Libri biblik numër 59—Jakovi
Shkrimtari: Jakovi
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: para 62 të e.s.
1. Ç’pyetje lind në lidhje me autorësinë e librit që mban emrin e Jakovit?
«AI KA luajtur mendsh.» Kështu mendonin për Jezuin të afërmit e tij të ngushtë. Në fakt, gjatë kohës që shërbeu në tokë, «vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai», dhe Jakovi me Jozefin, Simonin dhe Judën nuk numëroheshin mes dishepujve të hershëm të Tij. (Mar. 3:21; Gjoni 7:5; Mat. 13:55) Pse thuhet, atëherë, se librin biblik që mban emrin e Jakovit e shkroi vëllai i Jezuit nga nëna?
2. Ç’na bën të mendojmë se letrën e Jakovit e shkroi vëllai i Jezuit nga nëna?
2 Bibla tregon se Jezui i ringjallur iu shfaq Jakovit, dhe me siguri kjo i hoqi çdo dyshim se Jezui ishte Mesia. (1 Kor. 15:7) Veprat 1:12-14 thotë se edhe para festës së Ditës së Pesëdhjetë, Maria dhe vëllezërit e Jezuit ishin bashkuar me apostujt për t’u lutur në një dhomë në katin e sipërm të një shtëpie në Jerusalem. Mos ndoshta letra u shkrua nga një prej apostujve që quhej Jakov? Jo, sepse në fillim të letrës shkrimtari nuk thotë se është apostull, por ‘skllav i Zotërisë Jezu Krisht’. Veç kësaj, në fjalët e para të Judës, që janë të ngjashme me ato të Jakovit, përmendet edhe Juda si «skllav i Jezu Krishtit, por vëlla i Jakovit». (Jak. 1:1; Jud. 1) Nga kjo, mund të themi me siguri se Jakovi dhe Juda, vëllezërit e Jezuit nga nëna, shkruan librat biblikë që mbajnë emrat e tyre.
3. Pse themi se Jakovi ishte i kualifikuar për të shkruar një letër të tillë?
3 Jakovi ishte mjaft i kualifikuar për t’i shkruar një letër me këshilla kongregacionit të krishterë. Ai ishte një mbikëqyrës shumë i respektuar në kongregacionin e Jerusalemit. Pavli thotë se ‘Jakovi, vëllai i Zotërisë’, bashkë me Kefën dhe Gjonin, është një nga ‘shtyllat’ e kongregacionit. (Gal. 1:19; 2:9) Jakovi kishte një pozitë të rëndësishme dhe kjo duket nga fakti që Pjetri, pasi u lirua nga burgu, i dërgoi menjëherë fjalë «Jakovit dhe vëllezërve». Veç këtyre, pikërisht Jakovi veproi si zëdhënës i ‘apostujve dhe pleqve’, kur Pavli dhe Barnaba shkuan në Jerusalem për të kërkuar të merrej një vendim për rrethprerjen. Madje ky vendim dhe libri i Jakovit fillojnë të dy me të njëjtën fjalë: «Përshëndetje!», një faktor tjetër që tregon se i shkroi i njëjti person.—Vep. 12:17; 15:13, 22, 23; Jak. 1:1.
4. Nga kuptohet se letra e Jakovit u shkrua pak para vitit 62 të e.s.?
4 Sipas historianit Jozef Flavi, përgjegjës për vdekjen e Jakovit me gurë, ishte kryeprifti Anani (Anania), që ishte saduce. Kjo ndodhi pas vdekjes së Festit, guvernatorit romak, rreth vitit 62 të e.s. dhe para se të shërbente në këtë cilësi pasardhësi i tij, Albini.a Atëherë, kur e shkroi Jakovi letrën e tij? Jakovi e shkroi këtë letër nga Jerusalemi dhe ua drejtoi «dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anekënd», fjalë për fjalë «atyre në diasporë». (Jak. 1:1, shënimi te Bibla me referime, anglisht) Duhet të jetë dashur kohë që krishterimi të përhapej jashtë kufijve pas derdhjes së frymës së shenjtë në vitin 33 të e.s. Gjithashtu, duhet të jetë dashur kohë që të krijoheshin kushtet alarmante që përmenden në këtë letër. Për më tepër, letra tregon se të krishterët nuk ishin më grupe të vogla, por ishin organizuar në kongregacione me ‘pleq’ të pjekur që mund të luteshin për të dobëtit e t’i ndihmonin. Veç këtyre, kishte kaluar aq kohë, sa mes të krishterëve të depërtonte një ndjenjë vetëkënaqësie dhe formaliteti. (2:1-4; 4:1-3; 5:14; 1:26, 27) Pra, nëse janë të sakta të dhënat e Jozef Flavit për rrethanat e vdekjes së Festit si dhe burimet që datojnë vdekjen e tij rreth vitit 62 të e.s., ka shumë mundësi që Jakovi ta ketë shkruar letrën në një datë të vonë, ndoshta pak para vitit 62 të e.s.
5. Ç’gjë provon se letra e Jakovit është autentike?
5 Kjo letër gjendet në dorëshkrimet Vatikan nr. 1209, Sinaitik e Aleksandrin, dhe kjo tregon se është autentike. Ajo është përfshirë në të paktën dhjetë katalogë të lashtë, më të hershëm se Këshilli i Kartagjenës, i vitit 397 të e.s.b Autorët e hershëm fetarë citonin shpesh prej saj. Në shkrimet e Jakovit bie në sy një harmoni e brendshme e theksuar me pjesën tjetër të Shkrimeve të frymëzuara.
6. (a) Cilat kushte e nxitën Jakovin të shkruante letrën e tij? (b) Si i zgjeron Jakovi argumentet e Pavlit rreth besimit, në vend që të bjerë ndesh me to?
6 Pse e shkroi Jakovi këtë letër? Një shqyrtim i kujdesshëm i letrës zbulon se disa kushte të brendshme po shkaktonin vështirësi mes vëllezërve. Normat e krishtere kishin rënë, e madje shpërfilleshin, aq sa, në kuptimin frymor, disa ishin bërë kurorëshkelëse për shkak të miqësisë me botën. Të etur për të trilluar kontradikta, disa kanë thënë se, duke inkurajuar besimin me vepra, letra e Jakovit binte ndesh me shkrimet e Pavlit për shpëtimin falë besimit dhe jo falë veprave. Megjithatë, konteksti zbulon se Jakovi e ka fjalën për besimin e treguar me vepra, jo thjesht me fjalë, kurse Pavli u referohet qartë veprave të Ligjit. Në të vërtetë, Jakovi i zgjeron argumentet e Pavlit, duke shkuar edhe një hap më tej kur përcakton se si shfaqet besimi. Këshillat e Jakovit janë jashtëzakonisht praktike, pasi trajtojnë problemet që has një i krishterë në jetën e përditshme.
7. Si i imiton Jakovi metodat e mësimdhënies së Jezuit dhe si ndikojnë ato?
7 Ilustrimet nga jeta e përditshme me kafshë, anije, bujq dhe bimë, i mbështetin në mënyrë të gjallë argumentet e Jakovit për besimin, durimin dhe qëndrueshmërinë. Ai imiton metodat e efektshme të mësimdhënies së Jezuit dhe kjo i bën këshillat e tij veçanërisht të fuqishme. Në këtë letër të lë mbresa aftësia e mprehtë dalluese e Jakovit në lidhje me motivin që i shtyn individët të veprojnë.
PËRMBAJTJA E JAKOVIT
8. Cili është rezultati i qëndrueshmërisë me durim dhe rezultati i dëshirave të gabuara?
8 Qëndrueshmëri me durim si «zbatues të fjalës» (1:1-27). Jakovi e nis letrën e tij me fjalë inkurajuese: «Quajeni veç gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.» Nëpërmjet qëndrueshmërisë me durim ata do të bëhen të plotë. Nëse dikush nuk ka mjaft mençuri, ai duhet të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, pa pasur dyshime, jo si një dallgë deti që era e përplas andej-këtej, por me besim. I përvuajturi do të lartësohet, kurse i pasuri do të marrë fund si lulja që vyshket. Lum kush qëndron në sprovë, sepse «do të marrë kurorën e jetës, që Jehovai ua premtoi atyre që e duan». Perëndia nuk e tundon njeriun me gjëra të liga, që ta rrëzojë. Përkundrazi, dëshira e gabuar e njeriut bëhet pjellore, lind mëkatin dhe mëkati sjell vdekjen.—1:2, 12, 22.
9. Çfarë përfshin të jesh «zbatues i fjalës» dhe cilin adhurim pranon Perëndia?
9 Nga vjen çdo dhuratë e mirë? Nga «Ati i dritave qiellore» që nuk ndryshon kurrë. «Nga vullneti i tij,—thotë Jakovi,—ai na solli në jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që të jemi disa fryte të para të krijesave të tij.» Kështu, të krishterët duhet të jenë të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohen në të folur e të mos zemërohen shpejt, si dhe duhet të flakin tej çdo fëlliqësi e veprim të pamoralshëm dhe të pranojnë të rrënjoset në ta fjala e shpëtimit. «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.» Sepse ai që ndalet e shikon në ligjin e lirisë si në një pasqyrë dhe ngulmon në të «është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës». Adhurimi i dikujt që pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, është i kotë, nëse nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, «adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota».—1:17, 18, 22, 25, 27.
10. (a) Cilat dallime duhen shmangur? (b) Ç’lidhje kanë veprat me besimin?
10 Besimi përsoset me anë të veprave të drejta (2:1-26). Vëllezërit po bëjnë dallime, duke u kushtuar më shumë vëmendje të pasurve se të varfërve. Por, a nuk zgjodhi «Perëndia ata që janë të varfër për sa i përket botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë»? A nuk janë të pasurit ata që i shtypin? Vëllezërit duhet të zbatojnë ligjin mbretëror «duaje të afërmin si veten», dhe s’duhet të mbajnë me hatër. Gjithashtu, duhet të tregojnë mëshirë, sepse kush e shkel Ligjin në një pikë, e shkel në të gjitha. Besimi pa vepra është i kotë, siç është t’i thuash ‘rri ngrohtë dhe ngopu’ një vëllai ose motre në nevojë dhe të mos e ndihmosh. A mund të tregohet besimi pa vepra? A nuk iu përsos besimi Abrahamit nga veprat, kur paraqiti Isakun në altar? Po ashtu edhe Rahaba, prostituta, «u shpall e drejtë nga veprat». Pra, besimi pa vepra është i vdekur.—2:5, 8, 16, 19, 25.
11. (a) Ç’ilustrime bën Jakovi për të na thënë të kemi kujdes si përdorim gjuhën? (b) Si duhet treguar mençuria dhe kuptueshmëria?
11 Kontrollimi i gjuhës për të mësuar mençurinë (3:1-18). Vëllezërit duhet të maten mirë para se të bëhen mësues, që të mos marrin një gjykim më të ashpër. Të gjithë pengohemi shumë herë. Njësoj si freri drejton trupin e kalit dhe një timon i vogël drejton një anije të madhe, po ashtu gjuha, një gjymtyrë aq e vogël, ka fuqi të madhe. Është si një zjarr që mund t’i vërë flakën një pylli të madh. Edhe kafshët e egra mund të zbuten më lehtë se gjuha. Me të, njerëzit bekojnë Perëndinë, por edhe mallkojnë të tjerët. Kjo nuk është mirë. A del nga i njëjti burim edhe ujë i ëmbël, edhe i hidhur? A mund të japë fiku ullinj, hardhia fiq dhe burimi me ujë të kripur të japë ujë të ëmbël? Jakovi pyet: «Kush ndër ju është i mençur dhe ka kuptueshmëri?» Le t’i tregojë veprat e tij me zemërbutësi dhe të mos mburret e të grindet me një frymë shtazarake kundër së vërtetës. Sepse «mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite».—Jak. 3:13, 17.
12. (a) Ç’kushte të këqija ekzistojnë në kongregacion dhe nga vijnë? (b) Ç’qëndrim duhet shmangur e ç’cilësi duhet kultivuar për të fituar miratimin e Jehovait?
12 Larg kënaqësisë mishore dhe miqësisë me botën (4:1-17). «Nga vijnë zëniet mes jush?» Ja përgjigjja që i jep Jakovi pyetjes së tij: «Nga etja juaj për kënaqësi mishore.» Motivet e disave nuk janë të pastra. Ata që duan të jenë miq me botën janë «kurorëshkelëse» dhe bëhen armiq me Perëndinë. Prandaj, ai këshillon: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» Jehovai do t’i lartësojë të përulurit. Vëllezërit të mos e gjykojnë më njëri-tjetrin. Dhe përderisa askush s’e di me siguri nëse do të jetë gjallë të nesërmen, duhet të thonë: «Në dashtë Jehovai, do të jetojmë e do të bëjmë këtë ose atë.» Krenaria është e ligë dhe të dish të bësh atë që është e drejtë e të mos e bësh, është mëkat.—4:1, 4, 7, 8, 15.
13. (a) Pse të pasurit do të kenë dhembje? (b) Si e ilustron Jakovi nevojën për durim dhe qëndrueshmëri dhe cilat do të jenë rezultatet?
13 Lum ata që qëndrojnë në drejtësi! (5:1-20). ‘Qani e ulërini, o të pasur’,—thotë Jakovi. ‘Ndryshku i pasurisë suaj do të jetë si një dëshmi kundër jush. Jehovai i ushtrive i ka dëgjuar thirrjet për ndihmë të korrësve që keni zhvatur. Keni jetuar në luks e jeni dhënë pas kënaqësive mishore, dhe keni dënuar e vrarë të drejtin.’ Megjithatë, meqë prania e Zotërisë është afër, vëllezërit duhet të tregojnë durim, si bujku që pret të korrat, dhe të shqyrtojnë shembullin e profetëve «që folën në emër të Jehovait». Lum ata që qëndruan! Vëllezërit duhet të mos harrojnë qëndrueshmërinë e Jobit dhe shpërblimin që i dha Jehovai, «se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm».—5:1-6, 10, 11.
14. Cilat janë këshillat e fundit për rrëfimin e mëkatit dhe për lutjen?
14 Ai i nxit të krishterët të mos betohen më. Përkundrazi ‘Po-ja e tyre le të jetë Po’ dhe ‘Jo-ja, Jo’. Duhet t’i rrëfejnë hapur mëkatet dhe të luten për njëri-tjetrin. Siç e tregojnë edhe lutjet e Elijas, «përgjërimi i të drejtit vepron me shumë forcë». Në rast se dikush del nga udha e së vërtetës, ai që e kthen «do t’ia shpëtojë shpirtin nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh».—5:12, 16, 20.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
15. Si i zbaton Jakovi Shkrimet Hebraike? Ilustro.
15 Megjithëse Jakovi e përmend vetëm dy herë emrin e Jezuit (1:1; 2:1), ai siguron një zbatim shumë praktik të mësimeve të Zotërisë, siç mund të vërehet duke krahasuar letrën e Jakovit me Predikimin në Mal. Në të njëjtën kohë, emri i Jehovait shfaqet 13 herë (Përkthimi Bota e Re), dhe premtimet e tij dalin në pah si shpërblimi i të krishterëve që mbeten besnikë. (4:10; 5:11) Jakovi u referohet herë pas here Shkrimeve Hebraike për t’i pasuruar këshillat e tij praktike me ilustrime dhe citime të përshtatshme. Burimin e identifikon me shprehjet «sipas shkrimit», «u përmbush shkrimi» dhe «shkrimi thotë». Pastaj këto vargje ai ia zbaton jetës së krishterë. (2:8, 23; 4:5) Për t’i bërë të qarta këshillat dhe për të ndërtuar besimin te Fjala e Perëndisë si një vepër e vetme e harmonishme, Jakovi e quan me vend t’u referohet veprave të besimit që bëri Abrahami, besimit me vepra që tregoi Rahaba, qëndrueshmërisë besnike të Jobit dhe mbështetjes së Elijas te lutja.—Jak. 2:21-25; 5:11, 17, 18; Zan. 22:9-12; Jos. 2:1-21; Jobi 1:20-22; 42:10; 1 Mbret. 17:1; 18:41-45.
16. Ç’këshilla dhe paralajmërime jep Jakovi dhe cili është burimi i kësaj mençurie?
16 Këshillat e Jakovit për të qenë zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, për ta treguar gjithnjë besimin me vepra drejtësie, për të ndier gëzim kur qëndrojmë para sprovave të ndryshme, për t’i kërkuar gjithnjë Perëndisë mençuri, për t’iu afruar përherë në lutje dhe për të praktikuar ligjin mbretëror «duaje të afërmin si veten», janë këshilla që s’kanë të çmuar. (Jak. 1:22; 2:24; 1:2, 5; 4:8; 5:13-18; 2:8) Paralajmërimet e tij për të mos i mësuar gabim të tjerët, për të mos bërë dëm me mënyrën si e përdorim gjuhën, për të mos bërë dallime klasore në kongregacion, për të mos u dhënë pas etjes për kënaqësi mishore dhe për të mos u mbështetur te pasuritë që prishen, janë të fuqishme. (3:1, 8; 2:4; 4:3; 5:1, 5) Jakovi e bën të qartë se miqësia me botën do të thotë kurorëshkelje frymore dhe armiqësi me Perëndinë. Gjithashtu, ai përkufizon se si vihet në praktikë adhurimi që është i pastër në sytë e Perëndisë: «Të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.» (4:4; 1:27) Të gjitha këto këshilla praktike dhe të lehta për t’u kuptuar, janë tamam ato që priten nga kjo ‘shtyllë’ e kongregacionit të hershëm të krishterë. (Gal. 2:9) Mesazhi i tij dashamirës u shërben ende si udhërrëfyes të krishterëve në këto kohë të trazuara, sepse është ‘mençuri nga lart’ që sjell ‘fryt drejtësie’.—3:17, 18
17. Për cilën arsye të fortë duhet të bëjmë vepra besnike me qëndrueshmëri?
17 Jakovi mezi priste t’i ndihmonte vëllezërit që të arrinin synimin e jetës në Mbretërinë e Perëndisë. Ndaj ai i nxiti: «Edhe ju tregoni durim. Bëjini të patundura zemrat tuaja, sepse prania e Zotërisë është afruar.» Lum ata nëse vazhdojnë t’u qëndrojnë sprovave, sepse të miratohesh nga Perëndia do të thotë të marrësh «kurorën e jetës, që Jehovai ua premtoi atyre që e duan»! (5:8; 1:12) Kështu, premtimi hyjnor i kurorës së jetës—i jetës së pavdekshme në qiell ose i jetës së përhershme në tokë—theksohet si një arsye e fortë për të bërë vepra besnike me qëndrueshmëri. Me siguri, kjo letër e mrekullueshme do t’i inkurajojë të gjithë të synojnë jetën e përhershme në qiell ose në botën e re të Jehovait, që do ta drejtojë Fara e Mbretërisë, Zotëria ynë Jezu Krisht.—2:5.
[Shënimet]
a Antikitete judaike, vëll. XX, faqet 197-200 (kap. ix, par. 1); Webster’s New Biographical Dictionary, 1983, faqja 350.
b Shih tabelën në faqen 303.