Shpresa e ringjalljes është e sigurt!
«Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje.»—VEPRAT 24:15.
1. Përse mund të shpresojmë te ringjallja?
JEHOVAI na ka dhënë arsye të forta për të shpresuar te ringjallja. Na ka dhënë fjalën se të drejtët do të ngrihen, duke jetuar përsëri. Është e sigurt se qëllimi i tij për ata që po flenë në vdekje do të plotësohet. (Isaia 55:11; Luka 18:27) Në fakt, Perëndia e ka treguar tashmë fuqinë e tij për të ngritur të vdekurit.
2. Si mund të nxjerrim dobi nga shpresa e ringjalljes?
2 Besimi në masën që ka marrë Perëndia për t’i ngritur të vdekurit me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, mund të na mbështetë në kohë vështirësish. Siguria e shpresës së ringjalljes mund të na ndihmojë, gjithashtu, që të mbajmë integritetin ndaj Atit tonë qiellor, deri edhe në vdekje. Ka shumë të ngjarë që shpresa jonë për ringjalljen të forcohet ndërsa shqyrtojmë rikthimet në jetë që janë dokumentuar në Bibël. Të gjitha këto mrekulli u kryen nëpërmjet fuqisë që vjen nga Zotëria Sovran Jehova.
I morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes
3. Për çfarë mori fuqi Elija, kur vdiq biri i një vejushe në Sarepta?
3 Duke i bërë një rishikim emocionues besimit që shfaqën dëshmitarët e Jehovait në kohët para krishterimit, apostulli Pavël shkroi: «Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes.» (Hebrenjve 11:35; 12:1) Njëra prej këtyre grave ishte një vejushë e varfër në qytetin fenikas të Sareptës. Ngaqë i tregoi mikpritje Elijas, profetit të Perëndisë, rezervat e miellit dhe të vajit të saj u shtuan, me anë të një mrekullie, gjatë një zie buke që do t’i kishte marrë jetën asaj dhe të birit. Kur, më vonë, fëmija vdiq, Elija e shtriu në një krevat, u lut, u zgjat tri herë mbi djalin dhe bëri kërkesën: «O Zot, Perëndia im, të lutem bëj që t’i kthehet shpirti kësaj fëmije.» Dhe, në fakt, Perëndia bëri që shpirti ose jeta t’i rikthehej djalit. (1 Mbretërve 17:8-24) Imagjinoni gëzimin e asaj vejushe kur besimi iu shpërblye me ringjalljen e parë të dokumentuar: ringjalljen e birit të saj të dashur!
4. Çfarë mrekullie kreu Eliseu në Shunem?
4 Një grua tjetër që mori të vdekurin e saj me anë të ringjalljes jetonte në qytetin e Shunemit. Ajo, që ishte gruaja e një njeriu të moshuar, i tregoi dashamirësi profetit Elise dhe ndihmësit të tij. Për këtë u shpërblye me një djalë. Por, disa vjet më vonë, ajo e thirri profetin, i cili e gjeti djalin të vdekur në shtëpi. Pasi Eliseu u lut dhe ndërmori disa hapa, «mishi i fëmijës filloi të ngrohet». Ai «teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë». Kjo ringjallje, pa dyshim, i solli shumë gëzim nënës dhe birit të saj. (2 Mbretërve 4:8-37; 8:1-6) Por sa shumë më të lumtur do të jenë ata kur të ngrihen në jetën në tokë, në një «ringjallje më të mirë», e cila vë përpara tyre mundësinë për të mos vdekur kurrë më! Çfarë arsyeje për t’i qenë mirënjohës Perëndisë së dashur të ringjalljes, Jehovait!—Hebrenjve 11:35.
5. Si u përfshi Eliseu në një mrekulli edhe pasi kishte vdekur?
5 Edhe pas vdekjes dhe varrosjes së Eliseut, Perëndia i bëri të fuqishme kockat e tij nëpërmjet frymës së shenjtë. Lexojmë: «Ndërsa disa [izraelitë] varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish [moabitë]; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai [i vdekur] të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.» (2 Mbretërve 13:20, 21) Sa i habitur e i lumtur duhet të ketë qenë ai njeri! Imagjinoni gëzimin që do të provojmë kur të dashurit tanë të ngrihen në jetë, në harmoni me qëllimin e padështueshëm të Perëndisë Jehova!
Biri i Perëndisë ngriti të vdekur
6. Cilën mrekulli kreu Jezui afër qytetit të Nainit dhe si mund të ndikojë te ne kjo ngjarje?
6 Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, na ka dhënë arsye të forta për të besuar se të vdekurit mund të ringjallen, me perspektivën e jetës së përhershme. Një ngjarje që ndodhi afër qytetit të Nainit mund të na ndihmojë të kuptojmë se një mrekulli e tillë bëhet e mundur nëpërmjet fuqisë së dhënë nga Perëndia. Në një rast, Jezui takoi një kortezh që mbante trupin e një të riu për ta varrosur jashtë qytetit. Ishte fëmija i vetëm i një vejushe. Jezui i tha asaj: «Mos qaj më!» Pastaj preku arkivolin dhe tha: «Djalosh, ty po të them: Ngrihu!» Me këtë, djali u çua ndenjur dhe foli. (Luka 7:11-15) Patjetër, kjo mrekulli na e forcon bindjen se shpresa e ringjalljes është e sigurt.
7. Çfarë ndodhi në lidhje me vajzën e Jairit?
7 Shqyrtoni, gjithashtu, një ngjarje që kishte të bënte me Jairin, një nga të parët e sinagogës në Kapernaum. Ai i kërkoi Jezuit të vinte e të ndihmonte vajzën e tij të dashur 12-vjeçare, e cila gjendej në buzë të vdekjes. Pas pak, iu raportua se vajza kishte vdekur. Duke e nxitur Jairin e pikëlluar të ushtronte besim, Jezui e shoqëroi në shtëpinë e tij, ku një turmë njerëzish po qante. Ata qeshën kur Jezui u tha: «Fëmija e vogël nuk ka vdekur, por po fle.» Në fakt ajo kishte vdekur, por Jezui po bëhej gati të tregonte se njerëzit mund të ngrihen në jetë, pikërisht siç mund të zgjohen nga një gjumë i thellë. Duke e marrë vajzën për dore, ai tha: «Vajzë, ngrihu!» Ajo u ngrit menjëherë dhe «prindërit e saj mbetën gojëhapur» nga gëzimi i madh. (Marku 5:35-43; Luka 8:49-56) Pa dyshim, familjarët ‘do të mbeten gojëhapur’ kur të dashurit e tyre të vdekur të ngrihen në jetë në një tokë parajsore.
8. Çfarë bëri Jezui te varri i Lazarit?
8 Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur kur Jezui iu afrua varrit të tij dhe tha që të hiqej guri që ishte në hyrje. Pasi u lut publikisht, në mënyrë që vëzhguesit ta dinin se ai varej nga fuqia që i jepte Perëndia, Jezui tha me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!» Dhe ai doli! Duart dhe këmbët ishin ende të lidhura me rripat prej pëlhure të varrimit dhe fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure. «Zgjidheni dhe lëreni të ikë»,—tha Jezui. Duke parë këtë mrekulli, shumë nga ata që ishin aty për të ngushëlluar motrat e Lazarit, Marinë dhe Martën, besuan te Jezui. (Gjoni 11:1-45) Ky tregim, a nuk na mbush me shpresë se të dashurit tanë mund të ngrihen në jetë në botën e re të Perëndisë?
9. Përse mund të jemi të sigurt se Jezui tani mund t’i ringjallë të vdekurit?
9 Kur Gjon Pagëzori ishte në burg, Jezui i dërgoi këtë mesazh inkurajues: «Të verbrit po shohin përsëri, . . . të vdekurit po ngrihen.» (Mateu 11:4-6) Meqë kur ishte në tokë Jezui ringjalli të vdekurit, patjetër, ai mund ta bëjë këtë si një krijesë e fuqishme frymore që ka marrë fuqi nga Perëndia. Jezui është «ringjallja dhe jeta» dhe sa ngushëlluese është të dimë se në të ardhmen e afërt «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin»!—Gjoni 5:28, 29; 11:25.
Ringjallje të tjera na e forcojnë shpresën
10. Si do ta përshkruanit ringjalljen e parë të dokumentuar të bërë nga një apostull?
10 Kur Jezui i dërgoi apostujt si predikues të Mbretërisë, u tha: «Ngrini të vdekur.» (Mateu 10:5-8) Sigurisht, për të bërë këtë ata duhej të mbështeteshin në fuqinë e Perëndisë. Në vitin 36 të e.s., në Jopë, një grua e perëndishme, Dorka (Tabita), ra në gjumin e vdekjes. Ndër veprat e saj të mira ishte edhe bërja e veshjeve për vejushat nevojtare, te të cilat vdekja e saj shkaktoi shumë pikëllim. Dishepujt u përgatitën për ta varrosur dhe i dërguan fjalë apostullit Pjetër, ndoshta që të vinte t’i ngushëllonte. (Veprat 9:32-38) Ai i nxori të gjithë nga dhoma e sipërme, u lut dhe tha: «Tabita, ngrihu!» Ajo hapi sytë, u çua ndenjur, u kap te dora e Pjetrit dhe ai e ngriti. Kjo ringjallje nga një apostull, e para e dokumentuar, shkaktoi që shumë të bëheshin besimtarë. (Veprat 9:39-42) Ajo na jep edhe neve arsye të mëtejshme për të shpresuar te ringjallja.
11. Cila ishte ringjallja e fundit e dokumentuar në Bibël?
11 Ringjallja e fundit e dokumentuar në Bibël ndodhi në Troadë. Kur Pavli qëndroi atje në udhëtimin e tretë misionar, e zgjati fjalimin e tij deri në mesnatë. Një të ri me emrin Eutik, të këputur nga lodhja, e ndoshta nga nxehtësia e llambave të shumta, si edhe nga vendi i mbledhjes i mbushur plot, e zuri gjumi dhe ra nga dritarja e katit të tretë. Atë «e ngritën të vdekur», jo thjesht pa ndjenja. Pavli u hodh përmbi të, e përqafoi dhe u tha atyre që ishin të pranishëm: «Mos lëshoni më britma, shpirti i tij është në të.» Pavli donte të thoshte se të riut i ishte rikthyer jeta. Ata që ishin të pranishëm «u ngushëlluan jashtë mase». (Veprat 20:7-12) Sot, shërbëtorët e Perëndisë gjejnë ngushëllim të madh nga dijenia se shokët e tyre të dikurshëm në shërbimin e Perëndisë do të përjetojnë përmbushjen e shpresës së ringjalljes.
Ringjallja—një shpresë e lashtë
12. Çfarë bindjeje shprehu Pavli para guvernatorit romak Feliks?
12 Kur ishte në gjyq para guvernatorit romak Feliks, Pavli dëshmoi: «I besoj të gjitha gjërat e paraqitura në Ligj dhe të shkruara në Profetët; dhe kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje, si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» (Veprat 24:14, 15) Si e theksojnë ngritjen e të vdekurve disa pjesë të Fjalës së Perëndisë, siç është ‘Ligji’?
13. Përse mund të thuhet që Perëndia foli në mënyrë të tërthortë për ringjalljen, kur dha profecinë e parë?
13 Vetë Perëndia foli në mënyrë të tërthortë për një ringjallje, kur dha profecinë e parë në Eden. Kur e dënoi ‘gjarpërin e lashtë’, Satana Djallin, Perëndia i tha: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:14, 15) Plagosja e thembrës së farës së gruas nënkuptonte vrasjen e Jezu Krishtit. Nëse kjo Farë më vonë do të shtypte kokën e gjarprit, Krishti duhej të ngrihej nga të vdekurit.
14. Në ç’kuptim Jehovai është jo «një Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve»?
14 Jezui deklaroi: «Që të vdekurit ngrihen e bëri të ditur edhe Moisiu në tregimin për ferrën, kur e quan Jehovain ‘Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’. Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:27, 37, 38; Eksodi [Dalja] 3:6) Abrahami, Isaku dhe Jakobi kishin vdekur, por qëllimi i Perëndisë për t’i ringjallur qe kaq i sigurt se do të përmbushej, saqë për të ishte sikur të ishin gjallë.
15. Përse Abrahami kishte arsye për të besuar te ringjallja?
15 Abrahami kishte arsye për të shpresuar te ringjallja, sepse kur ai dhe e shoqja, Sara, ishin tepër të moshuar dhe ishin të vdekur për sa i përket aftësisë për të bërë fëmijë, Perëndia në mënyrë të mrekullueshme ua riktheu aftësitë riprodhuese. Kjo ishte si një ringjallje. (Zanafilla 18:9-11; 21:1-3; Hebrenjve 11:11, 12) Kur biri i tyre, Isaku, ishte rreth 25 vjeç, Perëndia i tha Abrahamit që ta flijonte. Megjithatë, pikërisht në momentin kur Abrahami po bëhej gati ta vriste Isakun, engjëlli i Jehovait ia ndali dorën. Abrahami «qe i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit; dhe prej andej edhe e mori në mënyrë ilustruese».—Hebrenjve 11:17-19; Zanafilla 22:1-18.
16. Çfarë pret Abrahami, i cili tani po fle në vdekje?
16 Abrahami shpresonte në një ringjallje nën sundimin e Mesisë, Farës së premtuar. Që nga pozita e tij e favorshme paranjerëzore, Biri i Perëndisë e vuri re besimin e Abrahamit. Prandaj, si njeriu Jezu Krisht, ai u tha judenjve: «Abrahami, ati juaj, gëzoi shumë në shpresën për të parë ditën time.» (Gjoni 8:56-58; Fjalët e urta [Proverbat] 8:30, 31) Tani Abrahami fle në vdekje, duke pritur ringjalljen në jetën në tokë, nën Mbretërinë Mesianike të Perëndisë.—Hebrenjve 11:8-10, 13.
Dëshmi nga Ligji dhe nga Psalmet
17. Si e theksuan ringjalljen e Jezu Krishtit «gjërat e paraqitura në Ligj»?
17 Shpresa e ringjalljes që kishte Pavli ishte në harmoni me «gjërat e paraqitura në Ligj». Perëndia u tha izraelitëve: «Do t’i çoni priftit tuaj një demet si prodhim [fryt, BR] i parë i korrjes suaj; [më 16 nisan] ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet.» (Levitiku 23:9-14) Ndoshta duke pasur në mend këtë ligj, Pavli shkroi: «Krishti është ngritur nga të vdekurit, fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes.» Si «fryti i parë», Jezui u ringjall më 16 nisan të vitit 33 të e.s. Më vonë, gjatë pranisë së tij, do të kishte një ringjallje të ‘fryteve të tjera’, domethënë, të ithtarëve të tij të mirosur me frymë.—1 Korintasve 15:20-23; 2 Korintasve 1:21; 1 Gjonit 2:20, 27.
18. Si e tregoi Pjetri se ringjallja e Jezuit ishte parathënë në Psalme?
18 Edhe Psalmet japin prova në mbështetje të ringjalljes. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., apostulli Pjetër citoi nga Psalmi 16:8-11, duke thënë: «Për të [Krishtin] Davidi thotë: ‘E pata Jehovain vazhdimisht para syve, pasi ai është në të djathtën time që të mos tronditem kurrë. Për këtë arsye zemra ime u mbush me hare dhe gjuha ime gëzoi shumë. E veç kësaj, edhe mishi im do të banojë në shpresë; sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades, as nuk do të lejosh që besniku yt të shohë prishjen.’» Pjetri shtoi: «[Davidi] pa që më përpara dhe foli për ringjalljen e Krishtit, se ai as nuk u braktis në Hades e as mishi i tij nuk pa prishjen. Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli.»—Veprat 2:25-32.
19, 20. Kur e citoi Pjetri Psalmin 118:22 dhe si lidhej kjo me vdekjen e me ringjalljen e Jezuit?
19 Disa ditë më vonë, Pjetri qëndroi para Sinedrit dhe citoi përsëri nga Psalmet. Kur e pyetën si e shëroi një lypës të çalë, apostulli tha: «Le t’u bëhet e ditur të gjithëve ju dhe gjithë popullit të Izraelit se në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, të cilin ju e vutë në shtyllë, por që Perëndia e ngriti nga të vdekurit, nëpërmjet këtij ky njeri qëndron në këmbë i shëndetshëm këtu përpara jush. Ky [Jezui] është ‘guri që ju ndërtuesit e trajtuat si të pavlerë e që është bërë kreu i qoshes. Për më tepër, në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka emër tjetër nën qiell të dhënë mes njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtojmë.»—Veprat 4:10-12.
20 Këtu Pjetri citoi Psalmin 118:22, duke ia aplikuar atë që thotë shkrimi vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit. Të nxitur nga udhëheqësit e tyre fetarë, judenjtë e hodhën poshtë Jezuin. (Gjoni 19:14-18; Veprat 3:14, 15) Rezultati i ‘hedhjes së gurit nga ndërtuesit’ ishte vdekja e Krishtit, por fakti që ‘guri u bë kreu i qoshes’ nënkuptoi që ai u ringjall në lavdinë frymore në qiell. Siç e paratha psalmisti, ‘kjo ishte vepër e Zotit’. (Psalmi 118:23) Fakti që ‘guri’ do të bëhej një gur qosheje përfshinte edhe lartësimin e tij si Mbret i emëruar.—Efesianëve 1:19, 20.
Të mbështetur nga shpresa e ringjalljes
21, 22. Cilën shpresë shprehu Jobi, siç është dokumentuar te Jobi 14:13-15, dhe si mund t’i ngushëllojë kjo gjë sot ata që kanë humbur një njeri të dashur?
21 Edhe pse personalisht nuk kemi parë kurrë ndonjë të ngritur nga të vdekurit, ne kemi vërejtur disa tregime biblike që na sigurojnë për ringjalljen. Prandaj mund të kemi shpresën që shpreh njeriu i drejtë Job. Kur ishte duke vuajtur, ai u lut: «Ah [Jehova] sikur të doje të më fshihje në Sheol, . . . të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? . . . Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:13-15) Perëndia ‘do të ketë një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tij’, duke dëshiruar fort që ta ringjallë Jobin. Çfarë shprese që na jep kjo gjë!
22 Një familjar me frikë Perëndie mund të sëmuret rëndë, si Jobi, e madje edhe të bjerë në duart e vdekjes armike. Familjarët e tjerë mund të derdhin lot pikëllimi, siç qau Jezui për vdekjen e Lazarit. (Gjoni 11:35) Por sa ngushëlluese është të dimë se Perëndia do të thërrasë, dhe ata që janë në kujtesën e tij do të përgjigjen! Do të jetë si të jenë kthyer nga një udhëtim, jo të sëmurë ose të dëmtuar, por me shëndet të plotë.
23. Si e kanë shprehur disa veta sigurinë e tyre në shpresën e ringjalljes?
23 Vdekja e një të krishtereje të moshuar besnike i shtyu bashkëbesimtarët të shkruajnë: «Të lutemi, pranoje keqardhjen tonë të thellë për humbjen e nënës sate. Do të kalojë vetëm një kohë e shkurtër derisa ta mirëpresim përsëri: të bukur e plot gjallëri!» Prindërit që humbën djalin e tyre thanë: «Sa me padurim e presim ditën kur Xhezoni të ngrihet! Do të shohë përreth dhe do të vërejë Parajsën të cilën e priste me aq zjarr. . . . Sa nxitje e madhe është për ne që e donim atë, të jemi, gjithashtu, atje!» Tamam, dhe, veç kësaj, sa mirënjohës mund të jemi që shpresa e ringjalljes është e sigurt!
Si do të përgjigjeni?
• Si mund të nxjerrim dobi nga besimi në masën që ka marrë Perëndia për të ngritur të vdekurit?
• Cilat ngjarje të dokumentuara në Shkrime na japin arsye për të shpresuar te ringjallja?
• Përse mund të thuhet se ringjallja është një shpresë e lashtë?
• Cilën shpresë ngushëlluese mund të kemi për të vdekurit?
[Figura në faqen 10]
Me fuqinë nga Jehovai, Elija i riktheu jetën djalit të vogël të një vejushe
[Figura në faqen 12]
Kur Jezui e ngriti në jetë vajzën e Jairit, prindërit e saj mbetën gojëhapur nga gëzimi i madh
[Figura në faqen 15]
Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., apostulli Pjetër dëshmoi me guxim se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit