Ti mund të qëndrosh deri në fund!
«Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»—HEBRENJVE 12:1, BR.
1, 2. Çfarë do të thotë të qëndrosh?
«JU KENI nevojë për qëndrueshmëri»,—u shkroi apostulli Pavël të krishterëve hebrenj në shekullin e parë. (Hebrenjve 10:36, BR) Duke theksuar rëndësinë e kësaj cilësie, apostulli Pjetër i nxiti në mënyrë të ngjashme të krishterët: «Shtojini besimit tuaj . . . qëndrueshmërinë.» (2. Pjetrit 1:5, 6, BR) Por, çfarë është saktësisht qëndrueshmëria?
2 Një fjalor greqisht-anglisht e përkufizon kështu foljen greke të përkthyer «qëndroj»: «Të rrish, në vend që të ikësh . . . të mos tërhiqesh, të rezistosh.» Për sa i përket emrit grek për «qëndrueshmëri», në një vepër referimi thuhet: «Ajo është fryma që mund t’i durojë gjërat, jo thjesht me nënshtrim, por me shpresë të zjarrtë . . . Është kjo cilësi që e mban një njeri në këmbë, me fytyrën kthyer kundër erës. Është virtyti që mund ta shndërrojë sprovën më të rëndë në lavdi, sepse përtej dhimbjes sheh synimin që duhet arritur.» Pra, qëndrueshmëria bën të mundur që një person të qëndrojë i palëkundur përballë pengesave dhe vështirësive e të mos humbasë shpresën. Cilët në veçanti kanë nevojë për këtë cilësi?
3, 4. (a) Cilët kanë nevojë për qëndrueshmëri? (b) Përse duhet të qëndrojmë deri në fund?
3 Në mënyrë të figurshme, të gjithë të krishterët marrin pjesë në një garë që kërkon qëndrueshmëri. Rreth vitit 65 të e.s., apostulli Pavël i shkroi Timoteut, bashkëpunëtorit dhe shokut të tij besnik të udhëtimit, këto fjalë siguruese: «Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.» (2. Timoteut 4:7) Me shprehjen «e përfundova vrapimin», Pavli po e krahasonte jetën e tij si i krishterë me një garë, që ka një drejtim të caktuar dhe një vijë finishi. Në atë kohë, Pavli po i afrohej triumfues përfundimit të garës dhe priste i sigurt marrjen e shpërblimit. «Pas kësaj,—vazhdoi të thoshte ai,—më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë [si shpërblim, BR] atë ditë.» (2. Timoteut 4:8) Pavli ishte i sigurt se do ta fitonte shpërblimin, sepse kishte qëndruar deri në fund. Ç’të themi për ne të tjerët?
4 Për t’i inkurajuar ata që kanë hyrë në garë, Pavli shkroi: «Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.» (Hebrenjve 12:1, BR) Si të krishterë, e nisim këtë garë qëndrueshmërie kur i dedikohemi Perëndisë Jehova nëpërmjet Jezu Krishtit. Një fillim i mirë në garën e vrapimit si dishepuj është i rëndësishëm, por ajo që ka vlerë në thelb është që ta mbarojmë garën. Jezui deklaroi: «Ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet.» (Mateu 24:13) Çmimi që i pret ata, të cilët e mbarojnë me sukses garën, është jeta e përhershme! Kështu, duke pasur një synim në mendje, ne duhet të qëndrojmë deri në fund. Çfarë do të na ndihmojë ta arrijmë këtë synim?
Ushqimi i duhur: Një domosdoshmëri
5, 6. (a) Cilës gjë duhet t’i kushtojmë vëmendje për të qëndruar në garën për jetë? (b) Nga cilat masa frymore duhet të përfitojmë dhe përse?
5 Afër qytetit të Korintit në Greqi, gjendej vendi ku në kohët e lashta mbaheshin Lojërat e famshme Istmiane. Pavli pa dyshim e dinte se vëllezërit e Korintit i njihnin garat atletike dhe konkurrimet e tjera që bëheshin atje. Duke u bazuar në njohurinë e tyre, ai u rikujtoi garën e jetës që kishin nisur: «A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtet vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.» Pavli theksoi rëndësinë e qëndrimit në garë dhe të vazhdimit me ngulm përpara deri në finish. Por, çfarë do t’i ndihmonte për këtë? «Kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha»,—shtoi ai. Tamam, konkurruesit në garat e lashta i nënshtroheshin një stërvitjeje të rreptë, kujdeseshin tepër për atë që hanin e pinin dhe kontrollonin gjithë aktivitetin e tyre, me qëllim që të fitonin.—1. Korintasve 9:24, 25.
6 Po për garën në të cilën kanë hyrë të krishterët? «Nëse doni të qëndroni në garën për jetë, duhet t’i kushtoni kujdes ushqimit frymor»,—thotë një plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Shqyrto se çfarë ushqimi frymor na ka siguruar Jehovai, «Perëndia që jep qëndrueshmëri». (Romakëve 15:5, BR) Burimi kryesor i ushqimit frymor është Fjala e tij, Bibla. A nuk duhet të mbajmë një program të mirë për leximin e Biblës? Nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm e të matur’, Jehovai ka siguruar edhe revistat në kohën e duhur, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe botime të tjera të bazuara në Bibël. (Mateu 24:45, BR) Studimi i zellshëm i këtyre botimeve do të na forcojë frymësisht. Po, ne duhet të gjejmë kohë, ‘të blejmë kohën e përshtatshme’ për studimin personal.—Efesianëve 5:16, BR.
7. (a) Përse nuk duhet të kënaqemi thjesht me njohjen e doktrinave themelore të krishtere? (b) Si mund të «vrapojmë me ngulm drejt pjekurisë»?
7 Për të qëndruar në vrapimin si dishepuj të krishterë, duhet të shkojmë përtej «doktrinës fillestare» bazë dhe të «vrapojmë me ngulm drejt pjekurisë». (Hebrenjve 6:1, BR) Kështu, duhet të zhvillojmë interesin për ‘gjerësinë, gjatësinë, thellësinë dhe lartësinë’ e së vërtetës, si edhe të ushqehemi me ‘ushqimin e fortë [që] është për të rriturit [njerëzit e pjekur, BR]’. (Efesianëve 3:18; Hebrenjve 5:12-14) Të marrim, për shembull, katër tregimet e besueshme të jetës së Jezuit në tokë: Ungjijtë e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Duke bërë një studim të kujdesshëm të dokumentacionit të këtyre katër Ungjijve, ne jo vetëm që mund të njohim veprat që kreu Jezui dhe llojin e personit që ishte, por mund të perceptojmë edhe mënyrën e të menduarit që motivonte veprimet e tij. Atëherë mund të arrijmë të «kemi mendjen e Krishtit».—1. Korintasve 2:16.
8. Si na ndihmojnë mbledhjet e krishtere që të qëndrojmë në garën për jetë?
8 Pavli i këshilloi bashkëbesimtarët: «Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxitim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Çfarë burim inkurajimi janë mbledhjet e krishtere! Veç kësaj, sa freskuese është të jemi me vëllezër të dashur e motra të dashura që interesohen për ne dhe dëshirojnë të na ndihmojnë që të qëndrojmë deri në fund! Nuk mund t’ia lejojmë vetes që ta nënvlerësojmë këtë masë të dashur që ka marrë Jehovai. Nëpërmjet studimit të zellshëm personal dhe pjesëmarrjes së rregullt në mbledhje, le të ‘bëhemi burra të pjekur nga mendja’.—1. Korintasve 14:20.
Spektatorë që mund të të nxitin
9, 10. (a) Në ç’mënyrë spektatorët mund të jenë burim inkurajimi në një garë qëndrueshmërie? (b) Çfarë është ‘reja e madhe e dëshmitarëve që na rrethon’, e përmendur në Hebrenjve 12:1?
9 Pavarësisht se sa i përgatitur është një vrapues, gjatë rrugës mund të ndodhin gjëra që mund ta bëjnë t’i merren këmbët. «Ju vraponit bukur. Kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?»—pyeti Pavli. (Galatasve 5:7) Me sa duket, disa të krishterë galatas ranë në shoqëri të keqe dhe, për pasojë, u shpërqendruan nga gara e tyre për jetën. Nga ana tjetër, mbështetja dhe inkurajimi prej të tjerëve mund ta bëjë më të lehtë qëndrimin në garë. Kjo ngjan shumë me efektin që mund të kenë spektatorët e një gare te pjesëmarrësit në të. Turmat entuziaste e intensifikojnë emocionin që i mban të motivuar konkurruesit nga starti deri në finish. Thirrjet e spektatorëve, shpesh të kombinuara me muzikë me zë të lartë dhe me duartrokitje, mund t’u japin pjesëmarrësve shtytjen e mëtejshme që u nevojitet ndërsa i afrohen finishit. Tamam, spektatorët dashamirës mund të ushtrojnë një ndikim pozitiv tek ata që janë në garë.
10 Cilët janë spektatorët në garën për jetë, në të cilën kanë hyrë të krishterët? Pasi numëroi dëshmitarët besnikë të Jehovait para krishterimit, të cilët janë dokumentuar në kapitullin e 11-të të Hebrenjve 11, Pavli shkroi: «Prandaj, edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, . . . le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh.» (Hebrenjve 12:1) Kur përdori metaforën e një reje, Pavli nuk përdori fjalën greke që përshkruan një re me përmasa të qarta, me madhësi dhe formë të përcaktuar. Në vend të kësaj, ai përdori një fjalë që, sipas leksikografit W. E. Vajn, «tregon një masë resh pa formë, e cila mbulon qiejt». Qartë, Pavli kishte parasysh një shumicë të madhe dëshmitarësh, kaq shumë, sa ngjanin si një masë resh.
11, 12. (a) Në ç’mënyrë mund të na nxitin, si të thuash, dëshmitarët besnikë para krishterimit, që të vrapojmë me qëndrueshmëri në garë? (b) Si mund të nxjerrim dobi më plotësisht nga ‘reja e madhe e dëshmitarëve’?
11 A mund të jenë dëshmitarët para krishterimit spektatorë të mirëfilltë në ditët tona? Vështirë që të jenë. Që të gjithë ata po flenë në vdekje, duke pritur ringjalljen. Megjithatë, ata vetë kur ishin gjallë ishin vrapues të suksesshëm dhe shembulli i tyre vazhdon të jetojë në faqet e Biblës. Kur studiojmë Shkrimet, këta njerëz besnikë mund të vijnë në jetë në mendjen tonë dhe mund të na nxitin, si të thuash, të vrapojmë deri në finishin e garës.—Romakëve 15:4.a
12 Për shembull, kur na tundojnë mundësitë e ndryshme në botë, a nuk do të motivohemi për të qëndruar në garë, duke shqyrtuar se si i refuzoi Moisiu lavditë e Egjiptit? Nëse një sprovë që po hasim na duket e rëndë, duke kujtuar sprovën e vështirë që hasi Abrahami kur iu kërkua të ofronte birin e tij, Isakun, patjetër që do të inkurajohemi për të mos u dorëzuar në garën e besimit. Masa në të cilën na nxit ‘reja e madhe’ e këtyre dëshmitarëve, varet nga sa qartë i shohim ne ata me sytë e kuptueshmërisë.
13. Si na nxitin Dëshmitarët e Jehovait të ditëve tona në garën për jetë?
13 Gjithashtu, jemi të rrethuar nga shumë Dëshmitarë të Jehovait në kohët tona. Sa shembuj të mëdhenj besimi kanë dhënë të krishterët e mirosur, si edhe burra e gra nga «shumica e madhe»! (Zbulesa 7:9, BR) Jetëshkrimet e tyre mund t’i lexojmë herë pas here në këtë revistë dhe në botimet e tjera të Watch Tower-it.b Ndërsa meditojmë për besimin e tyre, inkurajohemi që të qëndrojmë deri në fund. Veç kësaj, sa e mrekullueshme është të kesh mbështetjen e miqve të ngushtë dhe të të afërmve, të cilët po i shërbejnë edhe vetë me besnikëri Jehovait! Po, janë të shumtë ata që na nxitin në garën për jetë.
Përcakto me mençuri ritmin tënd
14, 15. (a) Përse është e rëndësishme të përcaktojmë me mençuri ritmin tonë? (b) Përse duhet të jemi të arsyeshëm në vënien e synimeve?
14 Kur vrapon në një garë të gjatë, siç është maratona, një vrapues duhet ta përcaktojë me mençuri ritmin e vet. «Fillimi i garës me ritëm të shpejtë mund t’ju shkaktojë humbjen,—thuhet në revistën New York Runner.—Rezultati i mundshëm është ose një luftë e gjatë për të përfunduar metrat e fundit, ose lënia e garës.» Një maratonist kujton: «Në një leksion që ndoqa kur po përgatitesha për garën, oratori paralajmëroi qartë: ‘Mos u përpiqni të jini në një hap me vrapuesit më të shpejtë. Vraponi me ritmin tuaj. Përndryshe do të sfiliteni dhe mund t’ju duhet ta lini garën.’ Ndjekja e kësaj këshille më ndihmoi të mbaroja garën.»
15 Në garën për jetë, shërbëtorët e Perëndisë duhet të përpiqen energjikisht. (Luka 13:24) Megjithatë, dishepulli Jakov shkroi: «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.» (Jakovit 3:17, BR) Ndërkohë që shembulli i mirë i të tjerëve mund të na inkurajojë të bëjmë më shumë, arsyetueshmëria do të na ndihmojë të vëmë synime realiste në harmoni me aftësitë dhe rrethanat tona. Shkrimet na kujtojnë: «Secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin. Sepse secili do të mbajë barrën e vet.»—Galatasve 6:4, 5.
16. Si na ndihmon modestia për të përcaktuar ritmin tonë?
16 Në Mikean 6:8 na bëhet kjo pyetje që nxit të menduarit: «Çfarë kërkon Jehovai nga ty, përveç se . . . të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?» (BR) Modestia përfshin faktin që jemi në dijeni të kufizimeve tona. Ndoshta shëndeti në rënie dhe mosha e shkuar kanë vendosur disa kufij për atë që mund të bëjmë në shërbimin e Perëndisë? Le të mos shkurajohemi. Jehovai pranon përpjekjet dhe sakrificat tona ‘sipas asaj që kemi dhe jo sipas asaj që nuk kemi’.—2. Korintasve 8:12; krahaso Lukën 21:1-4.
Mbaji sytë nga çmimi
17, 18. Mbajtja parasysh e cilës gjë e ndihmoi Jezuin që të duronte shtyllën e mundimeve?
17 Duke u theksuar të krishterëve korintas nevojën për të qëndruar në garën për jetë, Pavli përmendi një aspekt tjetër të Lojërave Istmiane, i cili meritonte vëmendjen e tyre. Lidhur me konkurruesit në këto lojëra, Pavli shkroi: «Ata [vrapojnë] për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet. Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt, kështu luftoj, por jo sikur rrah erën.» (1. Korintasve 9:25, 26) Në ato lojëra të lashta, çmimi i fituesit ishte një kurorë a rreth i bërë me degë pishe ose me degë të ndonjë peme tjetër, ose edhe me selino të egër të tharë, pra, ishte vërtet një «kurorë që prishet». Por, çfarë i pret të krishterët që qëndrojnë deri në fund?
18 Duke iu referuar Shembullit tonë, Jezu Krishtit, apostulli Pavël shkroi: «Për gëzimin që ishte përpara tij, ai duroi kryqin [shtyllën e mundimeve, BR] duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Jezui qëndroi deri në fund të jetës së tij njerëzore, duke parë përtej shtyllës së mundimeve, drejt shpërblimit të tij. Ky shpërblim përfshin gëzimin që ka ai duke kontribuar për shenjtërimin e emrit të Jehovait, duke e çliruar familjen njerëzore nga vdekja, nëpërmjet shpërblesës dhe duke sunduar si Mbret dhe si Kryeprift, duke i rivendosur njerëzit e bindur në jetën e pafundme në një tokë parajsore.—Mateu 6:9, 10; 20:28; Hebrenjve 7:23-26.
19. Ku duhet ta përqendrojmë vështrimin, ndërsa vazhdojmë garën si dishepuj të krishterë?
19 Shqyrto gëzimin që shtrihet para nesh, ndërsa vazhdojmë garën e vrapimit si dishepuj të krishterë. Jehovai na ka dhënë një vepër shumë të kënaqshme: të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe t’u japim të tjerëve njohurinë jetëshpëtuese të Biblës. (Mateu 28:19, 20) Çfarë kënaqësie është të gjesh dikë që është i interesuar për Perëndinë e vërtetë dhe ta ndihmosh atë që të hyjë në garën për jetë! Veç kësaj, pavarësisht nga reagimi i njerëzve të cilëve u predikojmë, është një privilegj të marrim pjesë në veprën që lidhet me shenjtërimin e emrit të Jehovait. Kur qëndrojmë në shërbim, pavarësisht nga indiferenca ose nga kundërshtimi i atyre që ndodhen në territorin ku po dëshmojmë, kemi gëzimin se po kënaqim zemrën e Jehovait. (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Shpërblimi i madh që na premton ai, është jeta e përhershme. Çfarë gëzimi do të jetë ajo! Duhet t’i mbajmë parasysh këto bekime dhe të këmbëngulim në garë.
Ndërsa fundi afrohet
20. Si mund të bëhet më e vështirë gara për jetë, ndërsa fundi i saj afrohet?
20 Në garën për jetë, duhet të luftojmë me armikun tonë kryesor, Satana Djallin. Ndërsa i afrohemi fundit, ai po përpiqet me të gjitha forcat të na pengojë ose të na ngadalësojë. (Zbulesa 12:12, 17) Veç kësaj, nuk është e lehtë të vazhdojmë si lajmëtarë besnikë të dedikuar të Mbretërisë, përballë luftërave, zive të bukës, murtajave dhe të gjitha vështirësive të tjera që shënojnë «kohën e mbarimit». (Danieli 12:4; Mateu 24:3-14; Luka 21:11; 2. Timoteut 3:1-5) Për më tepër, disa herë fundi mund të duket më larg sesa e pritnim ne, veçanërisht nëse kemi hyrë në garë dekada më parë. Megjithatë, Fjala e Perëndisë na siguron se fundi do të vijë. Jehovai thotë se nuk do të vonojë. Fundi është para syve tanë.—Habakuku 2:3; 2. Pjetrit 3:9, 10.
21 Pra, që të kemi sukses në garën për jetë, duhet të marrim forcë nga ajo që ka siguruar me dashuri Jehovai për të na ushqyer frymësisht. Gjithashtu, kemi nevojë për gjithë inkurajimin që mund të marrim nga shoqërimi i rregullt me bashkëbesimtarët tanë, të cilët po vrapojnë po ashtu në garë. Edhe sikur persekutimi i ashpër dhe ngjarjet e paparashikuara gjatë rrugës të na e bëjnë më të vështirë garën, ne mund të qëndrojmë deri në fund, sepse Jehovai siguron ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2. Korintasve 4:7, BR) Sa qetësuese është të dimë se Jehovai dëshiron që ne ta mbarojmë garën triumfues! Me një vendosmëri të madhe, «le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara», plotësisht të bindur se «po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet»!—Hebrenjve 12:1, BR; Galatasve 6:9.
[Shënimet]
a Për një trajtim të Hebrenjve 11:1–12:3, shiko Kullën e Rojës, 15 janar 1987, faqet 10-20, anglisht.
b Disa shembuj të kohëve të fundit me këto përvoja inkurajuese mund të gjenden në Kullën e Rojës, 1 qershor 1998, faqet 28-31; 1 shtator 1998, faqet 24-28; 1 shkurt 1999, faqet 25-29.
A të kujtohet?
◻ Përse duhet të qëndrojmë deri në fund?
◻ Cilat masa të Jehovait nuk duhet të lëmë pas dore?
◻ Përse është e rëndësishme ta përcaktojmë me mençuri ritmin tonë?
◻ Çfarë gëzimi shtrihet para nesh, ndërsa vazhdojmë në garë?
21. (a) Çfarë do të na forcojë ndërsa vazhdojmë në garën për jetë? (b) Cila duhet të jetë vendosmëria jonë, ndërsa fundi afrohet?
[Figura në faqen 18]
Merr inkurajim nga mbledhjet e krishtere