A do të «vazhdoni të ecni sipas frymës»?
«Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»—GALATASVE 5:16.
1. Ç’të bëjmë që të mos jemi më në ankth se mos mëkatojmë kundër frymës?
KA NJË mënyrë për të mos u ndier më në ankth se mos mëkatojmë kundër frymës së shenjtë të Jehovait. Duhet të bëjmë ç’tha apostulli Pavël: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.» (Galatasve 5:16) Nëse e lejojmë frymën e Perëndisë të na udhëheqë, nuk do të na mposhtin dëshirat e gabuara të mishit.—Romakëve 8:2-10.
2, 3. Si do të ndikohemi, nëse vazhdojmë të ecim sipas frymës?
2 Ndërsa ‘vazhdojmë të ecim sipas frymës’, kjo forcë vepruese e Perëndisë Jehova do të na motivojë që t’i bindemi atij. Do të imitojmë cilësitë e tij në shërbimin tonë, në kongregacion, në shtëpi e kudo gjetkë. Fryti i frymës do të duket qartë në mënyrën se si sillemi me bashkëshortin, me fëmijët tanë, me bashkëbesimtarët dhe me të tjerët.
3 Kur jetojmë «në frymë nga këndvështrimi i Perëndisë», kemi mundësi të heqim dorë nga mëkati. (1 Pjetrit 4:1-6) Në qoftë se jemi nën ndikimin e frymës, patjetër që nuk do të kryejmë një mëkat të pafalshëm. Por, në cilat mënyra të tjera të dobishme do të ndikohemi, nëse vazhdojmë të ecim sipas frymës?
Qëndrojmë pranë Perëndisë dhe Krishtit
4, 5. Si ndikon ecja sipas frymës në pikëpamjen tonë për Jezuin?
4 Ngaqë ecim sipas frymës së shenjtë, mund të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë dhe me Birin e tij. Kur po shkruante për dhuratat frymore, Pavli u tha bashkëbesimtarëve në Korint: «Do t’ju bëja të ditur [ju ish-idhujtarëve] se askush, kur flet nëpërmjet frymës së shenjtë të Perëndisë, nuk thotë: ‘Jezui qoftë i mallkuar!’ Dhe askush nuk mund të thotë se ‘Jezui është Zotëri’, veçse nëpërmjet frymës së shenjtë.» (1 Korintasve 12:1-3) Çdo forcë shtytëse që i nxit njerëzit të thonë mallkime për Jezuin, me siguri që vjen nga Satana Djalli. Por ne, si të krishterë që ecim sipas frymës së shenjtë, jemi të bindur se Jehovai e ringjalli Jezuin dhe e bëri më të lartë se çdo krijesë tjetër. (Filipianëve 2:5-11) Kemi besim te flijimi shpërblyes i Krishtit dhe e pranojmë Jezuin si Zotërinë që Perëndia ka emëruar mbi ne.
5 Në shekullin e parë të erës sonë, disa që thoshin se ishin të krishterë e mohonin se Jezui erdhi në mish. (2 Gjonit 7-11) Duke pranuar këtë pikëpamje të gabuar, disa të tjerë i hodhën poshtë mësimet e vërteta për Jezuin, Mesinë. (Marku 1:9-11; Gjoni 1:1, 14) Kur ecim sipas frymës së shenjtë, nuk biem pre e kësaj apostazie. Ama vetëm nëse qëndrojmë vigjilentë frymësisht mund të vazhdojmë të kemi dashamirësinë e pamerituar të Jehovait dhe ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. (3 Gjonit 3, 4) Prandaj, le të jemi të vendosur t’i themi jo çdo apostazie, që të mbajmë një marrëdhënie të fortë me Atin tonë qiellor.
6. Çfarë cilësish prodhon fryma e Perëndisë tek ata që ecin sipas frymës?
6 Pavli e renditi idhujtarinë apostate dhe sektet ndër «veprat e mishit», bashkë me kurvërinë dhe sjelljen e shthurur. Gjithsesi, shpjegoi: «Ata që i përkasin Krishtit Jezu, e kanë vënë në shtyllë mishin bashkë me pasionet dhe dëshirat e tij. Nëse jetojmë sipas frymës, sipas frymës edhe të vazhdojmë të ecim në mënyrë të rregullt.» (Galatasve 5:19-21, 24, 25) Çfarë cilësish prodhon forca vepruese e Perëndisë tek ata që jetojnë dhe ecin sipas frymës? Pavli shkroi: «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» (Galatasve 5:22, 23) Le t’i shqyrtojmë këto aspekte të frytit të frymës.
«Të duam njëri-tjetrin»
7. Çfarë është dashuria dhe cilat janë disa karakteristika të saj?
7 Dashuria—një aspekt i frytit të frymës—shpesh përfshin përzemërsinë e thellë dhe interesin altruist për të tjerët, që shoqërohet nga një lidhje e ngushtë me ta. Shkrimet thonë që «Perëndia është dashuri», sepse ai është vetë thelbi i kësaj cilësie. Dashuria e madhe që kanë për njerëzimin Perëndia dhe Biri i tij, është shfaqur në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. (1 Gjonit 4:8; Gjoni 3:16; 15:13; Romakëve 5:8) Si ithtarë të Jezuit, ne identifikohemi nga dashuria që kemi për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Në fakt, jemi urdhëruar që «të duam njëri-tjetrin». (1 Gjonit 3:23) Pavli thotë se dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Nuk është xheloze dhe nuk mbahet me të madh, nuk sillet në mënyrë të pahijshme e nuk kërkon interesat e veta. Dashuria nuk provokohet dhe nuk e mban llogari të keqen. Ajo gëzon me të vërtetën, jo për padrejtësinë. Dashuria mban, beson, shpreson dhe i qëndron çdo gjëje. Për më tepër, ajo nuk shuhet kurrë.—1 Korintasve 13:4-8.
8. Pse duhet të tregojmë dashuri për bashkadhuruesit tanë?
8 Nëse e lejojmë frymën e Perëndisë të prodhojë dashuri te ne, kjo cilësi do të shfaqet në marrëdhënien tonë me Perëndinë e me njerëzit e tjerë. (Mateu 22:37-39) Apostulli Gjon shkroi: «Ai që nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. Kush urren vëllanë e tij është vrasës, dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet jeta e përhershme.» (1 Gjonit 3:14, 15) Në Izrael, një vrasës mund të fshihej në një nga qytetet e strehimit vetëm nëse nuk e urrente atë që kishte vrarë. (Ligji i përtërirë 19:4, 11-13) Në qoftë se ne udhëhiqemi nga fryma e shenjtë, do të tregojmë dashuri për Perëndinë, për bashkadhuruesit dhe për të tjerët.
«Gëzimi i Jehovait është kalaja juaj»
9, 10. Çfarë është gëzimi dhe cilat janë disa arsye për të qenë të gëzuar?
9 Gëzimi është një gjendje lumturie të madhe. Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11; Psalmi 104:31) Biri kënaqet duke bërë vullnetin e Atit. (Psalmi 40:8; Hebrenjve 10:7-9) «Gëzimi i Jehovait është kalaja» jonë gjithashtu.—Nehemia 8:10.
10 Falë gëzimit që jep Perëndia, ndiejmë kënaqësi të thellë kur bëjmë vullnetin e tij edhe në kohë vështirësish, hidhërimi ose përndjekjeje. Sa shumë lumturi na sjell ‘njohuria e Perëndisë’! (Proverbat 2:1-5) Marrëdhënia jonë e gëzueshme me Perëndinë bazohet në njohurinë e saktë dhe në besimin që kemi tek ai, si dhe te flijimi shpërblyes i Jezuit. (1 Gjonit 2:1, 2) Një burim tjetër gëzimi është fakti që bëjmë pjesë në të vetmen vëllazëri ndërkombëtare që është vërtet e tillë. (Sofonia 3:9; Hageu 2:7) Shpresa e Mbretërisë dhe privilegji i madh për të shpallur lajmin e mirë, na sjellin gëzim. (Mateu 6:9, 10; 24:14) Edhe shpresa e jetës së përhershme na gëzon. (Gjoni 17:3) Duke pasur një shpresë të tillë të mrekullueshme, na mbetet ‘veç të gëzojmë’.—Ligji i përtërirë 16:15.
Jini paqedashës dhe shpirtgjerë
11, 12. (a) Si do ta përkufizonit paqen? (b) Si ndikon te ne paqja e Perëndisë?
11 Paqja—një aspekt tjetër i frytit të frymës—është një gjendje qetësie e pa shqetësime. Ati ynë qiellor është Perëndia i paqes, dhe na jepet kjo siguri: «Jehovai do ta bekojë popullin e tij me paqe.» (Psalmi 29:11; 1 Korintasve 14:33) Jezui u tha dishepujve: «Po ju lë paqen, po ju jap paqen time.» (Gjoni 14:27) Si do t’i ndihmonte kjo ithtarët e tij?
12 Paqja që u dha Jezui dishepujve, ua qetësoi zemrën e mendjen dhe ua hoqi frikën. Kishin paqe sidomos kur morën frymën e shenjtë që u ishte premtuar. (Gjoni 14:26) Edhe sot, nën ndikimin e frymës së shenjtë dhe në përgjigje të lutjeve tona, ne kemi ‘paqen e Perëndisë’ që është e pakrahasueshme, e cila na qetëson mendjen dhe zemrën. (Filipianëve 4:6, 7) Gjithashtu, fryma e Jehovait na ndihmon të jemi të qetë e paqësorë me bashkëbesimtarët e me të tjerët.—Romakëve 12:18; 1 Selanikasve 5:13.
13, 14. Çfarë është shpirtgjerësia dhe pse duhet ta shfaqim?
13 Shpirtgjerësia është e lidhur me paqen, sepse përfshin të qëndrojmë me durim përballë provokimit ose së keqes, me shpresën se situata do të përmirësohet. Perëndia është shpirtgjerë. (Romakëve 9:22-24) Edhe Jezui e shfaq këtë cilësi. Ne mund të nxjerrim dobi nga shpirtgjerësia e Jezuit, sepse Pavli shkroi: «Arsyeja përse m’u tregua mëshirë ishte që nëpërmjet meje, si rasti më i njohur, Krishti Jezu të tregonte gjithë shpirtgjerësinë e vet, si një model për ata që do ta mbështetin tek ai besimin e tyre për jetën e përhershme.»—1 Timoteut 1:16.
14 Cilësia e shpirtgjerësisë na ndihmon të durojmë kur të tjerët thonë ose bëjnë gjëra të këqija a të pamatura. Pavli i nxiti të krishterët e tjerë: «Të jeni shpirtgjerë me të gjithë.» (1 Selanikasve 5:14) Meqë të gjithë jemi të papërsosur e bëjmë gabime, me siguri duam që njerëzit të jenë të duruar me ne, të jenë shpirtgjerë kur gabojmë ndaj tyre. Prandaj, le të vëmë si synim ‘të jemi shpirtgjerë me gëzim’.—Kolosianëve 1:9-12.
Të shfaqim mirëdashje dhe mirësi
15. Përkufizoni mirëdashjen dhe përmendni shembuj të shfaqjes së saj.
15 Shfaqim mirëdashje kur tregojmë interes për të tjerët me anë të fjalëve dhe veprimeve miqësore e të dobishme. Jehovai është mirëdashës, e po kështu edhe Biri i tij. (Romakëve 2:4; 2 Korintasve 10:1) Nga shërbëtorët e Perëndisë dhe të Krishtit pritet të jenë mirëdashës. (Mikea 6:8; Kolosianëve 3:12) Mirëdashës ose «tejet të njerëzishëm» janë treguar edhe disa që nuk kanë një marrëdhënie personale me Perëndinë. (Veprat 27:3; 28:2) Pra, natyrisht që ne mund të shfaqim mirëdashje, nëse ‘vazhdojmë të ecim sipas frymës’.
16. Cilat janë disa rrethana që duhet të na shtyjnë të tregojmë mirëdashje?
16 Mund të tregojmë mirëdashje, edhe nëse jemi zemëruar me të drejtë për shkak të fjalëve lënduese ose veprimeve të pakujdesshme të dikujt. Pavli tha: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit. Dhe bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efesianëve 4:26, 27, 32) Është mirë të jemi mirëdashës sidomos ndaj atyre që po hasin sprova. Natyrisht, një plak i krishterë nuk është mirëdashës, nëse nuk i jep këshilla biblike dikujt që duket qartë se po rrezikon të braktisë rrugën e ‘mirësisë, të drejtësisë dhe të së vërtetës’, vetëm që të mos i lëndojë ndjenjat.—Efesianëve 5:9.
17, 18. Si përkufizohet mirësia dhe ç’rol duhet të luajë kjo cilësi në jetën tonë?
17 Mirësia përfshin virtytin, cilësinë e lartë morale ose të qenët i mirë. Perëndia është i mirë në mënyrë absolute. (Psalmi 25:8; Zakaria 9:17) Jezui është i virtytshëm dhe ka cilësi të larta morale. Gjithsesi, nuk e pranoi titullin «i mirë» kur dikush e quajti «Mësues i mirë». (Marku 10:17, 18) Me sa duket, këtë e bëri sepse e vlerësonte Perëndinë si shembullin më të lartë të mirësisë.
18 Aftësinë tonë për të bërë mirë e pengon mëkati që kemi trashëguar. (Romakëve 5:12) Megjithatë, mund ta shfaqim këtë cilësi nëse i lutemi Perëndisë që ‘të na mësojë të kemi mirësi’. (Psalmi 119:66) Pavli u tha bashkëbesimtarëve në Romë: «Mua më është mbushur mendja për ju, vëllezërit e mi, se jeni plot me mirësi, sepse jeni të mbushur plot me njohuri.» (Romakëve 15:14) Mbikëqyrësit e krishterë duhet ‘ta duan mirësinë’. (Titit 1:7, 8) Nëse udhëhiqemi nga fryma e Perëndisë, do të na njohin si njerëz të mirë dhe Jehovai ‘do të na kujtojë për të mirën që bëjmë’.—Nehemia 5:19; 13:31.
«Besim pa hipokrizi»
19. Përkufizoni ç’është besimi, në përputhje me Hebrenjve 11:1.
19 Besimi—po ashtu pjesë e frytit të frymës—«është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». (Hebrenjve 11:1) Nëse kemi besim, jemi të sigurt se çdo gjë që premton Jehovai mund të quhet punë e mbaruar. Dëshmitë bindëse për realitetet e papara janë kaq të forta, saqë thuhet se besimi është baras me ato dëshmi të dukshme. Për shembull, kur shohim gjërat e krijuara, bindemi se ka një Krijues. Ky është lloji i besimit që do të shfaqim, nëse vazhdojmë të ecim sipas frymës.
20. Çfarë është ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’ e si mund ta shmangim atë dhe veprat e mishit?
20 Mungesa e besimit është ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebrenjve 12:1) Duhet të mbështetemi te fryma e Perëndisë, me qëllim që të shmangim veprat e mishit, materializmin dhe mësimet e rreme që mund të na e rrënojnë besimin. (Kolosianëve 2:8; 1 Timoteut 6:9, 10; 2 Timoteut 4:3-5) Fryma e Perëndisë prodhon te shërbëtorët e sotëm të Jehovait një besim si ai që kishin dëshmitarët në kohët para krishterimit, si dhe të tjerë që gjenden në Bibël. (Hebrenjve 11:2-40) Gjithashtu, vetë ‘besimi ynë pa hipokrizi’ mund t’ua forcojë besimin të tjerëve.—1 Timoteut 1:5; Hebrenjve 13:7.
Shfaqni butësi dhe vetëkontroll
21, 22. Si përkufizohet butësia dhe si duhet ta shfaqim?
21 Butësia është ëmbëlsi në karakter e në sjellje. Një nga cilësitë e Perëndisë është natyra e butë. Këtë e dimë sepse Jezui, i cili ishte njeri me natyrë të butë, pasqyronte në mënyrë të përsosur personalitetin e Jehovait. (Mateu 11:28-30; Gjoni 1:18; 5:19) Por, çfarë kërkohet nga ne si shërbëtorë të Perëndisë?
22 Nga ne si të krishterë pritet ‘të tregojmë butësi me të gjithë njerëzit’. (Titit 3:2) E shfaqim butësinë në shërbim. Gjithashtu, atyre që kanë kualifikime frymore u jepet këshilla që ta ndreqin një të krishterë që ka gabuar «me një frymë butësie». (Galatasve 6:1) Të gjithë mund të nxitim unitetin dhe paqen e krishterë, duke shfaqur ‘përulësi mendjeje dhe butësi’. (Efesianëve 4:1-3) Mund të shfaqim butësi, nëse ecim vazhdimisht sipas frymës dhe shfaqim vetëkontroll.
23, 24. Çfarë është vetëkontrolli dhe si na ndihmon?
23 Vetëkontrolli na jep mundësi të mbajmë në fre mendimet, fjalët dhe veprimet tona. Jehovai ‘tregoi vetëkontroll’ kur kishte të bënte me babilonasit që shkretuan Jerusalemin. (Isaia 42:14) Biri i tij ‘na la një model’, duke treguar vetëkontroll ndërsa vuante. Gjithashtu, apostulli Pjetër i këshilloi të bashkëkrishterët që ‘t’i shtonin njohurisë vetëkontrollin’.—1 Pjetrit 2:21-23; 2 Pjetrit 1:5-8.
24 Nga pleqtë e krishterë pritet të jenë me vetëkontroll. (Titit 1:7, 8) Faktikisht, të gjithë ata që udhëhiqen nga fryma e shenjtë mund të tregojnë vetëkontroll e të shmangin imoralitetin, të folurit vulgar ose ndonjë gjë tjetër që mund të sjellë si pasojë mospëlqimin e Jehovait. Nëse e lejojmë frymën e Perëndisë të prodhojë vetëkontroll te ne, kjo do të jetë e dukshme te të tjerët falë sjelljes dhe fjalëve tona.
Vazhdoni të ecni sipas frymës
25, 26. Si ndikon ecja sipas frymës në marrëdhëniet tona tani dhe në shpresën tonë për të ardhmen?
25 Nëse ecim sipas frymës, do të jemi lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë. (Veprat 18:24-26) Do të jemi një shoqëri e këndshme për të tjerët dhe shoqëria jonë do t’u pëlqejë sidomos njerëzve të devotshëm. Si njerëz që udhëhiqen nga fryma e shenjtë, do të jemi edhe burim inkurajimi për bashkadhuruesit tanë që të vazhdojnë të ecin sipas frymës së Jehovait. (Filipianëve 2:1-4) A nuk dëshirojnë të jenë të tillë të gjithë të krishterët?
26 Në këtë botë që është nën kontrollin e Satanait, nuk është e lehtë të ecësh sipas frymës. (1 Gjonit 5:19) Por gjithsesi, miliona njerëz po veprojnë kështu sot. Nëse besojmë te Jehovai me gjithë zemrën tonë, do të gëzojmë jetën tani e do të kemi mundësi të vazhdojmë të ecim përgjithmonë në udhët e drejta të Perëndisë tonë të dashur që na jep frymën e shenjtë.—Psalmi 128:1; Proverbat 3:5, 6.
Si do të përgjigjeni?
• Si ndikon ‘ecja sipas frymës’ në marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe me Birin e tij?
• Nga cilat cilësi përbëhet fryti i frymës?
• Cilat janë disa mënyra se si mund ta shfaqim frytin e frymës së Perëndisë?
• Si ndikon në jetën tonë tani dhe në shpresën për të ardhmen ecja sipas frymës?
[Figura në faqen 23]
Fryma e shenjtë e Jehovait na nxit t’i duam bashkëbesimtarët
[Figura në faqen 24]
Tregoni mirëdashje me fjalë dhe vepra të dobishme