Tikiku: Një bashkëskllav i besuar
NË RASTE të ndryshme, Tikiku udhëtoi me apostullin Pavël dhe veproi si lajmëtar i tij. Ai ishte një emisar, të cilit mund t’i besoheshin para dhe përgjegjësi mbikëqyrjeje. Meqenëse Shkrimet nxjerrin në pah besueshmërinë e tij, një cilësi thelbësore për të gjithë të krishterët, ndoshta do të kishe dëshirë të dije më shumë për të.
Pavli e përshkroi Tikikun si ‘vëllain e tij të dashur, shërbëtorin e besueshëm dhe bashkëskllavin në Zotërinë’. (Kolosianëve 4:7, BR) Pse apostulli e konsideronte të tillë?
Misioni i shpërndarjes së ndihmave në Jerusalem
Rreth vitit 55 të e.s., mes të krishterëve në Jude u krijua një nevojë materiale. Me ndihmën e kongregacioneve në Evropë dhe në Azinë e Vogël, Pavli organizoi një mbledhje ndihmash për t’i lehtësuar ata. Tikiku, i cili ishte nga rajoni i Azisë, luajti rol në misionin e shpërndarjes së ndihmave.
Pasi dha udhëzime se si duhej vepruar me këtë kontribut, Pavli sugjeroi që në Jerusalem të dërgoheshin burra të denjë për besim ose të shkonin atje bashkë me të, për të çuar të ardhurat. (1. Korintasve 16:1-4) Kur nisi udhëtimin e gjatë nga Greqia për në Jerusalem, ai u shoqërua nga disa burra, një prej të cilëve duket se ishte Tikiku. (Veprat 20:4) Një numër i tillë i madh shokësh është dashur ndoshta sepse ata kishin me vete para, të cilat u ishin besuar nga disa kongregacione. Nevoja për siguri mund të ketë qenë një faktor i konsiderueshëm, sepse kusarët përbënin një kërcënim për kalimin e sigurt.—2. Korintasve 11:26.
Meqenëse Aristarku dhe Trofimi e shoqëruan Pavlin për në Jerusalem, disa mendojnë se ka të ngjarë që këtë ta kenë bërë edhe Tikiku me të tjerët. (Veprat 21:29; 24:17; 27:1, 2) Meqenëse Tikiku përfshihej në këtë program për shpërndarjen e ndihmave, ai është njëri prej atyre që sugjerohet se ishte «vëllai» që punoi me Titin në Greqi, për të organizuar mbledhjen e ndihmave dhe që ‘u caktua nga kongregacionet për të qenë shok udhëtimi [i Pavlit] në lidhje me këtë dhuratë dashamirëse’. (2. Korintasve 8:18, 19, BR; 2Ko 12:18) Nëse detyra e parë e ngarkuar e kryer nga Tikiku ishte një detyrë me përgjegjësi, e dyta nuk ishte më pak e tillë.
Nga Roma në Kolose
Pesë ose gjashtë vjet më vonë, (60-61 të e.s.), Pavli shpresonte të lirohej nga burgimi i tij i parë në Romë. Tikiku ishte me të, qindra kilometra larg shtëpisë. Tani, Tikiku po kthehej në Azi. Kjo gjë i bëri të mundur Pavlit që t’u dërgonte letra kongregacioneve të krishtere të asaj zone dhe ta kthente skllavin e arratisur të Filemonit, Onesimin, në Kolose. Tikiku dhe Onesimi çuan të paktën tri letra, që tani përfshihen në librat e Biblës: një efesianëve, një kolosianëve dhe një Filemonit. Një letër mund t’i jetë dërguar edhe kongregacionit të Laodicesë, një qytet rreth 18 kilometra larg Kolosesë.—Efesianëve 6:21; Kolosianëve 4:7-9, 16; Filemonit 10-12.
Tikiku nuk ishte thjesht postier. Ai ishte një lajmëtar personal i besuar, sepse Pavli shkroi: «Të gjitha punët e mia, Tikiku, vëllai im i dashur, shërbëtori i besueshëm dhe bashkëskllavi në Zotërinë, do t’jua bëjë të njohura. Pikërisht me qëllimin që të dini gjërat, të cilat kanë të bëjnë me ne, dhe që ai të ngushëllojë zemrat tuaja, po jua dërgoj.»—Kolosianëve 4:7, 8, BR.
Studiuesi E. Randolf Riçards, vë në dukje se një person që shpinte letra «ishte shpesh një lidhje personale mes autorit dhe marrësit, përveç lidhjes së shkruar. . . . [Një arsye] për nevojën e një korrieri të denjë për besim ishte [se] shpesh ai çonte informacione shtesë. Një letër mund ta përshkruajë shkurtimisht një situatë, shpesh sipas vlerësimit që i bën asaj autori, por nga korrieri pritet t’i shtjellojë marrësit të gjitha hollësitë». Megjithëse një letër mund të trajtonte mësime dhe çështje urgjente, gjëra të tjera përcilleshin gojarisht nga një lajmëtar i besuar.
Letrat drejtuar efesianëve, kolosianëve dhe Filemonit, thonë pak në lidhje me faktin se si po ia kalonte Pavli. Kështu që Tikikut i duhej të jepte edhe informacione personale, të shpjegonte rrethanat e Pavlit në Romë dhe të kuptonte mjaft mirë kushtet nëpër kongregacione, që të ishte në gjendje t’i inkurajonte. Mesazhet dhe përgjegjësitë e këtij lloji u besoheshin vetëm atyre, për të cilët mund të ishe i sigurt se do ta përfaqësonin besueshmërisht dërguesin. Tikiku ishte një njeri i tillë.
Mbikëqyrje në caktime të largëta
Pasi u lirua nga arresti i shtëpisë në Romë, Pavli mendoi ta dërgonte ose Tikikun, ose Arteman te Titi, në ishullin e Kretës. (Titit 1:5; 3:12) Gjatë burgimit të dytë romak të Pavlit (ndoshta rreth vitit 65 të e.s.), apostulli dërgoi përsëri në Efes Tikikun, mbase për të zënë vendin e Timoteut, që ky të mund të udhëtonte për të qenë në krah të Pavlit.—2. Timoteut 4:9, 12.
Nëse Tikiku shkoi apo jo si në Kretë, ashtu edhe në Efes gjatë kësaj periudhe, nuk është e qartë. Megjithatë, referime si këto japin idenë se ai mbeti një prej shokëve të ngushtë të Pavlit, deri në vitet e fundit të shërbimit të apostullit. Përderisa Pavli po mendonte ta çonte në misione me përgjegjësi dhe ndoshta të vështira në vend të Timoteut dhe të Titit, është e dukshme se Tikiku ishte bërë një mbikëqyrës i pjekur i krishterë. (Krahaso 1. Timoteut 1:3; Titit 1:10-13.) Gatishmëria e tij për të udhëtuar dhe për t’u përdorur në caktime të largëta, e bëri të dobishëm për Pavlin dhe për të gjithë kongregacionin e krishterë.
Sot, të krishterë vetësakrifikues i shërbejnë me gatishmëri Perëndisë nëpër kongregacione lokale të Dëshmitarëve të Jehovait ose vihen në dispozicion për të çuar përpara interesat e Mbretërisë gjetkë. Mijëra prej tyre kanë pranuar me gëzim caktime si misionarë, mbikëqyrës udhëtues, shërbëtorë ndërkombëtarë nëpër projekte ndërtimi, në Selinë Botërore të Shoqatës Watch Tower ose në një prej degëve të saj. Ashtu si Tikiku, ata nuk bien në sy, por janë punëtorë të palodhur, ‘shërbëtorë të besueshëm’ që Perëndia i ka të shtrenjtë dhe që të krishterët e tjerë i duan si ‘bashkëskllevër në Zotërinë’, të denjë për besim.