ARTIKULLI I STUDIMIT 29
«Shkoni dhe bëni dishepuj»
«Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—MAT. 28:19.
KËNGA 60 Ftesë që sjell shpëtim
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Sipas urdhrit të Jezuit te Mateu 28:18-20, cili është misioni kryesor i kongregacionit të krishterë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
APOSTUJT duhet të kenë qenë shumë të emocionuar teksa mblidheshin në shpatin e malit. Pas ringjalljes, Jezui u kishte kërkuar ta takonin atje. (Mat. 28:16) Mbase ky ishte rasti kur «iu shfaq njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve». (1 Kor. 15:6) Pse i kishte thirrur Jezui dishepujt në atë mbledhje? Për t’u dhënë këtë mision drithërues: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Lexo Mateun 28:18-20.
2 Dishepujt që dëgjuan fjalët e Jezuit, u bënë pjesë e kongregacionit të krishterë të shekullit të parë. Misioni kryesor i atij kongregacioni ishte të bënte dishepuj të tjerë të Krishtit.b Sot, anekënd botës ka dhjetëra mijë kongregacione me të krishterë të vërtetë, dhe ky mbetet misioni kryesor i tyre. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë katër pyetje: Pse është kaq e rëndësishme vepra e bërjes së dishepujve? Çfarë përfshin kjo vepër? A ndihmon çdo i krishterë në bërjen e dishepujve? Dhe pse kërkon durim kjo vepër?
PSE ËSHTË KAQ E RËNDËSISHME VEPRA E BËRJES SË DISHEPUJVE?
3. Sipas Gjonit 14:6 dhe 17:3, pse është kaq e rëndësishme vepra e bërjes së dishepujve?
3 Pse është kaq e rëndësishme të bëjmë dishepuj? Sepse vetëm dishepujt e Krishtit mund të jenë miq të Perëndisë. Veç kësaj, ata që ndjekin Krishtin përmirësojnë jetën e tyre tani dhe kanë shpresën të gëzojnë jetën e pafund në të ardhmen. (Lexo Gjonin 14:6; 17:3.) Pa dyshim, Jezui na ka besuar një përgjegjësi të rëndësishme, ama nuk jemi vetëm në këtë vepër. Apostulli Pavël shkroi për veten dhe disa nga shokët e ngushtë të shërbimit: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.» (1 Kor. 3:9) Çfarë privilegji u kanë dhënë Jehovai dhe Krishti njerëzve të papërsosur!
4. Ç’mund të mësojmë nga përvoja e Ivanit dhe Matildës?
4 Vepra e bërjes së dishepujve mund të na sjellë shumë gëzim. Mendo për shembullin e Ivanit dhe gruas së tij, Matildës, që jetojnë në Kolumbi. Ata i dhanë dëshmi një të riu që quhej Davjer, i cili u tha: «Dua të bëj ndryshime në jetë, por nuk ia dal dot.» Davjeri ishte boksier dhe merrte drogë, pinte me tepri e bashkëjetonte me të dashurën, Erikën. Ivani shpjegon: «Filluam të studionim Biblën me Davjerin. Ai jetonte në një fshat të izoluar, ndaj na duhej të ecnim me biçikletë për orë të tëra në rrugët gjithë baltë. Pasi vuri re që Davjeri po përmirësonte sjelljen dhe qëndrimin, Erika u bashkua me të në studimin e Biblës.» Me kohë, Davjeri la drogën, pijen dhe boksin. Gjithashtu u martua me Erikën. Matilda thotë: «Në 2016-n, kur Davjeri dhe Erika u pagëzuan, na erdhën ndër mend fjalët e Davjerit: ‘Dua të ndryshoj, por nuk ia dal dot.’ S’i mbanim dot lotët.» Patjetër që edhe ne na gufon zemra nga gëzimi kur i ndihmojmë njerëzit të bëhen dishepuj të Krishtit.
ÇFARË PËRFSHIN VEPRA E BËRJES SË DISHEPUJVE?
5. Cili është hapi i parë për të bërë dishepuj?
5 Hapi i parë që duhet të hedhim për të bërë dishepuj, është ‘të kërkojmë’ ata që duan të mësojnë për Jehovain. (Mat. 10:11) Kur përpiqemi t’u dëshmojmë të gjithëve në territor dhe t’i bindemi urdhrit të Krishtit që të predikojmë, tregojmë se jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe të krishterë të vërtetë.
6. Çfarë mund të na ndihmojë të kemi sukses në shërbim?
6 Disa njerëz janë të etur të mësojnë të vërtetat e Biblës, por shumë nga ata që takojmë mund të duken indiferentë në fillim. Mbase na duhet t’u zgjojmë kureshtjen që të dinë më shumë. Për të pasur sukses në shërbim, duhet të kesh një strategji të menduar mirë. Zgjidh tema specifike që ka shumë të ngjarë t’u interesojnë atyre që do të takosh. Pastaj planifiko si do të bësh hyrjen për secilën temë.
7. Si mund ta nisësh bisedën me dikë, dhe pse është e rëndësishme të dëgjosh e të tregosh respekt?
7 Për shembull, mund ta pyesësh të zotin e shtëpisë: «A mund të kërkoj mendimin tuaj për diçka? Shumë nga problemet që po kalojmë, i hasin njerëzit kudo në botë. Si mendoni, a kemi nevojë për një qeveri mbarëbotërore që të zgjidhë problemet e njerëzimit?» Pastaj mund të bisedoni rreth Danielit 2:44. Ose mund të thuash: «Sipas jush, cili është çelësi për të rritur fëmijë të edukuar? Do të doja të dija mendimin tuaj.» Pastaj shqyrtoni Ligjin e përtërirë 6:6, 7. Cilëndo temë të zgjedhësh, mendo për njerëzit me të cilët do të bisedosh. Përfytyro si do të nxjerrin dobi po të dinë çfarë mëson Bibla. Kur të flasësh me ta, është e rëndësishme t’i dëgjosh dhe të respektosh pikëpamjen e tyre. Kështu do t’i kuptosh më mirë, dhe ka më shumë mundësi që edhe ata të të dëgjojnë.
8. Pse duhet të ngulmojmë për të bërë rivizita?
8 Para se dikush të vendosë të studiojë Biblën, mund të të duhet të investosh kohë e përpjekje për ta rivizituar. Pse? Sepse kur kthehemi t’i takojmë, njerëzit ndoshta nuk janë në shtëpi ose nuk kanë mundësi të bisedojnë. Gjithashtu, mbase do të të duhet ta rivizitosh disa herë dikë para se të ndihet aq rehat, sa të pranojë të studiojë Biblën. Mos harro, një bimë ka më shumë gjasa të rritet kur ujitet rregullisht. Po njësoj, dashuria e një të interesuari për Jehovain dhe për Krishtin, ka më shumë gjasa të rritet kur bisedojmë rregullisht me të rreth Fjalës së Perëndisë.
A NDIHMON ÇDO I KRISHTERË NË BËRJEN E DISHEPUJVE?
9-10. Pse mund të themi se çdo i krishterë i vërtetë ndihmon për të gjetur njerëzit me zemër të sinqertë?
9 Çdo i krishterë i vërtetë jep një dorë për të gjetur njerëzit me zemër të sinqertë. Kjo vepër është si të gjesh një fëmijë që ka humbur. Në ç’kuptim? Mendo për këtë histori të vërtetë: një vogëlush trevjeçar pa e kuptuar u largua shumë nga shtëpia e tij dhe humbi. Rreth 500 veta morën pjesë në kërkimin e tij. Në fund, rreth 20 orë pasi kishte humbur, një vullnetar e gjeti vogëlushin në një arë me misër. Ai nuk pranoi të merrte meritën për gjetjen e djalit. Burri tha: «U deshën qindra veta për ta gjetur.»
10 Shumë njerëz janë si ai fëmijë—ndihen të humbur. Ata nuk kanë asnjë shpresë, por duan ndihmë. (Efes. 2:12) Të gjithë ne, mbi tetë milionë veta, po përpiqemi t’i gjejmë këta njerëz me zemër të sinqertë. Ndoshta ti personalisht nuk do të gjesh dikë që dëshiron të studiojë Biblën. Megjithatë, lajmëtarë të tjerë që predikojnë në të njëjtin territor mund të gjejnë dikë që dëshiron të mësojë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kur një vëlla a motër gjen dikë që bëhet dishepull i Krishtit, secili nga ata që mori pjesë në kërkim ka arsye të forta të gëzojë.
11. Edhe nëse nuk po drejton një studim, në cilat mënyra të tjera mund të ndihmosh për të bërë dishepuj?
11 Edhe nëse për momentin nuk po drejton një studim, mund të ndihmosh në mënyra të tjera për të bërë dishepuj. Për shembull, mund t’i mirëpresësh të rinjtë që vijnë në Sallën e Mbretërisë e të tregohesh miqësor me ta. Në këtë mënyrë mund t’i ndihmosh të kuptojnë se dashuria na identifikon si të krishterë të vërtetë. (Gjoni 13:34, 35) Komentet që bën gjatë mbledhjeve, edhe pse të shkurtra, mund t’u mësojnë atyre që kanë filluar të shoqërohen me ne ta shprehin besimin në mënyrë të sinqertë dhe dinjitoze. Veç kësaj, mund të dalësh në shërbim me një lajmëtar të ri dhe ta ndihmosh të përdorë Shkrimet për të arsyetuar me njerëzit. Duke vepruar kështu, do ta mësosh të imitojë Krishtin.—Luka 10:25-28.
12. A duhet të kemi aftësi të jashtëzakonshme për të bërë dishepuj? Shpjegoni.
12 Askush prej nesh s’duhet të mendojë se kërkohen aftësi të jashtëzakonshme për t’i mësuar të tjerët të bëhen dishepuj të Jezuit. Pse? Të marrim rastin e Faustinës që jeton në Bolivi. Kur takoi në fillim Dëshmitarët e Jehovait, ajo nuk dinte të lexonte. Që nga ajo kohë, ka mësuar të lexojë pak. Tani është e pagëzuar dhe i pëlqen pa masë t’u mësojë të tjerëve të vërtetën. Zakonisht, drejton pesë studime çdo javë. Ndonëse ende nuk lexon aq mirë sa shumica e studentëve të saj, Faustina ka ndihmuar gjashtë veta deri në pagëzim.—Luka 10:21.
13. Edhe nëse jemi shumë të zënë, cilat janë disa bekime që mund të shijojmë në veprën e bërjes së dishepujve?
13 Shumë të krishterë janë mjaft të zënë pasi mbajnë përgjegjësi të rëndësishme. Prapëseprapë, gjejnë kohë për të drejtuar studime, dhe kjo u sjell shumë gëzim. Mendo për shembullin e Melanisë në Alaskë. Ajo ishte prind i vetëm që po rriste një vajzë 8-vjeçare. Veç kësaj punonte në kohë të plotë dhe ndihmonte duke u kujdesur për babanë që vuante nga kanceri. Melania ishte e vetmja Dëshmitare në qytezën e saj të izoluar. Lutej shpesh për forcë që të dilte në predikim pavarësisht nga i ftohti, sepse kishte shumë dëshirë të gjente dikë që donte të studionte Biblën. Një ditë takoi Sarën, e cila u mahnit kur mësoi se Perëndia ka një emër. Pas njëfarë kohe Sara pranoi të studionte Biblën. Melania thotë: «Të premteve në mbrëmje isha e sfilitur, ama bashkë me vajzën nxirrnim dobi kur dilnim për të bërë atë studim. Kënaqeshim kur bënim kërkime për pyetjet e Sarës dhe gëzonim tek shihnim se si lidhte miqësi me Jehovain.» Sara e përballoi me guxim kundërshtimin, la kishën dhe u pagëzua.
PSE KËRKOHET DURIM PËR TË BËRË DISHEPUJ?
14. (a) Në ç’kuptim ngjan vepra e bërjes së dishepujve me peshkimin? (b) Si ndikojnë te ty fjalët e Pavlit te 2 Timoteut 4:1, 2?
14 Edhe nëse duket sikur shërbimi yt nuk po sjell fryt, mos e humb shpresën se do të gjesh dikë që mund të bëhet dishepull. Mos harro se Jezui e krahasoi veprën e bërjes së dishepujve me peshkimin. Peshkatarët mund të kalojnë orë të tëra para se të zënë ndonjë peshk. Shpesh punojnë natën vonë ose herët në mëngjes, e ndonjëherë lundrojnë goxha larg. (Luka 5:5) Po njësoj, disa lajmëtarë kalojnë orë të tëra duke «peshkuar» me durim në orare dhe vende të ndryshme. Pse? Që të takojnë më shumë njerëz. Ata që bëjnë përpjekje të tilla të palodhura shpesh shpërblehen, pasi gjejnë njerëz që janë të interesuar për mesazhin tonë. A mund të provosh të predikosh në orare ose në vende ku ka më shumë të ngjarë të gjesh njerëz?—Lexo 2 Timoteut 4:1, 2.
15. Pse duhet durim kur drejtojmë studime?
15 Pse duhet durim kur drejtojmë studime? Një arsye është se duhet ta ndihmojmë studentin të njohë e të dojë mësimet e Biblës. Por njëkohësisht duhet ta ndihmojmë të njohë e të dojë Autorin e Biblës, Jehovain. Dhe përveçse t’i mësojmë studentit çfarë kërkon Jezui nga dishepujt e tij, duhet ta ndihmojmë edhe të dijë si të jetojë si i krishterë i vërtetë. Me durim, duhet ta ndihmojmë teksa përpiqet fort të zbatojë parimet e Biblës. Disa arrijnë ta ndryshojnë mënyrën si mendojnë dhe zakonet e tyre brenda pak muajsh, kurse të tjerëve u duhet më tepër kohë.
16. Çfarë mësove nga përvoja e Raulit?
16 Përvoja e një misionari në Peru tregon sa dobi ka të jemi të duruar. «Kisha studiuar dy libra me një student që quhet Raul,—tha ai.—Megjithatë akoma i duhej të bënte ndryshime të mëdha në jetë. Kishte një martesë me shumë probleme, përdorte fjalë të pista dhe fëmijët e kishin të vështirë ta respektonin. Meqë vinte në mbledhje rregullisht, vazhdoja ta vizitoja për të ndihmuar atë dhe familjen e tij. Më shumë se tre vjet pasi e takova për herë të parë, u kualifikua për t’u pagëzuar.»
17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Jezui na urdhëroi ‘të shkojmë dhe të bëjmë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. Për ta kryer këtë detyrë, shpesh na duhet të flasim me njerëz që kanë bindje shumë të ndryshme nga tonat. Këtu përfshihen edhe ata që nuk bëjnë pjesë në një organizatë fetare ose ata që nuk besojnë se Perëndia ekziston. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund t’ua japim lajmin e mirë këtyre njerëzve.
KËNGA 68 Mbjellim farën e Mbretërisë
a Misioni kryesor i kongregacionit të krishterë është t’i ndihmojë njerëzit të bëhen dishepuj të Krishtit. Në këtë artikull jepen sugjerime praktike që do të na ndihmojnë ta kryejmë misionin tonë.
b SHPJEGIMI I FJALËS: Dishepujt e Krishtit jo vetëm mësojnë gjërat që mësonte Jezui, por edhe i vënë në jetë. Ata përpiqen të ndjekin sa më me kujdes gjurmët, ose shembullin, e Jezuit.—1 Pjet. 2:21.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një burrë që po ikën me pushime merr literaturë nga Dëshmitarët në një aeroport. Më vonë, teksa viziton qytetin, sheh Dëshmitarë të tjerë që po marrin pjesë në dëshminë publike. Kur kthehet në vendin e tij, lajmëtarët i trokasin në derë.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: I njëjti burrë pranon të studiojë Biblën. Me kohë, kualifikohet për t’u pagëzuar.