Të kemi një pikëpamje biblike për kujdesin shëndetësor
«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, . . . me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.»—MAR. 12:30.
1. Çfarë qëllimi kishte në fillim Perëndia për njerëzit?
SËMUNDJET dhe vdekja nuk përfshiheshin në qëllimin që kishte në fillim Perëndia Jehova për njerëzit. Adami dhe Eva u vendosën në kopshtin e Edenit, në parajsën e kënaqësisë, ‘që ta punonin e të kujdeseshin për të’ jo vetëm për 70 ose 80 vjet, por për gjithë përjetësinë. (Zan. 2:8, 15; Psal. 90:10) Nëse çifti i parë njerëzor do t’i kishte qëndruar besnik Jehovait dhe nga dashuria do t’i ishte nënshtruar sovranitetit të tij, ata nuk do të kishin provuar kurrë sëmundjet, dobësitë fizike dhe vdekjen.
2, 3. (a) Si përshkruhet pleqëria në librin e Eklisiastiut? (b) Kush është përgjegjës për vdekjen adamike dhe si do të zhbëhen pasojat e saj?
2 Te kapitulli 12 i Eklisiastiut, jepet një përshkrim i gjallë i ‘ditëve të kobshme’ që i shoqërojnë njerëzit e papërsosur gjatë pleqërisë. (Lexo Eklisiastiun 12:1-7.) Flokët e bardhë krahasohen me lulet e ‘pemës së bajames’. Këmbët krahasohen me «burrat e fuqishëm» që kërrusen dhe lëkunden. Zonjat që shkojnë në dritare për të kërkuar dritë e që gjejnë vetëm errësirë, janë një ilustrim i përshtatshëm i shikimit që dobësohet. Meqë disa dhëmbë mungojnë, ‘gratë që bluajnë e lënë punën, sepse janë pakësuar’.
3 Këmbët që dridhen, shikimi i dobët dhe goja pa dhëmbë, sigurisht që nuk bënin pjesë në qëllimin që kishte në fillim Perëndia për njerëzimin. Për më tepër, vdekja e trashëguar nga Adami është një nga «veprat e Djallit» që Biri i Perëndisë do të zhbëjë nëpërmjet Mbretërisë së tij mesianike. Apostulli Gjon shkroi: «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.»—1 Gjon. 3:8.
Interesimi i ekuilibruar është i natyrshëm
4. Pse shërbëtorët e Jehovait interesohen në mënyrë të ekuilibruar për shëndetin, por për çfarë janë të vetëdijshëm?
4 Sot, disa shërbëtorë të Jehovait kanë shëndet të dobët dhe probleme nga pleqëria, e këto janë të zakonshme për njerëzimin mëkatar. Interesimi i ekuilibruar për shëndetin në këto rrethana është i natyrshëm, madje për dobinë tonë. Ne duam t’i shërbejmë Jehovait «me gjithë forcën» tonë. (Mar. 12:30) Por, ndërsa përpiqemi të kemi një shëndet normal, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se nuk mund të bëjmë shumë për të ngadalësuar procesin e plakjes ose për të shmangur të gjitha sëmundjet.
5. Ç’mësim mund të nxjerrim nga mënyra se si i kanë përballuar sëmundjet shërbëtorët besnikë të Perëndisë?
5 Shumë shërbëtorëve besnikë të Jehovait u është dashur të përballen me probleme shëndetësore. Epafroditi ishte një prej tyre. (Filip. 2:25-27) Shoku besnik i apostullit Pavël, Timoteu, vuante shpesh nga stomaku, prandaj Pavli e këshilloi që të përdorte «pak verë». (1 Tim. 5:23) Vetë Pavli duhej të përballonte «një gjemb në mish», ndoshta ndonjë problem me sytë a sëmundje tjetër, për të cilën nuk kishte ndonjë kurë në atë kohë. (2 Kor. 12:7; Gal. 4:15; 6:11) Në lidhje me ‘gjembin në mish’, Pavli i bëri përgjërime të zjarrta Jehovait. (Lexo 2 Korintasve 12:8-10.) Perëndia nuk ia hoqi Pavlit ‘gjembin në mish’ me anë të një mrekullie. Në vend të kësaj, Ai e forcoi që ta duronte. Në këtë mënyrë, fuqia e Jehovait u bë e dukshme në dobësinë e Pavlit. Sigurisht, mund të nxjerrim mësim nga ky rast.
Të mos shqetësohemi së tepërmi për shëndetin
6, 7. Pse nuk duhet të shqetësohemi së tepërmi për shëndetin?
6 Siç e dini, Dëshmitarët e Jehovait pranojnë ndihmë mjekësore dhe forma të ndryshme trajtimesh. Shpesh, revista jonë Zgjohuni! përmban artikuj për çështje shëndetësore. Dhe, ndonëse ne nuk rekomandojmë ndonjë trajtim të veçantë, vlerësojmë ndihmën dhe bashkëpunimin e profesionistëve të shëndetësisë. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se shëndeti i përsosur tani për tani është i paarritshëm. Prandaj, e dimë se është e mençur të mos lejojmë që shqetësimi për shëndetin të na bëhet fiksim. Qëndrimi ynë duhet të jetë ndryshe nga ata që nuk kanë «asnjë shpresë», të cilët mendojnë se kjo jetë është gjithçka dhe do të përdornin çdo lloj trajtimi në përpjekje për t’u shëruar. (Efes. 2:2, 12) Jemi të vendosur të mos humbim miratimin e Jehovait për të shpëtuar jetën e sotme, sepse jemi të bindur se, po t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë, ‘do të rrokim jetën e vërtetë’, jetën e përhershme në botën e re që na ka premtuar.—1 Tim. 6:12, 19; 2 Pjet. 3:13.
7 Ka edhe një arsye tjetër pse e shmangim shqetësimin e tepërt për shëndetin. Shqetësimi i tepërt mund të bëjë që të përqendrohemi vetëm te vetja. Pavli paralajmëroi kundër këtij rreziku kur i nxiti filipianët që ‘të shihnin me interes jo vetëm çështjet e tyre, por edhe ato të të tjerëve’. (Filip. 2:4) Është me vend të kujdesemi në mënyrë të arsyeshme për veten, por interesi i madh që tregojmë ndaj vëllezërve dhe njerëzve të cilëve u japim ‘lajmin e mirë për mbretërinë’, nuk do të lejojë të shqetësohemi së tepërmi për mirëqenien tonë fizike.—Mat. 24:14.
8. Për çfarë mund të na shtyjë shqetësimi i tepruar për shëndetin?
8 Për një të krishterë ekziston rreziku që shqetësimi për shëndetin t’i zërë vendin interesave të Mbretërisë. Gjithashtu, fiksimi pas shëndetit mund të na shtyjë që t’ua imponojmë të tjerëve opinionin tonë lidhur me vlerën e ndonjë diete, trajtimi ose produkti dietik të caktuar. Në lidhje me këtë, kini parasysh parimin që gjendet në fjalët e Pavlit: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme, në mënyrë që të jeni të patëmetë e të mos pengoni të tjerët deri në ditën e Krishtit.»—Filip. 1:10.
Ç’gjë është më e rëndësishme?
9. Cila është një nga gjërat më të rëndësishme që nuk duhet të lëmë pas dore dhe pse?
9 Nëse po sigurohemi për gjërat më të rëndësishme, do të marrim pjesë aktivisht në veprën e shërimit frymor. Ajo kryhet duke u predikuar dhe mësuar të tjerëve Fjalën e Perëndisë. Kjo vepër e gëzueshme na sjell dobi neve dhe atyre që mësojmë. (Prov. 17:22; 1 Tim. 4:15, 16) Në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, përfshihen ndonjëherë artikuj që flasin për vëllezërit dhe motrat tona frymore me sëmundje të rënda. Në këta artikuj, shpjegohet se si i përballojnë problemet, e madje si e heqin përkohësisht mendjen nga ato, duke u përpjekur të ndihmojnë të tjerët të njohin Jehovain dhe premtimet e tij të mrekullueshme.a
10. Pse ka rëndësi trajtimi që zgjedhim?
10 Kur has një problem shëndetësor, çdo i krishterë i rritur duhet ‘të mbajë ngarkesën e vet’ të përgjegjësisë në zgjedhjen e trajtimit. (Gal. 6:5) Por, duhet të kujtojmë se trajtimi që zgjedhim, ka rëndësi për Jehovain. Ashtu si respekti për parimet biblike na nxit ‘të rrimë larg nga gjaku’, po kështu respekti i thellë për Fjalën e Perëndisë duhet të na shtyjë të shmangim ato trajtime që mund të na dëmtojnë frymësisht ose të ndikojnë në marrëdhënien tonë me Jehovain. (Vep. 15:20) Disa procedura terapeutike dhe diagnostikimi duken shumë të ngjashme me praktikat spiritiste. Jehovai nuk i miratoi izraelitët apostatë që iu drejtuan ‘fuqisë magjike’ ose praktikave spiritiste. Ai deklaroi: «Mjaft sollët blatime në drithë pa asnjë vlerë. Temjani më është pështirosur. Po njësoj edhe hëna e re, sabati dhe thirrja e asamblesë, sepse nuk duroj dot edhe të përdoret fuqi magjike, edhe të mbahen asamble solemne.» (Isa. 1:13) Sigurisht që, kur jemi sëmurë, nuk është koha të bëjmë diçka që mund të na pengojë lutjet dhe të vërë në rrezik marrëdhënien tonë me Perëndinë.—Vajt. 3:44.
‘Mendja e shëndoshë’ është thelbësore
11, 12. Ç’rol luan ‘mendja e shëndoshë’ kur duhet të zgjedhim një trajtim mjekësor?
11 Kur jemi sëmurë, nuk mund të presim që Jehovai të na shërojë me ndonjë mrekulli, por mund të lutemi për mençuri para se të zgjedhim një trajtim. Duhet të kërkojmë që për zgjedhjen tonë të drejtohemi nga parimet biblike dhe gjykimi i shëndoshë. Në qoftë se është një rast serioz, mund të jetë e mençur që, nëse është e mundur, të mos konsultohemi vetëm me një specialist, në përputhje me mendimin që shprehet te Proverbat 15:22, ku thuhet: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët që ‘të jetonin me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote’.—Titit 2:12.
12 Shumë veta janë në një situatë të ngjashme me atë të një gruaje të sëmurë në kohën e Jezuit. Te Marku 5:25, 26 lexojmë: «Aty ishte një grua që kishte dymbëdhjetë vjet që s’i pushonte rrjedhja e gjakut. Ajo kishte vuajtur së tepërmi nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj, por nuk kishte parë asnjë dobi, përkundrazi, ishte bërë më keq.» Jezui e shëroi atë grua dhe e trajtoi me dhembshuri. (Mar. 5:27-34) Të dëshpëruar, disa të krishterë janë tunduar të zgjedhin metoda terapeutike ose diagnostikimi që bien ndesh me parimet e adhurimit të pastër.
13, 14. (a) Si mund ta përdorë Satanai zgjedhjen tonë të trajtimeve mjekësore për të na thyer integritetin? (b) Pse duhet të rrimë larg çdo gjëje që mund të lidhet me okultizmin?
13 Satanai do të përdorë çdo mjet për të na shpërqendruar nga adhurimi i vërtetë. Ashtu si përdor imoralitetin seksual dhe materializmin për t’i bërë disa të pengohen, po kështu përpiqet t’ua thyejë integritetin të tjerëve me anë të trajtimeve të diskutueshme që faktikisht mund të përfshijnë përdorimin e okultizmit dhe të spiritizmit. I lutemi Jehovait që të na çlirojë nga «i ligu» dhe nga «çdo lloj paligjshmërie». Prandaj, nuk duhet të jemi vegla në duart e Satanait, duke e futur veten në situata që mund të lidhen me spiritizmin dhe okultizmin.—Mat. 6:13; Titit 2:14.
14 Jehovai i ndaloi izraelitët të merreshin me fall dhe magji. (Ligj. 18:10-12) Pavli e rendit ‘marrjen me spiritizëm’ ndër «veprat e mishit». (Gal. 5:19, 20) Për më tepër, «ata që merren me spiritizëm» nuk do të bëjnë pjesë në sistemin e ri të Jehovait. (Zbul. 21:8) Qartë pra, çdo gjë që ka sadopak gjurmë spiritizmi, është e neveritshme për Jehovain.
«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë»
15, 16. (a) Pse kemi nevojë për mençuri në zgjedhjen e kujdesit shëndetësor? (b) Ç’këshillë të mençur dha trupi udhëheqës në shekullin e parë?
15 Duke pasur parasysh ato që thamë më sipër, nëse do të kishim dyshime për ndonjë procedurë terapeutike ose diagnostikimi, do të ishte e mençur të mos e pranonim. Sigurisht, thjesht fakti që ne vetë nuk jemi në gjendje të shpjegojmë se si funksionon një teknikë mjekësore, nuk do të thotë në vetvete se përfshin ndonjë formë spiritizmi. Për të pasur një pikëpamje biblike për kujdesin shëndetësor, kërkohet mençuri hyjnore dhe gjykim i shëndoshë nga ana jonë. Te kapitulli 3 i Proverbave gjejmë këtë këshillë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua. . . . Ruaje mençurinë dhe aftësinë për të menduar; ato do të jenë jetë për shpirtin tënd.»—Prov. 3:5, 6, 21, 22.
16 Kështu, teksa përpiqemi të kemi një shëndet sa më të mirë, duhet të tregojmë kujdes që të mos humbim miratimin e Perëndisë ndërsa përpiqemi të përballojmë sëmundjet ose plakjen. Në lidhje me shëndetin, ashtu si edhe në gjëra të tjera, duhet që ‘arsyetueshmërinë tonë ta njohin të gjithë njerëzit’ ndërsa jetojmë në përputhje me parimet biblike. (Filip. 4:5) Në një letër me rëndësi jetësore, trupi udhëheqës në shekullin e parë i udhëzoi të krishterët që të rrinin larg nga idhujtaria, gjaku dhe kurvëria. Ajo letër i siguronte: «Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju vejë mbarë.» (Vep. 15:28, 29) Në ç’kuptim?
Kujdes i arsyeshëm ndërsa presim një shëndet të përsosur
17. Si kemi nxjerrë dobi fizikisht ngaqë u jemi përmbajtur parimeve biblike?
17 Secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A i kuptoj dobitë që kam pasur ngaqë u jam përmbajtur me përpikëri parimeve biblike për gjakun dhe kurvërinë?» Të mendojmë edhe për dobitë që kemi pasur ngaqë jemi përpjekur ‘të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës’. (2 Kor. 7:1) Duke iu përmbajtur normave biblike në lidhje me higjienën personale, shmangim shumë sëmundje. Kemi dobi ngaqë shmangim përdorimin e duhanit e të drogës që na ndotin frymësisht dhe fizikisht. Të mendojmë edhe për dobitë shëndetësore që vijnë ngaqë jemi të përkorë kur hamë ose pimë. (Lexo Proverbat 23:20; Titit 2:2, 3.) Megjithëse faktorë të tillë si, pushimi dhe ushtrimet fizike mund të ndikojnë në gjendjen e përgjithshme shëndetësore, në veçanti, kemi pasur dobi fizikisht dhe frymësisht ngaqë kemi pranuar drejtimin nga Shkrimet.
18. (a) Për çfarë duhet të interesohemi mbi të gjitha? (b) Përmbushjen e cilës profeci për shëndetin mund të presim me padurim?
18 Mbi të gjitha, duhet të kujdesemi për shëndetin frymor dhe të forcojmë marrëdhënien e çmuar me Atin tonë qiellor, Burimin e «jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë» në botën e re që ka premtuar. (1 Tim. 4:8; Psal. 36:9) Në botën e re të Perëndisë, do të kryhet shërimi i plotë frymor dhe fizik nëpërmjet faljes së mëkateve në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Qengji i Perëndisë, Jezu Krishti, do të na drejtojë për te «burimet e ujërave të jetës» dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë tanë. (Zbul. 7:14-17; 22:1, 2) Gjithashtu, në atë kohë, do të përjetojmë përmbushjen e kësaj profecie emocionuese: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isa. 33:24.
19. Për çfarë jemi të sigurt ndërsa tregojmë kujdes të ekuilibruar për shëndetin?
19 Jemi të bindur se çlirimi ynë është afër dhe presim me padurim ditën kur Jehovai do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen. Ndërkohë, kemi sigurinë se Ati ynë i dashur do të na ndihmojë të durojmë barrën e dhembjeve nga sëmundjet, sepse ‘ai interesohet për ne’. (1 Pjet. 5:7) Kështu, le të kujdesemi për shëndetin, por gjithnjë në përputhje me udhëzimet e qarta të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë!
[Shënimi]
a Një listë me artikuj të tillë, gjendet në kutinë në faqen 17 të Kullës së Rojës, 1 shtator 2003.
Pyetje për rishikim
• Kush është përgjegjës për sëmundjet dhe kush do të na lehtësojë nga pasojat e mëkatit?
• Çfarë duhet të shmangim edhe pse është normale të interesohemi për shëndetin?
• Pse zgjedhja jonë e trajtimeve mjekësore i intereson Jehovait?
• Si mund të nxjerrim dobi duke iu përmbajtur parimeve biblike në lidhje me shëndetin?
[Figura në faqen 23]
Njerëzimi nuk u krijua që të sëmuret e të plaket
[Figura në faqen 25]
Pavarësisht nga problemet shëndetësore, populli i Jehovait përjeton gëzim në shërbim