjë aftësi të veçantë që ka ose për ndonjë arritje të jashtëzakonshme.
16. Pse nuk do të mburremi për atë që bëjmë në shërbim të Jehovait, në qoftë se i duam vërtet vëllezërit tanë?
16 «Dashuria . . . nuk mbahet me të madh, nuk krekoset.» Dashuria na pengon që t’i valëvitim si flamuj talentet ose arritjet tona. Si mund të mburremi vazhdimisht për suksesin që kemi në shërbim ose për privilegjet tona në kongregacion, në qoftë se i duam me të vërtetë vëllezërit tanë? Kjo mburrje mund t’i shkurajojë të tjerët, duke i bërë të ndihen më të ulët në krahasim me ne. Dashuria nuk na lë të mbahemi me të madh për atë që Perëndia na lejon të bëjmë në shërbim të tij. (1 Korintasve 3:5-9) Për më tepër, dashuria «nuk krekoset» ose, siç e përkthen një version tjetër, nuk «ushqen mendime tepër të larta për rëndësinë e vet». Dashuria nuk na lejon të kemi një pikëpamje tepër të lartë për veten.—Romakëve 12:3.
17. Çfarë kujdesi do të tregojmë për të tjerët të shtyrë nga dashuria, dhe cilën lloj sjelljeje do të shmangim si pasojë e kësaj?
17 «Dashuria . . . nuk sillet në mënyrë të pahijshme.» Njeriu që sillet në mënyrë të pahijshme vepron me paturpësi ose duke fyer të tjerët. Kjo mënyrë të vepruari nuk është e dashur, sepse tregon shpërfillje të plotë për ndjenjat e për mirëqenien e të tjerëve. Në të kundërt, dashuria ka edhe hir e një qëndrim mirëdashës që na shtyn të marrim parasysh ndjenjat e të tjerëve. Dashuria është një shtysë për të qenë me edukatë, për të pasur një sjellje të perëndishme, si edhe respekt për bashkëbesimtarët tanë. Kështu, dashuria nuk do të na lejojë të përfshihemi në ‘sjellje të turpshme’, pra, në çdo lloj sjelljeje që do të trondiste ose do të fyente vëllezërit tanë të krishterë.—Efesianëve 5:3, 4.
18. Pse një njeri i dashur nuk pretendon që çdo gjë të bëhet sipas mënyrës së tij?
18 «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.» Një version tjetër thotë në këtë varg: «Dashuria nuk ngul këmbë në të sajën.» Një njeri i dashur nuk pretendon që çdo gjë të bëhet sipas mënyrës së tij, sikur mendimet e tij të ishin gjithnjë të sakta. Aftësinë bindëse nuk e përdor për t’i manipuluar ata që kanë një pikëpamje të ndryshme nga e tija, aq sa t’i lodhë me presionin që u bën. Një kokëfortësi e tillë do të zbulonte njëfarë krenarie, dhe Bibla thotë: «Krenaria është para rrëzimit.» (Proverbat 16:18) Në qoftë se i duam me të vërtetë vëllezërit tanë, do t’i respektojmë pikëpamjet e tyre dhe, kur është e mundur, do të tregojmë gatishmëri për t’u hapur rrugë atyre. Kjo frymë është në harmoni me fjalët e Pavlit: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.
19. Si na ndihmon dashuria që të reagojmë kur të tjerët na fyejnë?
19 «Dashuria . . . nuk acarohet . . . nuk e mban llogari të keqen.» Dashuria nuk acarohet me lehtësi nga ajo që thonë ose që bëjnë të tjerët. Kuptohet që është më se e natyrshme të lëndohemi kur të tjerët na fyejnë. Por edhe atëherë kur zemërimi ynë është i justifikuar, dashuria nuk na lejon të mbetemi të acaruar. (Efesianëve 4:26, 27) Nuk mbajmë një listë të fjalëve ose të veprimeve që na kanë lënduar, sikur t’i shkruanim në një regjistër për të mos i harruar. Përkundrazi, dashuria na shtyn të imitojmë Perëndinë tonë të dashur. Siç e pamë në kapitullin 26, Jehovai fal kur ka arsye të shëndoshë për ta bërë këtë. Kur fal, ai harron, domethënë nuk lë që ato mëkate të ndikojnë për keq në marrëdhënien tonë me të në të ardhmen. A nuk jemi mirënjohës që Jehovai nuk e mban llogari të keqen?
20. Si duhet të reagojmë në qoftë se një bashkëbesimtar bie në kurthin e mëkatit dhe përfundon keq?
20 «Dashuria . . . nuk gëzon për padrejtësinë.» Në një version tjetër, në këtë varg lexojmë: «Dashuria . . . nuk ngazëllehet me mëkatet e njerëzve të tjerë.» Përkthimi i Mofatit thotë: «Dashuria nuk është kurrë e kënaqur kur të tjerët marrin rrugën e gabuar.» Dashuria nuk gjen kënaqësi në padrejtësinë, prandaj nuk tolerojmë imoralitetin e asnjë lloji. Si reagojmë në qoftë se një bashkëbesimtar bie në kurthin e mëkatit dhe përfundon keq? Dashuria nuk do të na lejojë të gëzojmë, sikur të thoshim: ‘Mirë t’i bëhet! E meritonte.’ (Proverbat 17:5) Përkundrazi, gëzohemi kur një vëlla që ka gabuar ndërmerr hapa pozitivë për t’u rimëkëmbur nga kjo rënie frymore.
«Një udhë që i tejkalon të tjerat»
21-23. (a) Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «dashuria nuk shuhet kurrë»? (b) Çfarë do të trajtohet në kapitullin e fundit?
21 «Dashuria nuk shuhet kurrë.» Çfarë donte të thoshte Pavli me këto fjalë? Siç e kuptojmë nga konteksti, ai po fliste për dhuratat e frymës që ekzistonin ndër të krishterët e hershëm. Këto dhurata shërbyen si shenjë se Perëndia e shihte me miratim kongregacionin e sapoformuar. Por jo të gjithë të krishterët mund të shëronin, të profetizonin ose të flitnin në gjuhë. Mirëpo, kjo nuk kishte rëndësi, pasi me kalimin e kohës këto dhurata gjithsesi do të pushonin. Por diçka tjetër do të mbetej, diçka që çdo i krishterë mund ta kultivonte. Ajo ishte më e shkëlqyer, më e qëndrueshme se çdo dhuratë e mrekullueshme. Në të vërtetë, Pavli e quajti «një udhë që i tejkalon të tjerat». (1 Korintasve 12:31) Çfarë ishte kjo ‘udhë që i tejkalonte të tjerat’? Ishte udha e dashurisë.
Shërbëtorët e Jehovait identifikohen nga dashuria që kanë për njëri-tjetrin
22 Vërtet, dashuria e krishterë që përshkroi Pavli «nuk shuhet kurrë», domethënë, nuk do të përfundojë kurrë. Edhe sot e kësaj dite, dashuria vetëmohuese vëllazërore i identifikon ithtarët e vërtetë të Jezuit. A nuk shohim dëshmi të kësaj dashurie në kongregacionet e adhuruesve të Jehovait në mbarë tokën? Kjo dashuri do të qëndrojë përgjithmonë, sepse Jehovai u premton jetën e përhershme shërbëtorëve të tij besimplotë. (Psalmi 37:9-11, 29) Le të vazhdojmë të bëjmë çmos ‘për të ecur në dashuri’. Duke vepruar kështu, mund të provojmë lumturinë më të madhe që vjen kur jep. Për më tepër, mund të vazhdojmë të jetojmë—e prandaj të vazhdojmë të duam—për gjithë përjetësinë, duke imituar Perëndinë tonë të dashur, Jehovain.
23 Në këtë kapitull që mbyll pjesën kushtuar dashurisë, kemi shqyrtuar se si mund t’i tregojmë dashuri njëri-tjetrit. Por, duke parë në sa shumë mënyra përfitojmë nga dashuria e Jehovait, si edhe nga fuqia, drejtësia dhe mençuria e tij, me të drejtë lind pyetja: ‘Si mund t’i tregoj Jehovait se e dua me të vërtetë?’ Kjo pyetje do të shqyrtohet në kapitullin e fundit.
a Natyrisht që dashuria e krishterë s’është aspak naive. Bibla na nxit: «Të jeni vigjilentë ndaj atyre që shkaktojnë përçarje dhe raste për pengesë . . . dhe shmangini ata.»—Romakëve 16:17.