12 Kush e do disiplinën, do njohurinë,+
por kush e urren korrigjimin, është i paarsyeshëm.+
2 Njeriu i mirë fiton miratimin e Jehovait,
por njeriu që kurdis plane të liga, merr ndëshkimin e Tij.+
3 Askush nuk gjen dot siguri me anë të ligësisë,+
por rrënjët e të drejtëve nuk do të shkulen kurrë.
4 Një grua e zonja është kurorë për të shoqin,+
por ajo që e turpëron, është si kalbësirë për kockat e tij.+
5 Mendimet e të drejtëve të çojnë në rrugën e duhur,
por udhëheqja e të ligjve të mashtron.
6 Fjalët e të ligjve janë grackë vdekjeprurëse,+
por goja e të drejtëve sjell shpëtim.+
7 Njëherë që mposhten, të ligjtë zhduken,
por shtëpia e të drejtëve mbetet përherë.+
8 Njeriu që flet me maturi, do të lëvdohet,+
por kush ka zemër dredharake, do të përçmohet.+
9 Më mirë të vlerësohesh pak, e të kesh një shërbëtor,
se t’i japësh lavdi vetes, e të ngelesh pa bukë.+
10 I drejti kujdeset për kafshët e veta,+
por mëshira që u tregon i ligu është veçse mizore.
11 Kush e punon tokën, do të ngopet me bukë,+
por ai që rend pas kotësive, nuk ka gjykim të mirë.
12 Të ligjtë lakmojnë prenë e të tjerëve,
por rrënjët e të drejtëve japin fryt.
13 Buzët e tij mëkatare e zënë në lak të ligun,+
por i drejti çlirohet nga hallet.
14 Nga fryti i gojës së vet njeriu do të ngopet me të mira,+
dhe nga puna e duarve të tij do të shpërblehet.
15 Të marrit i duket e drejtë udha e tij,+
kurse i mençuri i pranon sugjerimet.+
16 I marri e tregon menjëherë acarimin,+
por mendjemprehti e anashkalon fyerjen.
17 Dëshmitari i besueshëm thotë të vërtetën,
por dëshmitari i rremë mashtron.
18 Fjalët e pamenduara janë si goditje shpate,
por gjuha e të mençurve sjell shërim.+
19 Buzët e së vërtetës do të qëndrojnë përgjithmonë,+
kurse gjuha gënjeshtare do të zgjatë veç një çast.+
20 Ata që thurin intriga, e kanë zemrën plot mashtrime,
kurse ata që nxitin paqe, kanë veç gëzim.+
21 Të drejtët s’do t’i gjejë asnjë e keqe,+
por të zezat nuk do të kenë të sosur për të ligjtë.+
22 Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Jehovain,+
por ata që tregohen të besueshëm, i sjellin atij kënaqësi.
23 Njeriu mendjemprehtë nuk e tregon sheshit sa shumë di,
kurse i marri i lëshon pa fre fjalët e pamenda të zemrës së vet.+
24 Duart e palodhura do të mbretërojnë,+
kurse duart dembele do të skllavërohen.+
25 Ankthi ia rëndon zemrën njeriut,+
kurse një fjalë e mirë ia ngre zemrën peshë.+
26 I drejti e zgjedh me kujdes kullotën e vet,
por të ligjtë ndjekin shtigje që i çojnë në rrugë të shtrembër.
27 Përtaci nuk e ndjek prenë e vet,+
por i papërtuari është një thesar i çmuar.
28 Shtegu i drejtësisë të çon në jetë;+
në shtegun e saj nuk ka vdekje.