Letra e dytë drejtuar korintasve
4 Prandaj, meqë na është besuar ky shërbim falë mëshirës që na është treguar, ne nuk dorëzohemi.* 2 Përkundrazi, i kemi hedhur poshtë gjërat që bëhen në fshehtësi e që janë për të ardhur turp, dhe nuk sillemi me dinakëri e as e shtrembërojmë* fjalën e Perëndisë,+ por, duke shfaqur hapur të vërtetën, ia rekomandojmë veten në sytë e Perëndisë ndërgjegjes së çdo njeriu.+ 3 Tani, nëse lajmi i mirë që shpallim, është i mbuluar me vel, është i mbuluar vetëm për ata që po marrin fund, 4 për jobesimtarët, sepse perëndia i kësaj bote*+ ua ka verbuar mendjen,+ që të mos depërtojë drita e lajmit të mirë e të lavdishëm për Krishtin,+ i cili është imazhi* i Perëndisë.+ 5 Në fakt, kur predikojmë, nuk flasim për veten tonë, por për Jezu Krishtin, se ai është Zotëri, kurse ne jemi skllevërit tuaj për hir të Jezuit, 6 sepse Perëndia që tha: «Le të ndriçojë drita nga errësira»,+ është po ai që ka hedhur dritë mbi zemrat tona për t’i ndriçuar+ me njohurinë e Tij të lavdishme, nëpërmjet Krishtit.*
7 Megjithatë, ne e kemi këtë thesar+ në enë balte,*+ që të shihet qartë se fuqia përtej asaj që është normale, vjen nga Perëndia e jo nga ne.+ 8 Jemi zënë ngushtë, por jo aq sa të mos lëvizim; jemi në mëdyshje, por jo fare pa rrugëdalje;*+ 9 jemi të përndjekur, por jo të braktisur;+ jemi përtokë, por jo të shkatërruar.+ 10 Durojmë gjithnjë në trupin tonë trajtimin vdekjeprurës që hoqi Jezui,+ që edhe në trupin tonë të pasqyrohet jeta e Jezuit. 11 Vërtet, ne që jemi akoma gjallë, përballemi gjithnjë me vdekjen+ për hir të Jezuit, që edhe në trupin tonë të vdekshëm të pasqyrohet jeta e Jezuit. 12 Kështu, te ne vepron vdekja, por te ju, jeta.
13 Tani, meqë kemi po atë besim* për të cilin është shkruar: «Tregova besim, prandaj fola»,+ edhe ne tregojmë besim e prandaj flasim, 14 duke e ditur se Ai që ngriti Jezuin nga të vdekurit, do të na ngrejë edhe ne si Jezuin dhe do të na paraqitë përpara tij bashkë me ju.+ 15 Faktikisht, gjithë këto gjëra i heqim për të mirën tuaj që, falë lutjeve të falënderimit të shumë e shumë njerëzve në lavdi të Perëndisë,+ mirësia e pamerituar të vërshojë lumë.
16 Prandaj, ne nuk dorëzohemi,* por, edhe pse njeriu i jashtëm po tretet, njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë. 17 Ndonëse sprovat* janë kalimtare dhe të lehta, ato na sjellin një lavdi të përhershme e që s’ka të krahasuar.*+ 18 Ndërkohë, i kemi sytë jo te gjërat që shihen, por tek ato që nuk shihen,+ sepse gjërat që shihen, janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen, janë të përhershme.